KAPITULLI 33
Pse ta shmang pornografinë?
Sa herë ndodh të hasësh pornografi rastësisht?
□ Asnjëherë
□ Ndonjëherë
□ Shpesh
Ku e has më shpesh?
□ Në Internet
□ Në shkollë
□ Në televizor
□ Në raste të tjera
Çfarë bën në këto raste?
□ E heq menjëherë
□ Kurioziteti më shtyn t’i hedh një sy
□ Nuk i heq sytë, madje kërkoj të shoh më shumë
NË KOHËN e prindërve të tu, kush donte të shihte pornografi duhej të kërkonte ca, pa ta gjente. Sot s’ke pse lodhesh, se pornografia vjen e të gjen vetë. Një vajzë 19-vjeçare thotë: «Ndonjëherë, shoh për qejf ose dua të blej diçka në Internet, ose thjesht dua të kontrolloj llogarinë time bankare kur, fap, më del ndonjë pamje pornografike.» Kjo nuk është aspak e pazakontë. Gjatë një studimi, 90 për qind e të anketuarve të moshës nga 8 deri në 16 vjeç, thanë se u kishin dalë befas në Internet pamje pornografike, në shumicën e rasteve teksa po bënin kërkime për detyrat e shtëpisë.
Përderisa është kaq e përhapur, mund të pyesësh veten: «A është vërtet kaq e keqe pornografia?» Përgjigjja është po! Pornografia ul si ata që e prodhojnë, edhe ata që e shohin, dhe shpesh është një hap që çon drejt mëkateve seksuale. Por jo vetëm kaq!
Pornografia mund të kthehet në një ves që lë pasoja shkatërrimtare për një kohë të gjatë. Për shembull, të marrim rastin e një burri që quhet Xhef, i cili edhe pse kishte 14 vjet që nuk shihte më pornografi, pranoi: «Edhe sot luftoj çdo ditë me veten. Ndonëse tani dëshira s’është më aq e fortë, prapëseprapë nuk ikën. Kurioziteti mbetet. Edhe pamjet i kam akoma në kokë. Sa do të doja të mos i isha futur kurrë kësaj rruge të fëlliqur! Në fillim dukej fare e padëmshme. Por tani e di që s’është aspak ashtu. Pornografia është e dëmshme, perverse dhe ul të gjithë ata që përfshihen në të. Pavarësisht nga ato që thonë përkrahësit e saj, pornografia nuk ka asgjë, absolutisht asgjë të mirë!»
Shqyrto situatën
Si ta shmangësh pornografinë, qoftë edhe atëherë kur të shfaqet befas? Së pari, ndalu e mendo: kur të dalin më tepër skena të tilla? Le të shohim shembujt e mëposhtëm:
A e kanë zakon disa nga shokët e shkollës të dërgojnë pornografi me anë të postës elektronike ose celularit? Nëse po, është e mençur t’i fshish këto mesazhe pa i hapur fare.
Kur je në Internet, a të shfaqen pamje a mesazhe pornografike nëse shtyp fjalë të caktuara për të bërë kërkime? Duke e ditur këtë, do të përdorësh fjalë më specifike dhe do të jesh më i kujdesshëm kur të kërkosh në Internet.
Më poshtë rendit situatat kur ke hasur materiale pornografike.
․․․․․
Si mund t’i rrallosh ose t’i eliminosh rastet kur ndeshesh pa dashur me pornografi? Shkruaj më poshtë si ke ndër mend të veprosh.
․․․․․
Po nëse ke rënë në këtë kurth?
Një gjë është të ndeshesh rastësisht me materiale pornografike, dhe tjetër gjë ta shohësh qëllimisht. Po nëse po të bëhet ves? Mos mendo se është e lehtë ta heqësh. Le të bëjmë një shembull. Ta zëmë se i ke duart të lidhura me një fije peri. Po të doje, mund ta këpusje lehtë duke shkëputur duart. Po sikur të ishte rrotulluar disa herë rreth duarve? Do të ishte shumë më e vështirë të liroheshe. Njësoj është edhe me ata që u është bërë ves pornografia. Sa më shumë shohin, aq më fort e gjejnë veten të mbërthyer në këtë grackë. Si mund të shpëtosh nëse ke rënë edhe ti në të?
Kupto çfarë është në të vërtetë pornografia. S’është gjë tjetër veçse një përçapje e Satanait për të degjeneruar diçka që Jehovai e krijoi për të qenë e nderuar. Po ta mendosh kështu, do ta kesh më të lehtë ‘të urresh të keqen’.—Psalmi 97:10.
Mendo për pasojat. Pornografia shkatërron martesën. Ajo u ul vlerat jo vetëm atyre që dalin në këto skena, por edhe atyre që i shohin. Bibla ka arsye të fortë kur thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Më poshtë shkruaj ndonjë pasojë të rëndë që mund të kesh nëse do ta bëje zakon pornografinë.
․․․․․
Merr një zotim. «Kam bërë një premtim solemn që kurrë të mos shoh me epsh një vajzë»,—tha Jobi, një burrë besnik. (Jobi 31:1, Today’s English Version) Më poshtë janë renditur disa ‘premtime solemne’ që mund të bësh:
Nuk do ta përdor Internetin kur jam vetëm në dhomë.
Do të heq menjëherë çdo pamje pornografike që shfaqet papritur ose sit me skena të qarta seksi.
Do të flas me një mik të pjekur nëse ndodh që të bie prapë në këtë ves.
A sjell dot në mendje një ose dy vendime të tjera që mund të të ndihmojnë për të mos rënë në kurthin e pornografisë? Nëse po, shkruaji më poshtë.
․․․․․
Lutu. Psalmisti iu lut Jehovait: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.» (Psalmi 119:37) Perëndia Jehova dëshiron që t’ia dalësh mbanë dhe mund të të japë forcën për të bërë atë që është e drejtë.—Filipianëve 4:13.
Fol me dikë. Gjetja e një miku të besuar është një hap i rëndësishëm për ta hequr këtë ves. (Proverbat 17:17) Më poshtë shkruaj emrin e një personi të pjekur me të cilin mund të flasësh rehat.
․․․․․
Të jesh i sigurt se mund ta heqësh këtë ves. Sa herë e shmang pornografinë, ke arritur një fitore të rëndësishme. Fol me Jehovain për këtë fitore dhe falënderoje për forcën që të dha. Kurrë mos harro se, kur shmang epideminë e pornografisë, i gëzon zemrën Jehovait.—Proverbat 27:11.
SHKRIMI KYÇ
«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»—Kolosianëve 3:5.
KËSHILLË
Sigurohu të aktivizosh filtrin që bllokon sitet pornografike në kompjuter. Gjithashtu, mos kliko në sitet që sugjerohen në mesazhe të dërguara nga të panjohur.
A E DIJE . . . ?
Fiksimi pas pornografisë pasqyron maninë për seks që kishin frymërat e liga në kohën e Noesë.—Zanafilla 6:2.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Që të mbrohem e të mos ndeshem me pornografi, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Në ç’mënyrë pornografia ul diçka që është e nderuar?
● Si do ta ndihmoje motrën ose vëllanë nëse ka probleme me pornografinë?
[Diçitura në faqen 278]
«Para se të studioja Biblën, i kam provuar pothuajse të gjitha drogat më të njohura. Por nga të gjitha veset që kisha, pornografia ishte më e vështira për ta lënë. Vetëm me ndihmën e Jehovait kam mundur ta përballoj këtë problem.»—Xhefi
[Figura në faqen 276]
Sa më shumë pornografi sheh, aq më shumë të mbërthen