-
Pse blejmë?Zgjohuni!—2013 | Qershor
-
-
TEMA KRYESORE: A PO BLEJMË TEPËR?
Pse blejmë?
Në një anketë globale të vitit 2012, gjysma pranuan se blinin gjëra që nuk u nevojiteshin vërtet. Dy të tretat shprehën shqetësimin se njerëzit blejnë tepër. Një shqetësim i tillë është më se me vend. Mjaft konsumatorë janë zhytur në borxhe që rriten gjithnjë e më shumë. Studiuesit thonë se blerjet me tepri, në vend që të na kënaqin, mund të na shkaktojnë më tepër stres e mërzi. Po atëherë pse blejmë kaq shumë?
NE KONSUMATORËT bombardohemi pa pushim nga reklamat. Cili është qëllimi i tyre? Të kthejnë dëshirat në nevoja. Tregtuesit e dinë se konsumatorët udhëhiqen kryesisht nga emocionet. Prandaj reklamat dhe procesi i blerjes organizohen në mënyrë të atillë që të shkaktojnë sa më shumë emocion.
Libri Pse njerëzit blejnë gjëra që nuk u duhen (anglisht) thotë: «Kur mendon për të blerë diçka, konsumatorit shpesh i aktivizohet fantazia duke bluar në mendje si ta gjejë, si ta blejë e si ta bëjë të vetën.» Disa ekspertë dyshojnë se blerësit mund të emocionohen kaq shumë kur bëjnë pazar, sa u vërshon adrenalina në gjak. Eksperti i reklamave Xhim Pulër shpjegon: «Nëse shitësi nuhat që blerësi është shumë i emocionuar dhe i ka rënë armatura mbrojtëse, ai mund ta shfrytëzojë këtë.»
Si të mbrohesh që të mos biesh pre e reklamuesve dinakë? Lëri mënjanë emocionet dhe krahaso premtimet e reklamave me realitetin.
PREMTIMI: «Të përmirëson cilësinë e jetës»
Është më se normale të duam një jetë më të mirë. Reklamuesit na bombardojnë me mesazhe që të gjitha dëshirat tona, si shëndet më i mirë, siguri, lehtësim nga stresi dhe marrëdhënie më të mira, mund të arrihen duke blerë gjërat e duhura.
REALITETI:
Ndërsa rritim zotërimet, faktikisht cilësia e jetës mund të ulet. Duhen më tepër kohë dhe para për t’u kujdesur për gjërat materiale. Niveli i stresit rritet nga borxhet dhe ke më pak kohë për familjen dhe miqtë.
Ndërsa rritim zotërimet, faktikisht cilësia e jetës mund të ulet.
Parimi: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15.
PREMTIMI: «Të rrit statusin dhe prestigjin»
Të paktë janë ata që e pranojnë se blejnë për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Por Xhim Pulër thotë: «Kur njerëzit blejnë, një motiv kryesor është për të konkurruar miqtë, fqinjët, kolegët dhe të afërmit.» Ja pse shpesh në reklama tregohet që një produkt përdoret nga njerëz të suksesshëm e të pasur. Mesazhi është: «Ky mund të jesh ti!»
REALITETI:
Nëse e matim vlerën tonë duke u krahasuar me të tjerët, krijojmë një rreth vicioz pakënaqësie. Kur arrijmë një nivel të aspiruar, menjëherë fillojmë të ëndërrojmë si të arrijmë nivelin tjetër.
Parimi: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend.»—Eklisiastiu 5:10.
PREMTIMI: «Përcakton kush je»
Libri Sende që vezullojnë (anglisht) shpjegon: «Shpesh u tregojmë të tjerëve cilët jemi (ose cilët do të donim të ishim) nëpërmjet gjërave që përdorim dhe ekspozojmë.» Reklamuesit e dinë këtë dhe përpiqen që t’u bashkangjitin markave të produkteve, sidomos atyre luksozeve, vlera dhe stile jete të caktuara.
