Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
7-13 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | JAKOVI 3-5
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Jakovi 4:11, 12) Mjaft folët kundër njëri-tjetrit, vëllezër! Ai që flet kundër një vëllai ose e gjykon atë, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin. E nëse gjykon ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës. 12 Një i vetëm është ligjdhënës dhe gjykatës, që është në gjendje të shpëtojë e të shkatërrojë. Po ti kush je, që të gjykosh të afërmin tënd?
Besimi na bën të duruar dhe na lidh më shumë me Jehovain
8 Është mëkat të flasim kundër një bashkëbesimtari. (Jakovi 4:11, 12) Prapëseprapë, disa mund të kritikojnë një motër ose vëlla, ngaqë u duket vetja tepër të drejtë ose ngaqë duan ta ngrenë veten duke ulur të tjerët. (Psalmi 50:20; Proverbat 3:29) Fjala greke e përkthyer ‘flas kundër’ tregon armiqësi dhe nënkupton një akuzë të ekzagjeruar ose të rreme. Kjo do të thotë të gjykojmë negativisht një vëlla. Pse themi se kjo është njësoj si ‘të flasësh kundër ligjit të Perëndisë dhe ta gjykosh’? Po ja, skribët dhe farisenjtë ‘ishin të shkathët për të shpërfillur urdhërimin e Perëndisë’ dhe për të gjykuar sipas normave të tyre. (Marku 7:1-13) Po njësoj, nëse fajësojmë një vëlla të cilin Jehovai nuk do ta fajësonte, a nuk do të ishim duke ‘gjykuar ligjin e Perëndisë’? A nuk do të mëkatonim duke hedhur idenë se ky ligj ka të meta? Veç kësaj, nëse do të kritikonim padrejtësisht një vëlla, nuk do të përmbushnim ligjin e dashurisë.—Romakëve 13:8-10.
14-20 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 1 PJETRIT 1-2
«Jini të shenjtë»
(1 Pjetrit 1:16) sepse është shkruar: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!»
lvs 77 ¶6
Si ta zgjedhim zbavitjen
6 Jehovai na thotë: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» (1 Pjetrit 1:14-16; 2 Pjetrit 3:11) Jehovai e pranon adhurimin tonë vetëm po të jetë i shenjtë, pra i pastër. (Ligji i përtërirë 15:21) Adhurimi ynë s’mund të jetë i pastër nëse bëjmë ato që Jehovai urren, siç janë gjërat imorale, të dhunshme ose që lidhen me spiritizmin. (Romakëve 6:12-14; 8:13) Gjithsesi, Jehovai do të mërzitej edhe sikur të zbaviteshim me gjëra të tilla. Kjo mund ta ndotte adhurimin tonë, ta bënte të papranueshëm për Jehovain dhe ta dëmtonte seriozisht marrëdhënien tonë me të.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(1 Pjetrit 2:25) Sepse ishit si dele dhe po humbitnit rrugën, kurse tani jeni kthyer te bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj.
it-2 565 ¶3
Mbikëqyrës
Mbikëqyrësi Suprem. Me sa duket te 1 Pjetrit 2:25 apostulli citon Isainë 53:6 kur flet për ‘delet që po humbitnit rrugën’. Pastaj Pjetri thotë: «Kurse tani jeni kthyer te bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj.» Këtu Pjetri duhet ta ketë fjalën për Perëndinë Jehova, sepse ata të cilëve u shkroi nuk ishin larguar nga Krishti Jezu. Përkundrazi, nëpërmjet tij ata ishin kthyer te Perëndia Jehova, që është Bariu i Madh i popullit të tij. (Ps 23:1; 80:1; Jr 23:3; Ezk 34:12) Por Jehovai është edhe mbikëqyrës, ai që na vëzhgon ose heton. (Ps 17:3) Hetimi (gr., episkopé) mund të nënkuptojë gjykime negative nga Ai, siç ndodhi në shekullin e parë të e.s. me Jerusalemin, i cili nuk e dalloi kohën ‘kur u hetua [gr., episkopés]’. (Lu 19:44) Ose mund të sjellë dobi a të ndikojë për mirë, siç ndodh me ata që i japin lavdi Perëndisë «ditën e hetimit prej tij [gr., episkopés]».—1Pj 2:12.
21-27 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 1 PJETRIT 3-5
«Fundi i të gjitha gjërave është afruar»
(1 Pjetrit 4:8) Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.
Si të dallojmë e të kapërcejmë mangësitë në marrëdhënien tonë me Jehovain
Duhet të ngulitim në mendje këshillën e dashur të apostullit Pjetër: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar. Prandaj, jini me mendje të shëndoshë dhe jini vigjilentë në lidhje me lutjet. Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (1 Pjetrit 4:7, 8) Është shumë e lehtë që t’i lejojmë papërsosmëritë, tonat ose të të tjerëve, të depërtojnë në mendjen e në zemrën tonë dhe të na bëhen pengesë. Satanai e njeh mirë këtë dobësi që kemi. Taktika e tij dinake është: përça e sundo. Ja pse duhet t’i mbulojmë këto mëkate me dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin pa vonuar dhe ‘të mos i lëmë vend Djallit’.—Efesianëve 4:25-27.