BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/2 f. 26-31
  • Si po vrapon në garën për jetë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si po vrapon në garën për jetë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Gara për jetë
  • Trego vetëkontroll në të gjitha gjërat
  • Mos vrapo «në mënyrë të pasigurt»
  • Ti mund të qëndrosh deri në fund!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • «Vraponi në mënyrë të tillë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • ‘Përfundoje garën’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2020 (Për studim)
  • Vraponi në garë me qëndrueshmëri
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/2 f. 26-31

Si po vrapon në garën për jetë?

«A nuk e dini se të gjithë vrapuesit vrapojnë në garë, por vetëm njëri e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë të tillë që ta arrini atë.»​—1. KORINTASVE 9:24, NW.

1. Me çfarë e krahason Bibla drejtimin tonë të krishterë?

BIBLA e krahason kërkimin tonë të jetës së përhershme me një garë. Nga fundi i jetës së tij, apostulli Pavël tha për veten: «Luftën e shkëlqyeshme e luftova, garën e vrapova deri në fund, besimin e mbajta.» Ai i nxiti bashkëkrishterët që të veprojnë në të njëjtën mënyrë, kur tha: «Le të heqim çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»​—2. Timoteut 4:7, NW; Hebrenjve 12:1, NW.

2. Çfarë starti inkurajues shohim në vrapimin për jetë?

2 Krahasimi është i përshtatshëm, sepse vrapimi përbëhet nga starti, një kurs i vendosur dhe një vijë finishi, apo një kufi. Kështu është edhe me procesin e përparimit tonë frymor drejt jetës. Siç kemi parë, çdo vit, qindra mijëra njerëz startojnë mirë në garën për jetë. Për shembull, në pesë vitet e fundit, 1.336.429 njerëz startuan formalisht në këtë garë me dedikim dhe pagëzim në ujë. Një start kaq i fuqishëm është mjaft inkurajues. Megjithatë, e rëndësishme është të vazhdohet gara, deri sa të arrihet në vijën e finishit. A po e bën këtë?

Gara për jetë

3, 4. (a) Si e theksoi Pavli rëndësinë e mbajtjes së hapit në vrapim? (b) Si kanë dështuar disa në ndjekje të këshillës së Pavlit?

3 Për të theksuar rëndësinë e vazhdimit të garës, Pavli paralajmëroi: «A nuk e dini se të gjithë vrapuesit vrapojnë në një garë, por vetëm njëri e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë të tillë që ta arrini atë.»​—1. Korintasve 9:24, NW.

4 Vërtet, në lojërat e lashta vetëm një njeri mund ta fitonte çmimin. Mirëpo, në garën për jetë, çdo njeri mund ta marrë çmimin. Vetëm është e nevojshme që të mbetesh në kurs deri në finish! Lumturisht, shumë vetë e kanë vrapuar garën besnikërisht deri në fund të jetës së tyre, si apostulli Pavël. Dhe miliona vazhdojnë të vrapojnë. Megjithatë, disa nuk kanë bërë përpara apo nuk kanë përparuar drejt vijës së finishit. Në vend të kësaj, kanë lejuar që gjëra të tjera t’i pengojnë dhe kështu ose kanë dalë nga vrapimi, ose janë skualifikuar. (Galatasve 5:7) Kjo duhet të na japë arsye për të shqyrtuar, se si po vrapojmë në garën për jetë.

5. A e krahasoi, ndoshta Pavli vrapimin për jetë me lojërat për konkurencë? Shpjego.

5 Mund të vihet pyetja: Ç’kishte në mend Pavli, kur tha se «vetëm njëri e fiton çmimin»? Siç kemi shënuar përpara, ai nuk donte të thoshte se në mes të atyre që startojnë në garën për jetë, vetëm njëri do ta marrë çmimin e jetës së përhershme. Është e qartë se nuk është kështu, sepse ai herë pas here, qartësonte se vullneti i Perëndisë është që njerëzit e të gjitha llojeve të shpëtojnë. (Romakëve 5:18; 1. Timoteut 2:3, 4; 4:10; Titi 2:11) Jo, ai nuk tha se vrapimi për jetë është konkurencë në të cilën secili pjesëmarrës përpiqet për të mundur gjithë të tjerët. Korintasit e dinin shumë mirë se fryma e konkurencës ekzistonte në mes të pjesëmarrësve në Lojërat e Isthmianit, për të cilat thuhet, se, në atë kohë ishin më në zë sesa Lojërat Olimpike. Atëherë, ç’kishte në mend Pavli?

6. Çfarë zbulon konteksti në lidhje me diskutimin e Pavlit mbi vrapuesin dhe vrapimin?

