MËSIMI 6
Çfarë shprese ka për të vdekurit?
1. Ç’lajm të mirë ka për të vdekurit?
Gjatë kohës që Jezui shërbeu në tokë, vdiq miku i tij Lazari, i cili jetonte në Betani, një fshat afër Jerusalemit. Kur Jezui vajti atje, ai kishte vdekur prej katër ditësh, prandaj shkoi te varri me Martën dhe Marinë, motrat e të ndjerit. S’kaloi shumë e u mblodh një turmë. A e merr dot me mend gëzimin e Martës e të Marisë kur Jezui ktheu në jetë Lazarin?—Lexo Gjonin 11:21-24, 38-44.
Marta tashmë e njihte lajmin e mirë për të vdekurit. Ajo e dinte se Jehovai do t’i ringjallë të vdekurit që të jetojnë sërish në tokë.—Lexo Jobin 14:14, 15.
2. Në ç’gjendje janë të vdekurit?
Perëndia i tha Adamit: «Ti je pluhur dhe në pluhur do të kthehesh.» —ZANAFILLA 3:19.
Njerëzit janë bërë nga pluhuri. (Zanafilla 2:7; 3:19) Ne s’jemi shpirtra që jetojmë në një trup fizik. Jemi krijesa prej mishi e gjaku, prandaj asnjë pjesë jona nuk mbijeton pas vdekjes. Kur vdesim, edhe truri ynë vdes, e kështu mendimet tona marrin fund. Prandaj, Lazari nuk tregoi asgjë për ditët kur kishte qenë i vdekur, sepse të vdekurit janë të pavetëdijshëm. —Lexo Psalmin 146:4; Eklisiastiun 9:5, 6, 10.
A i torturon Perëndia njerëzit në zjarr pas vdekjes? Përderisa Bibla tregon se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, është e qartë se ferri i zjarrtë është një mësim i rremë dhe shpifje për Perëndinë. Atij i ngjall neveri edhe thjesht mendimi se njerëzit mund të torturohen në zjarr.—Lexo Jereminë 7:31.
Shih videon Në ç’gjendje janë të vdekurit?
3. A mund të na flasin të vdekurit?
Të vdekurit as mund të flasin, as mund të dëgjojnë. (Psalmi 115:17) Megjithatë, ka disa engjëj të ligj që mund të flasin me njerëzit e të shtiren si të vdekurit. (2 Pjetrit 2:4) Jehovai dënon çdo përpjekje për të folur me të vdekurit.—Lexo Ligjin e përtërirë 18:10, 11.
4. Cilët do të kthehen në jetë?
Miliona e miliona njerëz që kanë vdekur, do të kthehen në jetë në tokë. Do të ringjallen edhe disa që nuk e njihnin Perëndinë dhe që bënin gjëra të këqija.—Lexo Lukën 23:43; Veprat 24:15.
Të ringjallurit do të kenë mundësi të mësojnë të vërtetën për Perëndinë dhe të tregojnë besim te Jezui duke iu bindur. (Zbulesa 20:11-13) Ata që do të bëjnë gjëra të mira pasi të kthehen në jetë, do të jetojnë në tokë përgjithmonë.—Lexo Gjonin 5:28, 29.
5. Ç’na tregon për Jehovain ringjallja?
Të vdekurit kanë shpresë sepse Perëndia dërgoi Birin e vet që të vdiste për ne. Pra, ringjallja na flet për dashurinë dhe për mirësinë e pamerituar të Jehovait. Kur të vdekurit të kthehen në jetë, kë dëshiron të takosh në veçanti?—Lexo Gjonin 3:16; Romakëve 6:23.