BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g03 8/12 f. 12-15
  • Pranova pikëpamjen e Perëndisë për gjakun

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pranova pikëpamjen e Perëndisë për gjakun
  • Zgjohuni!—2003
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • I futem fushës së patologjisë
  • Jo më sëmundje ose vdekje
  • Pranoj pikëpamjen e Perëndisë për gjakun
  • Mbroj pikëpamjen e Perëndisë për gjakun
  • Respekti për gjakun vihet në provë
  • Vazhdoj të mësoj nga Mjeku më i madh
  • Alternativa me cilësi ndaj transfuzionit
    Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?
  • Transfuzionet e gjakut: Sa të sigurta?
    Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?
  • Konferencë e jashtëzakonshme në Moskë mbi kirurgjinë pa gjak
    Zgjohuni!—1999
  • Gjaku që shpëton vërtet jetë
    Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?
Shih më tepër
Zgjohuni!—2003
g03 8/12 f. 12-15

Pranova pikëpamjen e Perëndisë për gjakun

Një mjek tregon historinë e tij

ISHA në sallën e mbledhjeve në spital dhe po u shpjegoja një ekipi mjekësh rezultatet e një autopsie. Pacienti që kishte vdekur kishte një tumor malinj. Unë thashë: «Mund të nxjerrim si përfundim se shkaku kryesor i vdekjes së këtij pacienti ishte hemoliza [shkatërrimi i rruazave të kuqe të gjakut] dhe pamjaftueshmëria akute e veshkave, e shkaktuar nga një transfuzion gjaku masiv.»

Një profesor brofi në këmbë dhe me zemërim bërtiti: «Mos po thua që i kemi dhënë me transfuzion llojin e gabuar të gjakut?!» Iu përgjigja: «Nuk kisha ndër mend këtë.» Ndërsa po u tregoja me diapozitiva një pamje ku paraqiteshin pjesë të vogla, të prera, të veshkës së pacientit, shtova: «Këtu shohim shkatërrimin e një numri të madh të rruazave të kuqe në veshkë, e prandaj mund të arrijmë në përfundimin që kjo shkaktoi pamjaftueshmërinë akute të veshkave.»a Në sallë u krijua një atmosferë e nderë dhe m’u tha pështyma në fyt. Por e ndieja që nuk mund të tërhiqesha, ndonëse unë isha një mjek i ri e ai ishte një profesor.

Kur ndodhi ky incident, nuk isha Dëshmitar i Jehovait. Kam lindur në vitin 1943 në Sendai, një qytet në Japoninë Veriore. Meqë babai im kishte qenë patolog dhe psikiatër, vendosa të studioja për mjekësi. Më 1970, në vitin e dytë të shkollës mjekësore, u martova me një vajzë që quhej Masuko.

I futem fushës së patologjisë

Masukoja punonte për të na mbajtur financiarisht ndërkohë që unë përfundoja shkollimin. Fusha e mjekësisë më tërhiqte jashtë mase. Mahnitesha kur shihja sa mirë është bërë trupi njerëzor. Megjithatë, kurrë s’kisha menduar për ekzistencën e një Krijuesi. Mendoja se kërkimet në fushën e mjekësisë do t’i jepnin kuptim jetës sime. Prandaj, pasi u bëra mjek, vendosa t’i vazhdoja studimet për mjekësi, duke iu futur fushës së patologjisë që është studimi i veçorive, shkaqeve dhe pasojave të sëmundjeve.

Ndërkohë që u bëja autopsinë pacientëve që kishin vdekur nga kanceri, fillova të kisha dyshime për efektshmërinë e transfuzioneve të gjakut. Pacientët te të cilët sëmundja e kancerit ka përparuar mund të jenë anemikë, si pasojë e gjakrrjedhjes. Ngaqë kimioterapia e rëndon aneminë, mjekët shpesh këshillojnë transfuzione gjaku. Sidoqoftë, dalëngadalë fillova të dyshoja se transfuzionet vetëm sa bënin që kanceri të përhapej më shumë. Gjithsesi, sot dihet që transfuzionet e gjakut shkaktojnë ndrydhje të sistemit imunitar, e kjo rrit mundësinë që tumori të përsëritet dhe e zvogëlon përqindjen e mbijetesës së pacientëve me kancer.b

Më 1975, u ndesha me rastin që përmenda në fillim. Profesori ishte përgjegjës për atë rast dhe ishte specialist në hematologji. Prandaj nuk është çudi pse u tërbua kur më dëgjoi t’i thosha se vdekjen e pacientit e shkaktoi një transfuzion gjaku. Megjithatë unë e vazhdova prezantimin tim dhe dalëngadalë ai u qetësua.

Jo më sëmundje ose vdekje

Rreth kësaj kohe, ime shoqe pati një vizitë nga një zonjë e moshuar, e cila ishte Dëshmitare e Jehovait. Ajo përdori fjalën «Jehova» kur po fliste dhe ime shoqe e pyeti se çfarë donte të thoshte kjo fjalë. Dëshmitarja iu përgjigj: «Jehova është emri i Perëndisë së vërtetë.» Masukoja e kishte lexuar Biblën që kur ishte fëmijë, por Bibla që përdorte ajo e kishte zëvendësuar emrin Jehova me «ZOT». Tani kuptoi që Perëndia ishte një person dhe kishte një emër.

Masukoja filloi menjëherë të studionte Biblën me Dëshmitaren e moshuar. Kur u ktheva në shtëpi nga spitali, rreth orës 1.00, e emocionuar, ime shoqe më tha: «E thotë Bibla, sëmundjet dhe vdekja do të zhduken përgjithmonë.» Iu përgjigja: «Kjo do të ishte e mrekullueshme.» Ajo vazhdoi: «Meqë bota e re po vjen së shpejti, nuk dua ta harxhosh kohën kot.» E mora sikur donte që të hiqja dorë nga puna si mjek, ndaj u nevrikosa dhe marrëdhënia jonë u bë disi e nderë.

Prapëseprapë, ime shoqe nuk hoqi dorë nga unë. U lut për të gjetur shkrime të përshtatshme dhe m’i tregoi. Në veçanti më prekën zemrën fjalët e Predikuesit 2:22, 23: «Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell? . . . Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi.» Kjo ishte pikërisht ajo që po bëja: po i përkushtohesha ditë e natë mjekësisë pa gjetur kënaqësi të vërtetë.

Një të diel paradite, në korrik të 1975-s, kur gruaja doli nga shtëpia për të shkuar në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, menjëherë e bëra mendjen top të shkoja edhe unë. Ime shoqe u befasua krejt kur më pa atje, dhe Dëshmitarët më pritën me ngrohtësi. Që nga ajo kohë e më pas, mora pjesë në çdo mbledhje të dielave. Pas një muaji një Dëshmitar filloi të bënte një studim biblik me mua. Tre muaj pasi e kishin vizituar për herë të parë Dëshmitarët e Jehovait, gruaja ime u pagëzua.

Pranoj pikëpamjen e Perëndisë për gjakun

Shpejt mësova se Bibla u thotë të krishterëve që ‘të përmbahen nga gjaku’. (Veprat 15:28, 29; Zanafilla 9:4) Meqë tashmë kisha dyshime për efektshmërinë e transfuzioneve të gjakut, nuk e pata të vështirë të pranoja pikëpamjen e Perëndisë për gjakun.c Mendova: ‘Nëse ka një Krijues dhe ai thotë kështu, atëherë kjo duhet të jetë e drejtë.’

Gjithashtu mësova se shkaku i sëmundjeve dhe i vdekjes është mëkati i trashëguar nga Adami. (Romakëve 5:12) Në atë kohë po bëja një studim për arteriosklerozën. Ndërsa plakemi, arteriet tona ngurtësohen dhe ngushtohen, duke shkaktuar kështu probleme shëndetësore si sëmundjet e zemrës, çrregullimet cerebrovaskulare dhe sëmundjet e veshkave. Dukej logjike që shkaku i kësaj të ishte papërsosmëria jonë e trashëguar. Pas kësaj, zelli im për mjekësinë filloi të zbehej. Vetëm Perëndia Jehova mund t’i zhdukë krejtësisht sëmundjet dhe vdekjen.

Në mars të vitit 1976, shtatë muaj pasi kisha filluar të studioja Biblën, i ndërpreva studimet në qendrën spitalore universitare. Kisha frikë se nuk do të arrija të punoja më kurrë si mjek, por gjeta punë në një spital tjetër. U pagëzova në maj të vitit 1976. Vendosa të shërbeja si ungjillëzues në kohë të plotë ose si pionier, pasi ishte mënyra më e mirë si ta përdorja jetën time. Fillova si pionier në korrik të 1977-s.

Mbroj pikëpamjen e Perëndisë për gjakun

Në nëntor të vitit 1979 unë dhe Masukoja u zhvendosëm në një kongregacion në prefekturën e Çibës, ku kishte shumë nevojë për predikues. Gjeta një spital ku mund të punoja gjysmë dite. Ditën e parë të punës rreth meje u mblodh një ekip kirurgësh. Me këmbëngulje më pyetën: «Si Dëshmitar i Jehovait, çfarë do të bësh nëse shtrohet në spital një pacient që ka nevojë për transfuzion gjaku?»

Me respekt u shpjegova se do t’i përmbahesha asaj që thoshte Perëndia për gjakun. U shpjegova atyre se kishte alternativa të tjera përveç transfuzionit të gjakut dhe se do të bëja çmos për t’i ndihmuar pacientët e mi. Pas gati një ore diskutimi, shefi i kirurgjisë u përgjigj: «E kuptoj! Por në rast se shtrohet një pacient që ka shumë humbje gjaku, me këtë pacient do të merremi ne.» Shefi i kirurgjisë njihej si tip i vështirë, por pas atij diskutimi patëm marrëdhënie të mira, dhe ai gjithmonë i respektoi bindjet e mia.

Respekti për gjakun vihet në provë

Ndërkohë që po shërbenim në Çibë, në Ebinë po ndërtohej një seli e re për Dëshmitarët e Jehovait në Japoni. Unë dhe gruaja shkonim atje me makinë një herë në javë për t’u kujdesur për shëndetin e Dëshmitarëve vullnetarë në këtë ndërtesë të quajtur Bethel. Pas pak muajsh morëm një ftesë për të shërbyer në kohë të plotë në Bethelin e Ebinës. Kështu që në mars 1981 filluam të jetonim në ndërtesat e përkohshme që përdoreshin për të strehuar 500 punëtorë vullnetarë. Paradite ndihmoja për të pastruar dushet dhe banjat e kantierit, kurse pasdite bëja kontrolle mjekësore.

Një nga pacientët e mi ishte Ilma Izlaubi, e cila kishte ardhur në Japoni në vitin 1949 si misionare nga Australia. Ishte me leucemi dhe mjekët i kishin thënë se i mbeteshin vetëm pak muaj për të jetuar. Ilma nuk pranoi të bënte tranfuzion gjaku për të zgjatur jetën e saj dhe vendosi t’i kalonte në Bethel ato ditë jetë që i kishin mbetur. Në atë kohë nuk kishte ende ilaçe që nxitin prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, të tilla si eritropojetina. Prandaj, nganjëherë niveli i saj i hemoglobinës ulej deri në 3 ose 4 gramë. (Normalja është 12 deri në 15.) Por bëra të pamundurën për ta mjekuar. Ilma vazhdoi të shfaqte besimin e saj të patundur te Fjala e Perëndisë deri kur vdiq në janar të vitit 1988—gati shtatë vjet më vonë!

Gjatë viteve disa vullnetarë në zyrën e degës të Japonisë kanë pasur nevojë për t’u operuar. Janë për t’u lavdëruar mjekët e spitaleve aty afër, të cilët kanë bashkëpunuar për të bërë operacione pa gjak. Shpesh më kanë ftuar në sallën e operimit për të vëzhguar procedurat dhe madje, me raste, kam marrë pjesë në operacione. U jam mirënjohës atyre mjekëve që tregojnë respekt për qëndrimin që mbajnë Dëshmitarët e Jehovait ndaj gjakut. Gjatë punës me ta, kam pasur shumë raste për t’u folur për bindjet e mia. Njëri nga mjekët kohët e fundit u bë Dëshmitar i pagëzuar.

Është interesante që përpjekjet e mjekëve për t’i trajtuar pa gjak Dëshmitarët e Jehovait kanë sjellë si rezultat një ndihmesë të rëndësishme për mjekësinë. Operacionet pa gjak kanë siguruar prova për dobitë që ka shmangia e transfuzioneve të gjakut. Studimet tregojnë se pacientët shërohen më shpejt dhe kanë më pak probleme pas operacionit.

Vazhdoj të mësoj nga Mjeku më i madh

Përpiqem të jem gjithnjë i informuar për përparimet më të fundit në mjekësi. Megjithatë, vazhdoj të mësoj edhe nga Jehovai, Mjeku më i madh. Ai nuk sheh vetëm atë që është në sipërfaqe, por sheh njeriun në tërësi. (1 Samuelit 16:7) Si mjek, përpiqem ta trajtoj çdo pacient duke e parë në tërësi, jo duke u përqenduar vetëm në sëmundjen e tij ose të saj. Kjo më jep mundësinë t’i siguroj pacientit një kujdes shëndetësor më të mirë.

Vazhdoj të shërbej në Bethel. Ende një nga gjërat që më fal më shumë gëzim është të ndihmoj të tjerët të mësojnë për Jehovain, përfshirë edhe pikëpamjen e tij për gjakun. Lutem që Mjeku më i madh, Perëndia Jehova, së shpejti t’u japë fund të gjitha sëmundjeve dhe vdekjes.—Treguar nga Jasushi Aizava.

[Shënimet]

a Sipas manualit Modern Blood Banking and Transfusion Practices nga dr. Denisa M. Harmeningu, «reaksioni i vonuar hemolitik ndaj transfuzionit» mund të ndodhë «te një pacient që para kësaj është bërë më i ndjeshëm për shkak të transfuzioneve, të shtatzënisë ose të transplantimit». Në raste të tilla, ato antitrupa që shkaktojnë reagimin negativ të një pacienti ndaj transfuzionit «nuk mund të diktohen me metodat bazë që përdoren para se të bëhet transfuzioni». Sipas Dailey’s Notes on Blood, hemoliza «mund të nxitet madje edhe kur futet vetëm një sasi e vogël gjaku . . . që nuk është i të njëjtit grup me gjakun e pacientit. Kur ndodh bllokimi i veshkave, pacienti dalëngadalë helmohet, sepse veshkat nuk mund t’i largojnë papastërtitë nga gjaku».

b Revista Journal of Clinical Oncology e gushtit të 1988-s, thoshte: «Në bazë të të dhënave që parashikojnë ecurinë e sëmundjes, te pacientët që gjatë periudhës së operacionit bëjnë transfuzion gjaku sëmundja mund të keqësohet më tepër se te pacientët që bëjnë operacione për kancerin pa transfuzion.»

c Për më shumë informacion në lidhje me mësimet e Biblës për gjakun, shihni broshurën Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 14]

«U shpjegova atyre se kishte alternativa të tjera përveç transfuzionit të gjakut dhe se do të bëja çmos për t’i ndihmuar pacientët e mi»

[Diçitura në faqen 15]

«Operacionet pa gjak kanë siguruar prova për dobitë që ka shmangia e transfuzioneve të gjakut»

[Figurat në faqen 15]

Sipër: Mbaj një fjalim biblik

Djathtas: Me gruan, Masukon, sot

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo