-
Sekreti 1: Më të rëndësishmet në fillimZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 1: Më të rëndësishmet në fillim
‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
Çfarë do të thotë? Në martesat e suksesshme çdo bashkëshort i vë nevojat e bashkëshortit tjetër para vetes, gjërave që zotëron, punës, miqve, madje edhe para të afërmve. Burri dhe gruaja kalojnë mjaft kohë me njëri-tjetrin dhe fëmijët e, që të dy, janë gati të bëjnë sakrifica për të mirën e familjes.—Filipianëve 2:4.
Pse ka rëndësi? Bibla i jep shumë rëndësi familjes. Apostulli Pavël shkroi se ai që nuk siguron gjërat e nevojshme për familjen e vet, «është më i keq se një njeri pa besim». (1 Timoteut 5:8) Por, me kalimin e kohës, pikëpamja e njeriut për gjërat më të rëndësishme mund të ndryshojë. Për shembull, një këshilltar për jetën familjare tha se shumë nga ata që ndoqën një konferencë të mbajtur prej tij, dukeshin më të përqendruar te karriera, sesa te familja. Ai tha se ishte sikur pritnin të mësonin «receta për t’i zgjidhur problemet tak-fak», që pastaj «ta fshinin familjen nga ‘rendi i ditës’ dhe të përqendroheshin sërish te profesioni». Çfarë mësimi nxjerrim? Është e lehtë ta themi me fjalë që vëmë familjen në vend të parë, por nuk është aq e lehtë ta tregojmë me vepra.
Bëj këtë provë. Duke përdorur pyetjet e mëposhtme, kupto çfarë ka më tepër rëndësi për ty.
◼ Kur bashkëshortja ose fëmija do të bisedojë, a i kushtoj vëmendje sa më shpejt të jetë e mundur?a
◼ A ndodh shpesh të përmend gjërat që bëj me familjen kur flas me të tjerët për aktivitetet e mia?
◼ A jam gati të refuzoj më shumë përgjegjësi (në punë ose gjetkë) nëse familja ka nevojë që t’i kushtoj kohë?
Nëse iu përgjigje po pyetjeve të mësipërme, mund të mendosh se ti i vë në fillim gjërat më të rëndësishme. Por, çfarë mendojnë për ty bashkëshortja dhe fëmijët? S’mjafton t’i matim gjërat me metrin tonë. Ky parim vlen edhe për sekretet e tjera të lumturisë familjare që do të trajtohen në vijim.
Merr një vendim. Mendo për një ose dy mënyra si të tregosh praktikisht se familja vjen e para. (Për shembull, mendo si të pakësosh ca gjëra që të vjedhin kohën që do të ishte mirë ta kaloje me bashkëshorten dhe fëmijët.)
Po sikur të flasësh me familjen për vendimet që ke marrë? Kur një pjesëtar tregon se dëshiron të ndryshojë, ka më shumë të ngjarë që të tjerët të veprojnë njësoj.
[Shënimi]
a Ndonëse në këtë seri artikujsh u jemi drejtuar burrave, të njëjtat parime vlejnë edhe për gratë.
[Figura në faqen 3]
Një prind i mirë u kushton rëndësi kryesore bashkëshortit dhe fëmijëve
-
-
Sekreti 2: AngazhimiZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 2: Angazhimi
«Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:6.
Çfarë do të thotë? Çiftet e suksesshme e shohin martesën si një bashkim të përhershëm. Kur lind një problem, bëjnë çmos ta zgjidhin dhe jo ta përdorin si justifikim për t’i dhënë fund martesës. Kur bashkëshortët janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, ndihen të sigurt. Secili ka besim se tjetri do të vazhdojë ta respektojë këtë bashkim.
Pse ka rëndësi? Në shumë aspekte angazhimi është shtylla e lidhjes martesore. Por, kur ka vazhdimisht mosmarrëveshje, zotimi i marrë mund të duket më shumë një kurth, sesa një marrëveshje e bërë me dëshirë. Praktikisht, shprehja «derisa vdekja të na ndajë» kthehet veç në një kontratë të ftohtë, ku bashkëshortët do të donin të gjenin ndonjë kleçkë për ta prishur. Ndoshta nuk e braktisin martesën në kuptimin e mirëfilltë, por «ia kthejnë krahët» në mënyra të tjera, për shembull, mbyllen në një heshtje të akullt kur duhet të bisedojnë për çështje serioze.
Bëj këtë provë. Duke përdorur pyetjet e mëposhtme, kupto sa i angazhuar je në martesë.
◼ A bëhem pishman që jam martuar me bashkëshorten time kur jemi në kulmin e grindjes?
◼ A ëndërroj shpesh sikur të isha me dikë tjetër?
◼ A i them ndonjëherë bashkëshortes «do të të lë» ose «do të gjej dikë që më vlerëson»?
Merr një vendim. Mendo për një ose dy veprime që mund të bësh për të përforcuar zotimin që ke marrë. (Disa ide: shkruaji herë pas here ndonjë pusullë bashkëshortes, mbaj fotografi të bashkëshortes në një vend të dukshëm në punë ose telefonoji çdo ditë nga puna sa për të folur.)
Po sikur të mendosh disa sugjerime dhe ta pyesësh bashkëshorten se cilat do të ishin më të rëndësishme për të?
[Figura në faqen 4]
Angazhimi është si një parmak që nuk e lë martesën të dalë nga rruga
[Burimi]
© Corbis/age fotostock
-
-
Sekreti 3: Bashkëpunimi si skuadërZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 3: Bashkëpunimi si skuadër
«Dy janë më mirë se një. . . . Në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.»—Eklisiastiu 4:9, 10.
Çfarë do të thotë? Çiftet e lumtura e respektojnë parimin e kryesisë që jep Perëndia në Bibël. (Efesianëve 5:22-24) Sidoqoftë, si burri, ashtu edhe gruaja, e shohin martesën si një skuadër dhe mënyra e të menduarit nuk është «unë» dhe «imja», por «ne» dhe «tonat». Kur bashkëpunojnë, burri dhe gruaja nuk janë më beqarë në zemër. Ata janë «një mish i vetëm», një shprehje biblike që nuk tregon vetëm se martesa është bashkim i përhershëm, por edhe sa e ngushtë është kjo lidhje.—Zanafilla 2:24.
Pse ka rëndësi? Nëse ti dhe bashkëshortja nuk jeni një skuadër, çikërrimat mund të kthehen shpejt në probleme serioze ngaqë të dy sulmoni njëri-tjetrin, në vend që të përqendroheni te zgjidhja e problemit. Ndryshe nga kjo, kur bashkëpunoni, ngjani si piloti dhe ndihmëspiloti i të njëjtit avion dhe jo si dy pilotë në dy avionë që rrezikojnë të përplasen. Kur keni mosmarrëveshje, vritni mendjen që të gjeni zgjidhjen e jo të harxhoni kohën dhe energjinë duke fajësuar e akuzuar njëri-tjetrin.
Bëj këtë provë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme, kupto sa bashkëpunues je.
◼ A mendoj për paratë që fitoj se janë «prona ime» meqë i kam fituar vetë?
◼ A i shmang të afërmit e bashkëshortes ndonëse ajo është e lidhur ngushtë me ta?
◼ A kam nevojë të jem larg bashkëshortes që të çlodhem tërësisht?
Merr një vendim. Mendo për një ose dy mënyra si të bashkëpunosh më shumë me bashkëshorten.
Po sikur t’i kërkosh bashkëshortes ndonjë sugjerim?
[Figura në faqen 5]
Bashkëpunimi nënkupton se ju jeni piloti dhe ndihmëspiloti i të njëjtit avion
-
-
Sekreti 4: RespektiZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 4: Respekti
«Hiqni çdo . . . të bërtitur dhe sharje.»—Efesianëve 4:31.
Çfarë do të thotë? Si familjet me probleme, ashtu edhe familjet e suksesshme kanë mosmarrëveshje. Por, këto familje problemet i diskutojnë pa përdorur sarkazëm, fyerje a të folur tjetër lëndues. Pjesëtarët e familjes e trajtojnë njëri-tjetrin siç do të donin që t’i trajtonin edhe ata vetë.—Mateu 7:12.
Pse ka rëndësi? Fjalët mund të kthehen në armë me pasoja shkatërrimtare. Një proverb biblik thotë: «Më mirë të banosh në shkretëtirë, se i acaruar me një grua që ndez grindje.» (Proverbat 21:19) Sigurisht, e njëjta gjë vlen edhe për burrin që ndez grindje. Ndërsa kur bëhet fjalë për prindërit, Bibla thotë: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21) Fëmijët që kritikohen vazhdimisht mund të mendojnë se prindërit e tyre nuk kënaqen kurrë. Madje mund të dorëzohen e të mos përpiqen.
Bëj këtë provë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme, kupto sa respekt tregohet në familjen tënde.
◼ A ikën ndonjëri nga ne gjithë nerva sa herë kemi mosmarrëveshje?
◼ Kur flas me bashkëshorten ose me fëmijët, a përdor fjalë fyese si «budallaqe», «idiote» ose diçka të ngjashme?
◼ A jam rritur në një ambient ku i foluri lëndues ishte i zakonshëm?
Merr një vendim. Mendo për një ose dy synime që mund të vësh për të treguar respekt kur flet. (Një ide: ji i vendosur të shprehesh me fjalën «unë», jo me fjalën «ti». Për shembull, në vend që të thuash: «Ti gjithmonë . . . » thuaj: «A e di sa vritem kur ti . . . »)
Po sikur t’ia thuash bashkëshortes synimet e tua? Pas tre muajsh, pyete bashkëshorten sa ke përmirësuar.
Mendo si të vësh disa kufij që të mos përdorësh të folur lëndues kur komunikon me fëmijët.
Po sikur t’u kërkosh falje fëmijëve për ato raste kur ndoshta u ke folur ashpër ose me sarkazëm?
[Figura në faqen 6]
Ashtu si dallgët gërryejnë shkëmbin, edhe i foluri lëndues mund ta dobësojë familjen kur është zakon
-
-
Sekreti 5: ArsyetueshmëriaZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 5: Arsyetueshmëria
«Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.»—Filipianëve 4:5.
Çfarë do të thotë? Në familjet e lumtura, burri dhe gruaja e falin shpesh njëri-tjetrin. (Romakëve 3:23) Veç kësaj, ata nuk janë as tepër striktë, as tepër tolerantë me fëmijët. Prindërit vënë një numër të arsyeshëm rregullash në familje. Kur duhet t’i ndreqin fëmijët, e bëjnë këtë «në masën e duhur».—Jeremia 30:11.
Pse ka rëndësi? Bibla thotë se «mençuria nga lart është . . . e arsyeshme». (Jakovi 3:17) Vetë Perëndia nuk kërkon përsosmëri nga njerëzit e papërsosur, atëherë, përse burri dhe gruaja duhet të pretendojnë përsosmëri nga njëri-tjetri? Po, nëse kapesh pas çdo çikërrime, do të krijosh terren për inat, jo përmirësim. Më mirë prano faktin se «të gjithë ne pengohemi shumë herë».—Jakovi 3:2.
Prindërit që kanë sukses në rritjen e fëmijëve, tregohen të arsyeshëm me ta. Disiplina që u japin nuk e kalon cakun dhe as nuk janë njerëz që «vështirë se kënaqen». (1 Pjetrit 2:18) Ata u japin ca liri adoleshentëve që tregohen deri në njëfarë mase të përgjegjshëm. Nuk përpiqen të kontrollojnë çdo milimetër në jetën e tyre. Një botim thotë se të mundohesh të kontrollosh çdo aspekt të jetës së adoleshentit, «është njësoj si të kërcesh me sa fuqi ke një valle rraskapitëse ceremoniale, që të ndjellë shiun. Shi s’ka për të rënë, por ti do të sfilitesh».
Bëj këtë provë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme, kupto sa i arsyeshëm tregohesh.
◼ Kur ishte hera e fundit që e lavdërove bashkëshorten?
◼ Kur ishte hera e fundit që e kritikove?
Merr një vendim. Nëse u lodhe ca të gjeje një përgjigje për pyetjen e parë në provën përbri, por s’pate problem t’i përgjigjeshe së dytës, mendo një synim që mund të të bëjë më të arsyeshëm me të tjerët.
Po sikur të bisedosh me bashkëshorten se çfarë vendimesh mund të merrni?
Mendo si t’i japësh më shumë liri adoleshentit që tregohet disi i përgjegjshëm.
Po sikur të flasësh hapur me fëmijën tënd adoleshent për çështje të tilla, si orari kur duhet të kthehet në shtëpi?
[Figura në faqen 7]
Ashtu si një shofer i kujdesshëm, edhe një familjar i arsyeshëm është gati të hapë rrugë
-
-
Sekreti 6: FaljaZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 6: Falja
«Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.»—Kolosianëve 3:13.
Çfarë do të thotë? Çiftet e suksesshme mësojnë nga e kaluara, por nuk i mbajnë llogari hatërmbetjet e vjetra dhe nuk i përdorin për të bërë përgjithësime të tilla, si «ti je gjithmonë me vonesë» ose «ti kurrë nuk më dëgjon». Edhe burri, edhe gruaja besojnë se ‘është gjë e bukur të kapërcesh shkeljen’.—Proverbat 19:11.
Pse ka rëndësi? Perëndia është ‘gati të falë’, por me njerëzit nuk ndodh gjithnjë kështu. (Psalmi 86:5) Mosmarrëveshjet e lëna pezull mund të bëjnë që mëria të grumbullohet deri në pikën sa falja të duket e pamundur. Bashkëshortët mbyllen në guaskën e tyre, pra tregohen të pandjeshëm ndaj ndjenjave të njëri-tjetrit. Që të dy ndihen si në grackë në një martesë ku s’ka dashuri.
Bëj këtë provë. Shiko fotografi të vjetra ku ke dalë me bashkëshorten në të kaluarën ose kur po njiheshit. Përpiqu të ndezësh sërish atë ngrohtësi që ndieje para se të nxirrnin kokë problemet dhe të ta mjegullonin shikimin. Pastaj mendo për cilësitë e bashkëshortes që të bënë për vete në fillim.
◼ Cilat cilësi admiron më shumë te bashkëshortja tani?
◼ Mendo për ndikimin e mirë që do të ketë te fëmijët nëse ti fal më shumë.
Merr një vendim. Mendo për një ose dy mënyra si t’i mbash hatërmbetjet e vjetra jashtë mosmarrëveshjeve që mund të lindin tani me bashkëshorten.
Po sikur ta lavdërosh bashkëshorten për cilësitë që admiron tek ajo?—Proverbat 31:28, 29.
Mendo si do ta tregosh me fëmijët se je njeri që fal.
Po sikur të bisedosh me fëmijët për faljen dhe se si gatishmëria për të falur i sjell dobi çdo pjesëtari të familjes?
[Figura në faqen 8]
Kur fal, e fshin borxhin dhe nuk e kërkon prapë
-
-
Sekreti 7: Themeli i fortëZgjohuni!—2009 | Tetor
-
-
Sekreti 7: Themeli i fortë
Çfarë do të thotë? Familjet e forta nuk i qëndrojnë kohës automatikisht, ashtu si një shtëpi nuk mbetet më këmbë vetvetiu për shumë dekada. Një strukturë e fortë ka nevojë për një themel të fortë dhe e njëjta gjë vlen edhe për një familje të fortë. Familjet e suksesshme kanë si themel një burim drejtimi të efektshëm.
Pse ka rëndësi? Këshilla për jetën familjare gjen plot nëpër libra, revista dhe programe televizive. Disa këshilltarë martesash i nxitin çiftet me probleme të qëndrojnë së bashku, kurse të tjerë i nxitin të ndahen. Madje vetë specialistët ndryshojnë mendje për çështje të tilla. Për shembull, në vitin 1994, një terapiste e njohur për problemet e adoleshentëve shkroi se më parë mendonte që «fëmijët ishin më mirë me një prind të vetëm por të lumtur, sesa me dy prindër të martuar por të palumtur. Mendoja se divorci ishte një zgjidhje më e mirë se përpëlitja në një martesë të keqe». Megjithatë, pas dy dekadash përvojë në profesion, ajo ndryshoi mendje dhe tha: «Divorci shkatërron shumë fëmijë.»
Mendimet mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, por këshilla më e mirë që mund të gjendet, gjithnjë pasqyron në ndonjë mënyrë parimet e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Duke lexuar këtë seri artikujsh, mund të kesh vërejtur se në fillim të faqeve 3-8 gjendet një parim biblik. Parime të tilla kanë ndihmuar shumë familje të kenë vërtet sukses. Si të gjitha familjet, edhe ato kalojnë probleme. Por ndryshimi është se Bibla i ka pajisur me një themel të fortë për martesën dhe jetën familjare. E presim diçka të tillë nga Bibla, pasi Autori i saj, Perëndia Jehova, është Nismëtari i familjes.—2 Timoteut 3:16, 17.
Bëj këtë provë. Bëj një listë me shkrimet e cituara në krye të faqeve nga 3 deri në 8. Shto shkrime të tjera biblike që të kanë ndihmuar. Mbaje listën me këto shkrime në një vend që e ke për kollaj, që t’u hedhësh shpesh një sy.
Merr një vendim. Ji i vendosur t’i zbatosh fjalët e Biblës në jetën tënde familjare.
[Figura në faqet 8, 9]
Me një themel të fortë të bazuar në Shkrime, familja jote mund t’u bëjë ballë stuhive
-