BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Si ta largoj trishtimin?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
    • KAPITULLI 13

      Si ta largoj trishtimin?

      «Sa herë miqtë e mi kanë probleme, unë jam pranë tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i bërë që të ndihen më mirë. Por pastaj—dhe kjo është pjesa që nuk e sheh njeri—shkoj në shtëpi, mbyllem në dhomë dhe ia plas të qarit.»​—Kela.

      «Kur ndihem përtokë, veçohem nga të tjerët. Nëse më ftojnë diku, nxjerr ndonjë justifikim për të mos shkuar. Jam «ekspert» për t’ia fshehur familjes trishtimin tim. Ata mendojnë se jam shumë mirë.»​—Riku.

      A JE ndier ndonjëherë si Kela ose Riku? Nëse po, mos u nxito për të nxjerrë përfundimin se ka diçka që nuk shkon te ti. Ç’është e vërteta, çdokënd e kap trishtimi herë pas here. Kjo u ndodhte edhe grave e burrave besnikë që përmenden në Bibël.​—1 Samuelit 1:6-8; Psalmi 35:14.

      Në disa raste, ndoshta e kupton përse je i trishtuar, kurse në raste të tjera jo. «Nuk është e thënë të kesh ndonjë problem të madh që të trishtohesh,—thotë Ana 19-vjeçare.—Mund të ndodhë në çdo kohë, edhe nëse nuk ke asnjë problem. Është e çuditshme, por ndodh.»

      Pavarësisht nga arsyeja ose edhe nëse duket se nuk ka arsye, ç’mund të bësh kur trishtimi të mbërthen me kthetrat e tij? Provo sugjerimet e mëposhtme:

      1. Fol me dikë. Ndërsa kalonte vështirësi të mëdha, Jobi tha: «Do të flas në vrerin e shpirtit tim.»​—Jobi 10:1.

      Kela: «Lehtësimi që ndiej pasi kam folur me dikë, është i mahnitshëm. Tani dikush e di çfarë po kaloj. Kështu që mund të më hedhë litarin, të më nxjerrë nga pusi ku kam rënë e më në fund të më shpëtojë.»

      Sugjerim: Poshtë shkruaj emrin e një shoku me të cilin mund të hapesh kur të pushton trishtimi.

      ․․․․․

      2. Shkruaj si ndihesh. Kur trishtimi të mjegullon pikëpamjen për jetën, ndoshta dëshiron t’i hedhësh mendimet e tua në letër. Në psalmet e frymëzuara, Davidi ndonjëherë shprehte trishtimin e thellë. (Psalmi 6:6) Shprehja e ndjenjave me shkrim, të ndihmon ‘të ruash mençurinë dhe aftësinë për të menduar’.​—Proverbat 3:21.

      Edra: «Ndërsa shkruaj, arrij të organizoj rrëmujën që më është mbledhur në kokë nga trishtimi. Kur i shpreh ndjenjat dhe kupton pse ndihesh ashtu, trishtimi lehtësohet.»

      Sugjerim: Përdor tabelën në faqen 93 për të kuptuar si është më mirë të reagosh në situata sprovuese. Kjo do të ta lehtësojë trishtimin.

      3. Lutu. Bibla thotë se, nëse lutesh për atë që të shqetëson, ‘paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’.​—Filipianëve 4:6, 7.

      Estera: «Po përpiqesha të kuptoja pse ndihesha aq keq, por ishte e pamundur. I kërkova Jehovait të më ndihmonte të isha e lumtur. Isha shumë e lodhur që trishtohesha edhe kur nuk kisha arsye. Më në fund gjeta forcën ta mposhtja trishtimin. Mos e nënvlerëso kurrë forcën e lutjes!»

      Sugjerim: Përdor Psalmin 139:23, 24 si model për lutjet që i bën Jehovait. Hapja zemrën dhe kërkoji të të ndihmojë që të gjesh se cila është arsyeja e trishtimit tënd.

      Përveç sugjerimeve të mësipërme, Fjala e Perëndisë, Bibla, mund të jetë një ndihmë me vlerë. Kur e mbush mendjen me mendime inkurajuese nga tregimet biblike, kjo mund të ndikojë për mirë në ndjenjat e tua. (Psalmi 1:1-3) Gjithashtu, për të gjetur më shumë mendime inkurajuese nga Bibla, mund të shqyrtosh pjesët me titull «Ja një model» në secilin nga vëllimet e këtij libri. Në faqen 227 të vëllimit 2, do të shohësh edhe se si apostulli Pavël i përballoi me sukses ndjenjat negative që kishte ndonjëherë për shkak të papërsosmërisë.

      Kur trishtimi nuk largohet

      «Disa herë në mëngjes,—thotë Rajani,—më duket sikur e kam më të lehtë të mos dal nga krevati, sesa të jetoj një ditë tjetër pa pikë qëllimi.» Rajani vuan nga depresioni dhe nuk është i vetmi. Studimet tregojnë se rreth 1 në 4 të rinj vuajnë nga ndonjë lloj depresioni gjatë rritjes.

      Si mund të kuptosh nëse vuan nga depresioni? Disa shenja janë: ndryshim i theksuar në humor dhe në sjellje, veçim nga shoqëria, rënie interesi pothuajse për çdo gjë, ndryshim i madh në zakonet e të ngrënit e të fjeturit dhe ndjenja të theksuara pavlefshmërie ose ndjenja të pajustifikueshme faji.

      Sigurisht, thuajse të gjithë mund të kenë ndonjëherë një ose disa nga këto simptoma. Por nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se dy javë, pse të mos flasësh me prindërit për t’u vizituar te një mjek? Mjeku mund të të ndihmojë të kuptosh nëse trishtimi yt ka një shkak mjekësor.a

      Nëse vuan nga depresioni, nuk ka asgjë për të të ardhur turp. Me mjekime, shumë janë bërë më mirë​—ndoshta më mirë se ç’ishin ndier prej kohësh. Pavarësisht nëse trishtimi yt vjen nga depresioni ose jo, mos harro fjalët ngushëlluese të Psalmit 34:18: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»

      NË KAPITULLIN TJETËR:

      Po sikur trishtimi të jetë aq i fortë sa të kesh menduar t’i japësh fund jetës?

      [Shënimi]

      a Kur trishtimi zgjat, disa të rinj mendojnë t’i japin fund jetës. Nëse edhe ti ke menduar për një gjë të tillë, fol pa vonuar me një të rritur tek i cili ke besim.​—Për më shumë informacion, shih kapitullin 14 të këtij libri.

      SHKRIMI KYÇ

      «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»​—Psalmi 34:18.

      KËSHILLË

      Kur je i trishtuar, përshkruaj si ndihesh dhe pse mendon se je i trishtuar. Një muaj më vonë, lexoje atë që shkrove. A ndihesh më mirë në lidhje me atë problem? Nëse po, shkruaj se çfarë të ndihmoi.

      A E DIJE . . . ?

      S’ka asgjë të keqe të qash, edhe nëse je djalë. Në një moment të jetës së tij, mbreti David pranoi: «Gjithë natën e njom shtratin tim dhe e laj me lot krevatin tim.»​—Psalmi 6:6.

      HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

      Për të ngritur humorin, mund të përfshihem në aktivitetet e mëposhtme: ․․․․․

      Shoqërimi me këta miq do të më ndihmojë të lehtësoj trishtimin: ․․․․․

      Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

      ÇFARË MENDON?

      ● A të ndihmon e qara?

      ● Si të ndihmon shoqërimi me të tjerë që të kapërcesh trishtimin?

      [Diçitura në faqen 96]

      «Kur jam e trishtuar, nuk duhet të veçohem nga të tjerët. Vërtet mund të kem nevojë të rri vetëm që të qartësoj idetë dhe ndoshta t’i fus një të qarë të mirë. Por, pas kësaj, e di se është më mirë të shoqërohem me të tjerë që të heq mendjen nga ajo që më trishtonte.»​—Kristina

      [Tabela dhe figurat në faqen 93]

      Fletë pune

      Si ta lehtësosh trishtimin?

      Plotëso tabelën

      Situata

      Një mësues(e) më bën të ndihem i/​e pavlerë

      Reagimi i gabuar

      Nuk përpiqem më të mësoj në lëndën e tij/​e saj

      Reagimi i duhur

      Sugjerim: Shih kapitullin 20 të këtij libri

      Situata

      Një shok/​shoqe nuk ma var fare

      Reagimi i gabuar

      Përhap thashetheme për të

      Reagimi i duhur

      Sugjerim: Shih kapitullin 10 në vëllimin 2

      Situata

      Prindërit po divorcohen

      Reagimi i gabuar

      Mbaj mëri ndaj njërit ose ndaj të dy prindërve

      Reagimi i duhur

      Sugjerim: Shih kapitullin 4 të këtij libri

      Situata

      ․․․․․

      Reagimi i gabuar

      ․․․․․

      Reagimi i duhur

      ․․․․․

      Situata

      ․․․․․

      Reagimi i gabuar

      ․․․․․

      Reagimi i duhur

      ․․․․․

      [Figura në faqen 95]

      Me ndihmë e përpjekje, mund të dalësh nga pusi i thellë i trishtimit

  • Pse të mos i jap fund?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
    • KAPITULLI 14

      Pse të mos i jap fund?

      «PËR mua është më mirë të vdes se të rroj.» Kush i tha këto fjalë? A ishte dikush që nuk besonte te Perëndia? Dikush që e kishte braktisur Perëndinë? Apo dikush që Perëndia e kishte braktisur? Jo, asnjëri prej këtyre. Ai që u shpreh kështu ishte Jonai, një njeri i përkushtuar ndaj Perëndisë, por që ishte i turbulluar.​—Jonai 4:3

      Bibla nuk thotë se Jonai kishte ndër mend t’i jepte fund jetës. Megjithatë, përgjërimi i tij i dëshpëruar zbulon një fakt të rëndësishëm: ndonjëherë, edhe një shërbëtor të Perëndisë mund ta mbytë dëshpërimi.​—Psalmi 34:19.

      Disa të rinj dëshpërohen kaq shumë, sa nuk gjejnë arsye për të jetuar. Mund të ndihen si Laura 16-vjeçare, e cila thotë: «Prej vitesh kam kaluar herë pas here periudha depresioni. Shpesh më shkon ndër mend të vras veten.» Çfarë mund të bësh nëse njeh dikë që ka thënë se do t’i japë fund jetës ose nëse edhe ti vetë e ke menduar një gjë të tillë? Le të shqyrtojmë përse mund të vijë një mendim i tillë.

      Çfarë qëndron pas dëshpërimit?

      Pse dikush mund të mendojë t’i japë fund jetës? Mund të jenë disa arsye. Një nga arsyet është se jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe shumë adoleshentë janë tejet të ndjeshëm ndaj presioneve të jetës. (2 Timoteut 3:1) Përveç kësaj, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, disa mund të bluajnë mendime shumë negative për veten dhe për botën që i rrethon. (Romakëve 7:22-24) Disa herë kjo vjen për shkak të keqtrajtimit. Në raste të tjera, arsyeja mund të jetë ndonjë problem shëndetësor. Vlen të përmendet se në një vend, sipas llogaritjeve, më tepër se 90 për qind e atyre që i dhanë fund jetës, vuanin nga ndonjë lloj sëmundjeje mendore.a

      Natyrisht, askush nuk është i paprekshëm nga problemet. Në fakt, Bibla thotë se «e gjithë krijesa​—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku». (Romakëve 8:22) Këtu përfshihen edhe të rinjtë. Faktikisht, të rinjtë mund të ndikohen shumë nga situata të vështira, si këto më poshtë:

      ● Vdekja e një të afërmi a një shoku, ose ngordhja e një kafshe shtëpiake

      ● Mosmarrëveshjet familjare

      ● Dështimet në shkollë

      ● Prishja e një lidhjeje romantike

      ● Keqtrajtimet (përfshirë abuzimet fizike ose seksuale)

      Sigurisht, herët a vonë pothuajse të gjithë të rinjtë do të kalojnë një ose disa nga situatat e renditura më sipër. Pse disa janë në gjendje t’i durojnë vështirësitë më mirë se të tjerët? Specialistët thonë se të rinjtë që priren të dorëzohen në këtë betejë, mendojnë se askush nuk mund t’i ndihmojë dhe se nuk kanë asnjë rrugëdalje. Me fjalë të tjera, këta të rinj nuk shohin asnjë shpresë në horizont. Në të vërtetë, ata nuk duan të vdesin, por duan t’i japin fund dhembjes.

      Vërtet s’ka rrugëdalje?

      Ndoshta njeh ndonjë që do kaq shumë t’i japë fund dhembjes, saqë thotë se dëshiron t’i japë fund jetës. Çfarë mund të bësh në këtë rast?

      Në qoftë se një miku yt është aq i dëshpëruar, saqë dëshiron të vdesë, bëj çmos ta bindësh të kërkojë ndihmë. Më pas, fol me një të rritur të pjekur, do apo s’do miku yt. Mos ki frikë se mos prish miqësinë me të. Duke vepruar kështu, mund t’i shpëtosh jetën.

      Po nëse ti vetë ke menduar t’i japësh fund gjithçkaje? Mos u mbyll në vetvete. Fol me dikë​—me një prind, mik ose me dikë që të ka për zemër, që do të të dëgjojë dhe do t’i marrë seriozisht fjalët e tua. Duke folur për problemet e tua, nuk do të humbësh asgjë, por vetëm do të fitosh.b

      Kuptohet, problemet nuk do të zhduken vetëm duke folur për to. Por, mbështetja e një miku të besueshëm mund të jetë pikërisht ajo që të duhet për t’i parë gjërat me ekuilibër. Madje mund të të ndihmojë të gjesh zgjidhje praktike.

      Gjërat ndryshojnë

      Kur kalon një periudhë të keqe, kujto këtë: sado e pashpresë të duket një situatë, me kalimin e kohës gjërat do të ndryshojnë. Psalmisti David, i cili kishte kaluar shumë vështirësi, në një moment të jetës së tij i tha Perëndisë në lutje: «Ti ma ke kthyer zinë në valle.»​—Psalmi 30:11.

      Sigurisht Davidi nuk priste që ta kishte valle gjithë jetën. E dinte nga përvoja se problemet shkojnë e vijnë. A e ke vënë re këtë me problemet e tua? Disa mund të duken të papërballueshme, të paktën për momentin. Por ki durim! Gjërat ndryshojnë, madje shpesh për mirë. Në disa raste problemet mund të lehtësohen në mënyra që nuk mund t’i kishe parashikuar. Në raste të tjera mund të zbulosh një mënyrë për t’i përballuar, një mënyrë që nuk e kishe menduar. Ajo që duhet theksuar, është: problemet dëshpëruese nuk do të mbeten njësoj përgjithnjë.​—2 Korintasve 4:17.

      Vlera e lutjes

      Forma më e rëndësishme e komunikimit që mund të kesh, është lutja. Mund të lutesh si Davidi: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më drejto për në udhën e përjetësisë.»​—Psalmi 139:23, 24.

      Lutja nuk është thjesht ndihmë psikologjike. Ajo është një komunikim i vërtetë me Atin tënd qiellor, i cili do që ‘t’i zbrazësh zemrën’. (Psalmi 62:8) Shqyrto këto të vërteta themelore për Perëndinë:

      ● Ai i njeh mirë rrethanat që të sjellin dëshpërim.​—Psalmi 103:14.

      ● Ai të njeh më mirë sesa e njeh ti veten.​—1 Gjonit 3:20.

      ● «Ai interesohet për [ty].»​—1 Pjetrit 5:7.

      ● Në botën e tij të re, Perëndia «do të fshijë çdo lot» nga sytë e tu.​—Zbulesa 21:4.

      Kur problemi ka lidhje me një sëmundje

      Siç u tha më sipër, mendimet për vetëvrasje shpesh vijnë për shkak të ndonjë sëmundjeje. Nëse është kështu në rastin tënd, mos ki turp të kërkosh ndihmë. Vetë Jezui tha se ata që janë të sëmurë, kanë nevojë për mjek. (Mateu 9:12) E mira është se shumë probleme shëndetësore mund të kurohen. Dhe trajtimi mjekësor mund të të ndihmojë të ndihesh shumë më mirë.c

      Bibla na bën një premtim mjaft ngushëllues: në botën e re të Perëndisë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Perëndia thotë se në atë kohë «gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër». (Isaia 65:17) Ndërkohë, bëj gjithçka mundesh për të përballuar vështirësitë e jetës, me besim se në kohën e duhur sipas Perëndisë, depresioni do t’i përkasë vetëm së kaluarës.​—Zbulesa 21:1-4.

      LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 9

      NË KAPITULLIN TJETËR:

      Prindërit duan të dinë gjithçka për jetën tënde, madje edhe disa gjëra që do të doje të mos i dinin fare. A mund ta fitosh luftën për privacitet?

      [Shënimet]

      a Megjithatë, është e rëndësishme të themi se shumica e të rinjve që vuajnë nga një sëmundje mendore, nuk kryejnë vetëvrasje.

      b Të krishterët që janë të dëshpëruar, kanë edhe një ndihmë tjetër​—pleqtë e kongregacionit.​—Jakovi 5:14,15.

      c Për më shumë informacion, shih kapitullin 13 të këtij libri.

      SHKRIMI KYÇ

      «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja . . . Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.»​—Filipianëve 4:6, 7.

      KËSHILLË

      Kur ndihesh përtokë, dil për një ecje të shpejtë. Shëtitja dhe fizkultura të sjellin një ndjenjë qetësie dhe të bëjnë të ndihesh më mirë.

      A E DIJE . . . ?

      Viktima të një vetëvrasjeje nuk janë vetëm ata që vrasin veten, por edhe të afërmit e tyre.

      HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

      Nëse ndihem i pavlerë dhe mendoj që nuk më duan, do të hapem me (vër emrin e dikujt tek i cili ke besim) ․․․․․

      Një nga bekimet e mia për të cilin mund të meditoj e të jem mirënjohës, është ․․․․․

      Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

      ÇFARË MENDON?

      ● Edhe problemet e rënda janë veçse të përkohshme. Si të ndihmon arsyetimi rreth këtij fakti?

      ● Në ç’mënyrë një vetëvrasje ia kalon dikujt tjetër problemet e një personi?

      [Diçitura në faqen 104]

      «Ndonjëherë rëndohesha kaq shumë nga depresioni, saqë doja vetëm të vdisja. Por tani mund të bëj një jetë normale falë lutjeve të vazhdueshme dhe trajtimit mjekësor.»​—Hajdi

      [Kutia në faqen 100]

      Nëse ndihesh i mbytur nga ankthi

      Edhe disa gra e burra besnikë të përmendur në Bibël, ndonjëherë u ndien të mbytur nga ankthet e jetës. Ja si u shprehën disa prej tyre.

      Rebeka: «Nëse më duhet të vuaj kështu, atëherë kot që të rroj!»​—Zanafilla 25:22.

      Moisiu: «Të lutem më vra fare, . . . e mos më lër të shoh të zezën time.»​—Numrat 11:15.

      Elija: «O Jehova, . . . merrma shpirtin, sepse unë nuk jam më i mirë se paraardhësit e mi.»​—1 Mbretërve 19:4.

      Jobi: «Ah sikur të më fshihje në Sheol! . . . Të vije një afat e të më kujtoje!»​—Jobi 14:13.

      Në secilin prej rasteve të mësipërm, situata ndryshoi për mirë, madje në një mënyrë që ata nuk mund ta kishin parashikuar. Të jesh i sigurt se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ty!

      [Figura në faqen 102]

      Ndjenjat e dëshpërimit janë si re shtrëngate​—pas ca kohësh, do të largohen

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo