BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yp2 kap. 21 f. 174-180
  • Ç’të bëj kur më kritikojnë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ç’të bëj kur më kritikojnë?
  • Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Por të lëndon!
  • Ç’fshihet pas kritikave?
  • Ruaj gjakftohtësinë
  • Ia vlen të përpiqesh
  • Pse kaq shumë rregulla?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Ç’të bëj kur mami dhe babi zihen?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Si të reagoj kur më kritikojnë?
    Të rinjtë pyesin
  • Si t’i njoh më mirë prindërit?
    Zgjohuni!—2009
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
yp2 kap. 21 f. 174-180

KAPITULLI 21

Ç’të bëj kur më kritikojnë?

«Mami më rrinte si xhandar nga prapa dhe gjithmonë kërkonte diçka për të më qortuar. Pa e mbaruar ende punën, vinte e më kontrollonte për të gjetur ndonjë të metë.»​—Kregu.

«Prindërit më mbanin gjithmonë leksion për ndonjë gjë. Thoshin se i bëja lëmsh të gjitha. Më flisnin për çdo gjë që bëja në shkollë, në shtëpi a në kongregacion; ma ënjtën kokën.»​—Xhejsi.

A TË duket sikur prindërit janë gjithnjë të pakënaqur me ty? A të duket sikur kontrollojnë me lupë çdo gjë që bën, sikur nuk t’i ndajnë sytë për asnjë çast dhe sikur je vazhdimisht para një provimi që s’e kalon kurrë?

Cilën nga këto kritika dëgjon më shpesh?

□ E lë dhomën gjithmonë lëmsh.

□ Mbete para televizorit.

□ Fle gjithmonë vonë.

□ Çohesh gjithmonë vonë.

Shkruaj më poshtë se cila kritikë ose vërejtje e prindërve të bezdis më tepër.

․․․․․

Është e vërtetë se urdhrat dhe kritikat ndonjëherë të acarojnë nervat. Por mendo sikur prindërit të mos të këshillonin ose qortonin asnjëherë. A s’do të mendoje se s’duan t’ia dinë për ty? (Hebrenjve 12:8) Disiplina është shenjë e dashurisë së tyre. Bibla thotë se babai qorton «atë që do».​—Proverbat 3:12.

Prandaj ji mirënjohës që ke prindër që të duan aq shumë, sa s’të lënë pa drejtim. Pastaj, a s’është e vërtetë se je në moshë të re dhe di më pak se ata? Në mos një herë, një herë tjetër duhet ndonjë qortim. Pa drejtimin e tyre, mund të rrëmbehesh kollaj nga «dëshirat karakteristike rinore».​—2 Timoteut 2:22.

Por të lëndon!

Sigurisht, «për momentin asnjë disiplinë nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim». (Hebrenjve 12:11) Kjo është veçanërisht e vërtetë kur je në moshë të re, dhe s’është aspak çudi! Personaliteti yt është në ndryshim e sipër. Ti po rritesh dhe po zbulon kush je. Ndaj mund të prekesh nga kritikat, edhe kur janë të menduara mirë ose jepen përzemërsisht.

Ky reagim është i kuptueshëm, pasi fjalët e të tjerëve mund të ndikojnë në mënyrën se si e sheh veten. Opinioni i prindërve është veçanërisht i rëndësishëm për ty, pasi ndikon në vlerësimin që ke për veten. Prandaj, kur mami ose babi të qorton ose nuk është i kënaqur me atë që bën, mund të lëndohesh.

A duhet të mendosh se s’di të bësh asgjë ose se je dështak, vetëm ngaqë prindërit të vënë në dukje disa të meta? Jo. Të gjithë jemi larg përsosmërisë. (Eklisiastiu 7:20) Gjithashtu, mos harro se kush gabon, mëson. (Jobi 6:24) Por problemi mund të jetë se prindërit lëshojnë një breshëri me kritika kur bën ndonjë gabim, por s’të lavdërojnë kurrë kur bën diçka të mirë. Kjo po që të lëndon, megjithatë s’do të thotë se je dështak.

Ç’fshihet pas kritikave?

Ndonjëherë duket sikur mami ose babi e tepron, jo se ke bërë ndonjë gjë, por vetëm se atë ditë nuk është në terezi. Ndoshta mami ka kaluar një ditë të vështirë. Mbase s’ndihej mirë. Në këto raste mund të jetë më e prirur të të flasë, nëse s’e ke bërë dhomën dritë. Babi mund të jetë i mërzitur për gjendjen financiare të familjes. Prandaj mund të flasë pa menduar «si me goditje shpate». (Proverbat 12:18) S’do mend që kritikat e padrejta të bëjnë të vuash. Por nëse e mban mendjen atje, do të mërzitesh më shumë, ndaj përpiqu t’i kalosh të metat e prindërve. Asnjëherë mos harro se «të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur».​—Jakovi 3:2.

Prindërit janë të papërsosur, ndaj edhe ata mund të mendojnë se jo gjithmonë bëjnë atë që duhet. Në fakt, një dështimi yt mund t’i bëjë ata të ndihen dështakë. Për shembull, një nënë mund ta qortojë vajzën kur merr vesh se ka rënë në mësime. Por ajo që mund të mendojë me të vërtetë, është: «Mos nuk jam nënë e mirë? Mos nuk po e ndihmoj si duhet vajzën që të ketë rezultate më të mira?»

Ruaj gjakftohtësinë

Çfarëdo të fshihet pas kritikave, pyetja është: «Si të reagoj?» Pikësëpari, kujdes të mos marrësh zjarr shpejt. Proverbat 17:27 thotë: «Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri, dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë.» Si të ruash ‘gjakftohtësinë’ para kritikave? Provo hapat e mëposhtëm:

Dëgjo. Në vend që ta kesh justifikimin në majë të gjuhës ose të thuash se s’është faji yt, mundohu ta kontrollosh veten dhe të kuptosh çfarë po të thonë prindërit. Dishepulli Jakov u tha të krishterëve të ishin ‘të shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitoheshin në të folur e të mos zemëroheshin shpejt’. (Jakovi 1:19) Nëse ua ndërpret fjalën me inat prindërve, ata do të mendojnë se s’po dëgjon. Kjo do t’i acarojë dhe detyrimisht s’do ta lënë me aq, por do të të qortojnë më shumë.

Përqendrohu. Ndonjëherë mund të të duket se prindërit po tregohen të ashpër. Megjithatë, mos mendo shumë si të folën, por çfarë të thanë. Bëji vetes këto pyetje: «Sa nga kjo kritikë është e vërtetë? A më kanë folur edhe herë të tjera për këtë? A më kushton gjë të bëj si thonë ata?» Asnjëherë mos harro se, sido që të duket për momentin, prindërit të flasin se të duan. Nëse s’do të të donin, s’do ta merrnin mundimin të të thoshin një fjalë.​—Proverbat 13:24.

Përsërite me fjalët e tua. Nëse me respekt e shpreh me fjalët e tua këshillën e prindërve, u lë të kuptojnë se po i dëgjoje me vëmendje. Për shembull, mami mund të thotë: «E lë dhomën gjithmonë lëmsh. S’ke për të dalë nga shtëpia pa e rregulluar.» Për ty dhoma mund të jetë për bukuri. Por t’ia thuash mamit, s’do të ketë asnjë dobi. Mundohu t’i shohësh gjërat me syrin e prindit. Mbase do të ishte më mirë që, pa sarkazëm, të thoshe: «Ke të drejtë, është lëmsh. Do që ta rregulloj tani apo pasi të hamë?» Kur tregon se e kupton prindin, ka më shumë të ngjarë t’ia ulësh nervat. Vetëm se pastaj duhet t’i bindesh fjalës së tij.​—Efesianëve 6:1.

Prit. Mos u justifiko që në fillim, por bëj çfarë të thanë prindërit e pastaj shpjegohu. «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja, por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.» (Proverbat 10:19) Nëse prindërit kuptojnë se i dëgjove, mund të jenë më të gatshëm të të dëgjojnë.

Shkruaj në cilin nga katër hapat e mësipërm duhet të punosh më shumë. ․․․․․

Ia vlen të përpiqesh

A s’do të ishe gati të duroje ca vështirësi për të gjetur një thesar ari? E pra, Bibla thotë se mençuria vlen shumë më tepër se çdo thesar. (Proverbat 3:13, 14) Si fitohet mençuria? Proverbat 19:20 thotë: «Dëgjo këshillën dhe prano disiplinën, që të bëhesh i mençur në të ardhmen.» Kuptohet që këshillat dhe disiplina mund të të mërzitin. Por nëse në çdo kritikë që të bëhet, gjen copëza mençurie dhe i zbaton, do të kesh një thesar më të vlefshëm se ari.

Ç’është e vërteta, kritikat do të na ndjekin gjithë jetën. Që tani përballesh me kritikat e prindërve dhe mësuesve. Në të ardhmen, do të dëgjosh me siguri kritika nga eprorët dhe të tjerët. Nëse mëson si të veprosh kur të kritikojnë në shtëpi, do të bëhesh nxënës që mëson vazhdimisht, punëtor i vlerësuar dhe njeri më i besuar. A s’ia vlen të durojmë ndonjë kritikë për t’u bërë njerëz të tillë?!

NË KAPITULLIN TJETËR:

A ndihesh si i mbyllur në kafaz nga rregullat e shtëpisë? Mëso si të jesh i kënaqur me lirinë që ke, madje si të fitosh ca më shumë.

SHKRIMI KYÇ

«Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim.»​—Proverbat 1:5.

KËSHILLË

Për ta pranuar më lehtë disiplinën e prindërve:

● vlerëso çdo lëvdatë që të jepet bashkë me kritikën.

● kërko shpjegime nëse nuk e ke të qartë problemin ose atë që pritet prej teje.

A E DIJE . . . ?

Disa nëna dhe baballarë e kanë të vështirë t’u tregojnë dashuri fëmijëve, sepse prindërit e tyre nuk i kanë kuptuar dhe dashur aq sa duhet.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Herën tjetër që prindërit do të më kritikojnë, do të ․․․․․

Nëse më duket se prindërit po tregohen tepër kritikë, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse mund të jetë e vështirë të pranosh kritikat?

● Ç’mund t’i shtyjë prindërit të të kritikojnë?

● Si të përfitosh sa më shumë nga çfarëdolloj këshille që të jepet?

[Diçitura në faqen 177]

«Gjithë jetën mami më ka bërtitur dhe unë i ktheja fjalë. Por tani përpiqem të zbatoj këshillat e Fjalës së Perëndisë dhe ia ka vlejtur. Mami ka filluar të ndryshojë. Zbatimi i parimeve të Biblës më ndihmoi ta kuptoja më mirë. Marrëdhëniet tona janë përmirësuar.»​—Marlena

[Figura në faqen 180]

Nëse nxjerr copëza mençurie nga çdo kritikë që të bëhet, do të kesh një thesar shumë më të vlefshëm se ari

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo