A është projektuar?
Sistemi shtytës i kandilit të detit
● Kandili i detit e ka ujë të paktën 95 për qind të trupit dhe diametri i tij shkon nga më pak se 3 centimetra në më tepër se 2 metra. Shumë lloje lëvizin para falë muskujve, që e tkurrin dhe e lëshojnë ritmikisht trupin në formë kambanëze, porsi një ombrellë që mbyllet e hapet.
Shqyrtoni faktet: Shkencëtarët që studiojnë dinamikën e lëngjeve kanë zbuluar se disa kandilë deti, edhe pse s’janë notarë të shpejtë, kanë një metodë jashtëzakonisht interesante për të lëvizur para. Sa herë që trupi i tyre tkurret, këto gjallesa krijojnë një vorbull a shtjellë në formë petulle (si shtëllungat e tymit), që e largojnë nga vetja. Forca që ushtrojnë këto shtjella shkakton një kundërveprim që e shtyn para kandilin e detit. Ndodh pak a shumë si në motorët reaktivë, vetëm se forca shtytëse ushtrohet valë-valë, jo në mënyrë të vazhdueshme. «Tingëllon si gjë e thjeshtë, por formimi i vorbullës unazore ka qenë tejet i vështirë të paraqitet me një model matematikor»,—thuhet në revistën New Scientist.
Studiuesit po hulumtojnë sistemin reaktiv të kandilit të detit, me qëllim që të ndërtojnë mjete nënujore më të efektshme. Një studiues ka krijuar një nëndetëse 1,2 metra të gjatë që lë pas gjurmë të ngjashme me atë të kandilit të detit. Ajo përdor 30 për qind më pak energji se mjetet lundruese tradicionale që vihen në lëvizje me helikë. Një aplikim tjetër i mundshëm lidhet me zemrën e njeriut. Lëvizja e gjakut brenda një pjese të zemrës krijon vorbulla unazore, prandaj vorbullat anormale mund të zbulojnë shenjat e para të ndonjë sëmundjeje të zemrës.
Si mendoni? A erdhi me evolucion sistemi reaktiv i kandilit të detit apo është projektuar?
[Figura në faqen 13]
Kandili i detit krijon një vorbull unazore, pastaj e largon nga vetja që të lëvizë para
[Burimet e figurave në faqen 13]
Fotografia: © JUNIORS BILDARCHIV/age fotostock; skica: me mirësjellje nga Sean Colin