-
«Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë»Jehovai rivendos adhurimin e pastër!
-
-
KAPITULLI 19
«Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë»
NË KËTË KAPITULL: Si u përmbush në kohët e lashta vegimi për lumin që buron nga tempulli, si po përmbushet sot dhe si do të përmbushet në të ardhmen
1, 2. Sipas Ezekielit 47:1-12, çfarë pa dhe mësoi Ezekieli? (Shih figurën hapëse.)
EZEKIELI sheh sërish një mrekulli në vegimin për tempullin: një përrua që buron nga shenjtërorja. Imagjino Ezekielin teksa ndjek vijën e ujit që është i pastër si kristali. (Lexo Ezekielin 47:1-12.) Ajo buron nga pragu i shenjtërores si një rrëke e vogël dhe del nga kompleksi i tempullit afër portës lindore. Engjëlli e merr me vete Ezekielin dhe fillon të matë distancën ndërsa largohen nga tempulli. Ai i thotë vazhdimisht të kalojë nëpër ujë dhe profeti sheh se shpejt rrëkeja bëhet një përrua ose lumë i vrullshëm që nuk e kalon dot, sepse është kaq i thellë sa duhet të notosh.
2 Ezekieli mëson se lumi derdhet në Detin e Vdekur dhe ëmbëlson ujërat e tij. Kudo që rrjedh, gëlojnë krijesat e gjalla e ka peshq me bollëk. Në të dyja anët e përroit sheh që rriten lloj-lloj pemësh për ushqim. Çdo muaj japin fryte të reja që shërbejnë për ushqim, kurse gjethet për shërim. Pa dyshim, të gjitha këto duhet t’ia kenë mbushur zemrën Ezekielit me paqe e shpresë. Çfarë kuptimi kishte për të mërguarit judenj kjo pjesë e vegimit për tempullin? Po për ne sot?
Ç’kuptim kishte për të mërguarit lumi që pa Ezekieli në vegim?
3. Pse themi se të mërguarit nuk mendonin se lumi në vegimin e Ezekielit ishte i mirëfilltë?
3 Judenjtë e kohëve të lashta me siguri nuk mendonin se lumi në vegim ishte i mirëfilltë. Përkundrazi, ky përshkrim mund t’u ketë kujtuar një profeci tjetër për rivendosjen, të cilën profeti Joel e kishte shkruar ndoshta mbi dy shekuj më parë. (Lexo Joelin 3:18.) Pa dyshim, kur të mërguarit lexonin fjalët e frymëzuara të Joelit, nuk pritnin vërtet ‘të pikonte verë e ëmbël’ nga malet ose ‘të rridhte qumësht nga kodrat’. Madje nuk pritnin as që «nga shtëpia e Jehovait» të dilte një burim uji. Po njësoj, ata nuk mendonin se vegimi i profetit Ezekiel fliste për një lumë të mirëfilltë.a Pra, çfarë mesazhi po u përcillte Jehovai? Në fakt, Shkrimet na ndihmojnë të kuptojmë domethënien e disa detajeve nga vegimi. Por, në këtë kapitull do të përqendrohemi në 3 aspekte të vegimit, që na sigurojnë për dashurinë e Jehovait.
4. (a) Për ç’bekime mund të kenë menduar judenjtë kur dëgjuan për lumin në vegimin e Ezekielit? (b) Pse mënyra si përdoren në Bibël fjalët «lumë» dhe «ujë» na siguron se Jehovai do ta bekojë popullin e tij? (Shih kutinë «Lumenj bekimesh nga Jehovai».)
4 Një lumë bekimesh. Shpesh në Bibël, lumenjtë dhe ujërat përfaqësojnë bollëkun e bekimeve jetëdhënëse të Jehovait. Ezekieli pa në vegim një lumë që dilte nga tempulli. Prandaj, populli i Jehovait do të ketë kuptuar se, për sa kohë të përkrahnin adhurimin e pastër, këto bekime do të vërshonin. Për çfarë bekimesh po flasim? Jehovai do t’u jepte sërish udhëzime nëpërmjet priftërinjve. Gjithashtu, falë flijimeve që do të ofroheshin në tempull, populli kishte sigurinë se do t’u shlyheshin mëkatet. (Ezek. 44:15, 23; 45:17) Kështu do të ishin përsëri të pastër, sikur të ishin larë me ujërat e kulluara që rridhnin nga tempulli.
5. Pse jemi të sigurt se gjithmonë do të kishte mjaft bekime për të gjithë?
5 A do të kishte gjithmonë mjaft bekime për të gjithë? Vegimi na heq çdo merak: brenda 2 kilometrash ujërat zgjerohen në mënyrë të mrekullueshme, nga një rrëke në një përrua të vrullshëm. (Ezek. 47:3-5) Kur judenjtë të ktheheshin në vendlindje, populli do të shtohej, ama edhe bekimet e Jehovait do të shtoheshin, që të plotësonin nevojat e tyre. Pra, lumi simbolizonte bollëkun dhe begatinë.
6. (a) Ç’premtim sigurues përmbante vegimi? (b) Çfarë paralajmërimi kishte? (Shih edhe shënimin.)
6 Ujë jetëdhënës. Në vegimin e Ezekielit, lumi derdhej në Detin e Vdekur, duke gjallëruar pjesën e tij më të madhe. Vëreni se, pasi derdhet lumi, ky det mbushet me lloj-lloj peshqish si ata të Detit të Madh, ose Detit Mesdhe. Madje, në brigjet e Detit të Vdekur po lulëzonte industria e peshkimit midis 2 qytezave që ishin goxha larg njëra-tjetrës. Engjëlli tha: «Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë.» Por, a do të thoshte kjo se uji që doli nga shtëpia e Jehovait arriti në çdo cep të Detit të Vdekur? Jo. Engjëlli shpjegoi se ujërat jetëdhënëse nuk do të arrinin dot në disa moçale. Ato vende ‘mbetën të kripura’.b (Ezek. 47:8-11) Pra, vegimi përmbante një premtim që garantonte se adhurimi i pastër do ta gjallëronte popullin e do t’i sillte begati. Por kishte edhe një paralajmërim: jo të gjithë do të pranonin bekimet e Jehovait e jo të gjithë do të shëroheshin.
7. Çfarë garancie u jepnin judenjve të mërguar, pemët në anët e përroit?
7 Pemë për ushqim dhe për shërim. Çfarë të themi për pemët në anët e përroit? Përveçse zbukurojnë peizazhin, ato kanë edhe kuptim. Me siguri, Ezekieli dhe të mërguarit kënaqeshin kur mendonin për frutat e shijshme që do të prodhonin pemët. Çdo muaj do të jepnin fryte të reja. Kjo pamje tërheqëse i garantonte edhe një herë se Jehovai do t’u siguronte ushqim besimforcues. Vetëm kaq? Vëreni që gjethet e këtyre pemëve ‘do të shërbenin për shërim’. (Ezek. 47:12) Jehovai e dinte se, kur të mërguarit të ktheheshin, mbi të gjitha do të kishin nevojë të rifitonin miqësinë me të dhe pikërisht këtë u premtoi. Mënyra si e plotësoi Jehovai këtë premtim, tregohet në profeci të tjera për rivendosjen, siç e kemi parë edhe në kapitullin 9 të këtij libri.
8. Nga e kuptojmë se vegimi i Ezekielit do të kishte një përmbushje më të madhe?
8 Gjithsesi, siç e diskutuam në kapitullin 9, të mërguarit e rikthyer panë vetëm një përmbushje të pjesshme të këtyre profecive. Dhe ishte vetë populli që pengonte përmbushjen në një masë më të madhe. E si mund t’i bekonte plotësisht Jehovai kur vazhdimisht u ktheheshin zakoneve të këqija, nuk u bindeshin urdhërimeve të Tij dhe linin pas dore adhurimin e pastër? Judenjtë besnikë vuanin dhe zhgënjeheshin për shkak të sjelljes së bashkëkombësve. Prapëseprapë, adhuruesit besnikë të Jehovait e dinin se premtimet e tij s’ngelen asnjëherë pa u plotësuar. Ato dalin gjithmonë të vërteta. (Lexo Josiun 23:14.) Ndaj, vegimi i Ezekielit do të kishte një përmbushje më të madhe. Kur?
Ç’kuptim ka për ne sot lumi që pa Ezekieli në vegim?
9. Kur do të kishte një përmbushje më të madhe vegimi i Ezekielit për tempullin?
9 Siç e kemi parë në kapitullin 14 të këtij libri, vegimi i Ezekielit për tempullin do të kishte një përmbushje më të madhe «në ditët e fundit», në kohën kur adhurimi i pastër do të lartësohej si kurrë më parë. (Isa. 2:2) Si po plotësohet tani kjo pjesë e vegimit të Ezekielit?
10, 11. (a) Çfarë bekimesh na sjell ndër mend uji që buron nga shtëpia e Jehovait? (b) A kanë vërshuar mjaftueshëm bekimet e Jehovait me rritjen e numrit të shërbëtorëve të tij gjatë ditëve të fundit?
10 Një lumë bekimesh. Çfarë bekimesh na sjell ndër mend uji që buron nga shtëpia e Jehovait? Na kujton gjithë gjërat që na siguron Jehovai për dobinë tonë. Ç’është më e rëndësishmja na kujton fuqinë pastruese të flijimit shpërblyes të Krishtit, përmes të cilit na falen mëkatet. Edhe të vërtetat e kulluara të Fjalës së Perëndisë krahasohen me ujin jetëdhënës që na pastron. (Efes. 5:25-27) Si kanë vërshuar këto bekime në kohën tonë?
11 Në vitin 1919 kishte vetëm disa mijëra shërbëtorë të Jehovait dhe ata kënaqeshin me ushqimin besimforcues në kohën e duhur. Në dekadat vijuese numri i tyre rritej dita-ditës. Sot, populli i Perëndisë është mbi 8 milionë veta. A kanë vërshuar mjaftueshëm ujërat e kulluara të së vërtetës? Po. Ka pasur një bollëk ushqimi besimforcues. Në shekullin e kaluar janë botuar me miliarda Bibla, libra, revista, broshura dhe fletushka për popullin e Perëndisë. Njësoj si lumi që pa Ezekieli në vegim, të vërtetat e Biblës kanë vërshuar edhe më shumë për të plotësuar nevojën e gjithnjë e më tepër njerëzve për të njohur Perëndinë. Prej kohësh disponohen botime të shtypura të bazuara në Bibël. Tani, falë sitit jw.org, këto botime disponohen edhe në format elektronik në mbi 1.000 gjuhë. Si kanë ndikuar te njerëzit e sinqertë ujërat e së vërtetës?
12. (a) Si kanë ndikuar të vërtetat e Biblës te njerëzit? (b) Çfarë paralajmërimi përmban ky vegim për ne sot? (Shih edhe shënimin.)
12 Ujë jetëdhënës. Engjëlli i tha Ezekielit: «Atje ku shkon përroi, gjithçka do të jetojë.» Mendo pak si ka vërshuar mesazhi i së vërtetës te të gjithë ata që kanë hyrë në parajsën tonë të figurshme. Miliona vetave u është prekur zemra nga të vërtetat e Biblës. Falë tyre kanë krijuar besim te Jehovai. Gjithsesi, vegimi përcjell edhe një paralajmërim: jo të gjithë do të vazhdojnë t’i vlerësojnë këto të vërteta. Ashtu si moçalet dhe kënetat në Detin e Vdekur te vegimi i Ezekielit, po ashtu do të ketë njerëz që do t’i hedhin poshtë të vërtetat dhe nuk do të adhurojnë më Jehovain.c Mos e bëfshim kurrë këtë!—Lexo Ligjin e përtërirë 10:16-18.
13. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim sot nga pemët në vegim?
13 Pemë për ushqim dhe për shërim. S’diskutohet që pemët në anët e lumit që pa Ezekieli në vegim kanë mësime që na japin zemër edhe ne sot. Mos harro se pemët prodhonin fryte të reja e të shijshme çdo muaj dhe gjethet sillnin shërim. (Ezek. 47:12) Ato na kujtojnë se i shërbejmë një Perëndie që me bujari na ushqen besimin dhe, si të thuash, na shëron. Kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Bota është e uritur dhe e sëmurë, pasi nuk i kupton të vërtetat e Biblës. Në kontrast me këtë, mendo sa shumë na jep Jehovai. A nuk je ndier i bekuar nga gjithë ky ushqim besimforcues kur ke arritur në fund të një artikulli, të këngës së fundit në një asamble a kongres ose pasi ke përfunduar një video a program në JW Broadcasting? Pa dyshim që kemi ushqim besimforcues me bollëk. (Isa. 65:13, 14) Çfarë dobish kemi nxjerrë nga ky ushqim? Këshillat e mençura që marrim, të cilat bazohen plotësisht në Fjalën e Perëndisë, na ndihmojnë të luftojmë armiq simbolikë, si imoralitetin, lakminë dhe mungesën e besimit. Gjithashtu, Jehovai ka marrë një masë të veçantë që të shërojë të krishterët që kanë bërë një mëkat serioz. (Lexo Jakovin 5:14.) Po, ne jemi vërtet të bekuar, siç kuptohet edhe nga pemët në vegimin e Ezekielit.
14, 15. (a) Ç’mësim nxjerrim nga moçalet që nuk u ëmbëlsuan nga uji? (b) Si nxjerrim dobi nga lumi në vegimin e Ezekielit?
14 Mund të nxjerrim mësim edhe nga moçalet që nuk u ëmbëlsuan nga uji. Nuk duam t’i pengojmë kurrsesi bekimet e Jehovait të vërshojnë në jetën tonë. Sa tragjike do të ishte të mbeteshim të sëmurë si shumë veta në këtë botë! (Mat. 13:15) Përkundrazi, ne kënaqemi teksa nxjerrim dobi nga ky lumë bekimesh. Me siguri na vjen ndër mend lumi që pa Ezekieli në vegim kur pimë me etje ujërat e kulluara të së vërtetës nga Fjala e Perëndisë, kur u predikojmë të tjerëve këto të vërteta dhe kur marrim këshilla të dashura, ngushëllim e ndihmë nga pleqtë e kongregacionit, që janë të stërvitur nga skllavi besnik. Vërtet, ky lumë sjell jetë dhe shërim kudo që shkon.
15 Por, ç’mund të themi për përmbushjen e vegimit në të ardhmen? Siç do ta shohim, lumi do të rrjedhë në masën më të madhe të mundshme në Parajsën që do të vijë.
Ç’kuptim do të ketë në Parajsë lumi që pa Ezekieli në vegim?
16, 17. (a) Në ç’kuptim do të zgjerohet edhe më tepër lumi simbolik në Parajsë? (b) Si do të nxjerrim dobi nga ky lumë bekimesh në Parajsë?
16 A e imagjinon veten në Parajsë duke e shijuar jetën në maksimum, i rrethuar nga familja dhe miqtë? Teksa studion vegimin e Ezekielit, Parajsa do të jetë më reale për ty. Si? Le t’i shqyrtojmë edhe një herë 3 aspektet e vegimit që na sigurojnë për dashurinë e Jehovait.
17 Një lumë bekimesh. Në njëfarë kuptimi, ky lumë simbolik do të zgjerohet shumë më tepër në Parajsë, pasi do të sjellë edhe bekime fizike. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit, Mbretëria e Perëndisë do t’i ndihmojë shërbëtorët besnikë që të nxjerrin dobi nga shpërblesa në një kuptim më të gjerë, pra, që gradualisht të arrijnë përsosmërinë. S’do të ketë më sëmundje, mjekë, infermierë, spitale dhe sigurime shëndetësore. Uji i jetës do të vërshojë te miliona të mbijetuar pas Armagedonit, ‘një shumicë e madhe’ që do të dalë nga «shtrëngimi i madh». (Zbul. 7:9, 14) Gjithsesi, sado i mrekullueshëm të jetë ky lumë bekimesh, prapëseprapë do të jetë si një rrëke krahasuar me atë që do të vijë më vonë. Njësoj si në vegimin e Ezekielit, lumi do të zgjerohet për të plotësuar nevojat e njerëzimit, që do të shtohet me kalimin e kohës.
Në Parajsë, lumi i bekimeve do t’u kthejë të gjithëve rininë dhe shëndetin (Shih paragrafin 17)
18. Si do të bëhet edhe më i vrullshëm ‘lumi i ujit të jetës’ gjatë Mijëvjeçarit?
18 Ujë jetëdhënës. Gjatë Mijëvjeçarit, ‘lumi i ujit të jetës’ do të zgjerohet jashtë mase. (Zbul. 22:1) Miliona, madje miliarda do të ringjallen dhe do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë në Parajsë. Falë Mbretërisë së Jehovait, shumë veta që kanë vdekur dhe që janë dergjur në pluhurin e tokës, do të kthehen përsëri në jetë. (Isa. 26:19) Por, a do të jetojnë përgjithmonë të gjithë të ringjallurit?
19. (a) Pse jemi të sigurt se në Parajsë do të kemi të vërteta të reja? (b) Në çfarë kuptimi disa njerëz do të mbeten si vende «të kripura»?
19 Secili duhet të zgjedhë. Në atë kohë do të hapen rrotulla të reja. Ndaj, ndër ujërat freskuese të Jehovait do të ketë të vërteta dhe udhëzime të reja. A nuk të emocionon kjo? Megjithatë, disa do ta refuzojnë këtë bekim dhe do të vendosin të mos i binden Jehovait. Disa mund të rebelohen gjatë Mijëvjeçarit, ama nuk do ta prishin dot paqen në Parajsë. (Isa. 65:20) Mbase kjo do të na kujtojë vegimin e Ezekielit që flet për moçalet e pajeta, që ‘do të mbeteshin të kripura’. Sa të pamend do të tregohen ata që me kokëfortësi nuk do të pranojnë të pinë nga uji i çmuar i jetës! Pas Mijëvjeçarit, një grup rebelësh do të bashkohet me Satanain. Kushdo që e hedh poshtë qeverisjen e drejtë të Jehovait, do të ketë të njëjtin fund: vdekje të përhershme.—Zbul. 20:7-12.
20. Gjatë Mijëvjeçarit, çfarë do të na sigurojë Jehovai që ngjan me pemët që pa Ezekieli?
20 Pemë për ushqim dhe për shërim. Jehovai dëshiron që askush të mos e humbasë mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Ja pse në Parajsë, Ai do të na sigurojë diçka të ngjashme me pemët që pa Ezekieli. Në atë kohë, falë Jehovait do të nxjerrim dobi në çdo aspekt të jetës. Gjatë Mijëvjeçarit, Jezu Krishti bashkë me 144.000 bashkëqeveritarët do të mbretërojnë në qiell. Falë flijimit shpërblyes të Krishtit, si priftërinj, ata do të ndihmojnë njerëzit besnikë të shkojnë drejt përsosmërisë. (Zbul. 20:6) Kjo na kujton pemët që pa Ezekieli në anët e lumit, që kishin fryte për ushqim dhe gjethe për shërim. Vegimi i tij ngjan me një tjetër fragment të bukur profetik, që e dokumentoi apostulli Gjon. (Lexo Zbulesën 22:1, 2.) Gjethet e pemëve që pa Gjoni, janë «për shërimin e kombeve». Miliona shërbëtorë besnikë do të nxjerrin dobi nga shërbimet priftërore të Jezuit dhe të 144.000 të mirosurve.
21. Si ndihesh kur mendon për lumin që pa Ezekieli në vegim dhe çfarë do të shqyrtojmë në vijim? (Shih kutinë «Rrëkeja bëhet përrua».)
21 A nuk mbushesh me paqe dhe me shpresë ndërsa mediton për lumin që pa Ezekieli në vegim? Çfarë kohe fantastike na pret! Mendo pak—mijëra vjet më parë Jehovai pikturoi këto pamje të mrekullueshme të së ardhmes. Gjatë gjithë kësaj kohe i ka ftuar njerëzit të jenë atje dhe të shohin përmbushjen e plotë të profecive. A do të jesh edhe ti në Parajsë? Mbase po mendon nëse do të ketë vend edhe për ty. Le të shohim si na jep siguri pjesa e fundit e profecisë së Ezekielit.
a Judenjtë e mërguar që e mbanin mend relievin e vendlindjes së tyre, ka të ngjarë ta dinin se ky nuk mund të ishte një lumë i mirëfilltë, sepse buronte nga tempulli që ndodhej në një mal shumë të lartë, i cili as nuk ekzistonte aty ku ishte përshkruar. Veç kësaj, vegimi lë të kuptohet se lumi rridhte pa kthesa dhe pa asnjë pengesë deri në Detin e Vdekur, gjë që nga ana gjeografike është e pamundur.
b Disa komentojnë se ky është një mendim pozitiv, pasi grumbullimi i kripës për shkak të aftësive të saj ruajtëse ishte një industri fitimprurëse në rajonin e Detit të Vdekur. Mirëpo vëreni se, sipas tregimit në Shkrime, moçalet ‘nuk do të bëhen të ëmbla’, ose sipas kuptimit të fjalës në hebraisht, nuk do të shërohen. Ato do të jenë të pajeta, pra, të kripura, pasi uji jetëdhënës nga shtëpia e Jehovait nuk i arrin dot. Prandaj, me sa duket, në këtë rast kripësia e këtyre moçaleve ka kuptim negativ.—Psal. 107:33, 34; Jer. 17:6.
c Një mendim të ngjashëm përcjell edhe ilustrimi i Jezuit për rrjetën tratë. Rrjeta kapi shumë peshq, por jo të gjithë ishin të «mirë». Të papërshtatshmit duhej të hidheshin. Kështu, Jezui paralajmëron se një numër i konsiderueshëm i atyre që shoqërohen me organizatën e Jehovait, me kalimin e kohës mund të largohen.—Mat. 13:47-50; 2 Tim. 2:20, 21.
-
-
«Ndani vendin si trashëgimi»Jehovai rivendos adhurimin e pastër!
-
-
KAPITULLI 20
«Ndani vendin si trashëgimi»
NË KËTË KAPITULL: Ç’kuptim ka ndarja e vendit
1, 2. (a) Çfarë udhëzimesh i dha Jehovai Ezekielit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
EZEKIELI sapo ka parë një vegim që duhet ta ketë kthyer afro 900 vjet pas, në ditët e Moisiut e të Josiut. Në atë kohë Jehovai i përshkroi Moisiut kufijtë e Tokës së Premtuar dhe më vonë i tha Josiut si ta ndante vendin mes fiseve të Izraelit. (Num. 34:1-15; Jos. 13:7; 22:4, 9) Mirëpo tani, në vitin 593 p.e.s., Jehovai udhëzon Ezekielin dhe të mërguarit e tjerë ta ndajnë sërish Tokën e Premtuar mes fiseve të Izraelit.—Ezek. 45:1; 47:14; 48:29.
2 Çfarë mesazhi përmbante ky vegim për Ezekielin dhe të mërguarit e tjerë? Pse ky vegim është një burim inkurajimi për popullin e Perëndisë sot? A do të ketë një përmbushje më të madhe në të ardhmen?
Një vegim me katër garanci
3, 4. (a) Cilat janë katër garancitë që u jepte të mërguarve vegimi i fundit i Ezekielit? (b) Cilën garanci do të shqyrtojmë në këtë kapitull?
3 Vegimi i fundit që mori Ezekieli, zë nëntë kapituj të librit të tij. (Ezek. 40:1–48:35) Ai u dha të mërguarve katër garanci zemërdhënëse për kombin e rivendosur të Izraelit. Cilat janë? Së pari, adhurimi i pastër do të rivendosej në tempullin e Perëndisë. Së dyti, kombin e rivendosur do ta udhëhiqnin priftërinj dhe barinj të drejtë. Së treti, të gjithë ata që do të ktheheshin në Izrael, do të trashëgonin një pjesë toke. Së katërti, Jehovai do të ishte me ta dhe do të banonte sërish mes tyre.
4 Në kapitujt 13 dhe 14 të këtij botimi shqyrtuam si do të dilnin të vërteta dy garancitë e para—rivendosja e adhurimit të vërtetë dhe udhëheqja nga barinj të drejtë. Në këtë kapitull do të përqendrohemi te garancia e tretë, te premtimi për trashëgiminë e vendit. Në kapitullin vijues do të shqyrtojmë premtimin për praninë e Jehovait.—Ezek. 47:13-21; 48:1-7, 23-29.
‘Ky vend ju është caktuar si trashëgimi’
5, 6. (a) Cili territor do t’u caktohej 12 fiseve sipas vegimit të Ezekielit? (Shih figurën hapëse.) (b) Cili ishte qëllimi i këtij vegimi?
5 Lexo Ezekielin 47:14. Në vegim, Jehovai ia drejtoi vëmendjen Ezekielit te një pjesë e vendit që shumë shpejt do të bëhej «si kopshti i Edenit». (Ezek. 36:35) Pas kësaj, Jehovai i tha: «Ky është territori që do t’u caktoni 12 fiseve të Izraelit si trashëgimi.» (Ezek. 47:13) «Territori» që do t’u caktohej, do të ishte toka e Izraelit ku do të riktheheshin të mërguarit. Më pas, siç shohim tek Ezekieli 47:15-21, Jehovai përshkruan me hollësi kufijtë kombëtarë të të gjithë vendit.
6 Cili është qëllimi i këtij vegimi? Përshkrimi i detajuar i kufijve i siguroi edhe një herë Ezekielin dhe të mërguarit e tjerë se nuk kishte pikë dyshimi se Jehovai do ta kthente në gjendjen e mëparshme vendin e tyre të dashur. Imagjino si duhet t’ua ketë ngritur zemrat peshë të mërguarve kjo garanci që Jehovai e përshkroi me detaje dhe me një gjuhë kaq të gjallë! A mori vërtet një vend si trashëgimi populli i lashtë i Perëndisë? Patjetër.
7. (a) Çfarë filloi të ndodhte në vitin 537 p.e.s., dhe çfarë na kujton kjo? (b) Cilën pyetje do të shqyrtojmë në fillim?
7 Në vitin 537 p.e.s., rreth 56 vjet pasi Ezekieli pa vegimin, mijëra të mërguar filluan të ktheheshin në Izrael dhe e zotëruan sërish vendin. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme e shekujve më parë na kujton një ngjarje të ngjashme që po ndodh mes shërbëtorëve të Perëndisë në kohët moderne. Në njëfarë mënyre, edhe këta kanë marrë një trashëgimi. Si? Jehovai i ka lejuar të hyjnë në një vend të figurshëm e ta zotërojnë. Prandaj, rivendosja e Tokës së Premtuar në kohët e lashta na mëson shumë për rivendosjen e parajsës së figurshme të popullit të Perëndisë sot. Por, para se të shqyrtojmë këto mësime, le t’i përgjigjemi pyetjes: «Pse arrijmë në përfundimin se parajsa e figurshme ekziston vërtet sot?»
8. (a) Me cilin komb e zëvendësoi Jehovai kombin e Izraelit të lashtë? (b) Çfarë është vendi, ose parajsa, e figurshme? (c) Kur erdhi në ekzistencë dhe kush ka hyrë në të?
8 Në një vegim të mëparshëm të Ezekielit, Jehovai tregoi se profecitë për rivendosjen e Izraelit do të kishin një përmbushje më të madhe pak pasi «shërbëtori [i tij], Davidi», Jezu Krishti, të fillonte të qeveriste si Mbret. (Ezek. 37:24) Kjo ndodhi në vitin 1914. Në atë kohë kombi i Izraelit nuk ishte më populli i zgjedhur i Perëndisë. Ai ishte zëvendësuar prej kohësh nga Izraeli i Perëndisë, i përbërë nga të krishterët e mirosur nga fryma. (Lexo Mateun 21:43; 1 Pjetrit 2:9.) Megjithatë, Jehovai nuk zëvendësoi vetëm kombin e lashtë të Izraelit me një komb të ri me të krishterë të mirosur nga fryma, por edhe vendin e mirëfilltë të Izraelit me një vend, ose parajsë, të figurshme. (Isa. 66:8) Siç e pamë në kapitullin 17, parajsa e figurshme është një mjedis ose një gjendje e sigurt, ku mbetja e të mirosurve ka adhuruar Jehovain që nga viti 1919. (Shih kutinë 9B «Pse viti 1919?») Me kalimin e kohës edhe ata me shpresë tokësore, ‘delet e tjera’, nisën të hynin në këtë vend të figurshëm. (Gjoni 10:16) Edhe pse sot po jetojmë në këtë parajsë të figurshme, bekimet e saj do t’i shijojmë plotësisht vetëm pas Armagedonit.
Vendi ndahet në mënyrë të barabartë
9. Cilat udhëzime të hollësishme dha Jehovai për ndarjen e vendit mes fiseve?
9 Lexo Ezekielin 48:1, 28. Pasi u përcaktuan qartë kufijtë kombëtarë të vendit, Jehovai përshkroi me hollësi si do të ndahej vendi mes fiseve. Ai udhëzoi që toka të ndahej mes 12 fiseve në mënyrë të barabartë dhe me kufij të qartë nga veriu në jug. Ndarja nisi me fisin e Danit nga skaji më verior i vendit dhe përfundoi me fisin e Gadit në skajin më jugor. Secili nga 12 fiset kishte një rrip toke horizontale që në lindje kufizohej me kombe të tjera, ndërsa në perëndim me Detin e Madh, ose Detin Mesdhe.—Ezek. 47:20.
10. Ç’garanci mund t’u ketë dhënë të mërguarve kjo pjesë e vegimit për ndarjen e vendit?
