DANIELI
[gjykatësi im është Perëndia].
1. Djali i dytë i Davidit, që lindi në Hebron. E ëma ishte Abigaila. (1Kr 3:1) Te 2 Samuelit 3:3 quhet Kileab. Pas vrasjes së Amnonit, të parëlindurit, Danieli mund të pretendonte të merrte fronin pas Davidit, por askund nuk thuhet se ai u orvat ta uzurponte, pra ose e respektoi emërimin e Solomonit në këtë post nga vetë Perëndia, ose vdiq para të atit.
2. Profeti i shquar i Jehovait nga fisi i Judës. Shkrimtari i librit që mban emrin e tij. Dihet shumë pak për pjesën e parë të jetës së tij, por ai vetë thotë se e morën në Babiloni bashkë me fisnikë e pasardhës të tjerë me gjak mbretëror, ka të ngjarë kur ishte ende adoleshent. (Dn 1:3-6) Kjo ndodhi në pranverë të vitit 618 p.e.s., kur filloi viti i 3-të i mbretërimit të Jehojakimit (si mbret që i paguante haraç Babilonisë). (Dn 1:1) Pas vdekjes së palavdishme të Jehojakimit, i biri, Jehojakini, mbretëroi për pak muaj dhe pastaj u dorëzua. Në fillim të vitit 617 p.e.s., Jehojakinin dhe të tjerë nga «të parët e vendit», mes të cilëve edhe të riun Daniel (2Mb 24:15), Nabukodonosori i çoi në mërgim.
Nën sundimin babilonas. Gjatë kohës që shumë të mërguar gjendeshin buzë lumit Kebar, jashtë qytetit të Babilonisë, Danielin dhe tre shokët e tij i zgjodhën për një kurs të veçantë për të mësuar të shkruanin dhe të flisnin gjuhën kaldease që të kryenin detyra qeveritare. Sipas zakonit, atyre u vunë emra babilonas. Danielin e quajtën Belteshazar, sipas emrit të perëndisë së Nabukodonosorit. (Dn 1:7; 4:8; shih BELTESHAZARI.) Duke mos dashur të ndotej me ushqimet që ishin zgjedhur për ta, disa prej të cilave mund të kenë qenë të ndaluara në Ligjin e Moisiut ose të përdhosura nga rite pagane, Danieli kërkoi që atij dhe tre shokëve të tij t’u jepeshin vetëm perime e ujë. Perëndia Jehova u dha «njohuri, gjykim të thellë në çdo shkrim dhe mençuri. Kurse Danieli kuptonte çdo lloj vegimi dhe ëndrre». (Dn 1:17) Kur në fund të tre vjetëve mbreti i mori në pyetje, ata ishin «dhjetë herë më të mirë se gjithë priftërinjtë që merreshin me magji dhe ndjellësit e frymërave në gjithë mbretërinë e tij».—Dn 1:20.
Danieli vazhdoi të shërbente në oborrin mbretëror derisa ra Babilonia. Te Danieli 1:19 thuhet se edhe tre shokët e tij «qëndruan në shërbim të mbretit» (të Babilonisë). Nuk saktësohet nëse ata jetuan aq gjatë sa ta mbanin këtë pozitë deri kur ra Babilonia. Kurse Danieli vazhdoi në atë pozitë dhe, pas rënies së Babilonisë, ishte pjesë e oborrit pers të paktën deri vitin e 3-të të mbretërimit të Kirit.—Dn 10:1.
Ëndrrat e Nabukodonosorit. Vitin e 2-të të mbretërimit (ndoshta duke numëruar nga viti 607 p.e.s. kur ra Jerusalemi), Nabukodonosori sheh një ëndërr që ‘e trazon’. Gjithë të mençurit nuk arrijnë t’ia tregojnë ëndrrën, kurse Danieli shkon te mbreti dhe i tregon jo vetëm ëndrrën që i ka zbuluar Perëndia, por edhe interpretimin e saj, duke shpëtuar nga vdekja veten dhe të mençurit e tjerë. Atëherë Nabukodonosori vendos ta bëjë Danielin «sundimtar mbi gjithë provincën e Babilonisë e kryeprefekt të të gjithë burrave të mençur të Babilonisë». (Dn 2:48) Tre shokët e tij marrin detyra të larta jashtë oborrit mbretëror, kurse Danieli shërben në oborr.
Nuk dihet pse Danieli nuk ishte me tre shokët e tij, Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon gjatë sprovës së integritetit kur doli urdhri për të adhuruar shëmbëlltyrën prej ari në rrafshinën e Durës. (Dn 3) Bibla nuk thotë asgjë lidhur me këtë. Sjellja e mëparshme e Danielit, si dhe besnikëria e tij e mëvonshme ndaj Perëndisë edhe kur e kishte jetën në rrezik (siç përshkruhet në kapitullin 6), na sigurojnë plotësisht se, në çfarëdolloj rrethane, Danieli nuk do të përkulej para shëmbëlltyrës po të kish qenë i pranishëm. Gjithashtu, në Fjalën e tij Jehovai tregon se e miratonte Danielin si një njeri plotësisht të përkushtuar, duke e renditur përkrah Noesë dhe Jobit.—Ezk 14:14, 20; Mt 24:15; He 11:32, 33.
Më vonë, Danieli interpretoi ëndrrën e Nabukodonosorit për pemën tejet të madhe që u pre dhe u lejua të lulëzonte sërish. Ai shpjegoi se kjo pemë paraqiste vetë monarkun e madh babilonas (në përmbushjen e parë të profecisë). (Dn 4:20-22) Nabukodonosori do të ishte i çmendur për shtatë vjet e pas shtatë vjetëve do t’i kthehej arsyeja dhe mbretëria. Nabukodonosori e vërtetoi vetë përmbushjen e ëndrrës që i dha Perëndia, sepse e pa të udhës ta tregonte në mbarë mbretërinë atë që i ndodhi.—Dn 4:1, 2.
Vegimet. Vitin e 1-rë dhe të 3-të të mbretërimit të Belshazarit, Danieli pati dy vegime (Dn kap. 7, 8) ku kafshë të ndryshme paraqitnin fuqi botërore të njëpasnjëshme deri në kohën kur të asgjësoheshin dhe sundimi qiellor t’i jepej ‘dikujt si bir njeriu’. (Dn 7:11-14) Nuk dihet nëse Danieli ishte vërtet në Shushan kur pati vegimin e dokumentuar në kapitullin 8 apo e pa veten atje në vegim. Duket se pas vdekjes së Nabukodonosorit, për shumë vjet Danieli nuk bëri pothuajse asgjë në cilësinë e këshilltarit, ndaj mbretëresha (ka të ngjarë nëna mbretëreshë) e gjykoi të nevojshme t’i fliste Belshazarit për të, kur asnjë nga të mençurit nuk mundi të interpretonte shkrimin ogurzi të dorës në murin e pallatit gjatë gostisë së shthurur e blasfemuese të Belshazarit. Siç premtoi mbreti, në gjithë mbretërinë u lajmërua se Danieli «do të bëhej sundimtari i tretë në mbretëri», pas Nabonidit që ishte sundimtari i parë dhe Belshazarit që ishte i dyti. Po atë natë qyteti ra në duart e medëve e të persëve dhe Belshazarin e vranë.—Dn 5:1, 10-31.
Nën sundimin medo-pers. Gjatë mbretërimit të medit Dar, Danieli ishte një nga tre zyrtarët e lartë në krye të 120 satrapëve që drejtonin gjithë mbretërinë. Falë përkrahjes së Perëndisë, Danieli e kryente në mënyrë të shkëlqyer detyrën qeveritare, prandaj mbreti kishte ndër mend ta vinte në krye të gjithë mbretërisë. Mirëpo zilia dhe xhelozia i bëri zyrtarët e tjerë të kurdisnin fundin e tij. Ata e nxitën mbretin të nxirrte një ligj që cenonte adhurimin e Danielit ndaj Perëndisë, pasi s’kishin ku ta kapnin tjetër. Sipas zakonit, ligji i nxjerrë nga mbreti s’mund të ndryshohej, ndaj ai e hodhi me gjysmë zemre Danielin në gropën e luanëve. Për integritetin dhe besimin e patundur që tregoi, Jehovai dërgoi te Danieli engjëllin e Tij që ta çlironte nga goja e luanëve. Atëherë Dari vuri në vend drejtësinë duke hedhur në gojën e luanëve vetë komplotuesit.—Dn 6.
Vitin e 1-rë të mbretërimit të Darit, Danieli dalloi se sipas shkrimeve të Jeremisë ishte afër fundi i 70 viteve të shkretimit të Jerusalemit. (Jr 25:11, 12) Danieli pranoi me përulësi mëkatet e popullit dhe iu lut Jehovait që fytyra e Tij të shkëlqente mbi shenjtëroren e shkretuar në Jerusalem. (Dn 9:1, 2, 17) Ai pati privilegjin të merrte një zbulesë nëpërmjet Gabrielit, i cili i dha profecinë e 70 javëve, ku tregohej viti i ardhjes së Mesisë. Danieli ishte gjallë kur judenjtë u kthyen në atdhe me Zorobabelin në vitin 537 p.e.s., por nuk thuhet askund se u kthye me ta. Gjatë vitit të 3-të të mbretërimit të Kirit (536 p.e.s.), Danieli mori një vegim nga një engjëll i cili, kur po shkonte te Danieli, u përlesh me princin e Persisë. Engjëlli i tregoi ‘ç’do të ndodhte me popullin e Danielit në ditët e fundit, sepse ishte një vegim për ditët që do të vinin’. (Dn 10:14) Duke filluar nga mbretërit e Persisë, ai paratha një faqe të historisë. Profecia tregonte se në skenën botërore do të mbizotëronin dy fuqi kryesore politike kundërshtare, të quajtura «mbreti i veriut» e «mbreti i jugut». Sipas profecisë, kjo situatë do të zgjaste derisa të ngrihej Mikaeli e, pas kësaj, do të vinte një kohë me shumë ankth.—Dn kap. 11, 12.
Pas vitit të 3-të të mbretërimit të Kirit, Danieli mund të mos ketë jetuar edhe shumë vite. Nëse kishte qenë adoleshent kur e çuan në Babiloni në vitin 617 p.e.s., ai duhet të ketë qenë gati 100 vjeç kur pati vegimin e dokumentuar në kapitujt 10 deri në 12. Engjëlli i tha Danielit: «Kurse ti shko drejt fundit tënd. Do të prehesh, por do të çohesh për të marrë pjesën tënde në fund të ditëve.» Këto fjalë mund të lënë të kuptohet se jeta e tij po i afrohej fundit dhe engjëlli po e siguronte se do të ringjallej.—Dn 12:13.
Danieli shkrimtar. Për Danielin flet Krishti (Mt 24:15) dhe te Hebrenjve 11:33 ai përmendet tërthorazi. Kritikët nuk mund të provojnë se një a më shumë shkrimtarë të epokës pas Makabenjve kanë shkruar librin kanonik të Danielit ose pjesë të tij. Megjithatë, tri shtesat me titull «Kënga e tre fëmijëve të shenjtë», «Suzana dhe pleqtë» dhe «Shkatërrimi i Belit dhe i Dragoit» janë shkrime apokrife të shkruara më vonë nga një dorë tjetër. Këto dhe shkrime të tjera që i atribuohen Danielit ose që paraqesin bëma a mësime të pazakonta që mendohet se vijnë prej tij, janë më shumë përralla që përqendrohen te fama e madhe e Danielit e nuk janë të besueshme.—Shih APOKRIF, APOKRIFE; gjithashtu LIBRI I DANIELIT.
3. Prift levit nga shtëpia e Ithamarit, i cili shkoi me Ezdrën në Jerusalem në vitin 468 p.e.s. (Ezd 8:2) Ndoshta ai vetë ose pasardhësi i tij vulosi dokumentin e rrëfimit gjatë kohës së guvernatorit Nehemia (Ne 10:6); megjithatë nuk duhet ngatërruar me profetin Daniel që ishte nga fisi i Judës.—Dn 1:6.