6 Duke cituar ilustrimin e vrapuesit, Pavli në rradhë të parë diskutonte prespektivën e vet për shpëtim. Në rreshtat e mëparshëm, ai përshkroi se si kishte punuar me zell dhe përpiqej në shumë mënyra. (1. Korintasve 9:19-22) Pastaj, në rreshtin e 23-të, ai tha: «Por të gjitha gjërat i bëj për hir të lajmit të mirë, në mënyrë që të bëhem dhënës i tij me të tjerët.» (NW) Ai e dinte se shpëtimi nuk iu garantua vetëm sepse ishte i zgjedhur për të qenë një apostull apo sepse kishte harxhuar shumë vite, duke u predikuar të tjerëve. Për të marrë pjesë në bekimet e lajmit të mirë, ai duhej të vazhdonte të bënte gjithçka të mundur për hir të lajmit të mirë. Ai duhet të vraponte me qëllim të plotë për të fituar, duke u përpjekur aq fortësisht, sikur të ishte duke vrapuar në garën e Lojërave të Isthmianit, ku «vetëm njëri e merr çmimin.»​—1. Korintasve 9:24a.

7. Çfarë nevojitet për «të vrapuar në mënyrë që të arrihet çmimi»?

7 Nga kjo mund të mësojmë shumë. Edhe pse secili që merr pjesë në garë dëshiron të fitojë, vetëm ata që janë plotësisht të vendosur për të fituar kanë shpresë për t’ia dalë mbanë. Pra, nuk duhet të ndihemi të vetëkënaqur vetëm sepse kemi marrë pjesë në garë. Nuk duhet të mendojmë se gjithçka do të jetë në rregull, sepse jemi «në të vërtetën». Ne mund ta mbajmë emrin të krishterë, por a kemi thelbin për të provuar se jemi të krishterë? Për shembull, a i bëjmë gjërat që dimë se duhet t’i bëjë një i krishterë, p.sh. a i frekuentojmë mbledhjet e krishtere, a marrim pjesë në fushën e shërbimit e kështu me rradhë? Nëse po, kjo është e lavdërueshme dhe duhet të përpiqemi të qëndrojmë në këto shprehi të shkëlqyeshme. Megjithatë, a mund të përfitojmë më tepër nga ajo që bëjmë? Për shembull, a përgatitemi gjithnjë për të komentuar diçka në mbledhje? A përpiqemi ta aplikojmë në jetën tonë personale atë që mësojmë? A kushtojmë vëmendje për të përmirësuar shkathtësitë tona në mënyrë që të mund të japim dëshmi të plotë, përkundër të gjitha pengesave që mund të gjejmë në fushën e shërbimit? A jemi të gatshëm për të pranuar sfidën e rivizitës së personave të interesuar dhe të drejtimit të studimit të Biblës në shtëpi? «Vraponi që të mund ta arrini atë», nxiti Pavli.​—1. Korintasve 9:24b, NW.

Trego vetëkontroll në të gjitha gjërat

8. Ç’mund ta ketë shtyrë Pavlin për t’i nxitur shokët e vet të krishterë që «të tregojnë vetëkontroll në të gjitha gjërat»?

8 Në jetën e tij, Pavli kishte parë shumë vetë që kishin ngadalësuar, që i kishte marrë rryma, apo ishin dorëzuar në garën për jetë. (1. Timoteut 1:19, 20; Hebrenjve 2:1) Për këtë, ai gjithnjë e përsëri i përkujtonte bashkëkrishterët e tij se gjenden në një garë të mundimshme dhe të vazhdueshme. (Efesianëve 6:12; 1. Timoteut 6:12). Ai e zgjeroi ilustrimin e vrapuesit dhe tha: «Përveç kësaj, secili që merr pjesë në një garë tregon vetëkontroll në të gjitha gjërat.» (1. Korintasve 9:25a, NW). Duke thënë këtë, Pavli përmendte tërthorazi diçka me të cilën të krishterët e Korintit ishin shumë të njohur, d.m.th. stërvitjen e ashpër që ndiqnin pjesëmarrësit në Lojërat Istmiane.

9, 10. (a) Si i përshkruan një burim vrapuesit në Lojërat e Isthmianit? (b) Ç’gjë është veçanërisht e vlefshme në lidhje me këtë përshkrim?

9 Ja një përshkrim i gjallë i stërvitjes së një pjesëmarrësi:

«I kënaqur dhe pa murmuritje ai i nënshtrohet rregullave dhe kufizimeve të stërvitjes së vet dhjetë mujore, pa të cilën, më mirë të mos marrë pjesë. . . . Ai është krenar në vështirësitë e veta të vogla, lodhjet dhe privimet dhe e llogarit si pikë nderi që në mënyrë skrupuloze përmbahet nga çdo gjë që në masën më të vogël mund ta zvogëlojë mundësinë e tij për sukses. Ai i sheh burrat e tjerë që jepen pas oreksit, që pushojnë, ndërsa ai gulçon nga përpjekja, ata shfrytëzojnë luksin e banjos, gëzojnë jetën me kënaqësi; por ai nuk ka asnjë mendim zilie, sepse zemrën e tij e ka vendosur në çmimin dhe stërvitjen e rreptë të domosdoshme. Ai e di se mundësitë e tij do të humbin, nëse në çdo moment apo në çdo rast do të lehtësonte ashpërsinë e disiplinës.»​—The Expositor’s Bible, (Shpjeguesi i Biblës) Volumi 5, faqe 674.

10 Është me interes të veçantë vërejtja, se ai që stërvitet «e llogarit si pikë nderi» ndjekjen e një rutine të ashpër vetëmohimi. Në fakt, ai «nuk ka asnjë mendim zilie», duke shikuar qetësinë dhe komoditetin që gëzojnë të tjerët. A mund të mësojmë diçka nga kjo? Po, patjetër.

11. Nga cili shikim i padrejtë duhet të ruhemi, derisa jemi të përfshirë në garën për jetë?

11 Kujto fjalët e Jezuit, se «e gjerë dhe e hapur është rruga që të çonë në shkatërrim e shumë janë ata që kalojnë nëpër të; kurse e ngushtë është dera dhe e ngushtë rruga që të çonë në jetë dhe pak janë ata që e gjejnë.» (Mateu 7:13, 14, NW) Ndërsa përpiqesh të ecësh në «rrugën e ngushtë», a e ke zili lirinë dhe rehatinë që duket se e gëzojnë ata të rrugës tjetër? A e ndjen se po humb disa gjëra në lidhje me të tjerët, gjëra që në vetvete nuk duken aq të këqija? Është e lehtë për ne të ndihemi kështu, nëse nuk mbajmë në mend arsyen për të cilën e kemi ndërmarrë këtë kurs. «Por ata, natyrisht, e bëjnë për të fituar kurorën e shkatërrueshme, por ne për një të pashkatërrueshme», tha Pavli.​—1. Korintasve 9:25b, NW.

12. Përse mund të thuhet se lavdia dhe fama nga të cilat anojnë njerëzit, i ngjajnë kurorës së shkatërrueshme që ndahej në Lojërat e Isthmianit?

12 Fituesi i Lojërave të Istmianit merrte një kurorë pishe Istmie apo prej ndonjë bime të ngjashme, që me siguri vyshkej pas disa ditësh apo javësh. Natyrisht, atletët nuk vraponin për kurorën e shkatërrueshme, por për lavdinë, nderimin dhe famën që vinte bashkë me të. Një burim përmend se, kur fituesi kthehej në shtëpi, pritej si një hero fitimtar. Shpeshherë rrënoheshin muret e qytetit në mënyrë që të kalonte korteu i tij dhe i ngriheshin statuja. Megjithatë, përkundër gjithë kësaj, lavdia e tij akoma ishte e shkatërrueshme. Sot, vetëm pak njerëz e dinë se cilët ishin ata heronj fitimtarë dhe shumë as që interesohen. Ata që kanë flijuar kohën e vet, energjinë, shëndetin dhe madje lumturinë familjare për të fituar pushtetin, famën apo pasurinë e botës, por që nuk janë të pasur ndaj Perëndisë, do të zbulojnë se «kurora» e tyre materialiste, e ngjashme me jetën e tyre, thjesht po kalon.​—Mateu 6:19, 20; Luka 12:16-21.

13. Si ndryshon drejtimi i jetës së atij që vrapon për jetën nga ai i një atleti?

13 Pjesëmarrësit në një garë atletike mund të jenë të gatshëm për të pranuar kërkesat e ashpra të stërvitjes, sikurse janë ato të përshkruara më lart, por vetëm për një kohë të kufizuar. Kur lojërat marrin fund, ata i kthehen përsëri mënyrës normale të jetës. Ndoshta akoma stërviten kohë pas kohe për të mbajtur shkathtësitë e tyre, por nuk ndjekin të njëjtin kurs vetëmohimi të rreptë, të paktën, derisa të vijë një garë tjetër. Nuk është kështu me ata që janë në garën për jetë. Për ta, stërvitja dhe vetëmohimi duhet të jenë mënyrë jetese.​—1. Timoteut 6:6-8.

14, 15. Përse një vrapues në garën për jetë duhet të tregojë vazhdimisht vetëkontroll?

14 «Nëse ndonjëri dëshiron të vijë pas meje,—u tha Jezu Krishti nxënësve të mbledhur dhe të tjerëve,—le të mohojë vetveten (apo, «duhet t’i thotë ‘Jo’ vetes», Charles B. Williams) dhe le të marrë shtyllën e vet të mundimeve dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Marku 8:34, NW) Kur e pranojmë këtë ftesë, duhet të jemi të gatshëm të veprojmë kështu «vazhdimisht», jo sepse vetëmohimi ka ndonjë vlerë të veçantë, por sepse një çast pakujdesi, një lëshim në gjykim, mund të rrënojë gjithçka që është ndërtuar, madje mund të rrezikojë të mirën tonë të përhershme. Përparimi frymor zakonisht bëhet shumë ngadalë, por sa shpejt mund të humbasë, nëse nuk jemi gjithnjë zgjuar!

15 Përveç kësaj, Pavli paralajmëroi se duhet të tregojmë vetëkontroll «në të gjitha gjërat», d.m.th. se duhet të veprojmë kështu me qëndrueshmëri në të gjitha aspektet e jetës. Kjo është e arsyeshme, sepse nëse ai që sërvitet jepet pas dëshirave të veta apo bën një jetë të shthurur, ç’dobi do të ketë nga të gjitha dhimbjet fizike dhe lodhja që duron? Kështu edhe në garën tonë për jetë, na duhet të tregojmë vetëkontroll në të gjitha gjërat. Një person mund ta kontrollojë veten në gjëra të tilla si dehja dhe kurvëria, por vlera e kësaj zvogëlohet, nëse ai është mendjemadh dhe grindavec. Apo, ç’dobi ka, nëse është i shumëdurueshëm dhe i këndshëm ndaj të tjerëve, por fsheh ndonjë mëkat sekret në jetën e tij private? Që të jetë plotësisht i dobishëm, vetëkontrolli duhet të tregohet «në të gjitha gjërat».​—Krahaso Jakovi 2:10, 11.

Mos vrapo «në mënyrë të pasigurt»

16. Ç’do të thotë «të mos vrapohet në mënyrë të pasigurt»?

16 Duke marrë parasysh përpjekjet e mëdha të nevojshme për sukses në vrapimin për jetën, Pavli më tutje thotë: «Prandaj, mënyra në të cilën unë vrapoj nuk është e pasigurt; mënyra në të cilën i drejtoj goditjet e mia nuk është, sikur të godisja ajrin.» (1. Korintasve 9:26, NW) Fjala «e pasigurt» në kuptimin e vërtetë do të thotë «e paqartë» (Kingdom Interlinear), «e pavërejtur, e pashënuar» (Lange’s Commentary). Pra, të mos vrapohet «në mënyrë të pasigurt» do të thotë se çdo vrojtues duhet ta ketë mjaft të qartë se nga është drejtuar vrapuesi. The Anchor Bible e përkthen këtë me «drejtim jo me zigzage». Nëse sheh gjurmë këmbësh që sillen andej-këtej nëpër plazh, që vijnë rrotull dhe madje ndonjëherë kthehen prapa, vështirë të mendosh se ai person ka vrapuar, për të mos përmendur se as që ka pasur ndonjë qëllim se ku të shkojë. Por, nëse sheh gjurmë këmbësh që formojnë një vijë të gjatë, të drejtë, një gjurmë para tjetrës dhe secila në largësi të barabartë, do të përfundosh se gjurmët i takojnë dikujt që e di saktësisht se ku po shkon.

17. (a) Si tregoi Pavli se nuk vrapoi «në mënyrë të pasigurt»? (b) Si mund ta imitojmë Pavlin në lidhje me këtë?

17 Jeta e Pavlit tregon, se ai nuk ka vrapuar «në mënyrë të pasigurt». Ai kishte dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se ishte shërbëtor i krishterë dhe apostull. Ai pati vetëm një qëllim dhe gjithë jetën e vet u përpoq me gjithë fuqinë që ta arrinte atë. Ai kurrë nuk doli nga rruga për shkak të famës, fuqisë, pasurisë apo komoditetit, edhe pse me siguri mund t’i arrinte të gjitha këto. (Veprat 20:24; 1. Korintasve 9:2; 2. Korintasve 3:2, 3; Filipianëve 3:8, 13, 14) Kur shikon prapa në drejtimin e jetës tënde, çfarë gjurmësh sheh? Vijë të drejtë me drejtim të qartë apo gjurmë që enden pa qëllim? A ka dëshmi se po vrapon në garën për jetë? Mbaj në mend, ne jemi në këtë vrapim jo vetëm, si të themi, për të lëvizur në vend, por për të arritur në vijën e finishit.

18. (a) Me çfarë mund të krahasohej «goditja jonë e ajrit»? (b) Përse është e rrezikshme të ndiqet ky drejtim?

18 Duke hequr një paralele me një disiplinë tjetër atletike, Pavli thotë: «Nuk i drejtoj goditjet e mia, sikur të godisja ajrin.» (1. Korintasve 9:26b, NW) Në vrapimin tonë për jetë, kemi shumë armiq, duke përfshirë Satanain, botën dhe papërsosmërinë tonë. Ashtu si një boksier në kohën e lashtë, duhet të jemi në gjendje që t’i mposhtim përmes goditjesh të shënjuara mirë. Lumturisht, Perëndia Jehova na stërvit dhe na ndihmon në betejë. Ai ofron këshilla në Fjalën e vet, në botimet e bazuara në Bibël dhe në mbledhjet e krishtere. Megjithatë, nëse lexojmë Biblën dhe botimet dhe shkojmë në mbledhje, por nuk veprojmë sipas asaj që mësojmë, a nuk janë të kota përpjekjet tona, njësoj si «të goditnim ajrin»? Duke bërë kështu, do të viheshim në një pozitë shumë të rrezikshme. Do të mendonim, se po luftojmë dhe do të fitonim kështu një ndjenjë të rreme sigurie, por nuk do të mund të ishim mbi armiqtë tanë. Për këtë, nxënësi Jakov paralajmëroi: «Bëhu zbatues i fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjen vetveten.» Sikurse «goditja e ajrit» nuk do t’i bënte të paaftë armiqtë tanë, edhe të qenët «vetëm dëgjues» s’do të na sigurojë, se po bëjmë vullnetin e Perëndisë.​—Jakovi 1:22; 1. Samuelit 15:22; Mateu 7:24, 25.

19. Si mund të sigurohemi për të mos qenë të përjashtuar?

19 Më në fund, Pavli na tregon sekretin e suksesit të vet: «Por e marr me të keq [«e rrah me grushta», NW] trupin tim dhe e mbaj nën sundim, që, duke u predikuar të tjerëve, të mos përjashtohem vetë.» (1. Korintasve 9:27) Ngjashëm Pavlit edhe ne duhet të zotërojmë mbi trupin tonë të papërsosur, më mirë se të lejojmë që ai të jetë zoti ynë. Duhet të çrrënjosim prirjet, përmallimet dhe dëshirat e trupit. (Romakëve 8:5-8; Jakovi 1:14, 15) Kjo mund të jetë e dhimbshme, pasi fjala e përkthyer «e rrah me grushta», në kuptim të drejtpërdrejtë do të thotë «godas nën sy». (Kingdom Interlinear) Megjithatë, a s’është më mirë të durojmë, si të themi, njollën e zezë nën sy dhe të jetojmë, sesa t’u lëshohemi dëshirave të trupit të rënë dhe të vdesim?​—Krahaso Mateu 5:28, 29; 18:9; 1. Gjonit 2:15-17.

20. Përse tani është veçanërisht urgjente të shqyrtojmë, se si vrapojmë në garën për jetë?

20 Sot, po i afrohemi vijës së përfundimit të vrapimit. Është afër koha e ndarjes së shpërblimeve. Për të krishterët e mirosur «shpërblimi i ftesës së sipërme të Perëndisë përmes Jezu Krishtit.» (Filipianëve 3:14, NW) Për shumicën e madhe, jeta e përhershme në tokën parajsore. Pasi në pyetje janë kaq shumë gjëra, le të jemi të vendosur, sikurse ishte Pavli, që «të mos përjashtohemi vetë.» Secili prej nesh le ta pranojë me zemër urdhrin vijues: «Vraponi që të mund ta arrini atë.»​—1. Korintasve 9:24, 27, NW.

Pyetjet për përsëritje

◻ Përse është e përshtatshme të krahasohet jeta e krishterë me vrapimin?

◻ Si ndryshon vrapimi për jetë nga vrapimi në gara?

◻ Përse duhet të tregojmë vetëkontroll vazhdimisht dhe «në çdo gjë»?

◻ Si vrapon dikush «në mënyrë të pasigurt»?

◻ Përse është e rrezikshme që vetëm «të goditet ajri»?

[Figura në faqe 29]

Kurora e fituesit, si edhe lavdia dhe nderimi janë kalimtare

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo