A DO TË MBIJETOJË PLANETI YNË?
UJËRAT E ËMBLA
PA UJË, jeta në tokë do të ishte e pamundur, sidomos pa ujin e ëmbël. Në fakt, uji është përbërësi kryesor i çdo gjëje të gjallë. Falë liqeneve, lumenjve, moçaleve, ujërave nëntokësore, njerëzit e kafshët kanë çfarë të pinë dhe bujqësia ka me çfarë të vaditë.
Çfarë po ndodh me ujërat e ëmbla?
Shumica e planetit tonë mbulohet nga uji. Megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, «vetëm 0,5% e ujit të Tokës është ujë i ëmbël i përdorshëm dhe i disponueshëm». Edhe pse kjo sasi relativisht e vogël uji do të mjaftonte për jetën në tokë, pjesa më e madhe e tij ose po ndotet, ose po bëhet e paarritshme si pasojë e kërkesës në rritje dhe ndryshimeve klimatike. Ekspertët parashikojnë se brenda 30 vjetësh, 5 miliardë njerëz nuk do të kenë mjaftueshëm ujë të pijshëm.
Planeti ynë: I projektuar për të mbijetuar
Proceset natyrore të tokës nuk lejojnë që rezervat ujore të shterojnë. Dheu, flora e fauna ujore, si dhe drita e diellit ndërveprojnë për të pastruar ujin. Shqyrto disa prova që tregojnë se planeti ynë është projektuar për të mbijetuar.
Është parë se dheu mund të eliminojë shumë substanca ndotëse për ujin. Tashmë dihet që disa bimë moçalesh pastrojnë ujin nga azoti, fosfori dhe pesticidet.
Shkencëtarët kanë zbuluar procese fizike dhe biologjike që e pastrojnë ujin e ndotur nga mbetjet organike që prodhohen në natyrë. Këta ndotës treten në ujin e rrjedhshëm dhe shpërbëhen nga mikroorganizmat.
Molusqet dhe midhjet e ujërave të ëmbla mund ta filtrojnë ujin brenda pak ditësh nga kimikate potencialisht të dëmshme, dhe ndoshta shumë më mirë se impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.
Planeti ynë e ruan ujin nëpërmjet ciklit të ujit. Ky cikël, bashkë me procese të tjera natyrore, nuk e lë ujin të largohet nga atmosfera ose që të shterojë.
Çfarë po bëhet?
Kur rregullojmë çdo rrjedhje vaji dhe asgjësojmë në mënyrë të përshtatshme substancat toksike, kontribuojmë në pastërtinë e ujërave të ëmbla
Ekspertët rekomandojnë që asnjëherë të mos e shpërdorojmë ujin. Për të minimizuar ndotjen e ujit, ata këshillojnë që të rregullohet çdo rrjedhje vaji në automjetet tona, të mos hidhen medikamente të papërdorura në WC dhe substanca toksike në lavaman.
Inxhinierët kanë zbuluar metoda novatore për shkripëzimin (heqjen e kripës nga uji i detit), me qëllim që të kemi më shumë ujë të pijshëm.
Por nuk mjafton vetëm kaq. Edhe shkripëzimi nuk duket një zgjidhje e mirë si pasojë e kostos së lartë dhe sasisë së jashtëzakonshme të energjisë. Në një raport të vitit 2021 nga Kombet e Bashkuara për menaxhimin e ujit, thuhej: «Është e nevojshme që në nivel global të dyfishohet ritmi i progresit të arritur deri tani.»
Çfarë shprese jep Bibla?
«[Perëndia] i tërheq lart pikat e ujit, dhe mjegulla që formohet prej tyre, kondensohet e kthehet në shi; pastaj retë derdhen si rrebesh, e mbi gjithë njerëzimin shiu bie rrëmbyeshëm.»—Jobi 36:26-28.
Perëndia i krijoi ciklet natyrore për të ruajtur ujin e tokës.—Eklisiastiu 1:7.
Shqyrto: përderisa Krijuesi ka projektuar proceset që pastrojnë ujërat e ëmbla, a nuk është e arsyeshme të besojmë që ka dëshirën dhe fuqinë për të zgjidhur problemin e krijuar nga njerëzit?! Shih artikullin «Perëndia premton se planeti ynë do të mbijetojë», në faqen 15.