-
Ç’të keqe ka një lidhje e fshehtë?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
-
-
KAPITULLI 2
Ç’të keqe ka një lidhje e fshehtë?
Xhesika s’dinte ç’të bënte. Gjithçka filloi kur Toni, një shok klase, nisi të tregonte interes për të. «Ishte shumë simpatik,—thotë Xhesika,—dhe shoqet më thoshin se djalë më të mirë se ai s’do të gjeja. Disa vajza kishin dashur të lidheshin me të, por atij s’i binte në mend për to. I kishte sytë vetëm tek unë.»
S’vonoi shumë dhe Toni i kërkoi Xhesikës të dilnin bashkë. Ajo i shpjegoi se ishte Dëshmitare e Jehovait dhe prindërit s’do ta lejonin të dilte me një djalë që s’kishte besimin e saj. «Por Tonit i lindi një ide,—thotë ajo.—Ai më pyeti: ‘Po sikur të dalim fshehtas prindërve?’»
Ç’DO të bëje nëse dikush që të pëlqen, do të të propozonte diçka të tillë? Mbase të duket çudi, por në fillim Xhesikës s’iu duk keq ideja e Tonit. «Isha e bindur se po të dilja me të, do ta bëja ta donte Jehovain»,—thotë ajo. Si shkuan gjërat? Këtë do ta zbulojmë më vonë. Së pari, le të shohim si bien disa në grackën e lidhjeve të fshehta.
Pse zgjedhin këtë rrugë?
Pse disa lidhen fshehurazi? Një i ri me emrin David flet hapur: «E dinë se prindërit do të jenë kundër, kështu që nuk u tregojnë fare.» Xhejni tregon një arsye tjetër. «Lidhjet e fshehta janë shenjë rebelimi,—thotë ajo.—Kur të duket se nuk po të trajtojnë si të rritur, ndërkohë që ti mendon se je rritur, vendos të bësh ç’të të dojë qejfi pa u treguar prindërve.»
A të vijnë në mendje arsye të tjera pse disa i tundon ideja për të pasur një lidhje të fshehtë? Nëse po, shënoji më poshtë.
․․․․․
Pa dyshim, e di mirë se Bibla të urdhëron t’u bindesh prindërve. (Efesianëve 6:1) Në rast se tani për tani prindërit s’duan që të kesh një lidhje, me siguri duhet të kenë arsye të forta. Megjithatë, mos u çudit nëse në kokë të vijnë mendime si këto:
● Më duket vetja sikur jam prapa bote, ngaqë të gjithë, përveç meje, e kanë një të dashur.
● Më pëlqen dikush që nuk ka besimin tim.
● Do të më pëlqente të dilja me një të besimit tim, edhe pse s’kam moshën për t’u martuar.
Ndoshta e ke të qartë se ç’do të thoshin prindërit për ide të tilla. Dhe thellë-thellë, ti e di se kanë të drejtë. Njëkohësisht mbase ndihesh si Manami, që thotë: «Presioni për të pasur të dashur është kaq i fortë, sa ndonjëherë lëkundem. Për çunat e gocat sot është absurde të mos kenë të dashur. Veç kësaj, vetëm s’shtyhet!» Disa që janë gjendur në këtë situatë, kanë nisur një lidhje të fshehtë pas kurrizit të prindërve. Si?
«Na thanë të mos tregonim»
Vetë shprehja «lidhje e fshehtë» tregon se të duhet të dredhosh, dhe faktikisht vetëm kështu mund të funksionojë. Disa arrijnë ta mbajnë sekret lidhjen duke komunikuar kryesisht nëpërmjet telefonit ose Internetit. Para të tjerëve janë thjesht shokë, kurse telefonatat, mesazhet në celular dhe në Internet flasin ndryshe.
Një tjetër taktikë dinake është organizimi i ndonjë aktiviteti në grup për t’i krijuar mundësinë një çifti të rrinë bashkë. Xhejmsi thotë: «Një herë, disa prej nesh ishim ftuar diku. Më pas, zbuluam se e gjithë kjo ishte sajuar që dy nga grupi të rrinin bashkë. Na thanë të mos tregonim.»
Në të shumtën e rasteve, siç tregon Xhejmsi, këto lidhje mbahen të fshehta me ndihmën e shokëve dhe shoqeve. «Shpesh, të paktën një nga shokët e di si është puna, por nuk e hap gojën se thotë ‘s’dua të spiunoj’»,—shprehet Karola. Nganjëherë, ata që kanë lidhje të fshehta tregojnë një mungesë të theksuar ndershmërie. «Shumë të rinj e mbajnë lidhjen të fshehtë duke i gënjyer prindërit e duke mos u treguar se ku shkojnë»,—thotë një vajzë 17-vjeçare me emrin Beti. Këtë bëri edhe Misaki, një vajzë 19-vjeçare. «Duhej t’i sajoja me kujdes gënjeshtrat,—thotë ajo.—Që të mos humbja besimin e prindërve, bëja kujdes të mos thosha as edhe një gënjeshtër, përveç atyre që kishin të bënin me lidhjen time.»
Grackat e lidhjeve të fshehta
Nëse të josh ideja e një lidhjeje të fshehtë ose nëse tashmë e ke filluar, bën mirë t’i bësh vetes dy pyetjet e mëposhtme:
Ku po më çon kjo rrugë? A ke ndër mend të martohesh me atë njeri në një kohë pak a shumë të afërt? «Të lidhesh me dikë pa pasur si synim martesën, është si të reklamosh diçka që nuk ke ndër mend ta shesësh»,—thotë Evani, një djalë 20-vjeçar. Ku mund të çojë kjo? Te Proverbat 13:12 thuhet: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» A do të doje ta vrisje shpirtërisht dikë që e ke për zemër? Edhe një këshillë tjetër: nëse ke një lidhje të fshehtë, po pengon prindërit ose të rriturit e tjerë të kujdesen me dashuri për ty. Kjo mund të të futë në grackën e imoralitetit seksual.—Galatasve 6:7.
Çfarë mendon Jehovai për këtë që po bëj? Bibla thotë: «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebrenjve 4:13) Pra, mos kujto se Jehovai s’e di që po e fsheh lidhjen që ke nisur ose lidhjen e një shoku a të një shoqeje. E nëse, për ta mbuluar, duhet të gënjesh, duhet të shqetësohesh vërtet. Jehovai e ka shumë inat gënjeshtrën. Madje, sipas Biblës, «gjuha gënjeshtare» është një ndër gjërat që Jehovait i ngjall më shumë neveri.—Proverbat 6:16-19.
Jepi fund fshehtësisë
Pa dyshim, është mirë të flasësh me prindërit ose me një të krishterë të rritur e të pjekur nëse ke një lidhje të fshehtë. E në rast se një shok ka një lidhje të fshehtë, mos e ndihmo që ta mbulojë. (1 Timoteut 5:22) A do të të vinte mirë sikur shokut t’i ndodhte gjë? A nuk do të ndiheshe deri diku fajtor?
Le të bëjmë një shembull. Ta zëmë se një shoku yt është me diabet dhe dendet fshehurazi me ëmbëlsira. Çfarë do të bëje po ta merrje vesh, sado që shoku të lutet të mos tregosh? Për çfarë do të merakosesh më shumë: ta mbash të fshehtë apo të bësh diçka për t’i shpëtuar jetën?
E njëjta gjë është edhe kur di se dikush tjetër ka një lidhje të fshehtë. Mos ki merak se mos prishësh shoqërinë. Me kalimin e kohës, një shok i vërtetë do ta kuptojë se e bëre për të mirën e tij.—Psalmi 141:5.
Sekret apo jetë private?
Natyrisht, mbajtja sekret e një lidhjeje jo gjithnjë nënkupton mashtrimin. Ta zëmë se një djalë dhe një vajzë në moshë për martesë, duan të njihen më mirë, por për njëfarë kohe duan të mos e përhapin fjalën. Ndoshta arsyeja është ajo që tha një i ri me emrin Tomas: «Nuk duan që t’i ngacmojnë me pyetje, si: ‘Hë, kur do t’jua hamë llokumet?’»
Presioni i pavend i të tjerëve mund të jetë vërtet i dëmshëm. (Kënga e Solomonit 2:7) Prandaj, kur nisin një lidhje, disa çifte me të drejtë vendosin të mos e përhapin shumë. (Proverbat 10:19) «Kjo i jep kohë djalit dhe vajzës të vendosin nëse duan t’i hyjnë një lidhjeje serioze,—thotë Ana, një vajzë 20-vjeçare.—Nëse po, atëherë mund ta shpallin hapur.»
Nga ana tjetër, do të ishte gabim t’ua fshihje këtë gjë atyre që duhet ta dinë, siç janë prindërit e tu ose prindërit e njeriut me të cilin po njihesh. Nëse s’mund ta tregosh hapur që po shoqëroheni, pyet veten përse. Mos ndoshta thellë-thellë e kupton se prindërit do të kishin arsye të forta për të qenë kundër?
«E dija ç’duhej të bëja»
Xhesika, e përmendur në hyrje të artikullit, vendosi të hiqte dorë nga Toni kur dëgjoi si veproi një vajzë tjetër në kongregacion që po kalonte të njëjtën situatë. «Pasi dëgjova se i dha fund lidhjes së saj, e dija ç’duhej të bëja»,—thotë Xhesika. A ishte e lehtë ndarja? Aspak! Ajo thotë: «Ishte i vetmi djalë që më kishte pëlqyer. Qaja çdo ditë për javë të tëra.»
Megjithatë, Xhesika ishte e sigurt për një gjë. Ajo e donte Jehovain, e ndonëse i kishte hyrë një rruge të gabuar, donte me gjithë shpirt të vepronte drejt. Me kalimin e kohës, dhembja e ndarjes u fashit. «Tani,—thotë Xhesika,—miqësia ime me Jehovain është më e fortë se kurrë. Jam vërtet mirënjohëse që ai na jep drejtim pikërisht kur na duhet!»
Ta zëmë se je gati për të pasur një të dashur dhe je lidhur me dikë që të pëlqen. Si mund ta dish nëse është njeriu i duhur?
SHKRIMI KYÇ
«Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.
KËSHILLË
S’ka pse ta dijë gjithë bota për lidhjen tënde. Ama, atyre që duhet ta dinë, prindërve të tu, prindërve të njeriut me të cilin je lidhur a ndonjë tjetri, duhet t’u tregosh.
A E DIJE . . . ?
Themeli i lidhjeve të qëndrueshme është besimi. Lidhjet e fshehta çojnë në humbjen e besimit të prindërve dhe krisin themelin e lidhjes suaj si çift.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse kam një lidhje të fshehtë me një të krishterë tjetër, do të ․․․․․
Nëse një shok a një shoqe ka një lidhje të fshehtë do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Lexoji edhe një herë tri situatat me shkronja të zeza në faqen 22. A ndihesh edhe ti ndonjëherë ashtu? Nëse po, cili nga tri rastet përshkruan gjendjen tënde?
● Si mund ta përballosh këtë gjendje pa nisur një lidhje të fshehtë?
● Po ta dije se një shok a një shoqe ka një lidhje të fshehtë, si do të veproje dhe pse në këtë mënyrë?
[Diçitura në faqen 27]
«I dhashë fund lidhjes së fshehtë. S’e mohoj, bëhesha keq kur e shihja çdo ditë në shkollë. Por, ndryshe nga ne, Jehovai mund të shohë përtej asaj që duket. Ne duhet vetëm të mbështetemi tek ai.»—Xhesika
[Figura në faqen 25]
Të mos tregosh për një shok a shoqe që ka një lidhje të fshehtë, është si të mbulosh një diabetik që dendet fshehurazi me ëmbëlsira
-
-
Pse ta ruaj virgjërinë?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
-
-
KAPITULLI 5
Pse ta ruaj virgjërinë?
«Ndiej një nxitje të fortë nga brenda për të provuar si është seksi.»—Keli.
«Më duket vetja jonormal ngaqë s’e kam provuar akoma seksin.»—Xhordoni.
«MOS më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Këto fjalë mund të të kenë bërë të strukesh nga frika. Në fakt, në shumë vende, një adoleshent që nuk e ka provuar seksin mund të shihet si specie e rrallë, si prapa bote. S’është më çudi që shumë të rinj kryejnë marrëdhënie që kur janë adoleshentë.
Dëshira josh, shoqëria nxit
Nëse je i krishterë, tashmë e di se Bibla thotë «rrini larg nga kurvëria». (1 Selanikasve 4:3) Por prapëseprapë, mund ta kesh të vështirë të kontrollosh impulset seksuale. «Ndonjëherë, pa kuptuar, më shkon mendja te seksi»,—pranon një djalë me emrin Pol. Të jesh i sigurt se në të shumtën e rasteve këto ndjenja janë normale.
Megjithatë, të durosh gjithmonë të tjerët që tallen e të ngacmojnë pse nuk ke bërë akoma seks, është shumë e sikletshme. Për shembull, si do të ndiheshe nëse shokët të thonë se nuk je burrë ose grua e vërtetë po s’pate bërë seks? «Moshatarët të flasin për seksin sikur është gjëja më e bukur dhe më normale në botë,—thotë Eli.—Nëse nuk ke shkuar me disa, të shohin shtrembër.»
Megjithatë, shokët lënë pa përmendur një anë tjetër të seksit para martese. Për shembull, Mariola, e cila kreu marrëdhënie me të dashurin, kujton: «Më pas, më vinte turp dhe ndihesha në siklet. E urreja veten dhe të dashurin.» Kështu ndodh shpesh, ndonëse shumë të rinj e kanë të vështirë ta kuptojnë. Të jemi realistë, marrëdhëniet para martese në të shumtën e rasteve sjellin dhembje emocionale me pasoja të hidhura.
Megjithatë, një vajzë me emrin Shanda pyet: «Pse Perëndia u ka dhënë të rinjve dëshira seksuale kur e di që duhet të presin derisa të martohen?» Kjo është një pyetje me vend. Megjithatë, le të shohim më poshtë:
A janë impulset seksuale të vetmet ndjenja të forta që ke? Jo. Perëndia Jehova të ka krijuar me aftësinë për të provuar emocione dhe dëshira të llojllojshme.
A duhet të ndjekësh çdo impuls që në çastin që nxjerr kokë? Jo, sepse Perëndia të ka krijuar me aftësinë për t’u vetëpërmbajtur.
Atëherë, çfarë mësimi del nga kjo? Dëshirat lindin, këtë s’e pengon dot, por mund të kontrollosh reagimin tënd ndaj tyre. Në të vërtetë, të ndjekësh çdo impuls seksual, është po aq e gabuar dhe e marrë sa të godasësh dikë sa herë të hipin nervat.
Ç’është e vërteta, kur na krijoi, Perëndia nuk kishte si qëllim që t’i keqpërdornim organet e riprodhimit. Bibla thotë: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën [trupin] e vet në shenjtëri dhe në nder.» (1 Selanikasve 4:4) Siç ka «një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer», ka edhe një kohë për të ndjekur impulset seksuale dhe një kohë për t’u vënë fre. (Eklisiastiu 3:1-8) Në fund të fundit, dëshirat i ke në dorë vetë.
Por, ç’mund të bësh nëse dikush të ngacmon me një ton mosbesues: «Mos më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Mos u vër në siklet. Atij që ka qejf të tallet me ty, mund t’i thuash: «Jo, dhe s’e kam problem fare.» Ose mund t’i thuash: «Kjo është punë për mua. S’besoj se të intereson.»a (Proverbat 26:4; Kolosianëve 4:6) Por, nëse mendon se ai që të pyet meriton të dijë më shumë, mund t’i shpjegosh qëndrimin tënd të bazuar në Bibël.
A të vijnë në mendje përgjigje të tjera nëse të tallin: «Mos më thuaj që s’ke bërë akoma seks?!» Nëse po, shkruaji.
․․․․․
Një dhuratë e çmuar
Si ndihet Perëndia kur dy njerëz të pamartuar vendosin të kenë marrëdhënie? Ta zëmë se i ke blerë një dhuratë një shoku. Por, nga kureshtja, ai e hap para se t’ia japësh. A s’do të mërziteshe? Kjo të tregon si do të ndihej Perëndia nëse kryen marrëdhënie para martese. Ai do që të presësh derisa të martohesh që të zbulosh e të kënaqesh me dhuratën e marrëdhënieve seksuale.—Zanafilla 1:28.
Çfarë duhet të bësh në lidhje me dëshirat e tua seksuale? Thjesht, mëso t’i kontrollosh. Nuk të mungon forca për t’ia dalë mbanë. Kërkoji ndihmë Jehovait. Fryma e tij mund të të ndihmojë të kesh më shumë vetëkontroll. (Galatasve 5:22, 23) Kujtoji gjithmonë vetes se Jehovai «nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujtdo që ecën në mënyrë të patëmetë». (Psalmi 84:11) Një djalë me emrin Gordon thotë: «Kur nis të mendoj se seksi para martese nuk është edhe aq keq, kujtoj pasojat e këqija frymore dhe e kuptoj se nuk ia vlen të humbasësh miqësinë me Jehovain për asnjë lloj mëkati.»
Virgjëria nuk është një gjendje e çuditshme, as jonormale. Përkundrazi, imoraliteti seksual është degjenerues, poshtërues dhe i dëmshëm. Prandaj, mos lejo që idetë e shtrembëruara të botës të të bëjnë të mendosh se je anormal nëse ndjek normat e Biblës. Duke ruajtur virgjërinë, ruan shëndetin fizik dhe emocional, por mbi të gjitha ruan miqësinë me Perëndinë.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 23
[Shënimi]
a Është rasti të përmendim se Jezui heshti dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të Herodit. (Luka 23:8, 9) Shpesh, heshtja është një mënyrë e mirë për të manovruar kur të bëjnë pyetje pa vend.
SHKRIMI KYÇ
«Nëse dikush . . . ka vendosur në zemër të ruajë virgjërinë, do të bëjë mirë.»—1 Korintasve 7:37.
KËSHILLË
Mos u shoqëro me ata që s’kanë norma të forta morale, edhe nëse thonë se kanë të njëjtin besim me ty.
A E DIJE . . . ?
Ata që shkojnë si bleta lule më lule, zakonisht nuk e lënë këtë vese dhe pas martese. Kurse ata që janë besnikë ndaj normave morale të Perëndisë që para se të martohen, zakonisht janë më besnikë ndaj bashkëshortit edhe pas martese.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse dua të ruaj virgjërinë derisa të martohem, duhet të ․․․․․
Nëse të tjerët ma bëjnë të vështirë t’i përmbahem këtij vendimi, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Sipas teje, pse disa tallen me ata që janë ende të virgjër?
● Pse mund të jetë e vështirë të ruash virgjërinë?
● Cilat janë dobitë që do të kesh po ta ruash virgjërinë derisa të martohesh?
● Si do t’ia shpjegoje vëllait ose motrës më të vogël dobitë që ka ruajtja e virgjërisë?
[Diçitura në faqen 51]
«Kur kujtoj se ‘asnjë kurvar a i ndyrë nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Perëndisë’ e kam më të lehtë t’u rezistoj tundimeve seksuale.» (Efesianëve 5:5)—Lidia
[Kutia në faqen 49]
Fletë pune
Çfarë ndodh në të vërtetë më pas?
Shokët dhe ato që sheh në TV shpesh e maskojnë me zgjuarsi realitetin e pakëndshëm të seksit para martese. Hidhu një sy tri situatave të mëposhtme. Si mendon, çfarë ndodh në të vërtetë më pas?
● Një shok klase mburret se ka shkuar me shumë vajza. Ai thotë se është qejf; askush s’lëndohet. Çfarë ndodh në të vërtetë më pas me të dhe me vajzat? ․․․․․
● Një film mbaron me dy të rinj të pamartuar që i shprehin dashurinë njëri-tjetrit duke bërë seks. Mirëpo çfarë ndodh në jetën reale? ․․․․․
● Një djalë simpatik të propozon të shkosh me të në shtrat. Ai thotë se s’do ta marrë vesh askush. Nëse dorëzohesh dhe mundohesh ta mbash të fshehtë, çfarë do të ndodhë në të vërtetë më pas? ․․․․․
[Figura në faqen 54]
Seksi para martese është si të hapësh një dhuratë para se të ta japin
-
-
S’i t’i rezistoj presionit të shoqërisë?Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
-
-
KAPITULLI 15
S’i t’i rezistoj presionit të shoqërisë?
«Në shkollë gjendesh para shumë tundimeve: duhani, droga, seksi. E di se ato që kërkojnë shokët janë budallallëqe, por vjen një pikë kur mendon se s’mund të tregohesh zemërpulë.»—Eva.
DËSHIRA që të jesh i pranuar nga të tjerët është krejt normale dhe presioni i shokëve përfiton nga kjo. Për shembull, nëse je rritur si i krishterë, e ke të qartë se seksi para martese dhe abuzimi me alkoolin janë gjëra të gabuara. (Galatasve 5:19-21) Megjithatë, shumë nga shokët të nxitin të bësh si ata. Kjo nuk vjen ngaqë kanë menduar mirë për këto gjëra dhe kanë vendosur ç’do të bëjnë, pasi në përgjithësi, edhe ata vetë ndikohen nga të tjerët. Duan që të tjerët t’i pranojnë, ndaj i lejojnë që t’u modelojnë bindjet. A bën edhe ti kështu? Apo, ke guximin t’i mbrosh bindjet e tua?
Vëllai i Moisiut, Aaroni, të paktën një herë u dorëzua para presionit të të tjerëve. Kur e pa veten të rrethuar nga izraelitët që i kërkonin t’u bënte një perëndi, ai u dorëzua. (Dalja 32:1-4) Merre me mend, Aaroni ishte ai që doli ballë për ballë faraonit dhe i shpalli me guxim mesazhin e Perëndisë. (Dalja 7:1, 2, 16) Mirëpo, kur vëllezërit e tij izraelitë i bënë presion, ai s’pati forcë të kundërshtonte. Me sa duket, e pati më të lehtë t’i bënte ballë mbretit të Egjiptit, sesa presionit të bashkëkombësve të tij!
A të duket edhe ty e vështirë t’i bësh ballë presionit të shokëve për të shkelur atë që është e drejtë? A do të doje t’i rezistoje presionit të tyre pa u dukur i trembur dhe i tensionuar? Mund ta bësh. Çelësi është të parashikosh situatën dhe të vendosësh që më përpara si do të përgjigjesh. Për këtë do të të ndihmojnë katër hapat e mëposhtëm.
1. Parashiko. (Proverbat 22:3) Shpesh, mund ta nuhasësh një problem. Për shembull, sheh disa shokë klase që po vijnë drejt teje me cigare në dorë. Sa mundësi ka që të të zgjatin një? Kur e parashikon problemin, je i përgatitur për ta shmangur ose për ta përballuar.
2. Mendo. (Hebrenjve 5:14) Pyet veten: «Si do të ndihem më pas, nëse bëj si të tjerët?» Është e vërtetë se për pak kohë shokët do të të kenë me sy të mirë. Por, si do të ndihesh më vonë kur të jesh me prindërit ose me të krishterët e tjerë? A ia vlen të sakrifikosh emrin e mirë para Perëndisë për t’u bërë qejfin shokëve?
3. Vendos. (Ligji i përtërirë 30:19) Herët a vonë, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të zgjedhin nëse duan të jenë besnikë dhe të korrin bekime apo të mos jenë dhe të korrin pasoja të hidhura. Burra si Jozefi, Jobi dhe Jezui bënë zgjedhjen e duhur, kurse Kaini, Esau dhe Juda bënë të kundërtën. Tani e ke radhën ti. Çfarë do të bësh?
4. Vepro. Mbase mendon se kjo është më e vështira. Por në të vërtetë nuk është. Nëse ke menduar për pasojat dhe e ke vendosur ç’do të bësh, s’e merr dot me mend sa e lehtë është të shprehësh qëndrimin tënd. Kjo sjell vërtet dobi. (Proverbat 15:23) Mos u vër në siklet, kjo s’do të thotë se duhet t’u mbash shokëve leksion nga Bibla. Mjafton një jo e vendosur. Ose, që ta bësh të qartë qëndrimin tënd të pakthyeshëm, mund të thuash:
«Mua mos më llogarit!»
«S’merrem me këto gjëra!»
«Akoma s’më ke njohur?!»
E rëndësishme është të përgjigjesh aty për aty e me bindje, dhe do të habitesh sa shpejt do të tërhiqen! Po nëse të tallin? Po sikur të thonë: «S’ta mban, ë?!» Këtë lloj talljeje, merre për atë që është—presion nga shokët dhe kaq. Si të përgjigjesh? Ke të paktën tri mundësi.
● Mund ta pranosh. («Po, ashtu është, s’ma mban.» Pastaj trego shkurtimisht arsyen.)
● Mund të shmangesh me lezet duke shprehur qëndrimin tënd pa debatuar.
● Mund ta vësh edhe ti nën presion. Trego arsyen pse nuk pranon dhe pastaj bëje t’i thërrasë mendjes. («Të dija më të zgjuar!»)
Nëse shokët vazhdojnë të të tallin, largohu! Sa më shumë të rrish, aq më i madh do të bëhet presioni. Edhe nëse të duhet të largohesh, mos harro: situatën e kishe në dorë ti. Ishe ti që nuk i lejove shokët të të futnin në kallëpin e tyre.
Disa mund të të vënë në lojë e të thonë se s’po mendon për veten. Por, faktikisht po e bën! Jehovai do që ta vërtetosh vetë se është më mirë të bësh vullnetin e tij. (Romakëve 12:2) Ndaj, pse të jesh kukull në duart e shokëve? (Romakëve 6:16) Mbroje atë që e di se është e drejtë!
Kuptohet që s’i fshihesh dot presionit të shokëve. Por ti e ke të qartë çfarë do, ndaj shprehe qëndrimin tënd dhe merre situatën në dorë. Në fund, zgjedhja të përket ty.—Josiu 24:15.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 9
A bën një jetë të dyfishtë? A do të ishte katastrofë po ta merrnin vesh prindërit?
SHKRIMI KYÇ
«Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20.
KËSHILLË
Që të kesh më shumë guxim, lexo nëpër botime përvojat e shërbëtorëve të Jehovait në ditët e sotme, që i kanë rezistuar presionit dhe kanë bërë atë që është e drejtë.
A E DIJE . . . ?
Një vit pas shkollës, vetëm me pak nga shokët e klasës do të mbash njëfarë lidhjeje. Shumica mbase s’do të të kujtojnë as emrin. Kurse familja dhe, mbi të gjitha, Perëndia Jehova do të interesohen gjithmonë për ty.—Psalmi 37:23-25.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Mund të përgatitem t’i rezistoj presionit të shokëve duke ․․․․․
Nëse shokët më bëjnë presion të bëj ndonjë gjë të gabuar, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Në cilat situata mund të jenë të dobishëm për ty katër hapat e renditur në këtë kapitull?
● Çfarë mund të ndodhë nëse dorëzohesh para presionit të shokëve?
● Cilat janë disa mënyra se si mund t’i rezistosh presionit të shokëve?
[Diçitura në faqen 131]
«Shumë nga shokët e shkollës e dinë që jam Dëshmitar dhe më respektojnë. Nëse duan të flasin për gjëra të pista, më thonë: ‘Mikel, kemi ca muhabete, ndaj nëse ke për të ikur, ik.’»—Mikeli
[Tabela në faqet 132, 133]
Fletë pune
Kur shokët të bëjnë presion
Shembull
1 Parashiko
Për çfarë më tundojnë? Për të pirë duhan.
Ku mund të gjendem para këtij tundimi? Në korridorin e shkollës.
2 Mendo
Çfarë do të ndodhë nëse dorëzohem?
Do t’i sjell pakënaqësi Jehovait dhe prindërve. Do të më brejë ndërgjegjja. Do ta kem më të vështirë të them jo herë tjetër.
Çfarë do të ndodhë nëse rezistoj?
Mund të më tallin ose të më vënë nofka. Disa nga shokët mund të më bëjnë bisht. Por do të gëzoj Jehovain dhe do të bëhem më i fortë si njeri.
3 Vendos
Nëse dorëzohem, është sepse
nuk jam përgatitur mirë për t’i rezistuar presionit të shokëve. Për mua ka më shumë rëndësi pëlqimi i shokëve se pëlqimi i Jehovait.
Do të rezistoj sepse
e di që nuk i pëlqen Jehovait dhe se dëmton shëndetin.
4 Vepro
Do të
them jo dhe do të largohem.
Talljet e shokëve
Nëse një shok thotë: «S’bëhet gjë për një cigare. Apo s’ta mban?»
Mund t’i përgjigjem presionit të shokut
Duke e pranuar
«Ashtu është. Me duhanin s’ma mban. S’dua të më bëhet ndonjë kancer në mushkëri.»
Duke e shmangur me lezet
«Mos e ço dëm cigaren me mua.»
Duke e kundërshtuar
«Faleminderit, por nuk e pi. Të dija më të zgjuar.»
VËR RE: Largohu sa më shpejt, nëse shokët vazhdojnë të të bëjnë presion. Sa më shumë të rrish, aq më shumë rrezikon të dorëzohesh para presionit. Tani mbush fletën tënde në faqen tjetër.
Kur shokët të bëjnë presion
Kopja ime!
1 Parashiko
Për çfarë më tundojnë?
Ku mund të gjendem para këtij tundimi?
2 Mendo
Çfarë do të ndodhë nëse dorëzohem?
․․․․․
Çfarë do të ndodhë nëse rezistoj?
․․․․․
3 Vendos
Nëse dorëzohem, është sepse . . .
․․․․․
Do të rezistoj sepse . . .
․․․․․
4 Vepro
․․․․․
Do të . . .
․․․․․
Talljet e shokëve
Nëse një shok thotë: ․․․․․
Mund t’i përgjigjem presionit të shokut
Duke e pranuar
․․․․․
Duke e shmangur me lezet
․․․․․
Duke e kundërshtuar
․․․․․
Praktikoji përgjigjet me njërin nga prindërit ose me një shok të pjekur.
[Figura në faqen 135]
Nëse dorëzohesh para presionit të shokëve, bëhesh kukull në duart e tyre
-