BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • lv kap. 14 f. 160-170
  • Ji i ndershëm në çdo gjë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ji i ndershëm në çdo gjë
  • ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • TË NDERSHËM ME VETEN
  • TË NDERSHËM NË FAMILJE
  • TË NDERSHËM NË KONGREGACION
  • TË NDERSHËM NË BOTË
  • BEKIMET QË VIJNË KUR JE I NDERSHËM
  • Ji i ndershëm në çdo gjë
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • Ndershmëria sjell shpërblime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Pse ia vlen të jesh i ndershëm?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2016
  • Një cilësi hyjnore më e vyer se diamantet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
Shih më tepër
‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
lv kap. 14 f. 160-170
Një nxënës mbetet i ndershëm gjatë një provimi ndërsa të tjerët rreth tij kopjojnë

KAPITULLI 14

Ji i ndershëm në çdo gjë

«Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»​​—HEBRENJVE 13:18.

1, 2. Pse kënaqet Jehovai kur sheh që përpiqemi të jemi të ndershëm? Ilustroje.

NJË mama me djalin e saj të vogël dalin nga një dyqan. Papritur djali ndalon dhe duket i trembur. Në dorë ka një lodër të vogël që e kishte marrë në dyqan. Harroi ta vinte prapë në vend ose t’i kërkonte mamasë që t’ia blinte. I shqetësuar, i kërkon ndihmë mamasë. Ajo e qetëson dhe e çon prapë në dyqan që të kthejë lodrën e të kërkojë falje. Por ndërkohë zemra i gufon nga gëzimi e krenaria. Përse?

2 Prindërit kënaqen jashtëzakonisht kur fëmijët e tyre mësojnë rëndësinë e ndershmërisë. Njësoj është edhe me Atin tonë qiellor, ‘Perëndinë e së vërtetës’. (Psalmi 31:5) Ai kënaqet teksa përpiqemi të jemi të ndershëm, dora-dorës që piqemi frymësisht. Ngaqë duam t’i pëlqejmë Atij e të qëndrojmë në dashurinë e tij, ne pasqyrojmë ndjenjat që shprehu apostulli Pavël: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Tani do të përqendrohemi në katër aspekte kryesore të jetës në të cilat nganjëherë mund ta kemi të vështirë të jemi të ndershëm. Më pas do të shqyrtojmë disa bekime që vijnë kur përpiqemi të jemi të ndershëm.

TË NDERSHËM ME VETEN

3-5. (a) Si na paralajmëron Fjala e Perëndisë për rreziqet e vetëmashtrimit? (b) Ç’do të na ndihmojë të jemi të ndershëm me veten?

3 Sfida e parë është të mësojmë të jemi të ndershëm me veten. Si të papërsosur mund të biem kollaj pre e vetëmashtrimit. Për shembull, Jezui u tha të krishterëve në Laodice se kishin mashtruar veten duke menduar se ishin të pasur kur në fakt ishin ‘të varfër, të verbër e lakuriq’ frymësisht, pra në një gjendje vërtet të mjerueshme. (Zbulesa 3:17) Ky vetëmashtrim ua kishte keqësuar edhe më tej gjendjen.

4 Ndoshta të kujtohet edhe paralajmërimi që dha dishepulli Jakov: «Nëse dikush pandeh se e adhuron Perëndinë siç duhet, por nuk i vë fre gjuhës, përkundrazi, vazhdon ta mashtrojë zemrën e vet, adhurimi i tij është i kotë.» (Jakovi 1:26) Po të mendojmë se mund ta lëshojmë gjuhën e megjithatë ta adhurojmë Jehovain në mënyrë të pranueshme, vetëm sa do të mashtrojmë zemrën. Adhurimi ynë do të ishte i kotë, pa pikë vlere. Si të ruhemi nga kjo sjellje shkatërrimtare?

5 Te të njëjtat vargje Jakovi e krahason të vërtetën e fjalës së Perëndisë me një pasqyrë. Ai na këshillon të ndalemi e të shikojmë ligjin e përsosur të Perëndisë dhe të bëjmë ndryshime sipas tij. (Lexo Jakovin 1:​23-25.) Bibla mund të na ndihmojë të jemi të ndershëm me veten e të shikojmë ku mund të përmirësojmë. (Vajtimet 3:40; Hageu 1:5) Gjithashtu, mund t’i kërkojmë në lutje Jehovait të na hetojë e të na ndihmojë të dallojmë dhe të ndreqim ndonjë të metë serioze. (Psalmi 139:​23, 24) Pandershmëria është një dobësi tinëzare, të cilën duhet ta konsiderojmë siç e konsideron Ati ynë qiellor. Te Proverbat 3:32 thuhet: «Njeriu hileqar është i pështirë për Jehovain, ndërsa të drejtët gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.» Jehovai mund të na ndihmojë të kemi të njëjtën pikëpamje me të dhe ta shohim veten siç na sheh ai. Mos harro se Pavli tha: «Duam të sillemi me ndershmëri.» Tani për tani s’mund të jemi të përsosur, por dëshirojmë sinqerisht të jemi të ndershëm dhe përpiqemi me zjarr për këtë.

TË NDERSHËM NË FAMILJE

Një burrë i martuar po përdor kompjuterin për të lundruar në Internet natën vonë

Kur jemi të ndershëm, shmangim sjelljen që mund të tundohemi ta fshehim

6. Pse bashkëshortët duhet të jenë të ndershëm me njëri-tjetrin, dhe cilat rreziqe shmangin duke u sjellë kështu?

6 Ndershmëria duhet të jetë tipar dallues i një familjeje të krishterë. Pra, burri dhe gruaja duhet të jenë të ndershëm e të hapur me njëri-tjetrin. Në martesën e krishterë s’ka vend për praktika të tilla të dëmshme e të papastra, si flirtimi me dikë jashtë martese, krijimi i lidhjeve të fshehta në Internet ose përdorimi i materialeve pornografike në çfarëdo forme. Disa të krishterë të martuar janë përfshirë në këto sjellje të gabuara fshehurazi bashkëshortit të pafajshëm. Kjo është e pandershme. Shiko ç’tha mbreti besnik David: «Nuk rri me njerëz që nuk ecin në të vërtetën, dhe nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.» (Psalmi 26:4) Në qoftë se je i martuar, mos u përfshi kurrë në sjellje që mund të të tundojnë t’i fshehësh bashkëshortit se ç’je në të vërtetë.

7, 8. Cilët shembuj biblikë mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë vlerën e ndershmërisë?

7 Është mirë që prindërit të përdorin shembujt e Biblës për t’u mësuar fëmijëve vlerën e ndershmërisë. Ndër shembujt e këqij është Akani që vodhi dhe u përpoq ta mbulonte vjedhjen; Gehazi që gënjeu për të nxjerrë përfitime materiale dhe Juda që vodhi dhe tradhtoi Jezuin duke u shtirur si mik i tij.​​—Josiu 6:​17-19; 7:​11-25; 2 Mbretërve 5:​14-16, 20-27; Mateu 26:​14, 15; Gjoni 12:6.

8 Ndër shembujt e mirë është Jakobi, i cili i nxiti bijtë e tij të rikthenin paratë e gjetura në thasë, sepse mendonte që mund t’i kishin vënë gabimisht në ta; Jefteu dhe e bija, e cila plotësoi zotimin që kishte bërë i ati, edhe pse me sakrifica të mëdha personale; dhe Jezui që u identifikua haptazi para një turme të zemëruar, për të përmbushur profecinë dhe për të mbrojtur miqtë e tij. (Zanafilla 43:12; Gjykatësit 11:​30-40; Gjoni 18:​3-11) Kjo listë, edhe pse jo e plotë, mund t’u japë një ide prindërve për informacionet e vlefshme që ka Fjala e Perëndisë, me të cilat mund t’u mësojnë fëmijëve ta duan e ta vlerësojnë ndershmërinë.

9. Ç’duhet të shmangin prindërit, nëse duan t’u lënë shembullin fëmijëve për ndershmërinë? Pse është i rëndësishëm shembulli i tyre?

9 Këto vlera që u mësojnë fëmijëve, i vënë para përgjegjësisë edhe prindërit. Apostulli Pavël pyeti: «Ti pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten? Ti që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete?» (Romakëve 2:21) Disa prindër i ngatërrojnë fëmijët, sepse u mësojnë të jenë të ndershëm, ndërkohë që për vete sillen pa ndershmëri. Vjedhjet e vogla dhe fjalët mashtruese mund t’i justifikojnë kështu: «Epo, edhe pronarët e dinë se njerëzit do t’i marrin gjëra të tilla» ose «Kjo është gënjeshtër e vogël, pa dëm.» E vërteta është se vjedhja mbetet vjedhje, pavarësisht sa mund të kushtojë sendi që merr. Po ashtu, gënjeshtra mbetet gënjeshtër, pavarësisht nga argumenti ose nga madhësia.a (Lexo Lukën 16:10.) Fëmijët e dallojnë shpejt hipokrizinë e mund të dëmtohen rëndë prej saj. (Efesianëve 6:4) Por, kur e mësojnë ndershmërinë nga shembulli i prindërve, ka shumë të ngjarë që kur të rriten, t’i japin lavdi Jehovait në këtë botë të pandershme.​​—Proverbat 22:6.

TË NDERSHËM NË KONGREGACION

10. Cilat këshilla duhet të kemi parasysh për komunikimin e ndershëm e të sinqertë me bashkëbesimtarët?

10 Shoqëria me të bashkëkrishterët na ndihmon shumë të zhvillojmë ndershmërinë. Siç e pamë në kapitullin 12, duhet të bëjmë kujdes si e përdorim dhuratën e të folurit, sidomos me vëllezërit e motrat në besim. Bisedat e përditshme mund të kthehen fare lehtë në thashetheme e madje në shpifje. Nëse përsëritim histori të cilave s’ua dimë origjinën, ndoshta po ndihmojmë që të përhapet një gënjeshtër, prandaj më e mira është t’u vëmë fre buzëve. (Proverbat 10:19) Nga ana tjetër, ndoshta dimë ndonjë gjë të vërtetë, por kjo s’do të thotë se ia vlen të thuhet. Ndoshta s’është punë për ne ose ndoshta s’është në të mirën e tjetrit të flasim për këtë gjë. (1 Selanikasve 4:11) Disa e justifikojnë të folurit pa edukatë duke e quajtur ndershmëri ose sinqeritet, por fjalët tona duhet të jenë gjithnjë me hir dhe të ëmbla.​​—Lexo Kolosianëve 4:6.

11, 12. (a) Si i ngatërrojnë më keq punët disa që kryejnë një mëkat të rëndë? (b) Cilat janë disa gënjeshtra të Satanait që lidhen me mëkatet e rënda, e si t’i luftojmë? (c) Si të tregohemi të ndershëm me organizatën e Jehovait?

11 Është e rëndësishme të jemi të ndershëm sidomos me ata që marrin drejtimin në kongregacion. Disa që kanë bërë një mëkat të rëndë, e ngatërrojnë edhe më keq punën duke u përpjekur ta mbulojnë mëkatin e t’i gënjejnë pleqtë e kongregacionit kur i pyesin. Madje nisin të bëjnë një jetë të dyfishtë, duke u shtirur sikur i shërbejnë Jehovait ndërkohë që vazhdojnë me mëkate të rënda. Faktikisht, kjo rrugë ua kthen gjithë jetën në një gënjeshtër. (Psalmi 12:2) Të tjerë u thonë pleqve vetëm një pjesë të së vërtetës, duke fshehur fakte të rëndësishme. (Veprat 5:​1-11) Shpesh, kjo pandershmëri vjen si pasojë e besimit të gënjeshtrave që nxit Satanai.​​—Shih kutinë «Gënjeshtra të Satanait që lidhen me mëkatet e rënda».

GËNJESHTRA TË SATANAIT QË LIDHEN ME MËKATET E RËNDA

Satanai do të donte që ti të besoje disa gënjeshtra të rrezikshme lidhur me mëkatet e rënda. Lumturisht, të krishterët s’janë në padije të «intrigave» të Djallit. (Efesianëve 6:11) Shqyrto tri gënjeshtra të tilla.

  • «Mund t’i fshehësh mëkatet.» E vërteta është se Jehovai sheh gjithçka që bëjmë. «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebrenjve 4:13) Meqë Jehovai i di faktet dhe meqë do t’i japim llogari atij, pse ta rëndojmë fajin duke u orvatur t’ua fshehim një mëkat të rëndë shërbëtorëve të tij këtu në tokë?​—Shih edhe 2 Samuelit 12:12.

  • «Pleqve s’u zihet besë, prandaj mos u thuaj gjë.» Mbreti i lig Akab iu drejtua Elijas me këto fjalë: «O armiku im.» (1 Mbretërve 21:20) Megjithatë, Elija, duke qenë profeti i Jehovait në Izrael, mund ta kishte ndihmuar Akabin të fitonte faljen. Sot, në kongregacionin e krishterë, Jezui ka vënë pleq si «dhurata në njerëz». (Efesianëve 4:8) Edhe pse janë të papërsosur, pleqtë «rrinë zgjuar për shpirtrat [tanë]», domethënë interesohen për shëndetin dhe mirëqenien tonë frymore. (Hebrenjve 13:17) Ata s’janë armiku, përkundrazi, janë mjeti që përdor Jehovai për të na ndihmuar.

  • «Do ta mbrosh shokun, po ta ndihmosh t’i fshehë mëkatet.» E vërteta është se do ta dëmtonim jashtë mase një mëkatar po ta ndihmonim t’i fshihte mëkatet. Mëkatet e rënda janë tregues se ai ka probleme serioze në marrëdhënien me Jehovain. T’i fshehësh ato është sikur t’i fshehësh një mjeku të kualifikuar disa simptoma të rënda të një sëmundjeje. (Jakovi 5:​14, 15) Ndoshta mëkatari ka frikë nga disiplina që mund t’i japin, por disiplina është shprehje e dashurisë së Jehovait, e madje mund t’i shpëtojë jetën. (Proverbat 3:12; 4:13) Për më tepër, ai që këmbëngul në mëkatin e tij, është një rrezik i madh për të tjerët në kongregacion. A do të doje të ndihmoje që të përhapeshin qëndrimet e tij të gabuara, të cilat e çuan në mëkat? (Levitiku 5:1; 1 Timoteut 5:22) Atëherë, sigurohu që ai që ka gabuar, t’ua raportojë çështjen pleqve të kongregacionit.

12 Gjithashtu, është e rëndësishme të jemi të ndershëm me organizatën e Jehovait kur u përgjigjemi pyetjeve me shkrim. Për shembull, kur raportojmë shërbimin, bëjmë kujdes të mos i falsifikojmë shifrat. Po njësoj, kur plotësojmë kërkesën për ndonjë privilegj shërbimi, nuk duhet t’i shtrembërojmë kurrë faktet për gjendjen reale shëndetësore ose ndonjë aspekt tjetër të jetës a të shërbimit tonë.​​—Lexo Proverbat 6:​16-19.

13. Si të jemi të ndershëm nëse kemi marrëdhënie pune me një bashkëbesimtar?

13 Ndershmëria ndaj bashkëbesimtarëve vlen edhe për çështjet financiare. Nganjëherë, disa vëllezër e motra në besim mund të bëjnë biznes me njëri-tjetrin. Këta duhet të kenë kujdes që këto çështje t’i mbajnë të ndara nga adhurimi që bëjnë së bashku në Sallën e Mbretërisë ose në shërbim. Ndoshta marrëdhëniet e punës mund të jenë punëdhënës-i punësuar. Nëse marrim në punë vëllezër a motra, duhet të bëjmë kujdes që t’i trajtojmë me ndershmëri, duke i paguar në kohë, me sasinë për të cilën kemi rënë dakord dhe me sigurimet a kompensimet që kërkon ligji ose që rregullohen me ligj. (1 Timoteut 5:18; Jakovi 5:​1-4) Nga ana tjetër, nëse jemi të punësuar te një vëlla a një motër, do të punojmë gjithë kohën e caktuar për të merituar pagën. (2 Selanikasve 3:10) Nuk do të presim ndonjë trajtim të veçantë ngaqë kemi të njëjtin besim, sikur punëdhënësi ta ketë për detyrë të na japë pushime, kompensime a përfitime të ndryshme që nuk ua jep punonjësve të tjerë.​​—Efesianëve 6:​5-8.

14. Cilën masë paraprake marrin të krishterët me mençuri kur kanë një sipërmarrje të përbashkët, e përse?

14 Po nëse biznesi ynë përfshin ndonjë sipërmarrje të përbashkët, ndoshta një investim ose një hua? Bibla përmban këtë parim të rëndësishëm e të dobishëm: gjithçka hidheni me shkrim! Për shembull, kur Jeremia bleu një arë, në sy të dy dëshmitarëve bëri një dokument në dy kopje dhe e ruajti në një vend të sigurt. (Jeremia 32:​9-12; shih edhe Zanafillën 23:​16-20.) Nëse po bëni biznes me bashkëbesimtarë, nuk është shenjë mosbesimi t’i përcaktoni të gjitha hollësitë e marrëveshjes në një dokument të përgatitur me kujdes, të firmosur e me dëshmitarë. Përkundrazi, kjo ndihmon që të parandalohen keqkuptimet, zhgënjimet e madje edhe mosmarrëveshjet që përçajnë. Të krishterët që bëjnë biznes bashkë, duhet të mbajnë në mend se asnjë sipërmarrje nuk ia vlen aq sa të rrezikojnë unitetin dhe paqen e kongregacionit.b​​—1 Korintasve 6:​1-8.

TË NDERSHËM NË BOTË

15. Ç’mendon Jehovai për praktikat e pandershme tregtare, e si reagojnë të krishterët ndaj këtyre prirjeve të përhapura?

15 Të krishterët nuk tregohen të ndershëm vetëm në kongregacion. Pavli tha: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Krijuesit tonë i intereson shumë ndershmëria kur është fjala për çështjet e biznesit me botën. Vetëm në librin e Proverbave ka disa referime që theksojnë se peshoret duhet të jenë të sakta. (Proverbat 11:1; 20:​10, 23) Në kohët e lashta, zakonisht në tregti përdoreshin peshoret dhe peshat për të peshuar të mirat që bliheshin, si dhe paratë. Për të mashtruar blerësit, tregtarët e pandershëm përdornin një peshore të pasaktë dhe dy lloj peshash.c Jehovai i urren këto praktika! Që të qëndrojmë në dashurinë e tij, i shmangim me çdo kusht të gjitha praktikat e pandershme tregtare.

16, 17. Cilat forma pandershmërie janë të zakonshme sot dhe për çfarë janë të vendosur të krishterët e vërtetë?

16 Ngaqë sundimtari i kësaj bote është Satanai, nuk habitemi që kudo përreth nesh ka pandershmëri. Ditë për ditë mund të tundohemi të jemi të pandershëm. Kur njerëzit përgatitin CV-në e tyre ose një përmbledhje me të dhënat kryesore për të aplikuar për punë, zakonisht gënjejnë dhe i zmadhojnë arritjet, duke shpikur diploma e duke gënjyer për përvojën që kanë. Kur plotësojnë formularët për emigrim, për taksat, për siguracionet e të tjera si këto, në përgjithësi japin përgjigje të rreme për të arritur atë që duan. Shumë nxënës kopjojnë në provime ose, kur duhet të bëjnë ese a referate, shkojnë në Internet dhe përvetësojnë çka gjejnë atje, duke paraqitur punën e dikujt tjetër si të tyren. Veç kësaj, kur njerëzit përballen me nëpunës të korruptuar, shpesh u japin ryshfet për të marrë atë që duan. I presim këto gjëra në një botë ku shumica e njerëzve janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave,... pa dashuri për mirësinë».​​—2 Timoteut 3:​1-5.

17 Të krishterët e vërtetë janë të vendosur të mos bëjnë asnjë nga gjërat e përmendura më sipër. Por nganjëherë ndershmëria bëhet sfidë kur ata që përdorin metoda të pandershme duket sikur kanë sukses e madje çajnë përpara. (Psalmi 73:​1-8) Ndërkohë, të krishterët mund të vuajnë nga ana financiare ngaqë dëshirojnë të jenë «të ndershëm në çdo gjë». A ia vlejnë këto sakrifica? S’diskutohet që po! Por përse ia vlejnë? Ç’bekime sjell ndershmëria?

BEKIMET QË VIJNË KUR JE I NDERSHËM

18. Pse ka vlerë të madhe emri i mirë si njeri i ndershëm?

18 Pak gjëra në jetë janë më të vlefshme sesa emri i mirë që fiton si njeri i ndershëm e i besueshëm. (Shih kutinë «Deri në ç’pikë jam i ndershëm?».) Vetëm të mendosh që gjithkush mund ta fitojë këtë emër të mirë, po të dojë! Nuk varet nga talenti, pasuria, bukuria, pozita shoqërore ose nga ndonjë faktor tjetër që s’e kanë në dorë. E megjithatë, shumë veta nuk arrijnë të fitojnë një emër të mirë që është si thesar. Është gjë e rrallë sot. (Mikea 7:2) Disa mund të të përçmojnë ngaqë je i ndershëm, por të tjerët do ta vlerësojnë ndershmërinë tënde dhe do të të shpërblejnë duke të besuar e duke të respektuar. Mjaft Dëshmitarë të Jehovait kanë parë se ndershmëria u ka sjellë dobi financiare. Kanë ruajtur vendin e punës kur punëtorë të tjerë të pandershëm janë pushuar ose kanë gjetur punë kur nevojiteshin me ngut punëtorë të ndershëm.

DERI NË Ç’PIKË JAM I NDERSHËM?

Parimi: «O Jehova, kush do të jetë mysafir në tendën tënde? . . . Ai që ecën në mënyrë të patëmetë dhe praktikon drejtësinë, që thotë të vërtetën që ka në zemër.»​​—Psalmi 15:​1, 2.

Pyetje për vetëshqyrtim

  • Pse është e rëndësishme të them gjithnjë të vërtetën?​​—Proverbat 6:​16, 17.

  • Si ‘ta flak tej gënjeshtrën’ kur plotësoj formularë, si për shembull provimet e shkollës, faturat e taksave ose dokumentet shtetërore?​​—Efesianëve 4:25; Isaia 28:15; Mateu 22:​17-21; Romakëve 13:​1-7.

  • Si ta tregoj me fjalë dhe me veprime, se jam punonjës i ndershëm?​​—Proverbat 11:1; Efesianëve 4:28; Kolosianëve 3:​9, 10.

  • Po të zhvilloj dashurinë për para, si mund të më pengojë ajo që të jem gjithnjë i sinqertë?​​—Psalmi 37:21; 1 Timoteut 6:​9, 10.

19. Si ndikon një jetë e ndershme në ndërgjegjen tënde dhe në marrëdhënien që ke me Jehovain?

19 Pavarësisht nëse ndodh kështu me ty ose jo, do të shohësh se ndershmëria të sjell bekime edhe më të mëdha. Do të bekohesh me një ndërgjegje të pastër. Pavli shkroi: «Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër.» (Hebrenjve 13:18) Për më tepër, emri yt i mirë nuk i shpëton pa vënë re Atit tonë të dashur qiellor, i cili i ka shumë për zemër njerëzit e ndershëm. (Lexo Psalmin 15:​1, 2; Proverbat 22:1.) Po, nëse je i ndershëm, mund të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë. Ky është shpërblimi më i madh që mund të marrim. Më tej le të shohim një argument që lidhet me këtë që shqyrtuam: pikëpamjen e Jehovait për punën.

a Për të krishterët në kongregacion, praktikimi i gënjeshtrave flagrante e dashakeqe, me qëllimin e qartë për të dëmtuar të tjerët, mund të përligjë një veprim gjyqësor nga pleqtë.

b Për të ditur si të veprohet kur një biznes nuk del me sukses, shih Shtojcën «Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në çështjet e biznesit».

c Përdornin një seri peshash për blerjen dhe një seri tjetër për shitjen, të dyja në favor të tyre. Ndoshta përdornin edhe peshore me njërën anë më të gjatë ose me njërën pjatë më të rëndë se tjetrën, që ta mashtronin blerësin.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo