APOLI
[shkatërrues; shkurtim i emrit Apolon].
Jude nga Aleksandria e Egjiptit, gojëtar dhe njohës i mirë i Shkrimeve Hebraike. Duhet t’i kenë dëshmuar dishepuj të Gjon Pagëzorit ose dëshmitarë të krishterë para festës së Ditës së Pesëdhjetë, pasi ai «njihte vetëm pagëzimin e Gjonit». (Ve 18:24, 25) Ai kishte bindje kaq të zjarrta sa, me të arritur në Efes rreth vitit 52 të e.s., filloi të jepte dëshmi në sinagogë. Atje takoi Akuilën dhe Prishilën, të cilët mbushën disa boshllëqe në kuptueshmërinë e tij për mësimin e krishterë. Me një letër shoqëruese, ai shkoi nga Efesi në Akai dhe duket se e përqendroi aktivitetin në Korint, ku para tij kishte qenë Pavli. Zelli dhe forca me të cilën hidhte poshtë me anë të Shkrimeve argumentet e judenjve jobesimtarë, i ndihmuan shumë vëllezërit e atjeshëm. Në këtë mënyrë, ai ‘ujiti atë që kishte mbjellë Pavli’.—Ve 18:26-28; 19:1; 1Ko 3:6.
Mjerisht, kur Pavli u shkroi korintasve letrën e tij të parë (rr. 55 të e.s.), në kongregacionin e Korintit ishin formuar fraksione, pasi disa shihnin si drejtues të tyre Apolin gojëtar, kurse të tjerë preferonin Pavlin ose Pjetrin a njihnin vetëm Krishtin. (1Ko 1:10-12) Me këtë letër, Pavli ndreqi mendimin e tyre të gabuar, duke treguar sa i domosdoshëm ishte uniteti dhe sa pak rëndësi kishin individët, që ishin veçse shërbëtorë të Perëndisë e të Krishtit. (1Ko 3:4-9, 21-23; 4:6, 7) Me sa duket, në atë kohë, Apoli duhet të ketë qenë në Efes ose diku afër tij, ku Pavli shkroi Letrën e Parë drejtuar Korintasve, sepse apostulli thotë se i ishte lutur Apolit të vizitonte kongregacionin e Korintit. (1Ko 16:12) Apoli mund të ketë ngurruar për shkak të pikëpamjeve të gabuara që kishin korintasit ose thjesht ngaqë mendonte se nevojitej të qëndronte edhe ca në Efes. Sidoqoftë, deklarata e shkurtër e Pavlit tregon se këta misionarë të zellshëm nuk kishin lejuar që uniteti i tyre të prishej nga ç’kish ndodhur në Korint. Apoli përmendet për herë të fundit te Titi 3:13, ku Pavli i kërkon Titit që ishte në Kretë të plotësonte nevojat e Apolit që po bëhej gati për një udhëtim.