-
Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
-
-
KAPITULLI 34
Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?
Je ulur e po rri gjatë pushimit me dy shoqe të shkollës, kur sheh të afrohet nxënësi i ri.
—Ej, e di që Eno e ka me ty,—thotë njëra nga shoqet.—Shiko si po të sheh. Sa s’po të ha me sy!
—Dhe e di më të bukurën?—të pëshpërit shoqja tjetër duke t’u afruar.—Nuk është i zënë.
Ti e kishe tashmë një dyshim që kur të ftoi në një mbrëmje. Kuptohet që nuk pranove, megjithëse me vete thoshe si do të kishte qenë po të kishe shkuar.
Shoqja e parë t’i ndërpret mendimet.
—Çfarë tersi, unë jam e zënë,—thotë ajo,—se nuk e lija pa ia hedhur grepat.
Por pastaj, ajo të sheh e habitur. Ti e di ku do të dalë.
—Si ka mundësi që nuk ke një të dashur?—pyet ajo.
Këtë pyetje e ke tmerr kur e dëgjon. Ç’është e vërteta, edhe ty do të të pëlqente të kishe të dashur. Por të kanë thënë se është më mirë të presësh derisa të jesh gati për martesë, e pastaj të lidhesh me një djalë. Po të mos ishte për . . .
—Për punën e fesë, apo jo?—ta pret shoqja e dytë.
—Mos po më lexon mendimet?—thua me vete.
—Aman edhe ti, ngele gjithmonë Bibla, Bibla, Bibla,—të ngacmon ajo.—Pse s’ia bën njëherë qejfin vetes?
A TË ka ndodhur ndonjëherë të të tallin, ngaqë përpiqesh të jetosh sipas normave të Biblës? Nëse të ka ndodhur, ndoshta ke pyetur veten se mos po humbet diçka. Kështu mendonte një vajzë me emrin Bora. «Normat e Biblës më dukeshin kufizuese,—kujton ajo.—Lakmoja lirinë që kishin shokët e shkollës.»
Qëndro me këmbë në tokë
Përvoja nuk është gjithmonë mësuesi më i mirë. Në të vërtetë, është e mençur dhe në përputhje me Shkrimet të mësosh nga gabimet e të tjerëve, siç bëri psalmisti Asaf. Për njëfarë kohe, ai mendonte se normat e Perëndisë ishin tepër kufizuese. Por duke parë ç’rrugë kishin marrë ata që nuk i bindeshin Perëndisë, e pati më të lehtë të qëndronte me këmbë në tokë. Më vonë, Asafi nxori përfundimin se ata ishin në «vende të rrëshqitshme».—Psalmi 73:18.
Për të mos bërë të njëjtat gabime, shih komentet e disa të rinjve që, për njëfarë kohe, i braktisën normat e Biblës dhe kryen marrëdhënie seksuale pa qenë të martuar.
● Çfarë ndikoi në mendimet dhe veprimet tuaja?
Bora: «Kur isha në shkollë, shihja që të gjithë kishin të dashur dhe dukeshin të lumtur. Kur dilja me ta dhe i shihja që putheshin e përqafoheshin, bëhesha xheloze dhe ndihesha e vetmuar. Shpesh ëndërroja me orë të tëra për një djalë që më pëlqente. Kjo ma shtonte dëshirën që të rrija me të.»
Mikeli: «Shihja dhe lexoja gjëra që e paraqitnin seksin si diçka të mrekullueshme. Kur flitja me shokët për seksin, bëhesha edhe më kurioz. Pastaj, kur isha vetëm me një vajzë, mendoja se mund të tregoheshim intimë pa vajtur deri në marrëdhënie seksuale dhe se mund të ndalesha kur të doja.»
Andrea: «E kisha zakon të shihja pornografi në Internet. Fillova të pija shumë. Shkoja në festa me të rinj që shpërfillnin normat morale të Biblës.»
Trejsi: «E dija që seksi para martese ishte i gabuar, por nuk e urreja një gjë të tillë. S’kisha ndër mend të kryeja marrëdhënie para se të martohesha, por ndjenjat ma mposhtën arsyen. Për njëfarë kohe, ndërgjegjja m’u mpi dhe nuk më brente asnjë ndjenjë faji.»
● A të bëri më të lumtur ajo gjë?
Bora: «Në fillim, u ndjeva sikur isha liruar nga zinxhiri dhe më vinte mirë që më në fund isha si shokët. Por këto ndjenja nuk zgjatën shumë. Më dukej vetja e ulët, sikur më kishin rrëmbyer dëlirësinë, ndihesha bosh. Më vinte tmerrësisht keq që e kisha hedhur tej virgjërinë.»
Andrea: «Sa vinte dhe u dorëzohesha më kollaj dëshirave të gabuara. Por në të njëjtën kohë, po më sfiliste ndjenja e fajit dhe më vinte inat me veten.»
Trejsi: «Imoraliteti ma shkatërroi rininë. Mendoja se me të dashurin do t’ia kalonim për mrekulli, por ja që s’ndodhi ashtu. E lënduam njëri-tjetrin shumë dhe i sollëm trishtim e vuajtje. Net të tëra qaja me dënesë në shtrat dhe thosha: ‘Ah, sikur ta kisha dëgjuar Jehovain!’»
Mikeli: «Më dukej sikur një pjesë e imja kishte vdekur. U mundova t’i shpërfillja pasojat që po u sillnin të tjerëve veprimet e mia, por më kot. Vuaja kur mendoja se po lëndoja të tjerët duke parë vetëm qejfin tim.»
● Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që u duket se normat morale të Biblës janë tepër kufizuese?
Trejsi: «Zbato normat e Jehovait dhe shoqërohu me ata që veprojnë njësoj. Kështu do të jesh më i lumtur.»
Bora: «Nuk ekziston vetëm ti dhe dëshira jote. Veprimet e tua do të ndikojnë edhe te të tjerët. Dhe, duke shpërfillur këshillat e Perëndisë, do t’i bësh dëm vetëm vetes.»
Andrea: «Kur nuk ke përvojë, kujton se jeta që bëjnë moshatarët e tu është fantastike. Si pa kuptuar, fillon t’i imitosh. Prandaj zgjidhi shokët me kujdes. Beso te Jehovai dhe s’do të pendohesh.»
Mikeli: «Ndër gjërat më të vyera që na jep Jehovai, janë dinjiteti dhe dëlirësia. T’i flakësh tej këto dhurata vetëm ngaqë nuk ke vetëkontroll, do të thotë ta shesësh veten për dy lekë. Fol me prindërit dhe me njerëz të pjekur për problemet e tua. Nëse gabon, fol pa humbur kohë dhe ndreqe situatën. Po të bësh siç thotë Jehovai, do të kesh prapë paqe të vërtetë.»
Normat e Biblës—Këmishë force apo rrip sigurimi?
Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’ dhe dëshiron që edhe ti të jesh i lumtur. (1 Timoteut 1:11; Eklisiastiu 11:9) Normat e shkruara në Bibël janë për të mirën tënde. Ndoshta të duken si këmishë force që të kufizon lirinë. Por në të vërtetë, normat morale të Biblës janë më shumë si një rrip sigurimi që të mbron jetën.
S’diskutohet që mund t’i besosh Biblës. Nëse vendos të jetosh sipas normave të saj, jo vetëm që do ta bësh Jehovain të lumtur, por edhe vetë do të nxjerrësh dobi.—Isaia 48:17.
Ti mund të bëhesh mik me Perëndinë. A do të dish se si?
SHKRIMI KYÇ
«Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»—Isaia 48:17.
KËSHILLË
Mendo si mund ta mbrosh mençurinë e normave të Biblës para motrës ose vëllait tënd më të vogël. Duke u folur atyre, do të përforcosh në zemër bindjet e tua.
A E DIJE . . . ?
Për të prishur miqësinë me Jehovain mjafton veç një çast, por për ta ndrequr mund të duhen vite.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Që ta kuptoj më mirë sa të mençura janë normat e Biblës, do të ․․․․․
Nëse filloj t’i kem zili ata që ndjekin normat e botës, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse përvoja nuk është mësuesi më i mirë, kur mendon për pasojat që vijnë po të mos u bindesh ligjeve të Perëndisë?
● Çfarë mëson nga fjalët e Borës, Mikelit, Andreas dhe Trejsit?
● Pse disa mund t’i shohin normat e Biblës si këmishë force që të kufizon lirinë, dhe pse ky mendim është dritëshkurtër?
[Diçitura në faqen 285]
«Dëshpërimi që vjen nga disiplinimi pas një shkeljeje, s’është gjë para dhembjes që ndien duke e fshehur.»—Dona
[Figurat në faqen 288]
Normat e Biblës nuk të kufizojnë lumturinë, por të mbrojnë
-
-
Si të bëhem mik me Perëndinë?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
-
-
KAPITULLI 35
Si të bëhem mik me Perëndinë?
Nga ajo që kaloi kur ishte fëmijë, Xheri e kuptoi sa vlerë kishte miqësia me Perëndinë. «Babi na braktisi kur isha 12 vjeç,—shpjegon ai.—Një natë po i lutesha Jehovait në shtrat që të kthehej përsëri.»
I dëshpëruar, Xheri nisi të lexonte Biblën. Kur lexoi Psalmin 10:14 u prek shumë, pasi aty thuhet për Jehovain: «I gjori dhe jetimi e lënë veten në dorën tënde. Ti je ai që i ndihmon.» Xheri shprehet: «M’u duk sikur Jehovai po më fliste dhe po më linte të kuptoja se ai më ndihmonte; se ishte Ati im. Ku ka baba më të mirë se ai?»
PAVARËSISHT nëse je apo jo në një situatë të ngjashme me atë të Xherit, Bibla tregon se Jehovai do që të jesh mik me të. Në fakt, Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Ndalu pak e mendo se çfarë do të thonë këto fjalë. Edhe pse s’mund ta shohësh dhe në gjithçka qëndron shumë më lart se ti, Perëndia Jehova të fton të jesh miku i tij!
Megjithatë, që të jesh mik me Perëndinë, kërkohen përpjekje. Le të bëjmë një shembull. Nëse ke një bimë zbukuruese, ti e di që nuk rritet vetë. Që të rritet mirë, duhet ta ujitësh rregullisht dhe ta mbash në një vend të përshtatshëm. Njësoj është edhe me miqësinë me Perëndinë. Çfarë duhet të bësh që ta rritësh këtë miqësi?
Rëndësia e studimit
Kur je mik me dikë, duhet edhe të flasësh me të, edhe ta dëgjosh. Kështu është edhe me Perëndinë. Ne dëgjojmë çfarë na thotë Perëndia kur lexojmë dhe studiojmë Biblën.—Psalmi 1:2, 3.
Mbase studimin nuk e ke shumë qejf. Shumë të rinj do të parapëlqenin të shihnin televizor, të luanin ose thjesht të rrinin me shokët. Por që të bëhesh mik me Perëndinë, nuk ka rrugë shkurt. Duhet ta dëgjosh duke studiuar Fjalën e tij.
Por mos u tremb. Studimi i Biblës s’ka pse të jetë një punë e mërzitshme. Mund të mësosh ta pëlqesh, megjithëse nuk të duket vetja tip që studion. Gjëja e parë që duhet të bësh është të lësh kohë për studimin e Biblës. Një vajzë me emrin Lela thotë: «Kam bërë një program. Dhe gjëja e parë që bëj në mëngjes është leximi i një kapitulli të Biblës.» Marina 15 vjeçe e bën ndryshe. «Lexoj pak nga Bibla çdo natë para se të fle»,—thotë ajo.
Për të filluar një program studimi, shih kutinë në faqen 292. Pastaj, më poshtë, shkruaj kur mund të kalosh rreth 30 minuta duke studiuar Fjalën e Perëndisë.
․․․․․
Programimi i kohës është vetëm fillimi. Pasi ke filluar studimin, mund të kuptosh se nuk është edhe aq e lehtë të lexosh Biblën. Ndoshta je në një mendje me Jeselën, një vajzë 11-vjeçare, e cila thotë me sinqeritet: «Në disa pjesë të Biblës ngec dhe mezi shtyhen.» Nëse je i këtij mendimi edhe ti, mos u dorëzo. Gjithmonë shikoje studimin e Biblës me mendimin se është koha për të dëgjuar mikun tënd, Perëndinë Jehova. Në fund të fundit, varet nga ti se sa interesant dhe i kënaqshëm do të jetë studimi i Biblës!
Rëndësia e lutjes
Lutja na jep mundësinë të flasim me Perëndinë. Ç’dhuratë e mrekullueshme është ajo! Mund të flasësh me Perëndinë Jehova në çdo moment të ditës ose të natës. Ai është gjithmonë gati për të dëgjuar. Madje, ai do që të dëgjojë çfarë ke për t’i thënë. Prandaj, Bibla të nxit: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»—Filipianëve 4:6.
Siç tregon ky shkrim, ka shumë gjëra për të cilat mund të flasësh me Jehovain. Për shembull, mund të flasësh për problemet dhe ankthet e tua, ose mund ta falënderosh. Në fund të fundit, a nuk i falënderon miqtë e tu për ato që bëjnë për ty? Njësoj mund të veprosh me Jehovain që ka bërë për ty më shumë se çdo mik.—Psalmi 106:1.
Më poshtë, shkruaj disa gjëra për të cilat i je mirënjohës Jehovait.
․․․․․
Nuk diskutohet që, herë pas here, mendja të rri te frika dhe ankthet që ke. Te Psalmi 55:22, Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»
Shkruaj ato shqetësime që do të doje t’i përmendje në lutje.
․․․․․
Kur e provon vetë
Miqësia me Perëndinë ka edhe një aspekt tjetër që s’duhet ta shpërfillësh. Psalmisti David shkroi: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!» (Psalmi 34:8) Kur kompozoi Psalmin e 34-t, Davidi sapo kishte lënë pas një përvojë të frikshme. Ai ishte arratisur që të shpëtonte nga mbreti Saul, i cili ia kishte nxirë jetën. Pastaj, iu desh të strehohej mes armiqve të tij filistinë. Duke u gjendur përballë vdekjes së sigurt, Davidi u tregua i shkathët dhe u hoq si i çmendur që t’ia hidhte pa u lagur.—1 Samuelit 21:10-15.
Davidi nuk mendoi se shpëtoi për një qime falë shkathtësisë së tij. Përkundrazi, ia dha meritën Jehovait. Disa vargje më sipër në psalmin e përmendur më parë, ai shkroi: «E kërkova Jehovain, dhe ai m’u përgjigj e më çliroi nga çdo frikë.» (Psalmi 34:4) Pra, ajo që provoi vetë e shtyu Davidin t’i nxiste të tjerët ‘të provonin e të shijonin sa i mirë ishte Jehovai’.a
A të vjen ndër mend ndonjë rast kur Jehovai është kujdesur për ty? Nëse po, shkruaje më poshtë. S’është e thënë që të jetë një gjë e jashtëzakonshme. Provo të kujtosh bekimet e thjeshta që të ka dhënë çdo ditë, disa prej të cilave mund të merren fare lehtë si të zakonshme.
․․․․․
Ndoshta prindërit të kanë mësuar shumë gjëra për Biblën. Edhe ky është një bekim. Megjithatë, ti duhet të bëhesh vetë mik me Perëndinë. Nëse akoma nuk e ke bërë, materiali i këtij kapitulli mund të të ndihmojë. Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua. Bibla thotë: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni.»—Mateu 7:7.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 38 DHE 39
E ke të vështirë t’u flasësh të tjerëve për Perëndinë? Mëso si t’i mbrosh bindjet e tua.
[Shënimi]
a Shprehjen «provoni dhe shijoni» disa Bibla e përkthejnë «zbulo vetë», «kupto vetë» dhe «provo vetë».—Contemporary English Version, Today’s English Version dhe The Bible in Basic English.
SHKRIMI KYÇ
«Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!»—Mateu 5:3.
KËSHILLË
Lexo çdo ditë vetëm katër faqe nga Bibla, dhe do ta përfundosh për rreth një vit.
A E DIJE . . . ?
Fakti që po lexon këtë libër dhe po ndjek këshillat e tij të bazuara në Bibël, tregon se Jehovai po interesohet personalisht për ty.—Gjoni 6:44.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Që të përfitoj sa më shumë nga studimi i Biblës, do të ․․․․․
Që të lutem më rregullisht, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Si mund ta bësh më të këndshëm studimin e Biblës?
● Pse Jehovai do që t’i dëgjojë lutjete njerëzve të papërsosur?
● Si mund të bësh lutje më cilësore?
[Diçitura në faqen 291]
«Kur isha e vogël, thosha gjithmonë të njëjtat gjëra në lutje. Tani përpiqem të lutem për të mirat dhe të këqijat e çdo dite. Përderisa s’ka ditë që të jenë njësoj, kjo nuk më lë të përsëris gjithmonë të njëjtat gjëra.»—Eva
[Kutia dhe figura në faqen 292]
Zhbiroje Biblën
1. Zgjidh një tregim biblik që të pëlqen. Lutu për mençuri që ta kuptosh atë që do të lexosh.
2. Lexoje tregimin me vëmendje. Mos nxito. Gjatë leximit, përpiqu të përfytyrosh ngjarjen. Vër në punë sa më shumë shqisa: përpiqu të shohësh veprimet, të dëgjosh zërat e personazheve, të ndiesh ajrin, të shijosh ushqimin, e kështu me radhë. Bëje sa më të gjallë tregimin në mendje!
3. Mendo për atë që sapo lexove. Bëji vetes pyetje si këto:
● Pse e përfshiu Jehovai këtë tregim në Bibël?
● Cilët personazhe janë shembuj të mirë dhe cilët janë shembuj të këqij?
● Çfarë mësoj nga ky tregim?
● Çfarë më mëson ky tregim për Jehovain dhe mënyrën si vepron ai?
4. Bëji një lutje të shkurtër Jehovait. Tregoji çfarë mësove nga studimi i Biblës dhe si mendon ta zbatosh në jetën tënde. Falënderoje gjithmonë Jehovain për dhuratën që të ka bërë—Fjalën e tij, Biblën e Shenjtë!
[Figura]
«Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
[Kutia dhe figura në faqen 294]
Në fillim gjërat e rëndësishme
A të duket sikur s’ke kohë për t’u lutur ose për të studiuar Biblën? Shpesh varet nga përparësitë që vë ti.
Provo këtë eksperiment: Merr një kovë dhe fut disa gurë të mëdhenj. Pastaj, mbushe kovën deri në buzë me rërë. Tani kova është plot me gurë dhe rërë.
Boshatise kovën dhe mbaj të njëjtën sasi rëre e gurësh. Mbushe përsëri kovën, por tani fut në fillim rërën dhe pastaj gurët. S’ka vend për gurët? Po, sepse këtë herë fute në fillim rërën.
Çfarë na mëson kjo? Bibla thotë: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (Filipianëve 1:10) Nëse bën në fillim gjëra të vogla, si zbavitja, do të të duket sikur s’do të ketë asnjëherë vend në jetën tënde për gjëra të mëdha, si synimet frymore. Por nëse ndjek këshillën e Biblës, do të shohësh se ka vend edhe për aktivitete frymore, edhe për zbavitje. E gjitha varet nga çfarë fut në fillim në kovë!
[Figura në faqen 290]
Njësoj si një bimë zbukuruese, miqësia me Perëndinë kërkon përkujdesje që të rritet
-