Si e sheh veten dhe si do që të të shohin të tjerët? Si njeri të modës? Sportiv? Pavarësisht nga imazhi që synon, reklamat premtojnë se, nëse thjesht blen markën e duhur, mund të bëhesh njeriu që dëshiron.
REALITETI:
Asnjë produkt nuk mund të ndryshojë atë që jemi dhe të na veshë cilësi të admirueshme, si ndershmëria dhe besnikëria.
Parimi: «Stolisja juaj të mos jetë . . . vënia e stolive prej ari ose veshjet e sipërme, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës.»—1 Pjetrit 3:3, 4.
-
-
Si të mos prishësh tepër para?Zgjohuni!—2013 | Qershor
-
-
Si të mos prishësh tepër para?
Përveç presionit që vjen nga jashtë, për shembull nga reklamat, ato që na shtyjnë të shpenzojmë mund të jenë edhe vetë ndjenjat e zakonet tona. Më poshtë renditen gjashtë sugjerime si të përmbahesh kur blen.
Shmang blerjet impulsive. A të entuziazmon ideja e blerjes dhe e uljeve? Nëse po, mund të kesh prirjen të bësh blerje impulsive. Për t’u përmbajtur, mos u nxito dhe shqyrto me ndershmëri pasojat nëse e blen, e zotëron ose e mirëmban atë që dëshiron të blesh. Ndalu dhe kujto blerjet e mëparshme impulsive për të cilat je bërë pishman. Lëri vetes pak kohë për të menduar me qetësi para se të vendosësh përfundimisht.
Mos bëj shopping për të ngritur humorin. Shopping mund të të nxjerrë për pak kohë nga dëshpërimi. Por, kur rikthehen ndjenjat negative, nxitja e brendshme për të kërkuar ngushëllim te blerjet mund të jetë edhe më e fortë. Në vend të kësaj, kërko mbështetjen e miqve ose bëj ndonjë aktivitet fizik, për shembull një shëtitje.
Mos e konsidero argëtim. Qendrat tregtare e kanë kthyer blerjen në argëtim. Edhe pse mund të shkosh në qendër tregtare thjesht për një xhiro ose të lundrosh në Internet kot për qejf, shumë nga ato që sheh janë bërë që të të shtyjnë të blesh. Shko vetëm kur të duhet diçka konkrete dhe përmbaju planit.
Zgjidhe shoqërinë me kujdes. Mënyra e jetesës së miqve dhe bisedat e tyre ndikojnë jashtë mase te dëshirat e tua. Nëse po shpenzon tepër për të qenë në lartësinë e tyre, atëherë zgjidh miq që u japin më pak rëndësi parave dhe gjërave materiale.
Përdori kartat e kreditit me mençuri. Kartat e kreditit ta bëjnë më të lehtë të blesh pa marrë parasysh pasojat. Përpiqu të paguash çdo muaj gjithë detyrimin ndaj bankës. Informohu për normat e interesit dhe komisionet e kartës së kreditit dhe krahasoji ofertat e tyre që të gjesh kartën më ekonomike. Hap sytë me kartat që kanë tarifa të larta dhe oferta që nuk të hyjnë në punë. Kur të duhet të blesh gjëra të mëdha, në vend që të blesh me kredi, kursé dhe bli me para në dorë.
Mbaji në kontroll të ardhurat. Është e lehtë ta teprosh me shpenzimet nëse nuk e ke idenë e gjendjes sate të përgjithshme financiare. Mbaji mirë llogaritë dhe ji në dijeni të të ardhurave në tërësi. Bëj një plan mujor të shpenzimeve duke u bazuar te sasia e të ardhurave dhe te shpenzimet e kaluara. Kontrollo shpenzimet dhe krahasoji me planin tënd. Për të kuptuar çështjet financiare që i ke të vështira, kërkoji ndihmë një miku të besuar.
-