BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g17 nr. 5 f. 3-7
  • Kur godet një katastrofë—Hapa jetëshpëtues

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kur godet një katastrofë—Hapa jetëshpëtues
  • Zgjohuni!—2017
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PARA​—PËRGATITU!
  • GJATË​—VEPRO SHPEJT
  • PAS​—KUJDESU PËR VETEN!
  • A e ka fajin Perëndia?
    Zgjohuni!—2007
  • A jeni të përgatitur për katastrofat natyrore?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2007
  • A je i përgatitur?
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2020
  • Të përgatitur në orët e fundit ‘të ditëve të fundit’
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2021
Shih më tepër
Zgjohuni!—2017
g17 nr. 5 f. 3-7
Zjarrfikës që po shuajnë zjarrin

TEMA KRYESORE

Kur godet një katastrofë​—Hapa jetëshpëtues

«Një shpërthim shurdhues gati sa s’më përplasi në dysheme. Nga tubat e ventilimit filloi të dilte tym dhe ndërtesën shumëkatëshe të zyrave e përpinë flakët.»​—Xhoshua.

Tërmete . . . uragane . . . sulme terroriste . . . të shtëna me armë zjarri nëpër shkolla. Ngjarje të tilla i sheh shumë shpesh në faqet e para të gazetave. S’ka dyshim se një gjë është të lexosh për një katastrofë dhe krejt tjetër ta përjetosh atë. Ç’mund të bësh para, gjatë dhe pas një katastrofe që të kesh më shumë shanse për të mbijetuar?

PARA​—PËRGATITU!

ASKUSH nuk është i imunizuar nga katastrofat. Për të mbijetuar, çelësi kryesor është përgatitja. Por, çfarë përfshin ajo?

  • Përgatit mendjen. Prano faktin se katastrofat ndodhin dhe se ti bashkë me njerëzit e tu të dashur mund të jeni në rrezik. Është tepër vonë të përgatitesh pasi godet një katastrofë.

  • Mëso se cilat katastrofa mund të prekin zonën tënde. Informohu se ku janë strehimet në rast emergjence. Shih nëse vendndodhja dhe struktura e shtëpisë janë të sigurta. Trego kujdes me gjërat që mund të shkaktojnë zjarr. Instalo detektorë tymi dhe ndërrojua bateritë të paktën një herë në vit ose më shpesh.

  • Përgatit gjërat për raste emergjence. Në raste të tilla mund të ndërpriten energjia elektrike, uji, linjat telefonike dhe shërbimi i transportit. Nëse ke makinë, përpiqu ta mbash serbatorin të paktën gjysmë të mbushur dhe mbaj gjithmonë në shtëpi ushqim, ujë dhe një çantë për raste emergjence.​—Shih kutinë «A je i përgatitur për katastrofat?»

    Një familje përgatit çantat e emergjencës

    Përgatitja është çelësi kryesor për të mbijetuar

  • Mbaj gjithmonë numrat e telefonit të miqve, qofshin afër apo larg.

  • Bëj një plan largimi dhe provoje. Informohu për daljet më të afërta të godinës ku ndodhesh, si edhe për planin e emergjencës të shkollës së fëmijëve. Cakto vende ku mund të takoheni si familje​—si një shkollë a park—​njërin afër e tjetrin jashtë lagjes. Autoritetet sugjerojnë që si familje të shkoni më këmbë paraprakisht te këto pika takimi.

  • Planifiko të ndihmosh të tjerë, si të moshuarit e të dobëtit fizikisht.

GJATË​—VEPRO SHPEJT

Xhoshua, i përmendur në fillim të artikullit, tregon: «Kur ra zjarr, shumicën e njerëzve nuk i zuri paniku, përkundrazi, e morën me nge. Disa filluan të fiknin kompjuterët, të tjerë të mbushnin ndonjë shishe ujë. Një burrë tha: ‘Mbase thjesht duhet të presim.’» Pavarësisht se të tjerët po hezitonin, Xhoshua bërtiti: «Duhet të dalim që këtu, tani!» Në atë moment, kolegët e punës u kthjelluan dhe e ndoqën teksa zbriste shkallët. Xhoshua vazhdoi të thoshte me zë të lartë: «Nëse rrëzohet ndonjë, ngrijeni dhe vazhdoni të ecni. Do të shpëtojmë të gjithë.»

  • Kur bie zjarr. Qëndro sa më afër dyshemesë dhe nxito drejt daljes më të afërt. Për shkak të tymit mund ta kesh të vështirë të shohësh. Shumica e vdekjeve në rast zjarri ndodhin nga asfiksimi. Mos u përpiq të shpëtosh gjërat personale. Vetëm pak sekonda mund të bëjnë diferencën mes jetës a vdekjes.

  • Kur bie tërmet. Futu poshtë mobilieve të forta ose rri pranë ndonjë muri të brendshëm. Pas një tërmeti priten edhe lëkundje të tjera, ndaj dil nga godina sa më shpejt të jetë e mundur dhe qëndro larg ndërtesave. Mund të kalojnë orë të tëra para se të vijnë skuadrat e shpëtimit, prandaj përpiqu të shpëtosh edhe të tjerë nëse mundesh.

  • Kur godet një tsunam. Nëse uji tërhiqet papritmas nga bregu, largohu me shpejtësi drejt një terreni më të ngritur. Pas dallgës së parë, me shumë gjasa do të ketë dallgë të tjera më të fuqishme.

  • Kur ndodh një tornado ose uragan. Shko pa vonesë në një vend të sigurt.

  • Kur ndodh një përmbytje. Mos rri brenda ndërtesave të përmbytura. Mos ec dhe mos i jep makinës në ujë. Ujërat e përmbytjes mund të jenë përzier me ujëra të zeza dhe mbartin rreziqe të fshehura, si mbetje, puseta të hapura dhe tela elektrikë të këputur.

  • A e dini? 60 centimetra ujë rrjedhës mund të marrë me vete një makinë. Shumica e njerëzve humbin jetën ngaqë përpiqen të ngasin makinën përmes ujit që lëviz gjatë një përmbytjeje.

  • Nëse autoritetet urdhërojnë evakuimin, ik menjëherë! Tregoju miqve se ku gjendesh, pasi mund të rrezikojnë jetën duke të të kërkuar.

    Një familje duke dëgjuar radion

    Nëse autoritetet urdhërojnë evakuimin, ik menjëherë!

  • A e dini? Mesazhet e shkruara mund të jenë më të besueshme se telefonatat.

  • Nëse autoritetet udhëzojnë të rrini në shtëpi ose në godinën ku ndodheni, mos dilni. Në rast aksidenti a sulmi kimik, biologjik ose atomik, qëndroni brenda, fikni ventilimin dhe izoloni të gjitha dyert e dritaret. Në rastin e një incidenti atomik shtrihuni në dysheme ose shkoni në bodrum për t’u mbrojtur nga rrezatimi radioaktiv. Dëgjoni lajmet në televizionet ose radiot vendëse. Rrini brenda derisa autoritetet të njoftojnë se rreziku ka kaluar.

PAS​—KUJDESU PËR VETEN!

Për të shmangur sëmundjet dhe rreziqet, shqyrto sugjerimet e mëposhtme:

  • Rri te miqtë dhe jo në kamp, po të jetë e mundur.

  • Mbaje të pastër vendin ku banon.

  • Përdor pajisje mbrojtëse kur heq mbetjet. Nëse është e mundur, vish doreza, këpucë të forta, kaskë mbrojtëse dhe maskë kundër pluhurit. Ki kujdes nga kabllot elektrikë dhe nga thëngjijtë që nuk shihen.

  • Përpiqu të mbash të njëjtën rutinë të përditshme. Fëmijët e tu kanë nevojë të shohin se je i qetë dhe se nuk e ke humbur shpresën. Bëni bashkë mësimet, luani dhe adhuroni Perëndinë. Mos shiko gjithë kohën lajme mbi tragjedinë dhe mos ua shfry familjarëve ankthin ose mërzinë. Prano ndihmë dhe ndihmo të tjerët.

    Një familje që vazhdon rutinën e mëparshme edhe pas katastrofës

    Pas një katastrofe, përpiqu të mbash të njëjtën rutinë të përditshme

  • Prano që katastrofat shkaktojnë humbje materiale. Qeveria si edhe organizata të tjera humanitare bëjnë çmos t’u sigurojnë njerëzve gjërat jetike dhe jo të zëvendësojnë çdo gjë të humbur. Për të mbijetuar, kemi nevojë për ujë të pastër, ushqim, veshje dhe strehim.​—1 Timoteut 6:7, 8

  • Prano dhembjen emocionale dhe lejo të të ndihmojnë. Shpesh dhembja emocionale shfaqet pas traumës së fillimit. Simptomat përfshijnë ankth, dëshpërim e luhatje humori. Gjithashtu mund ta kesh të vështirë të mendosh, të punosh dhe të flesh. Fol me miq që të kanë për zemër.

Ndonëse Xhoshua i mbijetoi zjarrit në vendin e punës, shumë nga kolegët e tij nuk ia dolën mbanë. Ai mori ndihmë nga pleqtë e krishterë dhe nga specialistë të shëndetit mendor. Xhoshua thotë: «Më siguruan se hidhërimi që ndieja, ishte pjesë normale e procesit të shërimit dhe se do të kalonte. Pas gjashtë muajsh, makthet u pakësuan, kurse simptomat e tjera zgjatën më shumë.»

Katastrofat na trazojnë, sepse vuajnë njerëz të pafajshëm. Ja pse gabimisht disa njerëz ia hedhin fajin Zotit. Shumë përjetojnë «ndjenjat e fajit të të mbijetuarit», njësoj si Xhoshua. Ai thotë: «Akoma vras mendjen nëse mund të kisha shpëtuar më shumë veta. Më ngushëllon mendimi se së shpejti Perëndia do të sjellë drejtësi të plotë në tokë e do të zhbëjë gjithë të këqijat. Ndërkohë çmoj çdo ditë jete dhe bëj sa kam në dorë për ta mbrojtur.»​—Zbulesa 21:4, 5.a

a Për më shumë informacion në lidhje me premtimet e Perëndisë për të ardhmen dhe pse i lejon vuajtjet, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Mund ta shkarkosh edhe në www.pr2711.com.

A JE I PËRGATITUR PËR KATASTROFAT?

Gjërat për raste emergjence

Organizatat që menaxhojnë punën në rast katastrofe, u bëjnë thirrje familjeve të përgatitin gjërat e nevojshme për raste emergjence dhe t’i rishikojnë çdo vit. Sigurisht, nevojat ndryshojnë në bazë të vendndodhjes e të rrethanave, prandaj shih se çfarë sugjerimesh japin për zonën tënde shërbimet e menaxhimit të emergjencave.

Në përgjithësi rekomandohet të mbash minimumi 11 litra ujë për person dhe ushqime të gatshme që nuk prishen, të mjaftueshme për tri ditë.

Gjithashtu, disa familje kanë përgatitur një çantë për raste emergjence me gjëra të tilla, si:b

  • Batanije, një palë rroba të ngrohta dhe këpucë të forta

  • Elektrik, radio (me bateri ose me kurdisje) dhe bateri rezervë

  • Kuti të ndihmës së shpejtë dhe një bilbil për të kërkuar ndihmë

  • Enë për të ngrënë, hapëse kanaçesh, set me vegla në format xhepi dhe shkrepëse kundër ujit

  • Maska kundër pluhurit, izolant kundër ujit dhe mushama

  • Furça dhëmbësh, sapun, peshqirë dhe letër higjienike

  • Gjëra të nevojshme për fëmijët, për të moshuarit e për të tjerë me nevoja të veçanta

  • Një kuti të papërshkueshme nga uji me ilaçet e nevojshme, me kopje të recetave mjekësore dhe të dokumenteve të tjera të rëndësishme

  • Një listë me numra telefoni e vende takimi në rast emergjence dhe një hartë të zonës

  • Karta bankare dhe pará

  • Një kopje të çelësave të shtëpisë dhe të makinës

  • Letra, lapsa, libra dhe lojëra për fëmijë

  • Bibël

b Në rastin tënd ose në vendin ku jeton mbase s’të duhet çdo gjë e renditur në këtë listë. Mendo ç’mund të përfshish tjetër.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo