BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yp2 kap. 24 f. 199-207
  • Ç’të bëj kur mami dhe babi zihen?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ç’të bëj kur mami dhe babi zihen?
  • Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pse zihen prindërit?
  • Çfarë mund të bësh?
  • Çfarë s’duhet të bësh?
  • Çfarë duhet të bëj kur prindërit grinden?
    Zgjohuni!—2007
  • Si t’i njoh më mirë prindërit?
    Zgjohuni!—2009
  • Pse kaq shumë rregulla?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Pse prindërit s’më lënë të dal për qejf?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
yp2 kap. 24 f. 199-207

KAPITULLI 24

Ç’të bëj kur mami dhe babi zihen?

A zihen ndonjëherë prindërit në syrin tënd? Nëse po, për çfarë zihen më shumë?

□ Për paratë

□ Për punët e shtëpisë

□ Për të afërmit

□ Për ty

Shkruaj më poshtë çfarë do të doje t’u thoshe prindërve lidhur me ndikimin e zënkave të tyre te ti?

․․․․․

S’KA si të mos ndikojnë te ti zënkat e prindërve. Kjo ndodh sepse i do dhe mbështetesh tek ata. Për pasojë, kur i dëgjon të zihen, të dhemb në shpirt. Ndoshta je në një mendje me një vajzë që quhet Meri. Ajo thotë: «E kam të vështirë t’i respektoj prindërit kur duket se ata s’respektojnë njëri-tjetrin.»

Zënkat e prindërve të bëjnë të kuptosh një të vërtetë të dhimbshme: ndryshe nga ç’mund të kesh menduar, ata nuk janë të pagabueshëm. Ky zhgënjim i hidhur mund të ngjallë te ti lloj-lloj ndjenjash frike. Nëse zënkat janë të shpeshta ose të ashpra, mund të shqetësohesh se mos martesa e tyre është buzë greminës. «Kur i dëgjoj prindërit që hahen e grihen,—thotë Meri,—mendja më shkon te divorci i tyre dhe se do të më duhet të zgjedh me cilin të rri. Gjithashtu, kam frikë se mos ndahem nga motra ose vëllai.»

Pse zihen prindërit dhe çfarë duhet të bësh kur plas sherri në shtëpi?

Pse zihen prindërit?

Zakonisht prindërit ‘e durojnë njëri-tjetrin me dashuri’. (Efesianëve 4:2) Megjithatë, Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Prindërit nuk janë të përsosur. Prandaj, s’është çudi që acarimet shtohen dhe me raste shfaqen në formën e zënkave.

Gjithashtu, mos harro se jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Sigurimi i jetesës, pagimi i faturave dhe atmosfera në punë, shkaktojnë që të gjitha një stres që sjell vështirësi në martesë. Veç kësaj, nëse të dy prindërit punojnë, punët e shtëpisë mund të kthehen në mollë sherri për ta.

Të jesh i sigurt se, nëse prindërit kanë mosmarrëveshje, kjo s’do të thotë automatikisht se martesa e tyre është buzë shkatërrimit. Ka shumë të ngjarë që prindërit vazhdojnë ta duan njëri-tjetrin, edhe pse nuk bien dakord për disa gjëra.

Le të marrim një shembull. A të ka ndodhur ndonjëherë të shohësh një film me shokët dhe ti nuk ke qenë dakord me mendimin e tyre për filmin? Mund të ndodhë. Edhe ata që janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, ndonjëherë disa gjëra i shohin ndryshe. Njësoj mund të jetë edhe me prindërit. Ndoshta të dy mendojnë për paratë e familjes, por secili ka mendim të ndryshëm për shpenzimin e tyre; të dy duan të planifikojnë pushime për familjen, por secili ka një koncept të ndryshëm për çfarë do të thotë çlodhje; ose të dy merakosen për ty që të dalësh mirë me mësime, por secili ka metodë të ndryshme për të të nxitur.

Pika është se bashkimi i dy vetave nuk do të thotë dy veta në një mendje. Dy njerëz që duhen mund të kenë mendime të ndryshme ndonjëherë. Por, prapëseprapë, mund ta kesh të vështirë të dëgjosh prindërit tek bëjnë fjalë. Çfarë mund të bësh ose të thuash që t’i kalosh më lehtë këto situata?

Çfarë mund të bësh?

Trego respekt. Është e lehtë të mërzitesh me prindër që gjithmonë hahen me fjalë me njëri-tjetrin. Në fund të fundit, ata duhet të jenë shembull për fëmijët dhe jo fëmijët për ata. Megjithatë, përbuzja ndaj prindit s’bën gjë tjetër veçse shton tensionet në familje. Ç’është më e rëndësishmja, Perëndia Jehova të urdhëron t’i respektosh dhe t’u bindesh prindërve, edhe atëherë kur nuk e ke të lehtë.​—Dalja 20:12; Proverbat 30:17.

Çfarë të bësh nëse prindërit nuk bien dakord për diçka që ka të bëjë me ty? Për shembull, ta zëmë se njëri nga prindërit është Dëshmitar i Jehovait, kurse tjetri jo. Në familje mund të lindin situata të vështira, kur ti duhet të vendosësh të adhurosh Jehovain me prindin Dëshmitar. (Mateu 10:34-37) Gjithmonë vepro «me frymë butësie dhe me respekt të thellë». Shembulli yt mund ta ndihmojë prindin që nuk është Dëshmitar të bashkohet me ju.​—1 Pjetrit 3:15.

Mos mbaj anë. Çfarë mund të bësh nëse prindërit të shtyjnë t’u mbash anën për gjëra që s’kanë të bëjnë me ty? Mundohu të mos mbash anën e asnjërit. Ndoshta mund të mënjanohesh me lezet duke thënë diçka të tillë si: «Mami, babi, unë ju dua shumë të dyve. Por, ju lutem, mos më kërkoni të mbaj anën e njërit apo tjetrit. Këtë duhet ta zgjidhni mes jush.»

Fol me prindërit. Tregoju si të bëjnë të ndihesh zënkat e tyre. Zgjidh një moment kur mendon se janë në gjendje të të dëgjojnë dhe tregoju me respekt sa të mërzitin, të hidhërojnë ose të frikësojnë zënkat e tyre.​—Proverbat 15:23; Kolosianëve 4:6.

Çfarë s’duhet të bësh?

Mos u bëj këshilltari i tyre. Duke qenë në moshë të re, ti s’je aspak në gjendje të zgjidhësh problemet e prindërve. Ta zëmë se ke hipur si pasagjer në një aeroplan të vogël dhe dëgjon kapitenin të zihet me pilotin e dytë. S’do mend që do të shqetësoheshe. Por, a do të guxoje t’u thoshe pilotëve si të drejtonin avionin apo ta merrje vetë timonin në dorë?

Po ashtu, po ta marrësh ti timonin në problemet martesore të prindërve, gjërat do të përkeqësohen. Bibla thotë: «Kur është arrogant, njeriu shkakton vetëm grindje, por mençuria është me ata që këshillohen së bashku.» (Proverbat 13:10) Edhe prindërit mund t’i zgjidhin vështirësitë duke diskutuar bashkë privatisht.​—Proverbat 25:9.

Mos u fut në mes. Mjaftojnë dy që zihen. Pse të shtohet edhe një i tretë në këtë potere? Megjithëse të vjen të futesh edhe ti në mes, mosmarrëveshjet kanë për detyrë t’i zgjidhin prindërit, jo ti. Prandaj, përpiqu të ndjekësh këshillën e Biblës që thotë ‘të mos futësh hundët’ në gjëra të tilla private. (1 Pjetrit 4:15) Mos u fut edhe ti në atë valle.

Mos i vër prindërit kundër njëri-tjetrit. Disa të rinj i hedhin benzinë zjarrit duke i vënë prindërit kundër njëri-tjetrit. Kur mami thotë jo për diçka, shfrytëzojnë babin që të marrin atë që duan. Për momentin, dredhia mund t’u japë pak më shumë liri, por me kalimin e kohës del se ajo vetëm sa ka zgjatur grindjet.

Mos lejo që sjellja e tyre të ndikojë te sjellja jote. Një djalë me emrin Piter e kuptoi se po përdorte mënyra jo të krishtere vetëm e vetëm për të marrë hak kundër babait të tij abuzues. «Doja ta bëja të vuante,—thotë Piteri.—E kisha shumë inat për mënyrën si trajtonte mamin, mua dhe motrën.» Por shpejt, Piterit iu desh të përballonte pasojat e veprimeve të tij. Çfarë mësimi nxori? Sjellja e keqe s’bën gjë tjetër veçse përkeqëson problemet në shtëpi.​—Galatasve 6:7.

Shkruaj në cilën nga pikat e mësipërme duhet të punosh më shumë. ․․․․․

Kuptohet, s’mund t’i ndalosh prindërit të zihen. Megjithatë, të jesh i sigurt se Jehovai mund të të ndihmojë të përballosh ankthin që të shkaktojnë grindjet e tyre.​—Filipianëve 4:6, 7; 1 Pjetrit 5:7.

Përpiqu t’i zbatosh sa më mirë sugjerimet e mësipërme. Ndoshta pak nga pak prindërit mund të nxiten të mendojnë seriozisht si t’i zgjidhin problemet. Ku i dihet, mund edhe të mos zihen më.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Çfarë mund të bësh për të përballuar vështirësitë e rritjes në një familje me një prind?

SHKRIMI KYÇ

«Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir.»​—Kolosianëve 4:6.

KËSHILLË

Nëse prindërit zihen shpesh dhe keqas, sugjeroju me respekt të kërkojnë ndihmë.

A E DIJE . . . ?

Edhe ata që duhen, ndonjëherë mund të mos jenë në një mendje.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Kur prindërit të fillojnë të zihen, do të ․․․․․

Nëse prindërit më kërkojnë të mbaj anë, do të them: ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse zihen disa prindër?

● Pse nuk e ke ti fajin për problemet e prindërve?

● Çfarë mund të mësosh duke vërejtur sjelljen e prindërve?

[Diçitura në faqen 201]

«Duke kuptuar se prindërit nuk janë të përsosur dhe se kanë probleme njësoj si edhe unë, më ka ndihmuar t’i kapërcej zënkat e tyre.»​—Keti

[Kutia dhe figurat në faqet 206, 207]

Po sikur prindërit të ndahen?

Si të tregohesh i mençur nëse prindërit ndahen, paçka se vuan shpirtërisht? Ja disa sugjerime:

● Mos krijo shpresa të kota. Gjëja e parë që të shkon ndër mend mund të jetë që të bësh diçka për t’i bashkuar prapë prindërit. Ana kujton: «Pasi u ndanë, prindërit na nxirrnin ndonjëherë për të bërë diçka bashkë. Motra dhe unë i pëshpërisnim njëra-tjetrës: ‘Hajde vrapojmë përpara që t’i lëmë vetëm.’ Por me sa duket ishte e kotë. Ata nuk u kthyen më bashkë.»

Proverbat 13:12 thotë: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» Që të mos vritesh më kot, mos harro se nuk e ke ti në dorë se çfarë bëjnë prindërit. S’ishte faji yt që ata u ndanë, dhe ti s’mund të ndërhysh për të ftilluar martesën e tyre.​—Proverbat 26:17.

● Mos urre. Zemërimi dhe urrejtja ndaj njërit ose të dy prindërve, mund të të dëmtojë për një kohë të gjatë. Tomi kujton si ndihej në moshën 12-vjeçare: «Isha shumë i zemëruar me babin. S’dua të përdor fjalën ‘urrejtje’, por isha tërë mllef. S’e kuptoj s’i mund të thoshte se merakosej për ne, ndërkohë që iku e na la.»

Megjithatë, kur prindërit ndahen, rrallëherë është aq e lehtë sa të thuash që njëri e ka gjithë fajin dhe tjetri është pa faj. Puna është se ata ndoshta s’të kanë treguar gjithçka për jetën e tyre martesore ose të gjitha arsyet që i çuan në ndarje; madje ata mund të mos e kuptojnë as vetë. Ndaj mos gjyko pa i ditur të gjitha faktet. (Proverbat 18:13) Kuptohet, është e vështirë të mos ndiesh zemërim, dhe është krejt normale që, për njëfarë kohe, të jesh shumë i mërzitur. Por mëria dhe hakmarrja janë si helm, dhe pak nga pak mund të të dëmtojnë personalitetin. Bibla na thotë me të drejtë: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi.»​—Psalmi 37:8.

● Tregohu realist. Disa të rinj, nga ana tjetër, nuk e urrejnë prindin që është larguar, por kalojnë në ekstremin tjetër duke e bërë idhull. Për shembull, babai i një djali ishte alkoolist dhe shkonte pas femrave. Ai e braktisi disa herë familjen dhe në fund u divorcua. Megjithatë, djali kujton se, për ndonjë arsye, ai gati e adhuronte të atin.

Ky admirim i gabuar s’është i pazakontë. Në një vend, rreth 90 për qind e fëmijëve me prindër të divorcuar, jetojnë me nënën, dhe babanë e takojnë me raste. Kjo bën që nëna të jetë ajo që kujdeset përditë për fëmijët, duke përfshirë edhe disiplinimin e tyre. Pavarësisht nga të ardhurat që jep babai, pas divorcit, niveli i jetesës së nënës zakonisht bie, kurse i babait mund të ngrihet. Si përfundim, një vizitë te babi mund të nënkuptojë dhurata dhe zbavitje. Ndërsa të jetosh me mamin do të thotë të numërosh çdo qindarkë dhe t’i bindesh një liste me urdhra. Është për të ardhur keq, por disa të rinj kanë lënë prindin Dëshmitar për të jetuar me atë që s’është Dëshmitar, por që është më i pasur dhe u shkon pas qejfit.​—Proverbat 19:4.

Nëse të shkon ndonjëherë në mendje të bësh atë zgjedhje, peshoji mirë gjërat. Mos harro se ke nevojë për edukim moral dhe disiplinë. Gjithçka tjetër që mund të të ofrojë prindi, nuk do të ndikojë aq shumë në karakterin dhe në cilësinë e jetës.​—Proverbat 4:13.

[Figura në faqet 202, 203]

Një fëmijë që u tregon prindërve si t’i zgjidhin grindjet, është si një pasagjer që mëson pilotët si të drejtojnë avionin

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo