BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • bt kap. 12 f. 93-99
  • «Folën me guxim e me autoritetin që u kishte dhënë Jehovai»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Folën me guxim e me autoritetin që u kishte dhënë Jehovai»
  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «U bënë besimtarë një shumicë e madhe» (Veprat 14:1-7)
  • ‘Kthehuni te Perëndia i gjallë’ (Veprat 14:8-19)
  • «I lanë nën kujdesin e Jehovait» (Veprat 14:20-28)
  • Një shembull i frymëzuar i veprës misionare të krishterë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Barnaba: «Biri i ngushëllimit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • «Plot gëzim dhe frymë të shenjtë»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Barnaba
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
bt kap. 12 f. 93-99

KAPITULLI 12

«Folën me guxim e me autoritetin që u kishte dhënë Jehovai»

Pavli dhe Barnaba shfaqën përulësi, këmbëngulje dhe guxim

Bazuar te Veprat 14:1-28

1, 2. Cilat ngjarje ndodhën njëra pas tjetrës kur Pavli dhe Barnaba ishin në Listër?

BANORËT e Listrës ishin të ekzaltuar e gjithë hare. Një burrë i çalë që nga lindja, hovte përpjetë nga gëzimi pasi e kishin shëruar dy të huaj. Njerëzit ishin të mahnitur dhe një prift i Zeusit solli kurora për dy burrat që turma i konsideronte si perëndi. Demat pëllitnin e gulçonin ndërkohë që prifti përgatitej t’i therte. Pavli dhe Barnaba protestuan. Ata shqyen rrobat dhe u turrën mes turmës, duke iu lutur të mos i adhuronin, por mezi i ndalën që t’u bënin flijime.

2 Pastaj mbërritën kundërshtarë judenj nga Antiokia e Pisidisë dhe Ikonia. Me shpifje të vrerosura, ua helmuan mendjen banorëve të Listrës. Turma që më parë donte ta adhuronte, tani e rrethoi Pavlin dhe e qëlloi me gurë derisa e la pa ndjenja. Si shfrynë zemërimin, e nxorrën zvarrë jashtë portave të qytetit trupin e sakatuar të Pavlit, dhe e lanë atje duke kujtuar se kishte vdekur.

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

3 Si rrodhën ngjarjet deri në këtë kulm dramatik? Ç’mund të mësojnë lajmëtarët e sotëm të lajmit të mirë nga ngjarjet që përfshinë Barnabën, Pavlin dhe banorët e Listrës me karakter të paqëndrueshëm? Si mund ta imitojnë pleqtë e krishterë shembullin që lanë Barnaba dhe Pavli ndërsa ngulmonin në shërbim, duke folur «me guxim e me autoritetin që u kishte dhënë Jehovai»?—Vep. 14:3.

«U bënë besimtarë një shumicë e madhe» (Veprat 14:1-7)

4, 5. Pse shkuan në Ikoni Pavli e Barnaba dhe ç’ndodhi atje?

4 Jo shumë ditë më parë, Pavlin dhe Barnabën i dëbuan nga qyteti romak i Antiokisë së Pisidisë, pasi kundërshtarët judenj nxitën trazira ndaj tyre. Por, në vend që të shkurajoheshin, dy burrat «shkundën pluhurin e këmbëve» si dëshmi kundër banorëve të qytetit që s’donin t’ia dinin. (Vep. 13:50-52; Mat. 10:14) Pavli dhe Barnaba u larguan paqësisht, të bindur se Perëndia do t’i shpaguante ata kundërshtarë siç e meritonte sjellja e tyre. (Vep. 18:5, 6; 20:26) Pa humbur gëzimin, dy misionarët vazhduan udhëtimin e predikimit. Pasi bënë rreth 150 kilometra rrugë në juglindje, mbërritën në një rrafshnaltë pjellore të strukur mes vargmaleve Taurus dhe Sulltan.

5 Fillimisht, Pavli dhe Barnaba ndaluan në Ikoni, një enklavë me kulturë greke dhe një nga qytetet kryesore të provincës romake të Galatisë.a Në qytet kishte një popullsi judaike të konsiderueshme dhe shumë prozelitë jojudenj. Siç e kishin zakon, Pavli e Barnaba hynë në sinagogë dhe nisën të predikonin. (Vep. 13:5, 14) «Folën në mënyrë aq të efektshme, sa u bënë besimtarë një shumicë e madhe judenjsh dhe grekësh.»—Vep. 14:1.

IKONIA, QYTET I FRIGJIANËVE

Ikonia ndodhej në një pllajë të lartë, të ujitur mirë e pjellore, në kryqëzimin e një rruge të rëndësishme tregtare që lidhte Sirinë me Romën, me Greqinë e me provincën romake të Azisë.

Banorët e Ikonisë adhuronin perëndeshën frigjiane të pjellorisë, Cibelën, dhe feja e tyre përfshinte elemente të adoptuara nga adhurimi grek gjatë periudhës helene. Qyteti ra nën pushtetin romak në vitin 65 p.e.s., dhe në shekullin e parë të e.s. ishte një qendër tregtare e bujqësore e madhe dhe e begatë. Ndonëse në Ikoni komuniteti judaik kishte influencë, duket se qyteti e ruajti karakterin helen. Në fakt, në tregimin e Veprave flitet për judenjtë që banonin atje dhe për ‘grekët’.—Vep. 14:1.

Ikonia ndodhej në kufirin mes krahinave galatase të Likaonisë dhe Frigjisë. Disa shkrimtarë të lashtë, si Ciceroni dhe Straboni, e quanin Ikoninë qytet të Likaonisë dhe, nga pikëpamja gjeografike, qyteti i takonte asaj krahine. Por tregimi i Veprave e veçon Ikoninë nga Likaonia, ku flitej ‘gjuha likaonase’. (Vep. 14:1-6, 11) Për këtë arsye, kritikët thoshin se libri i Veprave nuk ishte i saktë. Mirëpo në vitin 1910 arkeologët gjetën në qytet mbishkrime që tregonin se gjuha e përdorur në Ikoni për dy shekuj pas vizitës së Pavlit dhe Barnabës, ishte ajo frigjiane. Prandaj, shkrimtari i Veprave e veçoi me saktësi Ikoninë nga qytetet e Likaonisë.

6. Pse ishin mësues të efektshëm Pavli e Barnaba, dhe si t’i imitojmë?

6 Pse ishte kaq e efektshme mënyra si flitnin Pavli dhe Barnaba? Pavli i njihte shumë mirë Shkrimet. Me mjeshtëri, bënte lidhje mes historisë, profecive dhe Ligjit të Moisiut, për të provuar se Jezui ishte Mesia i premtuar. (Vep. 13:15-31; 26:22, 23) Barnaba rrezatonte interesim për njerëzit. (Vep. 4:36, 37; 9:27; 11:23, 24) Asnjëri nuk mbështetej në kuptueshmërinë e vet, por fliste ‘me autoritetin që i kishte dhënë Jehovai’. Si t’i imitojmë këta misionarë kur predikojmë? Duke e njohur sa më mirë Fjalën e Perëndisë. Të zgjedhim vargje nga Bibla që mendojmë se do të jenë tërheqëse për dëgjuesit. Të kërkojmë mënyra praktike për t’i ngushëlluar ata të cilëve u predikojmë. Dhe gjithnjë ta bazojmë mësimin në autoritetin e Fjalës së Perëndisë, jo në mençurinë tonë.

7. (a) Ç’efekt ka lajmi i mirë te njerëzit? (b) Nëse familja jote është e përçarë ngaqë i bindesh lajmit të mirë, ç’duhet të mbash në mendje?

7 Por jo të gjithë në Ikoni u kënaqën me fjalët e Pavlit dhe të Barnabës. Luka tregon më tej: «Judenjtë që nuk besuan, ndikuan për keq te njerëzit e kombeve dhe i nxitën kundër vëllezërve.» Pavli dhe Barnaba e kuptuan se duhej të qëndronin atje e të mbronin lajmin e mirë, prandaj «ndenjën një kohë të gjatë dhe folën me guxim». Si pasojë, «turma e qytetit u përça: disa ishin me judenjtë, kurse të tjerë me apostujt». (Vep. 14:2-4) Edhe sot, lajmi i mirë ka të njëjtin efekt. Disa i bashkon, të tjerë i përçan. (Mat. 10:34-36) Nëse familja jote është e përçarë ngaqë ti i bindesh lajmit të mirë, mbaj në mendje se shpesh kundërshtimi vjen si pasojë e thashethemeve të pabazuara ose shpifjeve. Sjellja jote e shkëlqyer mund t’i përgënjeshtrojë shpifje të tilla dhe së fundi t’ua zbutë zemrën atyre që të kundërshtojnë.—1 Pjet. 2:12; 3:1, 2.

8. Pse u larguan nga Ikonia Pavli e Barnaba, dhe ç’mësim nxjerrim nga shembulli i tyre?

8 Pas njëfarë kohe, kundërshtarët në Ikoni kurdisën një komplot për t’i vrarë me gurë Pavlin dhe Barnabën. Pasi e morën vesh, dy misionarët vendosën të shkonin të predikonin në vise të tjera. (Vep. 14:5-7) Edhe sot lajmëtarët e Mbretërisë veprojnë me të njëjtën maturi. Kur na sulmojnë me fjalë, flasim me guxim. (Filip. 1:7; 1 Pjet. 3:13-15) Por, kur duket se situata do të bëhet e dhunshme, nuk bëjmë asgjë të pamatur që do të rrezikonte më kot jetën tonë ose të bashkëbesimtarëve.—Prov. 22:3.

‘Kthehuni te Perëndia i gjallë’ (Veprat 14:8-19)

9, 10. Ku ndodhej Listra, e çfarë dimë për banorët e saj?

9 Pavli e Barnaba u drejtuan për në Listër, një koloni romake rreth 30 kilometra në jugperëndim të Ikonisë. Listra mbante lidhje të forta me Antiokinë e Pisidisë, por ndryshe nga ky qytet, nuk kishte një komunitet të madh judenjsh. Ndonëse banorët ka të ngjarë të flitnin greqisht, si gjuhë amtare kishin gjuhën likaonase. Ndoshta ngaqë në qytet s’kishte sinagogë, Pavli e Barnaba nisën të predikonin në një vend publik. Në Jerusalem, Pjetri kishte shëruar një burrë që kishte lindur i çalë. Falë asaj mrekullie, një shumicë e madhe ishin bërë të krishterë. (Vep. 3:1-10) Në Listër, Pavli shëroi një burrë të çalë që nga lindja. (Vep. 14:8-10) Por kjo mrekulli solli një rezultat krejt tjetër.

10 Siç u përshkrua në fillim të këtij kapitulli, kur burri i çalë brofi në këmbë, turma pagane në Listër nxori menjëherë përfundimin e gabuar. Menduan se Barnaba ishte Zeusi, babai i zotave, kurse Pavli ishte Hermesi, i biri i Zeusit dhe zëdhënës i zotave. (Shih kutinë «Listra dhe kulti i Zeusit e i Hermesit».) Por Barnaba e Pavli ishin të vendosur t’i tregonin qartë turmës se nuk e merrnin nga perënditë pagane autoritetin për të folur e për të vepruar, por nga Jehovai, i vetmi Perëndi i vërtetë.—Vep. 14:11-14.

LISTRA DHE KULTI I ZEUSIT E I HERMESIT

Listra ndodhej në një luginë të veçuar, larg rrugëve kryesore. Cezar Augusti e bëri koloni romake atë qytet dhe i vuri emrin Julia Feliks Xhemina Lustra. Garnizoni i tij duhej të mbronte provincën e Galatisë nga fiset malësore vendëse. Prandaj qyteti qeverisej sipas ligjeve romake, dhe zyrtarët e tij mbanin tituj latinë. Gjithsesi, Listra nuk e humbi kulturën e saj. Ajo mbeti më tepër likaonase se romake dhe, në fakt, protagonistët e qytetit të Listrës në tregimin e Veprave flitnin gjuhën likaonase.

Ndër gjetjet arkeologjike në afërsi të Listrës së lashtë janë mbishkrimet që u referohen «priftërinjve të Zeusit», një statujë e perëndisë Hermes dhe një altar kushtuar Zeusit e Hermesit.

Një legjendë që dokumentoi poeti romak Ovidi (43 p.e.s.-17 e.s.) na jep më tepër hollësi për tregimin e Veprave. Sipas Ovidit, Jupiteri dhe Merkuri, ekuivalentët romakë të zotave grekë Zeusit dhe Hermesit, vizituan vendin kodrinor të Frigjisë, të maskuar si njerëz vdekatarë. Kërkuan strehim në 1.000 shtëpi, por askush s’i mikpriti. Vetëm një çift të moshuarish, Filemoni dhe Baukisa, i mirëpritën në shtëpinë e tyre të thjeshtë. Si pasojë, Zeusi dhe Hermesi e kthyen atë shtëpi në një tempull prej mermeri dhe ari, i caktuan të moshuarit si priftin dhe priftëreshën e tempullit dhe shkatërruan shtëpitë e atyre që s’i kishin mikpritur. Libri i Veprave në botën greko-romake (anglisht), thotë: «Nëse banorëve të Listrës iu kujtua ajo legjendë kur panë Pavlin dhe Barnabën të shëronin një burrë të çalë, s’është çudi që donin t’i mikpritnin duke u bërë flijime.»

Pavli dhe Barnaba nuk pranojnë t’u bëhen përnderime nga turma në Listër. Turma luan muzikë, përgatit flijime dhe përkulet para dy burrave.

«Hiqni dorë nga këto kotësira e [kthehuni] te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin [dhe] tokën.»—Veprat 14:15

11-13. (a) Ç’u thanë Pavli e Barnaba banorëve të Listrës? (b) Cili është mësimi i parë që nxjerrim nga fjalët e Pavlit dhe të Barnabës?

11 Edhe pse situata ishte dramatike, prapëseprapë Pavli e Barnaba zgjodhën mënyrën më të mirë për t’u prekur zemrën dëgjuesve. Në këtë rast, Luka dokumentoi një metodë të efektshme se si t’u predikohej lajmi i mirë paganëve. Vër re si ua tërhoqën vëmendjen dëgjuesve Pavli dhe Barnaba: «Burra, ç’bëni kështu?! Edhe ne jemi njerëz si ju, me po ato të meta, dhe po ju shpallim lajmin e mirë që të hiqni dorë nga këto kotësira e të ktheheni te Perëndia i gjallë, që bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka në ta. Në brezat që shkuan, ai i la të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre. Megjithatë nuk e la veten pa dëshmi, sepse bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot gëzim.»—Vep. 14:15-17.

12 Ç’mësime nxjerrim nga këto fjalë që të vënë në mendime? Së pari, Pavli e Barnaba nuk e konsideronin veten më të lartë se dëgjuesit e tyre. Nuk pretendonin se ishin perëndi, përkundrazi, me përulësi pranuan se kishin të njëjtat dobësi si dëgjuesit e tyre paganë. Vërtet, ata të dy kishin marrë frymën e shenjtë dhe ishin çliruar nga mësimet e rreme, si dhe ishin bekuar me shpresën që të sundonin me Krishtin. Por e kuptonin se edhe banorët e Listrës mund t’i merrnin këto dhurata, po t’i bindeshin Krishtit.

13 Çfarë qëndrimi kemi ndaj atyre që u predikojmë? A i shohim si të barabartë me ne? Ndërsa i ndihmojmë të mësojnë të vërtetat nga Fjala e Perëndisë, a veprojmë si Pavli e Barnaba, duke mos pritur admirim ose lajka prej tyre? Çarls Tejz Rasëlli, një mësues i shkëlqyer që merrte drejtimin në veprën e predikimit në fund të shekullit të 19-të e në fillim të shekullit të 20-të, ishte shembull në këtë aspekt. Ai shkroi: «Nuk duam nderim e as lavdi për vete ose për shkrimet tona; as dëshirojmë të na thërrasin Shkëlqesi ose Rabi.» Qëndrimi i përulur i vëlla Rasëllit pasqyronte qëndrimin e Pavlit e të Barnabës. Edhe ne predikojmë që t’i ndihmojmë njerëzit të kthehen te «Perëndia i gjallë», jo t’i sjellim lavdi vetes.

14-16. Cili është mësimi i dytë dhe i tretë që mund të nxjerrim nga fjalimi i Pavlit e i Barnabës para banorëve të Listrës?

14 Të shqyrtojmë një mësim të dytë që mund të nxjerrim nga ky fjalim. Pavli dhe Barnaba ishin elastikë. Ndryshe nga judenjtë dhe prozelitët në Ikoni, banorët e Listrës nuk kishin thuajse fare njohuri për Shkrimet ose për marrëdhënien e Perëndisë me kombin e Izraelit. Gjithsesi, ata jetonin në një zonë bujqësore. Listra ishte bekuar me një klimë të butë e me tokë pjellore. Ata njerëz mund të shihnin dëshmi të bollshme të cilësive të Krijuesit të shfaqura te gjëra të tilla si stinët e frytshme, e pikërisht këtë përdorën misionarët si bazë të përbashkët që t’i nxitnin të arsyetonin.—Rom. 1:19, 20.

15 A mund të jemi edhe ne elastikë? Një bujk mund të mbjellë të njëjtën lloj fare në disa ara, por duhet të përdorë metoda të ndryshme për të përgatitur tokën. Një tokë mund të jetë tashmë e butë dhe gati për të pritur farën. Një tokë tjetër mund të ketë nevojë për më tepër përgatitje. Po kështu, fara që mbjellim ne, është gjithnjë e njëjta: mesazhi i Mbretërisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Por, po të jemi si Pavli e Barnaba, do të përpiqemi të dallojmë rrethanat dhe prejardhjen fetare të atyre që u predikojmë. Prandaj kjo njohuri do të ndikojë te mënyra si e prezantojmë mesazhin e Mbretërisë.—Luka 8:11, 15.

16 Mund të nxjerrim edhe një mësim të tretë nga tregimi për Pavlin, Barnabën dhe banorët e Listrës. Sado përpjekje të bëjmë ne, nganjëherë farën që mbjellim, e rrëmben i Ligu ose bie në vend shkëmbor. (Mat. 13:18-21) Nëse ndodh kështu, të mos dëshpërohemi. Siç u kujtoi më vonë Pavli dishepujve në Romë, «secili nga ne [përfshirë çdo individ me të cilin diskutojmë Fjalën e Perëndisë] do t’i japë llogari Perëndisë për veten».—Rom. 14:12.

«I lanë nën kujdesin e Jehovait» (Veprat 14:20-28)

17. Ku shkuan Pavli e Barnaba pasi u larguan nga Derba, dhe përse?

17 Pasi njerëzit e nxorrën zvarrë Pavlin jashtë Listrës duke kujtuar se kishte vdekur, dishepujt iu afruan, e ndihmuan dhe ai u çua e hyri në qytet për të kaluar natën. Të nesërmen, bashkë me Barnabën nisën udhëtimin prej 100 kilometrash për në Derbë. Kushedi sa dhembje duhet të ketë ndier gjatë atij udhëtimi të vështirë, sepse vetëm disa orë më parë i kishin gjuajtur me gurë. Megjithatë, ai e Barnaba ngulmuan dhe, kur mbërritën në Derbë, bënë «mjaft dishepuj». Pastaj, në vend që të merrnin rrugën më të shkurtër për t’u kthyer në bazën e tyre në Antioki të Sirisë, «u kthyen në Listër, Ikoni dhe Antioki [të Pisidisë]». Me ç’qëllim? Donin ‘të forconin dishepujt e t’u jepnin zemër që të qëndronin në besim’. (Vep. 14:20-22) Sa shembull të shkëlqyer lanë ata dy burra! Vunë interesat e kongregacionit mbi rehatinë personale. Në kohët tona, mbikëqyrësit udhëtues dhe misionarët kanë ndjekur shembullin e tyre.

18. Çfarë përfshin emërimi i pleqve në kongregacion?

18 Përveçse forcuan dishepujt me fjalët dhe me shembullin e tyre, Pavli dhe Barnaba emëruan «pleq në çdo kongregacion». Ndonëse në këtë udhëtim misionar ishin «të dërguar nga fryma e shenjtë», ata u lutën e agjëruan kur «i lanë [pleqtë] nën kujdesin e Jehovait». (Vep. 13:1-4; 14:23) Edhe sot ndiqet një model i ngjashëm. Para se të bëhen rekomandimet për emërime, trupi i pleqve i kongregacionit rishikon në lutje kualifikimet e një vëllai të bazuara në Bibël. (1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9; Jak. 3:17, 18; 1 Pjet. 5:2, 3) Kriteri kryesor që përcakton rekomandimin, nuk janë vitet si i krishterë. Se sa po vepron fryma e shenjtë në jetën e atij vëllai, e tregojnë fjalët, sjellja dhe reputacioni i tij. Plotësimi i kërkesave të parashtruara në Shkrime për mbikëqyrësit, përcakton nëse kualifikohet të shërbejë si bari i kopesë. (Gal. 5:22, 23) Këto emërime i bën mbikëqyrësi qarkor.—Krahaso 1 Timoteut 5:22.

19. Kujt do t’i japin llogari pleqtë, dhe si i imitojnë Pavlin e Barnabën?

19 Pleqtë e emëruar e dinë se do t’i japin llogari Perëndisë për mënyrën si e trajtojnë kongregacionin. (Hebr. 13:17) Ashtu si Pavli e Barnaba, ata marrin drejtimin në veprën e predikimit. I forcojnë bashkëbesimtarët me fjalët e tyre. Gjithashtu janë gati të vënë interesat e kongregacionit mbi rehatinë personale.—Filip. 2:3, 4.

20. Ç’dobi nxjerrim kur lexojmë raporte për veprën besnike të vëllezërve tanë?

20 Kur më në fund Pavli e Barnaba u kthyen në bazën misionare në Antioki të Sirisë, u treguan vëllezërve «të gjitha ato që kishte bërë Perëndia nëpërmjet tyre dhe si u kishte hapur kombeve derën e besimit». (Vep. 14:27) Ndërsa lexojmë për veprën besnike të vëllezërve tanë të krishterë dhe shohim si i ka bekuar Jehovai përpjekjet e tyre, nxitemi të vazhdojmë ‘të flasim me guxim me autoritetin që na ka dhënë Jehovai’.

a Shih kutinë «Ikonia, qytet i frigjianëve».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo