Jepuni fëmijëve atë që u nevojitet
ËSHTË e qartë se fëmijët e vegjël kanë nevojë për shumë vëmendje dhe është e dukshme se mjaft fëmijëve nuk po u plotësohen nevojat e tyre. Pikërisht këtë tregon gjendja e të rinjve të sotëm. «Kurrë më parë të rinjtë tanë nuk kanë qenë kaq të veçuar nga familja, kurrë nuk u ka munguar kaq shumë përvoja dhe mençuria praktike»,—thoshte me keqardhje një studiuese, fjalët e së cilës citoheshin në gazetën The Globe and Mail të Torontos, në Kanada.
Por, cili ka qenë gabimi? A mund të themi se kjo ka ardhur, të paktën deri diku, sepse nuk është kuptuar se sa e rëndësishme është t’u kushtosh vëmendje fëmijëve kur janë fare të vegjël? «Të gjithë kemi nevojë të mësojmë si të jemi prindër»,—thotë një psikologe e cila ndihmon gratë me të ardhura të pakta të mësojnë si të kujdesen për të sapolindurit. «Gjithashtu kemi nevojë të kuptojmë se koha që kalojmë me fëmijët sot do të na shpërblehet me bollëk.»
Edhe foshnjat kanë nevojë që t’i mësosh rregullisht. Jo vetëm pak minuta me hope, por rregullisht—po, gjatë gjithë ditës. Koha që kalojmë me të vegjlit që nga foshnjëria është jetësore për një zhvillim të shëndetshëm.
Nevoja për t’u përgatitur
Për të plotësuar këtë përgjegjësi të vështirë, është e nevojshme që prindërit të përgatiten për ardhjen e një foshnje. Ata mund të mësojnë nga një parim që përmendi Jezu Krishti për të theksuar rëndësinë e planifikimit që më përpara. Ai tha: «Cili nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë e llogarit shpenzimet?» (Luka 14:28) Rritja e një fëmije, që shpesh krahasohet me një projekt 20-vjeçar, është shumë më e vështirë sesa ndërtimi i një kulle. Pra që të rritësh një fëmijë të mbarë duhet një plan, ashtu siç i duhet ndërtuesit një projekt.
Së pari, është e rëndësishme përgatitja mendore dhe shpirtërore për të marrë mbi supe përgjegjësitë e prindit. Nga një studim i bërë me 2.000 gra shtatzëna në Gjermani u zbulua se fëmijët e nënave që mezi pritnin të kishin një familje ishin shumë më të shëndetshëm—qoftë emocionalisht, qoftë fizikisht—sesa fëmijët e nënave që nuk dëshironin të bëheshin me fëmijë. Nga ana tjetër, një studiues tha se rreziku që të lindë një foshnjë e dëmtuar emocionalisht ose fizikisht është 237 për qind më i madh te gratë që kanë një martesë me sherr e shamatë, sesa te gratë që ndihen të sigurta në martesë.
Pra është e qartë se baballarët luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e mbarë të fëmijës. Dr. Tomas Verni tha: «Pak gjëra mund ta rrezikojnë kaq shumë zhvillimin emocional dhe fizik të fëmijës, sa një baba që e keqtrajton ose e lë pas dore bashkëshorten shtatzënë.» Në fakt, shpesh thuhet se dhurata më e mirë për fëmijën është një baba që do nënën e fëmijës.
Hormonet që lidhen me ankthin dhe stresin, të cilat sekretohen në gjakun e nënës, mund të ndikojnë te fetusi. Megjithatë, mendohet se vetëm ankthi shumë i madh ose i zgjatur te nëna është i rrezikshëm dhe jo ndjenjat negative kalimtare a ndodhitë stresuese të rastësishme. Me sa duket, ajo që ka më shumë rëndësi është se ç’ndien nëna shtatzënë për foshnjën e palindur.a
Por si t’ia bësh nëse je shtatzënë dhe bashkëshorti nuk të ndihmon ose nëse ti vetë nuk e duron dot mendimin që po bëhesh nënë? Nuk është e pazakontë që rrethanat ta shtyjnë gruan të ndihet e trishtuar ngaqë është shtatzënë. Megjithatë, mos harro asnjëherë se fëmija nuk ka faj. Atëherë, si mund të ruash qetësinë pavarësisht nga rrethanat e pafavorshme?
Drejtimi i mençur që gjendet në Fjalën e Perëndisë, Biblën, ka ndihmuar miliona veta. Aty thuhet: «Në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Do të habitesh sesa shumë do të të ndihmojë zbatimi i këtyre fjalëve që të ndjekësh këtë këshillë: «Mos jini në ankth për asgjë.» (Filipianëve 4:6, 7) Do të ndiesh dorën e dashur të Krijuesit, i cili mund të kujdeset për ty.—1 Pjetrit 5:7.
Një përvojë jo e rrallë
Në javët e para pas lindjes, disa nëna të reja provojnë një trishtim dhe një përgjumje të pashpjegueshme. Edhe ato gra që ishin të lumtura se pritnin një fëmijë mund të bëhen të zymta. Luhatjet e humorit nuk janë të pazakonta. Kjo vjen sepse pas lindjes, niveli i hormoneve të gruas mund të ndryshojë shumë. Gjithashtu është e zakonshme që një nënë e re të ndihet e mbytur nga detyrat e nënës, siç është ushqimi i fëmijës, ndërrimi i pelenave dhe kujdesi për foshnjën, e cila as që do t’ia dijë se sa është ora.
Një nënë mendonte se foshnja e saj qante vetëm sa për ta torturuar. Nuk është për t’u habitur që një specialist në fushën e rritjes së fëmijëve në Japoni, tha: «Gjithkush mund të preket nga stresi që shoqëron kujdesin për rritjen e fëmijës.» Sipas këtij specialisti, «gjëja më e rëndësishme për nënën është të mos veçohet kurrë».
Edhe nëse ndonjëherë nëna ndihet e trishtuar, ajo mund ta mbrojë fëmijën që të mos ndikohet nga luhatjet e saj të humorit. Në revistën Time thuhej: «Nënat e trishtuara që nuk linin t’i mposhtte dëshpërimi, por që i rrethonin me përkujdesje foshnjat e tyre dhe merreshin me lojëra të gëzueshme, kishin fëmijë, truri i të cilëve ishte ngacmuar në një mënyrë të tillë që u krijonte një natyrë shumë më të gëzuar.»b
Si mund të ndihmojë babai?
Shpesh babai i fëmijës është në rrethanat më të përshtatshme për të dhënë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme. Kur foshnja qan në mes të natës, në shumë raste babai mund të kujdeset vetë për të dhe kështu e shoqja mund të flejë. Bibla thotë: «Në jetën e tyre së bashku burrat duhet t’i trajtojnë gjithmonë gratë me konsideratë.»—1 Pjetrit 3:7, The Jerusalem Bible.
Jezu Krishti u la bashkëshortëve një shembull të shkëlqyer. Ai dha edhe jetën për ithtarët e tij. (Efesianëve 5:28-30; 1 Pjetrit 2:21-24) Prandaj, bashkëshortët që sakrifikojnë rehatinë e tyre dhe marrin iniciativën për të ndihmuar në rritjen e fëmijës, po imitojnë Krishtin. Vërtet, rritja e fëmijëve është një bashkëpunim, një përpjekje e përbashkët ku nevojitet të marrin pjesë të dy prindërit.
Përpjekje të përbashkëta
«Ne kemi diskutuar gjerë e gjatë si burrë e grua se si duhet ta rritim vajzën tonë,—thotë Joikiro, babai i një vajze dyvjeçare.—Sa herë që lind ndonjë problem, ulemi dhe bisedojmë si do ta zgjidhim.» Joikiro e kupton se gruaja e tij ka nevojë të pushojë dhe shpesh e merr të bijën me vete kur del për të bërë ndonjë punë.
Në të kaluarën familjet zakonisht ishin të mëdha dhe familjarët ishin të lidhur me njëri-tjetrin, kështu që, për t’u kujdesur për fëmijën, prindërit ndihmoheshin nga fëmijët më të mëdhenj dhe nga të afërmit. Prandaj nuk është për t’u habitur që një punonjëse në Qendrën për Mbështetje gjatë Rritjes së Fëmijës në Kauasaki, Japoni, thotë: «Në shumicën e rasteve nënat do të lehtësohen po të flasin me të tjerët për këtë. Vetëm me pak ndihmë, shumë nëna ia kanë dalë mbanë t’u bëjnë ballë vështirësive.»
Në revistën Parents thuhet se prindërit «kanë nevojë për një grup njerëzish me të cilët mund të flasin për shqetësimet që kanë». Ku mund t’i gjejnë këta njerëz? Duke pasur një mendje të hapur dhe duke dëgjuar prindërit e tyre e të bashkëshortëve, nënat dhe baballarët e rinj mund të përfitojnë shumë. Natyrisht, gjyshërit duhet të pranojnë se në fund vendimet i takojnë çiftit të ri.c
Një burim tjetër ku mund të gjejnë mbështetje prindërit e rinj shpesh mund të jenë edhe bashkëbesimtarët. Në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tuaj mund të gjeni njerëz me përvojë shumëvjeçare në rritjen e fëmijëve dhe që janë të gatshëm t’ju dëgjojnë për problemet tuaja. Ata mund t’ju japin disa këshilla të dobishme. Shpesh mund t’u kërkoni ndihmë ‘grave të moshuara’, siç i quan Bibla gratë që kanë më shumë përvojë në jetën si të krishterë. Ato janë të gatshme t’i ndihmojnë gratë më të reja.—Titit 2:3-5.
Sigurisht, prindërit duhet të jenë përzgjedhës kur dëgjojnë mendimet e të tjerëve. «Papritur e pakujtuar, njerëzit që na rrethonin u bënë ekspertë në edukimin e fëmijëve»,—thotë Joikiro. Gruaja e tij, Takakoja thotë: «Në fillim më mërzitnin sugjerimet e të tjerëve, sepse m’u duk sikur po më kritikonin se nuk kisha përvojë si prind.» Megjithatë, duke mësuar nga të tjerët, shumë bashkëshortë dhe bashkëshorte janë ndihmuar të kenë një pikëpamje të ekuilibruar për të plotësuar nevojat e fëmijëve të tyre.
Ndihma më e mirë
Edhe nëse nuk ju duket askush i gatshëm që t’ju ndihmojë, ka një burim të besueshëm për të marrë forcë. Ky burim është Perëndia Jehova, ai që na krijoi, sytë e të cilit mund të shohin «edhe embrionin» e të gjithë atyre që kanë lindur në tokë. (Psalmi 139:16, BR) Siç thuhet në Fjalën e tij, Biblën, një herë Jehovai i tha popullit të tij në kohët e lashta: «A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.»—Isaia 49:15; Psalmi 27:10.
Jo, Jehovai nuk i harron prindërit. Ai u ka dhënë në Bibël udhëzime të shkëlqyera për rritjen e fëmijëve. Për shembull, rreth 3.500 vjet më parë, profeti i Perëndisë, Moisiu, shkroi: «Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.» Pastaj Moisiu tha: «Këto fjalë [duke përfshirë edhe thirrjen për ta dashur Jehovain dhe për t’i shërbyer atij] që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.»—Ligji i Përtërirë 6:5-7.
Si mendoni, cili është thelbi i këtij drejtimi që jep Fjala e Perëndisë? A nuk po na mëson se edukimi i fëmijëve duhet të jetë një proces i rregullt e i vazhdueshëm që zhvillohet çdo ditë? Ç’është e vërteta, nuk mjafton thjesht të programoni që herë pas here të kaloni pak nga e ashtuquajtura kohë cilësore me të vegjlit tuaj. Meqë çastet e rëndësishme të komunikimit shpesh lindin vetvetiu, është e nevojshme të gjeni kohë rregullisht për t’u marrë me fëmijët. Kjo gjë do të bëjë të mundur që të zbatoni urdhrin e Biblës: «Stërvite djalin sipas udhës për të.»—Fjalët e urta 22:6.
Stërvitja e duhur e të vegjëlve përfshin edhe që t’u lexosh atyre me zë. Bibla na tregon se një dishepull në shekullin e parë, Timoteu, ‘i njihte shkrimet e shenjta që nga foshnjëria’. Pra është e qartë se mamaja e tij, Eunika, dhe gjyshja, Loida, i lexonin atij me zë kur ishte ende foshnjë. (2 Timoteut 1:5; 3:14, 15) Është mirë që ta nisni këtë gjë sapo të filloni t’i flitni foshnjës. Por ç’mund të lexoni dhe cila është mënyra më e mirë për ta mësuar, edhe pse është ende foshnjë?
Lëreni fëmijën t’ju dëgjojë kur lexoni Biblën. Siç mund të kuptohet, Timoteut i lexuan pikërisht pjesë nga Bibla. Gjithashtu, ka libra që me anë të ilustrimeve me ngjyra i njohin fëmijët me Biblën. Këta e ndihmojnë fëmijën t’i përfytyrojë gjërat që po mëson nga Bibla. Për shembull, në dispozicion janë librat Libri im i tregimeve biblike dhe Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Me anë të këtyre librave, mësimet e Biblës kanë lënë mbresa në mendjet dhe në zemrat e miliona vogëlushëve.
Siç thotë Bibla, «bijtë [dhe bijat] janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim». (Psalmi 127:3) Krijuesi juaj ju ka besuar «një trashëgimi», një foshnjë të adhurueshme, që mund të jetë burim krenarie dhe gëzimi. Të rritësh fëmijë, sidomos që të bëhen lavdërues të Krijuesit, është me të vërtetë një karrierë shpërblyese!
[Shënimet]
a Jo vetëm hormonet e stresit, por edhe nikotina, alkooli dhe lëndë të tjera që të bëjnë të varur mund të ndikojnë për keq te fetusi. Nënat shtatzëna bëjnë mirë t’i qëndrojnë larg çdo lënde të rrezikshme. Përveç kësaj, është jetike të këshillohen me mjekun për pasojat që mund të lërë te fetusi ndonjë mjekim që merr nëna.
b Nëse një nënë ndihet tepër e trishtuar, tepër e pafuqishme dhe nuk i intereson as foshnja dhe as ç’ka përreth, ka mundësi që vuan nga depresioni i paslindjes. Po të jetë kështu, ajo duhet të këshillohet me mjekun obstetër. Ju lutemi të shihni revistën Zgjohuni! të gushtit 2002, faqet 19-23 dhe të 8 qershorit 2003, faqet 21-23.
c Ju lutemi të lexoni artikullin «Gjyshërit: Gëzimet dhe vështirësitë», në revistën Zgjohuni! të 22 marsit 1999, anglisht.
[Figura në faqen 8]
Është shumë e rëndësishme ajo që ndien nëna për foshnjën që s’ka lindur ende
[Figura në faqen 9]
Ndonëse pas lindjes një nënë e re mund të ketë luhatje të humorit, ajo mund të bëjë shumë që foshnja të ndihet e sigurt dhe ta ndiejë se e duan
[Figura në faqen 10]
Edhe baballarët kanë përgjegjësi për t’u kujdesur për fëmijën
[Figura në faqen 10]
Fëmijës duhet të fillosh t’i lexosh që nga foshnjëria