Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
2-8 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MATEU 26
«Pashka dhe Përkujtimi—Ngjashmëritë dhe ndryshimet»
(Mateu 26:17-20) Ditën e parë të festës së kuleçve të ndormë dishepujt iu afruan Jezuit dhe e pyetën: «Ku dëshiron të të përgatitim për të ngrënë pashkën?» 18 Ai tha: «Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: “Mësuesi thotë: ‘Koha ime është afër. Do ta kremtoj pashkën bashkë me dishepujt e mi në shtëpinë tënde.’”» 19 Dishepujt bënë siç i urdhëroi Jezui dhe i përgatitën gjërat për pashkën. 20 Kishte rënë mbrëmja, dhe ai ishte shtruar në tryezë me dymbëdhjetë dishepujt.
nwtsty media
Vakti i Pashkës
Vakti i Pashkës përbëhej nga: qengji i pjekur (nuk i duhej thyer asnjë kockë) (1), buka pa maja (2) dhe barishtet e hidhura (3). (Da 12:5, 8; Nu 9:11) Barishtet e hidhura, që sipas Mishnës mund të kishin qenë marule, çikore, djegës (lepidium), endivi ose radhiqe, me sa duket u kujtonin izraelitëve skllavërinë e hidhur në Egjipt. Jezui e përdori bukën pa maja si simbol të trupit të tij njerëzor të përsosur. (Mt 26:26) Apostulli Pavël e quajti Jezuin «qengji i pashkës sonë» (1Ko 5:7, NWT, botimi 2013) Nga shekulli i parë, edhe vera (4) u bë pjesë e vaktit të Pashkës. Jezui e përdori verën si simbol të gjakut të tij që do të derdhej si flijim.—Mt 26:27, 28.
(Mateu 26:26) Ndërsa vazhdonin të hanin, Jezui mori një bukë dhe pasi e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe u tha: «Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.»
nwtsty shënimi për studim te Mt 26:26
përfaqëson: Fjala greke estín (që fjalë për fjalë do të thotë «është») në këtë varg përdoret në kuptimin «nënkupton, simbolizon, paraqet, tregon». Kjo ishte e qartë për apostujt, përderisa në këtë rast i kishin para syve edhe trupin e përsosur të Jezuit, edhe bukën pa maja që do të hanin. Kështu buka nuk mund të ishte trupi i mirëfilltë i Jezuit. Vlen të përmendet se e njëjta fjalë greke është përdorur te Mt 12:7 dhe, në shumë përkthime të Biblës, është lënë «përfaqëson».
(Mateu 26:27, 28) Mori edhe një kupë verë, falënderoi Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: «Pini të gjithë ju, 28 sepse kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.»
nwtsty shënimi për studim te Mt 26:28
gjakun tim të besëlidhjes: Besëlidhja e re, mes Jehovait dhe të krishterëve të mirosur, hyri në fuqi nëpërmjet flijimit të Jezuit. (He 8:10) Në këtë varg Jezui përdori po atë shprehje që përdori Moisiu në malin Sinai, kur veproi si ndërmjetës dhe përuroi besëlidhjen e Ligjit me Izraelin. (Da 24:8; He 9:19-21) Sikurse gjaku i demave dhe i cjepve e bëri të vlefshme besëlidhjen e Ligjit mes Perëndisë dhe kombit të Izraelit, edhe gjaku i Jezuit e bëri të vlefshme besëlidhjen e re që Jehovai do të bënte me Izraelin simbolik. Kjo besëlidhje hyri në fuqi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.—He 9:14, 15.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Mateu 26:17) Ditën e parë të festës së kuleçve të ndormë dishepujt iu afruan Jezuit dhe e pyetën: «Ku dëshiron të të përgatitim për të ngrënë pashkën?»
nwtsty shënimi për studim te Mt 26:17
Ditën e parë të festës së kuleçve të ndormë: Festa e kuleçve të ndormë fillonte më 15 nisan, ditën pas Pashkës (14 nisan), dhe zgjaste 7 ditë. (Shih sgd pjesa 19) Megjithatë, në ditët e Jezuit, Pashka ishte lidhur kaq ngushtë me festën e kuleçve të ndormë, saqë të tetë ditët, përfshirë 14 nisanin, ndonjëherë quheshin «festa e kuleçve të ndormë». (Lu 22:1) Në këtë kontekst shprehja «ditën e parë të» mund të përkthehet edhe «një ditë para». (Krahaso Gjo 1:15, 30 ku, në një strukturë të ngjashme, fjala greke për «e parë» [prótos] është përkthyer «para», domethënë «ekzistonte para [prótos] meje».) Kështu, si fjala origjinale në greqisht, edhe zakoni i judenjve, lënë vend për të nxjerrë përfundimin se dishepujt ia bënë këtë pyetje Jezuit më 13 nisan. Gjatë ditës së 13 nisanit, dishepujt bënë përgatitjet për Pashkën që e kremtuan më vonë, «pasi ra mbrëmja», në fillim të 14 nisanit.—Mr 14:16, 17.
(Mateu 26:39) Pastaj shkoi pak më përpara, ra me fytyrë përtokë dhe filloi të lutej: «Ati im, nëse është e mundur, të hiqet nga unë kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»
nwtsty shënimi për studim te Mt 26:39
të hiqet . . . kjo kupë: Në Bibël fjala «kupë» shpesh përdoret në kuptim të figurshëm për vullnetin e Perëndisë ose si «pjesë e caktuar» për dikë. Pa dyshim shqetësimi i thellë që Jezui ndiente për sharjen që do t’i sillte Perëndisë vdekja e tij si kriminel i akuzuar për blasfemi dhe kryengritje, e shtyu të lutej që ajo «kupë» të hiqej prej tij.
9-15 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MATEU 27-28
«Shkoni dhe bëni dishepuj—Pse, ku dhe si?»
(Mateu 28:19) Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.
nwtsty shënimet për studim te Mt 28:19
bëni dishepuj: Folja greke matheteúo mund të përkthehet «mësoni» të tjerët me synim që të bëni nxënës ose dishepuj. (Krahaso Mt 13:52, ku është përkthyer «mëson».) Foljet «duke i pagëzuar» dhe «mësojuni» tregojnë çfarë përfshin urdhërimi «bëni dishepuj».
njerëz nga të gjitha kombet: Po të përkthehej fjalë për fjalë do të ishte «të gjitha kombet», por nga konteksti kuptohet se kjo shprehje u referohet individëve nga të gjitha kombet. Kjo sepse, në greqisht, te shprehja duke i pagëzuar, përdoret përemri «ata», i cili është në gjininë mashkullore dhe u referohet njerëzve e jo ‘kombeve’, që në greqisht është në gjininë asnjanëse. Urdhri për t’u predikuar ‘njerëzve nga të gjitha kombet’ ishte diçka e re. Para shërbimit të Jezuit, Shkrimet tregojnë se jojudenjtë ishin të mirëpritur në Izrael, nëse shkonin për t’i shërbyer Jehovait. (1Mb 8:41-43) Megjithatë, me këtë urdhërim Jezui po u ngarkonte dishepujve detyrën që vepra e predikimit të mos kryhej vetëm mes judenjve, duke theksuar shtrirjen mbarëbotërore të veprës së bërjes së dishepujve.—Mt 10:1, 5-7; Zb 7:9.
(Mateu 28:20) dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.
nwtsty shënimi për studim te Mt 28:20
mësojuni: Folja greke që përkthehet «të mësosh» përfshin të udhëzosh, të shpjegosh, të argumentosh dhe të paraqesësh prova. (Shih shënimet për studim te Mt 3:1; 4:23.) T’u mësonin të zbatonin të gjitha gjërat që Jezui kishte urdhëruar, do të ishte një proces i vazhdueshëm, që përfshinte t’u tregonin mësimet e Jezuit, si t’i zbatonin ato dhe si të ndiqnin shembullin e tij.—Gjo 13:17; Ef 4:21; 1Pj 2:21.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Mateu 27:51) Kur ja, perdja e shenjtërores u ça më dysh nga maja deri në fund dhe toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë.
nwtsty shënimet për studim te Mt 27:51
perdja: Kjo perde e stolisur bukur ndante Më të Shenjtën nga e Shenjta në tempull. Tradita judaike zbulon se kjo perde e rëndë ishte rreth 18 m (60 ft) e gjatë, 9 m (30 ft) e gjerë dhe 7,4 cm (2,9 in.) e trashë. Duke e çarë më dysh perden, Jehovai jo vetëm që tregoi zemërimin e tij kundër vrasësve të të birit, por edhe që hyrja në qiell tani ishte e mundur.—He 10:19, 20.
e shenjtërores: Fjala greke naós në këtë varg i referohet ndërtesës kryesore që përbëhej nga e Shenjta dhe Më e Shenjta.
(Mateu 28:7) Shkoni shpejt e tregojuni dishepujve të tij se ai u ngrit nga të vdekurit, dhe u thoni: «Ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, ashtu si ju tha.»
nwtsty shënimi për studim te Mt 28:7
tregojuni dishepujve të tij se ai u ngrit: Këto gra jo vetëm që janë të parat dishepulle të cilave iu bë e njohur ringjallja e Jezuit, por janë edhe ato që u udhëzuan të njoftonin dishepujt e tjerë. (Mt 28:2, 5, 7) Sipas traditës judaike, që nuk bazohej në Shkrime, një grua nuk lejohej të dëshmonte në gjyq. Në kontrast me këtë, engjëlli i Jehovait u dha dinjitet grave duke u caktuar këtë detyrë të gëzueshme.
16-22 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MARKU 1-2
«Mëkatet e tua të janë falur»
(Marku 2:3-5) Disa njerëz i çuan një paralitik, që e mbanin katër veta. 4 Por, meqë për shkak të turmës nuk ishin në gjendje ta çonin drejt e te Jezui, ata zbuluan çatinë sipër vendit ku ndodhej ai. Pastaj hapën një të çarë dhe ulën vigun ku ishte shtrirë paralitiku. 5 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha paralitikut: «Bir, mëkatet e tua të janë falur.»
jy 67 ¶3-5
«Mëkatet e tua të janë falur»
Ndërsa Jezui po mësonte në dhomën e tejmbushur me njerëz, katër burra sollën me vig një të paralizuar. Ata donin që Jezui ta shëronte mikun e tyre. Megjithatë, për shkak të turmës, nuk arritën «ta çonin drejt e te Jezui». (Marku 2:4) Mendo pak sa duhet të jenë zhgënjyer. Ata hipën mbi çatinë e sheshtë të shtëpisë dhe hapën një të çarë te tjegullat. Më pas, e ulën brenda në shtëpi vigun ku ishte i paralizuari.
A u zemërua Jezui që e ndërprenë? Jo, aspak! Atij i bëri shumë përshtypje besimi i tyre dhe i tha të paralizuarit: «Mëkatet e tua të janë falur.» (Mateu 9:2) Por, a mund t’i falte vërtet mëkatet Jezui? Skribët dhe farisenjtë e kundërshtuan këtë duke arsyetuar: «Pse flet kështu ky njeri? Ai po blasfemon. Kush mund të falë mëkatet, përveç njërit, Perëndisë?»—Marku 2:7.
Duke i ditur mendimet e tyre, Jezui u tha: «Përse po arsyetoni kështu me vete? Çfarë është më e lehtë, t’i thuash paralitikut: ‘Mëkatet e tua të janë falur’, apo: ‘Ngrihu, merr vigun dhe ec.’» (Marku 2:8, 9) Po, ai mund t’ua falte mëkatet njerëzve bazuar në flijimin që do të bënte më vonë.
(Marku 2:6-12) Aty ishin disa skribë, që rrinin ulur e arsyetonin me vete: 7 «Pse flet kështu ky njeri? Ai po blasfemon. Kush mund të falë mëkatet, përveç njërit, Perëndisë?» 8 Por, me anë të frymës së tij, Jezui e dalloi menjëherë se ç’po arsyetonin me vete, prandaj u tha: «Përse po arsyetoni kështu me vete? 9 Çfarë është më e lehtë, t’i thuash paralitikut: ‘Mëkatet e tua të janë falur’, apo: ‘Ngrihu, merr vigun dhe ec.’ 10 Megjithatë, që ju ta dini se Biri i njeriut ka autoritet të falë mëkatet në tokë. . .», ai i tha paralitikut: 11 «Unë të them, ngrihu, merr vigun dhe shko në shtëpi.» 12 Atëherë ai u ngrit, mori menjëherë vigun dhe doli përpara të gjithëve. Të tërë mbetën gojëhapur dhe i dhanë lavdi Perëndisë: «Kurrë s’e kemi parë një gjë të tillë.»
nwtsty shënimi për studim te Mr 2:9
Çfarë është më e lehtë: Për dikë do të ishte e lehtë të thoshte se mund të falte mëkatet, nëse nuk do t’i duhej të paraqiste ndonjë provë për të mbështetur këtë pohim. Ama, të thoshte ngrihu . . . dhe ec, nevojitej një mrekulli. Kjo mrekulli e bëri të qartë para të gjithëve autoritetin e Jezuit për të falur mëkatet. Ky tregim dhe Is 33:24 i lidhin sëmundjet me gjendjen mëkatare.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Marku 1:11) Nga qiejt u dëgjua një zë: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.»
nwtsty shënimet për studim te Mr 1:11
Nga qiejt u dëgjua një zë: I pari nga tri rastet në tregimet e ungjijve ku thuhet se Jehovai u foli drejtpërdrejt njerëzve.—Mr 9:7; Gjo 12:28.
Ti je Biri im: Kur ishte krijesë qiellore e padukshme, Jezui ishte Biri i Perëndisë. (Gjo 3:16) Edhe kur lindi si njeri, Jezui ishte «bir i Perëndisë», ashtu siç kishte qenë edhe Adami i përsosur. (Lu 1:35; 3:38) Gjithsesi, duket e arsyeshme të themi se në këtë rast Perëndia nuk foli thjesht për të identifikuar Jezuin. Me anë të kësaj deklarate, që u pasua me derdhjen e frymës së shenjtë, me sa duket Perëndia po tregonte se njeriu Jezu kishte lindur si Biri i tij frymor, pra ‘kishte lindur përsëri’ me shpresën për të jetuar sërish në qiell dhe ishte mirosur nga fryma si Mbret i emëruar nga Perëndia dhe si Kryeprift.—Gjo 3:3-6; 6:51; krahaso Lu 1:31-33; He 2:17; 5:1, 4-10; 7:1-3.
Unë të kam miratuar: Ose «jam i kënaqur me ty; ti më sjell gëzim të madh». E njëjta shprehje përdoret te Mt 12:18, që është citim i Is 42:1, ku flitet për Mesinë e premtuar, Krishtin. Derdhja e frymës së shenjtë dhe deklarata e Perëndisë për Birin e tij e identifikonin qartazi Jezuin si Mesia i premtuar.
(Marku 2:27, 28) Ai vazhdoi: «Sabati u bë për njeriun, dhe jo njeriu për sabatin. 28 Prandaj, Biri i njeriut është Zotëri edhe i sabatit.»
nwtsty shënimi për studim te Mr 2:28
Zotëri . . . i sabatit: Jezui i zbatoi për veten këto fjalë (Mt 12:8; Lu 6:5), duke treguar se sabatin e kishte në dispozicion për të kryer veprën që i kishte urdhëruar Ati qiellor. (Krahaso Gjo 5:19; 10:37, 38.) Gjatë sabatit, Jezui kreu disa nga mrekullitë më të mëdha, ku përfshihej edhe shërimi i të sëmurëve. (Lu 13:10-13; Gjo 5:5-9; 9:1-14) Me sa duket kjo ishte pamje paraprake e lehtësimit që do të sjellë gjatë mbretërimit të tij, i cili do të jetë si një pushim sabati.—He 10:1.
23-29 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MARKU 3-4
«Shërimi në sabat»
(Marku 3:1, 2) Ai hyri përsëri në një sinagogë, dhe atje ishte një njeri me dorë të tharë. 2 Farisenjtë po e vëzhgonin me kujdes, për të parë a do ta shëronte në sabat, dhe kështu ta akuzonin.
jy 78 ¶1-2
Çfarë është e ligjshme në sabat?
Në një sabat tjetër, Jezui vizitoi një sinagogë, ka të ngjarë në Galile. Atje pa një burrë që e kishte të tharë dorën e djathtë. (Luka 6:6) Skribët dhe farisenjtë po e vëzhgonin me kujdes Jezuin. Pse? Synimi i tyre i vërtetë u zbulua nga pyetja që bënë: «A është e ligjshme të shërosh në sabat?»—Mateu 12:10.
Krerët fetarë judenj besonin se shërimi në sabat ishte i ligjshëm vetëm nëse dikujt i rrezikohej jeta. Për shembull, në sabat nuk ishte e ligjshme të trajtoje problemet e kockave ose të fashoje ndrydhjet, pasi nuk përbënin kërcënim për jetën. Prandaj skribët dhe farisenjtë nuk po e pyesnin Jezuin ngaqë merakoseshin vërtet për dhembjen e atij njeriu të shkretë. Ata po orvateshin të gjenin një pretekst për ta dënuar Jezuin.
(Marku 3:3, 4) Ai i tha njeriut me dorë të tharë: «Ngrihu dhe dil në mes.» 4 Pastaj i pyeti: «Cilat vepra është e ligjshme të bëhen në sabat: të mira apo të këqija, ta shpëtosh një shpirt apo ta vrasësh?» Mirëpo ata heshtën.
jy 78 ¶3
Çfarë është e ligjshme në sabat?
Megjithatë, Jezui i njihte arsyetimet e tyre të shtrembëruara. Ai e kuptonte se pikëpamja që kishin përvetësuar për atë që përbënte shkelje të ligjit të sabatit, i cili ndalonte punën, ishte ekstreme dhe binte ndesh me Shkrimet. (Dalja 20:8-10) Tashmë ai ishte përballur me kritika të pavend për veprat e tij të mira. Tani, erdhi momenti që Jezui të bëhej gati për një ballafaqim të bujshëm, duke i thënë njeriut me dorë të tharë: «Ngrihu dhe dil në mes.»—Marku 3:3.
(Marku 3:5) Pasi pa rreth e rrotull me indinjatë, krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme, Jezui i tha njeriut: «Shtrije dorën!» Ai e shtriu dhe dora iu shërua.
nwtsty shënimi për studim te Mr 3:5
me indinjatë, krejt i hidhëruar: Vetëm Marku e ka dokumentuar si reagoi Jezui në atë rast kur vërejti sa të pandjeshme e kishin zemrën krerët fetarë. (Mt 12:13; Lu 6:10) Burimi i këtij përshkrimi të gjallë të ndjenjave të Jezuit mund të ketë qenë Pjetri, një person me ndjenja të thella.—Shih videon «Hyrje për librin e Markut».
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Marku 3:29) Por, kushdo që blasfemon kundër frymës së shenjtë, nuk do të ketë falje kurrën e kurrës. Ai është fajtor për mëkat të përhershëm.
nwtsty shënimet për studim te Mr 3:29
blasfemon kundër frymës së shenjtë: Blasfemia është një i folur shpifës, dashakeq, sharës kundër Perëndisë ose kundër gjërave të shenjta. Burimi i frymës së shenjtë është vetë Perëndia, prandaj dikush blasfemonte kundër Perëndisë nëse qëllimisht i kundërvihej ose ia atribuonte diçkaje tjetër veprimin e saj. Siç tregohet te Mt 12:24, 28 dhe te Mr 3:22, krerët fetarë judenj e panë se Jezui i kreu mrekullitë nën veprimin e frymës së shenjtë; prapëseprapë, ata ia atribuan këtë fuqi Satana Djallit.
fajtor për mëkat të përhershëm: Me sa duket i referohet mëkatit të vullnetshëm që sjell pasoja të përjetshme; asnjë flijim nuk mund ta mbulojë këtë mëkat.—Shih shënimin për studim te zëri blasfemon kundër frymës së shenjtë në këtë varg.
TË JETOJMË SI TË KRISHTERË
(Marku 4:9) Pastaj, ai shtoi: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»
nwtsty shënimi për studim te Mr 4:9
Ai që ka veshë, le të dëgjojë: Para se të tregonte ilustrimin për mbjellësin, Jezui tha: «Dëgjoni.» (Mr 4:3) Ai e përfundoi ilustrimin me këtë nxitje, për të theksuar sa e rëndësishme ishte që dishepujt t’i kushtonin vëmendje këshillës së tij. Nxitje të ngjashme mund t’i gjejmë edhe te Mt 11:15; 13:9, 43; Mr 4:23; Lu 8:8; 14:35; Zb 2:7, 11, 17, 29; 3: 6, 13, 22; 13:9.
30 PRILL–6 MAJ
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | MARKU 5-6
«Jezui ka fuqi t’i ringjallë njerëzit e dashur që na kanë vdekur»
(Marku 5:39-41) Pasi hyri brenda, u tha atyre: «Ç’është kjo rrëmujë dhe pse po qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.» 40 Atëherë ata nisën ta qeshnin me qesëndi. Mirëpo ai i nxori të gjithë jashtë, mori me vete të atin dhe të ëmën e fëmijës, bashkë me ata që ishin me të, dhe hyri aty ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore dhe i tha: «Tálitha kúmi», që e përkthyer do të thotë: «Vashëz, po të them: ngrihu!»
nwtsty shënimi për studim te Mr 5:39
nuk ka vdekur, por po fle: Në Bibël, vdekja krahasohet shpesh me gjumin. (Ps 13:3; Gjo 11:11-14; Ve 7:60; 1Ko 7:39; 15:51; 1Se 4:13) Jezui do ta sillte përsëri në jetë vajzën, prandaj këtë mund ta ketë thënë për të treguar se njerëzit mund të vijnë përsëri në jetë, ashtu si mund të zgjohen nga një gjumë i thellë. Fuqinë për të ringjallur vajzën, Jezui e mori nga Ati i tij «që ngjall të vdekurit dhe i thërret gjërat që s’janë sikur të ishin».—Ro 4:17.
(Marku 5:42) Menjëherë vashëza u ngrit e nisi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeçe. Sakaq ata mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh.
jy 118 ¶6
Një vajzë e vogël u rikthye në jetë!
Në raste të mëparshme, Jezui i urdhëroi ata të cilët shëroi që të mos u tregonin të tjerëve për këtë, dhe të njëjtën gjë u tha edhe këtyre prindërve. Megjithatë prindërit e entuziazmuar dhe të tjerët e shpërndanë lajmin «në gjithë atë zonë» (Mateu 9:26) A nuk do të flisje edhe ti me entuziazëm nëse do të shihje një nga njerëzit e tu të dashur të ringjallej? Kjo është ringjallja e dytë e Jezuit që është dokumentuar në Bibël.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Marku 5:19, 20) Por Jezui nuk e la dhe i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju të gjitha ato që Jehovai bëri për ty dhe si pati mëshirë për ty.» 20 Ai iku dhe filloi të shpallte në Dekapoli tërë ato që bëri Jezui për të. Kështu të gjithë njerëzit nisën të çuditeshin.
nwtsty shënimi për studim te Mr 5:19
tregoju: Jezui e udhëzoi këtë burrë që t’u tregonte të afërmve për atë që kishte ndodhur, ndryshe nga ç’bënte zakonisht kur i udhëzonte të mos tregonin për mrekullitë e tij. (Mr 1:44; 3: 12; 7:36) Jezui mund të ketë vepruar kështu, sepse i kërkuan të largohej nga vendi dhe nuk do t’u jepte dëshmi personalisht banorëve; kjo do të shërbente edhe për të kundërshtuar fjalët e pavërteta që mund të qarkullonin për shkak të asaj që u ndodhi derrave.
(Marku 6:11) Në çdo vend ku nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, kur të dilni që atje, shkundni dheun poshtë këmbëve tuaja, si dëshmi kundër tyre.
nwtsty shënimi për studim te Mr 6:11
shkundni dheun poshtë këmbëve tuaja: Ky gjest tregonte se dishepujt nuk mbanin përgjegjësi për pasojat që do të vinin nga Perëndia. Një shprehje e ngjashme gjendet te Mt 10:14; Lu 9:5. Marku dhe Luka shtuan shprehjen si dëshmi kundër tyre. Pavli dhe Barnaba e zbatuan këtë udhëzim në Antioki të Pisidisë (Ve 13:51) dhe, kur Pavli bëri diçka të ngjashme në Korint duke shkundur rrobat e tij, e shpjegoi veprimin me fjalët: «Gjaku juaj le të bjerë mbi kokën tuaj! Unë jam i pastër.» (Ve 18:6) Këto veprime mund të kenë qenë tashmë të njohura për dishepujt. Judenjtë e përkushtuar që udhëtonin në vendin e jojudenjve, përpara se të hynin në territorin jude, shkundnin nga sandalet e tyre atë që e konsideronin si të papastër. Megjithatë, duket qartë që Jezui nuk kishte këtë në mendje kur u dha udhëzime dishepujve të tij.