UDHA E LUMTURISË
Falja
«GJATË FËMIJËRISË DËGJOJA SHUMË FYERJE E TË BËRTITURA,—tha një grua që quhet Patricia.—Nuk mësova të falja. Edhe kur u rrita, me ditë të tëra e mbaja mendjen te ndonjë ofendim e s’më zinte gjumi.» Po, një jetë e mbushur me zemërim e mëri nuk është as e lumtur, as e shëndetshme. Në fakt, studimet tregojnë se njerëzit që nuk falin, mund . . .
të lënë zemërimin ose mllefin të prishë marrëdhëniet me të tjerët, e kështu përfundojnë të izoluar dhe të vetmuar
të ofendohen e t’i zërë ankthi shpejt a madje të bien në dëshpërim të thellë
të përqendrohen kaq shumë në një gabim, saqë mund të mos gëzojnë jetën
të ndihen fajtorë sepse thellë-thellë e dinë se duhet të falin
të stresohen më tepër dhe mund të jenë më të prirur për probleme shëndetësore, përfshirë presionin e lartë të gjakut, problemet e zemrës, artritin dhe dhembjen e kokësa
Ç’DO TË THOTË TË FALËSH? Të falësh do të thotë të mos ia llogaritësh fajin dikujt e t’i lësh pas zemërimin, mërinë dhe ndjenjat e hakmarrjes. Nuk do të thotë të tolerosh një gabim, ta minimizosh ose të pretendosh se nuk ka ndodhur. Në vend të kësaj, falja është një zgjedhje personale e menduar mirë, që pasqyron përkushtim të dashur për të bërë paqe dhe për të ndërtuar ose për të ruajtur marrëdhënie të mira me personin tjetër.
Falja tregon edhe se i kuptojmë të tjerët. Dikush që fal, e kupton se të gjithë gabojmë, ose mëkatojmë, me fjalë e vepra. (Romakëve 3:23) Bibla pasqyron këtë gjykim të thellë kur thotë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»—Kolosianëve 3:13.
Prandaj është e arsyeshme të themi se falja është një aspekt i rëndësishëm i dashurisë, e cila është «një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Po, sipas sitit Mayo Clinic, falja sjell . . .
marrëdhënie më të mira me të tjerët, përfshirë ndjenjat e empatisë, të mirëkuptimit dhe të dhembshurisë për atë që të ka fyer
shëndet mendor më të mirë dhe paqe me Perëndinë
më pak ankth, stres dhe armiqësi
më pak simptoma depresioni
FAL VETEN. Sipas botimit Disability & Rehabilitation, të falësh veten «mund të jetë gjëja më e vështirë për t’u arritur», megjithatë, «gjëja më e rëndësishme për shëndetin» mendor dhe fizik. Çfarë mund të të ndihmojë të falësh veten?
Mos prit përsosmëri nga vetja, por ji realist dhe prano që do të bësh gabime, si gjithë të tjerët.—Eklisiastiu 7:20
Mëso nga gabimet e tua, pasi kështu do të ketë më pak të ngjarë t’i përsëritësh
Ki durim me veten; disa të meta të personalitetit dhe zakone të këqija mund të mos hiqen brenda natës.—Efesianëve 4:23, 24
Shoqërohu me miq që të inkurajojnë, që janë pozitivë, të sjellshëm, por edhe që do të jenë të sinqertë me ty.—Proverbat 13:20
Nëse lëndon dikë, mbaj përgjegjësinë tënde dhe ji i shpejtë për të kërkuar falje. Kur bën paqe, edhe ti do të fitosh paqe të brendshme.—Mateu 5:23, 24
PARIMET E BIBLËS JANË VËRTET TË DOBISHME
Pasi studioi Biblën, Patricia, e përmendur në fillim, mësoi të falte. Ajo tha: «Ndihesha e çliruar nga zemërimi që më kishte helmuar jetën. Nuk po vuaj më dhe nuk po u shkaktoj vuajtje të tjerëve. Parimet e Biblës më siguruan se Perëndia na do dhe dëshiron më të mirën për ne.»
Një burrë me emrin Ron, tha: «Nuk mund t’i kontrolloja mendimet dhe veprimet e të tjerëve, por mund të kontrolloja të miat. Nëse doja paqe, duhej ta lija pas mërinë. Fillova t’i shikoja paqen dhe mërinë si veriun me jugun. Nuk mund të isha në të dyja vendet njëkohësisht. Tani kam një ndërgjegje të qetë.»
a Burimet: Sitet Mayo Clinic dhe Johns Hopkins Medicine e botimi Social Psychiatry and Psychiatric Epidemiology.