BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • mwbr18 shtator f. 1-6
  • Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
  • Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»—2018
  • Nëntema
  • 3-9 SHTATOR
  • 10-16 SHTATOR
  • 17-23 SHTATOR
  • 24-30 SHTATOR
Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»—2018
mwbr18 shtator f. 1-6

Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»

3-9 SHTATOR

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 1-2

«Jezui kreu mrekullinë e parë»

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Gjoni 1:1) Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi.

nwtsty shënimet për studim te Gjo 1:1

Fjala: Ose «Logosi». Në greqisht hológos. Në këtë varg përdoret si titull, po ashtu edhe te Gjo 1:14 dhe Zb 19:13. Gjoni tregoi kujt i takon ky titull, domethënë Jezuit. Ky titull u përdor për Jezuin gjatë ekzistencës paranjerëzore si krijesë qiellore, gjatë kohës që shërbeu në tokë si njeri i përsosur dhe pas lartësimit në qiell. Jezui ishte Fjala ose Zëdhënësi përmes të cilit Perëndia komunikonte, pra ai që u përcillte informacione e udhëzime bijve të tjerë engjëllorë të Krijuesit, si dhe njerëzve. Prandaj është e arsyeshme të themi se, para se Jezui të vinte në tokë, Jehovai komunikonte me njerëzimin me anë të Fjalës, zëdhënësit të tij engjëllor.—Zn 16:7-11; 22:11; 31:11; Da 3:2-5; Gjy 2:1-4; 6:11, 12; 13:3.

me: Fjalë për fjalë «pranë». Në këtë kontekst, parafjala greke pros tregon afërsi dhe miqësi të ngushtë. Tregon edhe se bëhet fjalë për persona të ndryshëm. Në këtë rast janë Fjala dhe i vetmi Perëndi i vërtetë.

Fjala ishte një perëndi: Ose «Fjala ishte hyjnor [ose «si Perëndi»]». Ky pohim i Gjonit përshkruan një cilësi ose karakteristikë të ‘Fjalës’ (greqisht hológos; shih shënimin për studim te zëri Fjala, në këtë varg), pra të Jezu Krishtit. Pozita unike e Jezuit si Biri i parëlindur i Perëndisë me anë të të cilit Zoti krijoi gjithçka tjetër, shërben si bazë për ta quajtur Jezuin «një perëndi; si perëndi; hyjnor; qenie hyjnore». Shumë përkthyes parapëlqejnë ta përkthejnë këtë shprehje «Fjala ishte Perëndi», duke e barazuar me Perëndinë e Plotfuqishëm. Gjithsesi, ka arsye të forta pse themi që Gjoni nuk nënkuptonte se «Fjala» ishte i njëjtë me Perëndinë e Plotfuqishëm. Së pari, pjesa që i paraprin dhe ajo që e pason e thonë qartë se «Fjala» ishte «me Perëndinë». Gjithashtu, në vargjet 1 dhe 2 përmendet 3 herë fjala greke theós. Herën e parë dhe të tretë, theós paraprihet nga një nyjë shquese, ndërsa herën e dytë jo. Shumë studiues bien dakord se mungesa e nyjës herën e dytë është e rëndësishme. Në këtë kontekst, përdorimi i nyjës shquese i referohet Perëndisë së Plotfuqishëm. Nga ana tjetër, me këtë strukturë gramatikore, ku nyja mungon para termit theós, termi merr kuptim cilësor dhe përshkruan një karakteristikë të ‘Fjalës’. Prandaj, një sërë versionesh të Biblës në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht e përkthejnë këtë shprehje pak a shumë si Përkthimi Bota e Re dhe përcjellin idenë se «Fjala» ishte «një perëndi; hyjnor; qenie hyjnore; me natyrë hyjnore; si perëndi». Këtë e mbështetin edhe përkthime të lashta të Ungjillit të Gjonit në dialektet sahidike dhe bohairike të gjuhës koptike, që ndoshta u shkruan në shekullin e tretë dhe të katërt të e.s. Në këto përkthime, hera e parë që del fjala theós te Gjo 1:1 është ndryshe nga e dyta. Ato nxjerrin në pah një cilësi të ‘Fjalës’, pra se ka natyrë si të Perëndisë, por nuk e barazojnë me Atin e tij, Perëndinë e Plotfuqishëm. Në harmoni me këtë varg, Kl 2:9 e përshkruan Krishtin si ai që ka ‘gjithë plotësinë e cilësive hyjnore’. Po ashtu, sipas 2Pj 1:4, edhe bashkëtrashëgimtarët e Krishtit ‘bëhen pjesëmarrës të natyrës hyjnore’. Për më tepër, te Septuaginta, fjala greke theós është ekuivalenti më i zakonshëm për fjalët hebraike ʼel dhe ʼelohím që përkthehen «Perëndi» dhe besohet se në thelb përcjellin kuptimin «i fuqishëm; i fortë». Këto fjalë hebraike përdoren si për Perëndinë e Plotfuqishëm, edhe për perëndi të tjera e për njerëz. (Shih shënimin për studim te Gjo 10:34.) Ta quash Fjalën «një perëndi» ose «i fuqishëm» është në harmoni me profecinë e Is 9:6, që parathotë se Mesia do të quhej «Perëndi i Fuqishëm» (jo «Perëndia i Plotfuqishëm») dhe se do të bëhej ‘Ati i Përjetshëm’ i gjithë atyre që do të kishin privilegjin të jetonin si nënshtetas të tij. Këtë do ta bënte zelli i vetë Atit të tij, «Jehovait të ushtrive».—Is 9:7.

(Gjoni 10:34) Jezui u tha: «A nuk është shkruar në Ligjin tuaj: “Unë thashë: ‘Ju jeni perëndi.’”»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 10:34

perëndi: Ose «si perëndi», në shumës. Në këtë varg, Jezui citon nga Ps 82:6, ku fjala hebraike ʼelohím (perëndi, shumës) përdoret për njerëzit, gjykatësit njerëzorë të Izraelit. Ata ishin «perëndi» në rolin e tyre si përfaqësues dhe zëdhënës të Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme, Moisiut iu tha se ‘do të ishte si Perëndi’ për Aaronin dhe faraonin.—Da 4:16; 7:1.

(Gjoni 1:29) Të nesërmen ai pa Jezuin të shkonte drejt tij dhe tha: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 1:29

Qengji i Perëndisë: Gjon Pagëzori e quajti Jezuin «Qengji i Perëndisë» pasi Jezui u pagëzua dhe u tundua nga Djalli. Kjo shprehje del vetëm në këtë varg dhe te Gjo 1:36. (Shih sgd f. 20, 21.) Krahasimi i Jezuit me një qengj është me vend. Bibla tregon se delet flijoheshin për faljen e mëkateve dhe për t’iu afruar Perëndisë. Kjo paraqiste flijimin që do të bënte Jezui kur të jepte jetën e përsosur njerëzore në dobi të njerëzimit. Shprehja «Qengji i Perëndisë» mund të lidhet me një sërë fragmentesh nga Shkrimet e frymëzuara. Duke mbajtur parasysh se Gjon Pagëzori i njihte mirë Shkrimet Hebraike, fjalët e tij mund t’i referoheshin njërit apo disa prej fragmenteve të mëposhtme: dashit që flijoi Abrahami në vend të Isakut, birit të tij (Zn 22:13), qengjit të pashkës që u ther në Egjipt për çlirimin e izraelitëve që ishin nën skllavëri (Da 12:1-13) ose qengjit mashkull që flijohej në altarin e Perëndisë në Jerusalem, çdo mëngjes dhe mbrëmje (Da 29:38-42). Gjoni mund të ketë pasur në mendje edhe profecinë e Isaisë, ku thuhej se ‘do ta çonin si delen në thertore’ atë që Jehovai e quan «shërbëtori im». (Is 52:13; 53:5, 7, 11) Kur apostulli Pavël shkroi Letrën e Parë drejtuar Korintasve, e quajti Jezuin «pashka jonë», duke e krahasuar Jezuin me qengjin e pashkës. (1Ko 5:7) Apostulli Pjetër foli për ‘gjakun e çmuar të Krishtit, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë’. (1Pj 1:19) Po ashtu, mbi 25 herë në librin e Zbulesës, Jezui i lartësuar në qiell quhet në mënyrë të figurshme «qengji».—Disa shembuj: Zb 5:8; 6:1; 7:9; 12:11; 13:8; 14:1; 15:3; 17:14; 19:7; 21:9; 22:1.

10-16 SHTATOR

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 3-4

«Jezui i dëshmoi një gruaje samaritane»

(Gjoni 4:6, 7) Atje ishte burimi i Jakobit. I lodhur nga udha, Jezui po rrinte ulur pranë burimit. Ishte afërsisht ora e gjashtë. 7 Një grua nga Samaria vajti të nxirrte ujë. Jezui i tha: «Më jep pak ujë.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 4:6

I lodhur: Është i vetmi vend në Shkrime ku thuhet se Jezui ishte «i lodhur». Ishte pak a shumë ora 12 e drekës. Ka shumë të ngjarë që udha e përshkuar nga Jezui atë mëngjes të ngjitej nga lugina e Jordanit (Jude) në Sihar (Samari), në një terren shumë të pjerrët, prej 900 m (3.000 ft) a më shumë.—Gjo 4:3-5; shih sgd f. 20, 21.

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Gjoni 3:29) Ai që ka nusen, është dhëndri. Megjithatë, miku i dhëndrit, që rri dhe e dëgjon, gëzohet shumë kur dëgjon zërin e dhëndrit. Prandaj, gëzimi im është bërë i plotë.

nwtsty shënimi për studim te Gjo 3:29

miku i dhëndrit: Në kohët biblike, një mik i ngushtë i dhëndrit vepronte si përfaqësuesi i tij ligjor dhe luante rol kryesor për organizimin e dasmës. Konsiderohej si personi falë të cilit nusja dhe dhëndri ishin bashkë. Ditën e dasmës, krushqia shkonte në shtëpinë e dhëndrit ose të babait të tij, kudo që të bëhej dasma. Gjatë dasmës, miku i dhëndrit lumturohej kur dëgjonte zërin e dhëndrit të fliste me nusen e vet, pasi kuptonte që e kishte përmbushur me sukses detyrën. Gjon Pagëzori e krahasoi veten me ‘mikun e dhëndrit’. Në këtë rast, Jezui ishte dhëndri dhe dishepujt si klasë formonin nusen e tij simbolike. Teksa përgatiste udhën për Mesinë, Gjon Pagëzori i prezantoi Jezu Krishtit anëtarët e parë të ‘nuses’. (Gjo 1:29, 35; 2Ko 11:2; Ef 5:22-27; Zb 21:2, 9) «Miku i dhëndrit» e arrinte objektivin kur prezantimi i dhëndrit me nusen dilte me sukses; pas kësaj nuk ishte më figurë kryesore. Në mënyrë të ngjashme, kur foli për veten në raport me Jezuin, Gjoni tha: «Ai do të vazhdojë të shtohet, kurse unë do të vazhdoj të pakësohem.»—Gjo 3:30.

(Gjoni 4:10) Jezui iu përgjigj: «Po ta kishe njohur dhuratën falas të Perëndisë dhe se kush po të thotë: ‘Më jep pak ujë’, ti do t’i kishe kërkuar atij, e ai do të të jepte ujë jetëdhënës.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 4:10

ujë jetëdhënës: Në kuptimin e mirëfilltë, kjo shprehje në greqisht i referohet ujit të rrjedhshëm, ujit të burimit ose ujit të freskët të një pusi që furnizohet nga burime nëntokësore. Është e kundërta e ujit të ndenjur të sternës. Te Le 14:5, shprehja hebraike «ujë burimi» fjalë për fjalë do të thotë «ujë jetëdhënës». Te Jr 2:13 dhe 17:13, Jehovai përshkruhet si ‘burimi i ujit jetëdhënës’, pra i ujit të figurshëm që jep jetë. Kur foli me gruan samaritane Jezui e përdori këtë shprehje në kuptim të figurshëm, por duket se në fillim ajo e mori fjalë për fjalë.—Gjo 4:11; shih shënimin për studim te Gjo 4:14.

(Gjoni 4:14) kurse kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje kurrën e kurrës. Sepse uji që do t’i jap unë, do të bëhet për të një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme.

nwtsty shënimi për studim te Gjo 4:14

uji që do t’i jap unë: Fjalët «ujë» dhe «burim» në këtë varg janë përdorur në kuptim të figurshëm. Më sipër, në bisedën që Jezui bën me gruan samaritane, ai përdor shprehjen «ujë jetëdhënës». (Shih shënimin për studim te Gjo 4:10.) Gjatë bisedës, Jezui shpjegon se uji që ai siguron, bëhet një burim uji që jep jetë të përhershme për ata që e marrin. Fjala e Perëndisë e përdor termin ujë si simbol të masave të Perëndisë për ta çuar njerëzimin drejt jetës së përhershme. Element i rëndësishëm i ujit simbolik është flijimi shpërblyes i Jezuit. Në këtë kontekst, Jezui përqendrohet te dobitë që nxjerrin ata që e dëgjojnë e që bëhen dishepuj të tij. Teksa «vazhdojnë të marrin njohuri» për Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin dhe teksa veprojnë me besim në përputhje me njohurinë që marrin, kanë perspektivën e jetës së përhershme. (Gjo 17:3) Jezui tha se kush e pranon ujin simbolik, ky ujë bëhet për të një burim që gufon dobi jetëdhënëse. Gjithashtu, ky person ndien një dëshirë të zjarrtë ta ndajë me të tjerët «ujin e jetës».—Zb 21:6; 22:1, 7.

17-23 SHTATOR

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 5-6

«Ndiqe Jezuin me motivin e duhur»

(Gjoni 6:9-11) «Këtu është një vogëlush që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, ç’janë këto për kaq shumë njerëz?» 10 Jezui tha: «Ulini njerëzit siç shtrohen për të ngrënë.» Në atë vend kishte shumë bar dhe njerëzit u shtruan. Ishin rreth pesë mijë veta. 11 Kështu, Jezui mori bukët dhe, pasi falënderoi Perëndinë, ua shpërndau atyre që ishin shtruar, bashkë me peshqit e vegjël, aq sa deshën.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 6:10

njerëzit u shtruan. Ishin rreth pesë mijë veta: Kur në ungjij përmendet kjo mrekulli, vetëm tregimi i Mateut e shton pjesën «përveç grave dhe fëmijëve». (Mt 14:21) Totali i personave që u ushqyen me anë të kësaj mrekullie, mund të ketë qenë mbi 15.000 veta.

(Gjoni 6:14) Kur panë shenjat që kreu ai, njerëzit filluan të thoshin: «Ky është pa dyshim profeti që duhej të vinte në botë.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 6:14

profeti: Shumë judenj të shekullit të parë të e.s. prisnin ardhjen e Mesisë, profetit si Moisiu që përmendet te Lp 18:15, 18. Në këtë kontekst, shprehja të vinte në botë me sa duket i referohet Mesisë që pritnin të shfaqej. Vetëm Gjoni i dokumentoi ngjarjet që përmenden në këtë varg.

(Gjoni 6:25-27) Kur e gjetën matanë detit, e pyetën: «Rabi, kur arrite këtu?» 26 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se nuk po më kërkoni ngaqë patë shenja, por ngaqë hëngrët e u ngopët. 27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut. Mbi të Ati, po Perëndia, ka vënë vulën e tij të miratimit.»

(Gjoni 6:54) Ai që ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përhershme, dhe unë do ta ringjall ditën e fundit.

nwtsty shënimet për studim te Gjo 6:27, 54

ushqimin që prishet . . . atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme: Jezui e kuptonte se disa persona shoqëroheshin me të dhe me dishepujt e tij vetëm për përfitime materiale. Ushqimi fizik i mban gjallë njerëzit ditë pas dite, ndërsa ‘ushqimi’ që vjen nga Fjala e Perëndisë do t’i mbajë përgjithmonë në jetë njerëzit. Jezui e nxiti turmën të punonin për ushqimin «që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme», domethënë të bënin përpjekje që të plotësonin nevojën për të mësuar për Perëndinë dhe që të tregonin besim tek ajo që mësonin.—Mt 4:4; 5:3; Gjo 6:28-39.

ushqehet me mishin tim dhe pi gjakun tim: Nga konteksti kuptojmë se ata ushqehen dhe pinë në kuptim të figurshëm, duke treguar besim te Jezu Krishti. (Gjo 6:35, 40) Jezui i tha këto fjalë në vitin 32 të e.s., prandaj nuk po fliste për Darkën e Zotërisë, që do ta themelonte pas një viti. Ai i tha këto fjalë pak para se të vinte «pashka, festa e judenjve» (Gjo 6:4), prandaj dëgjuesit mund të kenë sjellë nëpër mend festën e afërt dhe domethënien e gjakut të qengjit që shpëtoi jetë natën kur Izraeli u largua nga Egjipti (Da 12:24-27). Jezui po theksonte se edhe gjaku i tij do të kishte rol jetësor që dishepujt të fitonin jetë të përhershme.

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Gjoni 6:44) Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq. Unë do ta ringjall atë ditën e fundit.

nwtsty shënimi për studim te Gjo 6:44

tërheq: Megjithëse folja greke e përkthyer «tërheq» përdoret për t’iu referuar mbledhjes ose tërheqjes së një rrjete peshkimi (Gjo 21:6, 11), ajo nuk lë të kuptohet se Perëndia i tërheq njerëzit kundër vullnetit të tyre. Me këto fjalë Jezui mund t’i jetë referuar tërthorazi Jr 31:3, ku Jehovai i tha popullit të tij të lashtë: «Të kam tërhequr me dashamirësi.» (Septuaginta përdor të njëjtën folje greke në këtë varg.) Gjoni 12:32 tregon se, në mënyrë të ngjashme, edhe Jezui tërheq pas vetes njerëz të çdo lloji. Shkrimet zbulojnë se Jehovai u ka dhënë vullnet të lirë njerëzve. Çdokush zgjedh vetë t’i shërbejë ose të mos i shërbejë Atij. (Lp 30:19, 20) Perëndia i tërheq butësisht drejt vetes ata që kanë një zemër të prirur drejt jetës së përhershme. (Ps 11:5; Pr 21:2; Ve 13:48) Jehovai e bën këtë nëpërmjet mesazhit të Biblës dhe frymës së tij të shenjtë. Profecia e Is 54:13, e cituar te Gjo 6:45, zbatohet për ata që tërheq Ati.—Krahaso Gjo 6:65.

(Gjoni 6:64) «Por disa nga ju nuk besojnë.» Jezui e dinte që nga fillimi se cilët nuk besonin dhe se kush do ta tradhtonte.

nwtsty shënimet për studim te Gjo 6:64

Jezui e dinte . . . kush do ta tradhtonte: Jezui po i referohej Judë Iskariotit. Para se të zgjidhte 12 apostujt, Jezui iu lut gjithë natën Atit të tij. (Lu 6:12-16) Kjo do të thotë që në fillim Juda ishte besnik ndaj Perëndisë. Gjithsesi, Jezui e dinte nga profecitë e Shkrimeve Hebraike se do ta tradhtonte një mik i ngushtë. (Ps 41:9; 109:8; Gjo 13:18, 19) Kur Juda filloi të merrte udhë të keqe, Jezui, i cili mund të lexonte zemrat dhe mendimet, e dalloi këtë ndryshim. (Mt 9:4) Falë paranjohjes, Perëndia e dinte se një mik i besuar i Jezuit do të bëhej tradhtar. Por kjo s’do të thoshte se ishte paracaktuar që Juda të dështonte, pasi kjo bie ndesh me cilësitë e Perëndisë dhe me mënyrën si ka vepruar në të kaluarën.

që nga fillimi: Kjo shprehje nuk i referohet lindjes së Judës ose përzgjedhjes së tij si apostull, meqë kjo e fundit ndodhi pasi Jezui u lut gjithë natën. (Lu 6:12-16) Përkundrazi, i referohet kohës kur Juda nisi të vepronte pabesisht, dhe Jezui e dalloi menjëherë këtë. (Gjo 2:24, 25; Zb 1:1; 2:23; shih shënimet për studim te Gjo 6:70; 13:11.) Gjithashtu, kjo tregon se veprimet e Judës ishin të paramenduara e të planifikuara, jo rrjedhojë e një ndryshimi të papritur të zemrës. Kuptimi i termit «fillimi» (greqisht, arhé) në Shkrimet e Krishtere Greke, është relativ, pasi varet nga konteksti. Për shembull, te 2Pj 3:4, kjo fjalë i referohet fillimit të krijimit. Por në shumë raste ajo përdoret në një kuptim më të kufizuar. Për shembull, Pjetri tha se fryma e shenjtë zbriti te jojudenjtë «ashtu siç zbriti në fillim edhe mbi ne». (Ve 11:15) Pjetri nuk po i referohej kohës kur lindi ose kur u thirr të bëhej apostull. Përkundrazi, ai po i referohej festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., domethënë «fillimit» të derdhjes së frymës së shenjtë për një qëllim specifik. (Ve 2:1-4) Shembuj të tjerë që tregojnë si ndikon konteksti te kuptimi i termit «fillimi», gjenden te Lu 1:2; Gjo 15:27 dhe 1Gjo 2:7.

(Gjoni 6:70) Jezui ia ktheu: «A nuk ju zgjodha unë ju të dymbëdhjetë? Megjithatë, njëri nga ju është shpifës.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 6:70

shpifës: Ose «djall». Fjala greke diábolos, që më shpesh përdoret për t’iu referuar Djallit, do të thotë «shpifës». Në të paktat raste kur nuk i referohet Djallit, është përkthyer «shpifës» (2Ti 3:3) dhe «shpifëse» (1Ti 3:11; Tit 2:3). Në greqisht, kur kjo fjalë përdoret për Djallin, pothuajse gjithmonë paraprihet nga nyja shquese. Në këtë varg, është përdorur për të përshkruar Judë Iskariotin, që kishte kultivuar një cilësi të keqe. Ka mundësi që në këtë moment Jezui dalloi se Juda po i hynte një udhe të gabuar, një udhe që më vonë e lejoi Satanain ta përdorte si bashkëpunëtor për vrasjen e Jezuit.—Gjo 13:2, 11.

(Gjoni 13:11) Në të vërtetë, ai e dinte se kush e tradhtonte, prandaj tha: «Nuk jeni të gjithë të pastër.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 13:11

ai e dinte: Meqë Jezui mund të dallonte mendimet dhe qëndrimet e atyre që e rrethonin, është e qartë se Juda nuk kishte qëndrim prej tradhtari kur u zgjodh si apostull. (Mt 9:4; Mr 2:8; Gjo 2:24, 25) Megjithatë, kur më vonë Juda nisi të zhvillonte një qëndrim të keq, Jezui e dalloi dhe e identifikoi kush do ta tradhtonte. Edhe pse e dinte se do ta tradhtonte, prapëseprapë Jezui ia lau këmbët këtij tradhtari.

24-30 SHTATOR

THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 7-8

«Jezui i dha lavdi Atit»

Të gërmojmë në Bibël për xhevahire

(Gjoni 8:58) Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: para se Abrahami të vinte në jetë, unë kam qenë.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 8:58

unë kam qenë: Kundërshtarët judenj donin ta goditnin me gurë Jezuin, pasi ai tha se kishte «parë Abrahamin», megjithëse, siç thanë ata, Jezui nuk ishte «as pesëdhjetë vjeç». (Gjo 8:57) Me këtë përgjigje, Jezui donte t’u tregonte për ekzistencën e tij paranjerëzore si krijesë e fuqishme qiellore para se Abrahami të lindte. Disa pretendojnë që ky varg tregon se Jezui është Perëndia. Ata argumentojnë se shprehja greke e përdorur këtu, egó eimí (përkthyer «unë jam» në disa Bibla), i referohet tërthorazi Da 3:14 në përkthimin e Septuagintës dhe se të dyja vargjet duhen përkthyer njëlloj. (Shih shënimin për studim te Gjo 4:26.) Megjithatë, në këtë kontekst, veprimi që shpreh folja greke eimí filloi «para se Abrahami të vinte në jetë» dhe vazhdonte ende. Prandaj, është me vend të përkthehet «unë kam qenë» dhe jo «unë jam». Edhe disa përkthime të lashta dhe të sotme përdorin një formulim të ngjashëm me «unë kam qenë». Në fakt, te Gjo 14:9 përdoret e njëjta formë e foljes greke eimí që te këto fjalë të Jezuit përkthehet: «Kam qenë me ju për kaq shumë kohë, e megjithatë nuk ke arritur të më njohësh, Filip?» Shumë përkthime përdorin një formulim të ngjashëm, duke treguar se, në varësi të kontekstit, gramatika e lejon plotësisht që eimí të përkthehet «kam qenë». (Shembuj të tjerë ku një folje greke në kohën e tashme përkthehet në kohën e kryer, e cila tregon një veprim që ka nisur në të shkuarën dhe vazhdon ende, gjenden te Lu 2:48; 13:7; 15:29; Gjo 1:9; 5:6; 15:27; Ve 15:21; 2Ko 12:19; 1Gjo 3:8.) Gjithashtu, arsyetimi i Jezuit i dokumentuar te Gjo 8:54, 55 tregon se nuk po përpiqej të thoshte se ai dhe Ati i tij ishin i njëjti person.

(Gjoni 4:26) Jezui i tha: «Unë që po të flas, jam ai.»

nwtsty shënimi për studim te Gjo 4:26

Unë... jam ai: Fjalë për fjalë «unë jam». Në greqisht egó eimi. Këtë shprehje disa e konsiderojnë si referim të tërthortë për Da 3:14 siç lexohet te Septuaginta, dhe e përdorin për të identifikuar Jezuin si Perëndia. Megjithatë, Da 3:14 ka tjetër formulim (egó eimi ho on, «unë jam Qenia; unë jam Ai që ekziston») nga ai që përdoret te Gjo 4:26. Për më tepër, shprehja egó eimi është përdorur te Septuaginta për fjalët e Abrahamit, Eleazarit, Jakobit, Davidit etj. (Zn 23:4; 24:34; 30:2; 1Kr 21:17) Në Shkrimet e Krishtere Greke, shprehja egó eimi nuk është përdorur vetëm për fjalët e Jezuit, por edhe te përgjigjja që dha një burrë i shëruar prej Jezuit, te Gjo 9:9. Ajo përcjell thjesht idenë «unë jam». Gjithashtu, kjo shprehje është përdorur nga engjëlli Gabriel, si dhe nga Pjetri, Pavli e të tjerë. (Lu 1:19; Ve 10:21; 22:3) Duket qartë se këto raste nuk i referohen Da 3:14. Një krahasim mes ngjarjeve paralele që përshkruhen tek ungjijtë sinoptikë (tre ungjijtë e parë), tregon se shprehja egó eimi që gjendet te Mr 13:6 dhe Lu 21:8 («Unë jam ai»), është një formë më e shkurtër për të përcjellë mendimin më të plotë që gjendet te Mt 24:5, i cili është përkthyer: «Unë jam Krishti.»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo