PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN
Azia dhe Lindja e Mesme
VENDE 48
POPULLSIA 4.315.759.010
LAJMËTARË 703.271
STUDIME BIBLIKE 732.106
Pyeti nëse mund të vinin edhe të tjerë
Në Indonezi një vëlla i dha ftesën e Përkujtimit një roje parkimi dy ditë para. Roja, i cili ishte mysliman, e pyeti nëse mund të vinin edhe të tjerë, ngaqë mori vetëm një ftesë. Vëllai iu përgjigj se mund të vinin edhe të tjerë. Burri i tha se kishte familje të madhe dhe i kërkoi më shumë ftesa. Vëllai i dha 20 ftesa dhe i shpjegoi se bëhej fjalë për Përkujtimin e vdekjes së Jezuit dhe se të gjithë ishin të mirëpritur, të krishterë e myslimanë. Burri u shpreh se do të sillte rreth 60 deri në 70 veta.
Pak pasi filloi fjalimi i Përkujtimit, ku tashmë ishin 248 veta, erdhi roja i parkimit bashkë me afro 100 të tjerë, burra, gra e fëmijë, përfshirë të moshuar e një grua të rënduar nga shtatzënia. Ata kishin marrë disa makina me qira për të ardhur në hotelin ku po mbahej Përkujtimi. Kur rojat e hotelit panë turmën, në fillim s’e lanë të hynin. U habitën pse kaq shumë myslimanë donin të merrnin pjesë në një ngjarje të krishterë. Pasi u treguan rojave ftesat e Përkujtimit, këta i shoqëruan brenda. Në auditorin e mbipopulluar lejuan të hynin rreth 60 veta nga grupi.
Ca ditë më vonë, vëllai vizitoi rojën e parkimit dhe e pyeti nëse grupit i kishte pëlqyer programi. Ndonëse tha se të gjithë ishin pak të ndrojtur që të merrnin pjesë, u kishte bërë përshtypje mirësia e të pranishmëve, që i përshëndetën kur vajtën e kur ikën. Pastaj, vëllai e ftoi në fjalimin special që do të mbahej të dielën pasuese. Këtë radhë roja erdhi me rreth 40 veta, familjarë e fqinj. Meqë këta erdhën nga fundi i mbledhjes, pleqtë vendosën ta mbanin sërish fjalimin. Drejtuesi e prezantoi prapë fjalimin duke shpjeguar shkurtimisht programin, përfshirë këngën dhe lutjen. Për t’i ndihmuar të pranishmit me bindje myslimane, gjatë gjithë fjalimit oratori përdori terma të njohur për ta, si «Shkrimet e Shenjta» dhe jo «Bibla», «profeti Isá» dhe jo «Jezui».
Më vonë plaku i bëri një vizitë në shtëpi rojës së parkimit dhe filloi një bisedë biblike bazuar te broshura Dëgjoje Perëndinë. Në bisedë u përfshinë edhe 12 të tjerë, disa gra myslimane dhe fëmijë.
Literaturë për autobusët
Mongoli: Lajmëtarët marrin leje t’u shpërndajnë literaturë pasagjerëve
Autobusët që nisen nga Ulan-Batori, Mongoli, udhëtojnë anekënd vendit. Udhëtime të tilla zgjatin deri në 48 orë. Pasagjerët ose kundrojnë peizazhin nga dritarja, ose marrin një sy gjumë. Në autobusë s’ka asgjë për të lexuar, ndonëse mongolezëve u pëlqen leximi. Duke pasur parasysh këtë, disa vëllezër nga kongregacioni i Songinokajrkanit iu afruan shoferëve dhe u thanë: «Duam t’ju dhurojmë një libër të bukur. Avionët mbajnë gjithnjë diçka për të lexuar nëpër sedilie. Nëse mendoni se pasagjerët duan të lexojnë diçka, mund të vëmë ca literaturë në xhepat e sedilieve.» Ofertën e pranuan tetë shoferë. Si rezultat, vëllezërit shpërndanë 299 revista dhe 144 broshura. Gjithashtu morën masa t’i zëvendësonin revistat vazhdimisht me numrat e rinj.
Ngatërrojnë adresë
Në një vend aziatik, dy pleqve iu kërkua t’i bënin vizitë një motre joaktive nga tetë vjet. Ngaqë s’e kishin takuar kurrë motrën, vëllezërit i telefonuan dhe shkuan ta takonin në dyqanin e saj në një treg të madh shumice. Pasi u endën nëpër rrugicat si labirinte, më në fund gjetën një dyqan që përkonte me adresën e motrës. Kur hynë, i priti një grua që kishte një Bibël të vogël në tavolinë. Pasi konfirmuan mbiemrin e saj, vendlindjen dhe moshën e dy fëmijëve, vëllezërit nxorën përfundimin se ishte motra joaktive. Ata i thanë: «Jemi vëllezërit e tu, Dëshmitarë të Jehovait.»
Ajo iu përgjigj e hutuar: «Unë jam e krishterë.» Edhe pse vëllezërit nuk pritnin këtë reagim, i dhanë ca literaturë biblike dhe ajo u tregua tejet mirënjohëse. Kur vëllezërit po largoheshin, kuptuan se kishin hyrë në dyqanin e gabuar. Donin të shkonin te dyqani 2202, mirëpo shkuan te dyqani 2200. Njëri prej tyre tha: «M’u rrëqeth trupi; ishte sikur engjëjt na shtynë drejt atij dyqani. Gruaja dhe motra kishin të njëjtin mbiemër, të njëjtën vendlindje dhe fëmijët e tyre kishin moshë të përafërt. Nëse ajo grua do të kishte pasur mbiemër ose vendlindje tjetër, do ta kishim kuptuar se ishte njeriu i gabuar.» Dy dyqane më tutje më në fund vëllezërit gjetën motrën joaktive që po i priste.
«E ndjeva sa merak kishte Jehovai për mua, sepse, ndonëse isha joaktive për aq shumë kohë, Ai nuk më harroi kurrë.»
Falë asaj vizite të gabuar, gruaja te dyqani i parë nisi të studionte Biblën e të shkonte në mbledhje. Motra joaktive filloi të ndiqte të gjitha mbledhjet e të dilte rregullisht në shërbim. Ajo tha: «E ndjeva sa merak kishte Jehovai për mua, sepse, ndonëse isha joaktive për aq shumë kohë, Ai nuk më harroi kurrë.»
Mesazhe në mot të keq
Filipine: Gregu duke dërguar mesazhe
Gregu dhe Alma u transferuan në ishullin e Katanduanit në Filipine, që të shërbenin ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Një pjesë e terrenit është malor, kështu që u duhet të ecin 19 kilometra për të arritur në territor. Ndonjëherë vozitin me barkë për rreth dy orë që të predikojnë në ishuj të tjerë. Gjatë stinës së shirave e kanë tepër të vështirë t’i bëjnë këto udhëtime. Në vend që të rrinin në shtëpi e të mos predikonin, vendosën të shfrytëzonin ofertat e kompanisë telefonike që u lejon të dërgojnë mesazhe pa limit, me kosto minimale.
Gregu thotë se e nis mesazhin duke u prezantuar. Pastaj shton: «Dua të të tregoj një mesazh nga Bibla.» Një nga shkrimet që i ka sjellë rezultat është Gjoni 17:3. Pasi e përmend, bën dy pyetje: kush është Perëndia i vërtetë? Kush është Jezu Krishti? Më pas e fton personin të përgjigjet. Po të marrë përgjigje, Gregu shton një shkrim tjetër, si Psalmin 83:18. Nëse tjetri përgjigjet prapë, Gregu e pyet në mund ta vazhdojnë bisedën me telefon. Gregu e Alma thonë se shumë veta pranojnë.
Një grua që kontaktuan, kishte disa pyetje për Biblën dhe këmbyen mjaft mesazhe. Ky komunikim çoi në një studim biblik. Gruaja foli për atë që po mësonte me nipin dhe me një shoqe pune. Si rezultat, u pagëzuan që të tre.