ANDREA
[nga rrënja e një fjale greke që do të thotë «burrë; mashkull»; ka të ngjarë, mashkullor].
Vëlla i Simon Pjetrit dhe bir i Jonait (Gjonit). (Mt 4:18; 16:17) Andrea kishte lindur në Betsaidë, por bashkë me Simonin jetonte në Kapernaum kur Jezui i thirri të bëheshin «peshkatarë njerëzish». (Mr 1:16, 17, 21, 29; Gjo 1:44) Të dyja qytetet ndodheshin në veri të detit të Galilesë, ku dy vëllezërit merreshin me peshkim në ortakëri me Jakovin dhe Gjonin.—Mt 4:18; Mr 1:16; Lu 5:10.
Në fillim Andrea ishte dishepull i Gjon Pagëzorit. (Gjo 1:35, 40) Në vjeshtë të vitit 29 të e.s., ai ndodhej në Betani, në bregun lindor të lumit Jordan, dhe dëgjoi që Gjon Pagëzori e paraqiti Jezuin si «Qengji i Perëndisë». (Gjo 1:29) Bashkë me një dishepull tjetër (ka të ngjarë Gjonin), ai e ndoqi Jezuin deri te vendi ku po qëndronte dhe shpejt u bind se kishte gjetur Mesinë. Pastaj gjeti të vëllanë, Simonin, i tregoi për Jezuin dhe e çoi tek ai. (Gjo 1:36-41) Dy vëllezërit iu kthyen peshkimit, por 6 muaj a 1 vit më vonë, pas arrestimit të Gjon Pagëzorit, Jezui i ftoi që bashkë me Jakovin dhe Gjonin të bëheshin «peshkatarë njerëzish». Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe shkuan pas Jezuit. (Mt 4:18-20; Mr 1:14, 16-20) Më vonë, të katërt u bënë apostuj, dhe vlen të thuhet se, në të gjitha listat e apostujve, Andrea përmendet gjithnjë ndër katër të parët.—Mt 10:2; Mr 3:18; Lu 6:14.
Më pas, Andrea përmendet thjesht kalimthi. Ai dhe Filipi folën me Jezuin se si të ushqenin një turmë me rreth 5.000 veta. Andrea sugjeroi të ndahej ai pak ushqim që ishte në dispozicion, por edhe vetë nuk ishte i bindur sa i dobishëm ishte sugjerimi i tij. (Gjo 6:8, 9) Kur kremtuan Pashkën e fundit, Filipi shkoi të këshillohej me Andrean pasi disa grekë kishin kërkuar të shihnin Jezuin dhe të dy vajtën të pyetnin Jezuin. (Gjo 12:20-22) Ai ishte një nga katër dishepujt që i kërkuan Jezuit në Malin e Ullinjve shenjën që do të shënonte përfundimin e atij sistemi. (Mr 13:3) Emri i tij shfaqet për herë të fundit pak pas ngjitjes së Jezuit në qiell.—Ve 1:13.