10 Ç’garanci mund t’u ketë dhënë të mërguarve kjo pjesë e vegimit për ndarjen e vendit? Përshkrimi i detajuar i Ezekielit duhet t’i ketë siguruar të mërguarit se ndarja e vendit do të ishte një projekt i mirorganizuar. Për më tepër, kufijtë e qartë mes 12 fiseve theksojnë se çdo i mërguar do të trashëgonte patjetër një pjesë toke. Asnjë nga të rikthyerit nuk do të mbetej pa shtëpi e pa tokë.
11. Ç’mësime nxjerrim nga ky vegim për ndarjen e vendit? (Shih kutinë «Ndarja e vendit».)
11 Ç’mësime besimforcuese nxjerrim sot nga vegimi? Toka e Premtuar do të kishte vend jo vetëm për priftërinjtë, levitët dhe prijësit, por edhe për të gjithë pjesëtarët e 12 fiseve. (Ezek. 45:4, 5, 7, 8) Po njësoj edhe sot, në parajsën e figurshme ka vend jo vetëm për të mirosurit dhe ata që marrin drejtimin mes ‘shumicës së madhe’, por edhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të shumicës së madhe.a (Zbul. 7:9) Pavarësisht sa modest mund të jetë roli ynë në organizatë, secili ka një vend të sigurt dhe një caktim të çmuar në këtë parajsë të figurshme. Ç’garanci që të ngroh zemrën!
Jehovai i çmon përpjekjet tona, pavarësisht nga roli që kemi në organizatën e tij (Shih paragrafin 11)
Dy ndryshime domethënëse—Ç’kuptim kanë për ne?
12, 13. Cilat udhëzime specifike dha Jehovai për ndarjen e tokës mes fiseve?
12 Disa nga udhëzimet që dha Jehovai për ndarjen e vendit, mund ta kenë habitur pak Ezekielin, sepse ndryshonin nga udhëzimet që i kishte dhënë Moisiut. Le të shqyrtojmë dy prej tyre. Njëri lidhet me vendin, tjetri me banorët e tij.
13 Së pari, vendi. Jehovai e kishte udhëzuar Moisiun që fiseve të mëdha t’u jepte më shumë tokë se fiseve më të vogla. (Num. 26:52-54) Megjithatë, në vegimin e Ezekielit, Jehovai dha udhëzime specifike që të gjitha fiset të merrnin «pjesë të barabarta [«secili sa vëllai i vet», shën.]». (Ezek. 47:14) Prandaj, distanca nga veriu në jug e territorit që i përkiste secilit fis, do të ishte fiks njësoj për të 12 fiset. Çdo izraelit—pavarësisht se cilit fis i përkiste—do të kishte mundësi të barabarta për të shijuar begatinë e vendeve pjellore të Tokës së Premtuar.
14. Ku ndryshonin udhëzimet e Jehovait për të ardhurit nga udhëzimet në Ligjin e Moisiut?
14 Së dyti, banorët. Ligji i Moisiut i mbronte të ardhurit dhe i lejonte të adhuronin Jehovain, por ata nuk trashëgonin pjesë toke. (Lev. 19:33, 34) Megjithatë, ajo që Jehovai po i thoshte tani Ezekielit, shkonte përtej Ligjit. Ai e udhëzoi: «Duhet t’i jepni të ardhurit një trashëgimi brenda territorit të fisit ku banon.» Me këtë urdhër i dha fund ndryshimit të madh mes ‘vendësve në Izrael’ dhe të ardhurve. (Ezek. 47:22, 23) Në vendin që pa Ezekieli në vegim, vuri re se të gjithë banorët ishin të barabartë dhe adhuronin Jehovain në unitet.—Lev. 25:23.
15. Për cilën të vërtetë të pandryshueshme për Jehovain dëshmojnë udhëzimet për vendin dhe banorët e tij?
15 Me siguri, të mërguarit duhet të kenë marrë zemër nga këto dy udhëzime të jashtëzakonshme që mori Ezekieli për vendin dhe banorët e tij. Ata e dinin se Jehovai do t’ua ndante vendin në mënyrë të barabartë, si për izraelitët, si për të ardhurit që e adhuronin. (Ezd. 8:20; Neh. 3:26; 7:6, 25; Isa. 56:3, 8) Përveç kësaj, këto udhëzime dëshmonin për këtë të vërtetë inkurajuese dhe të pandryshueshme: Jehovai i çmon njësoj të gjithë shërbëtorët e tij. (Lexo Hageun 2:7, shën.) Kjo e vërtetë na jep zemër të gjithëve sot, qoftë nëse kemi shpresë qiellore, qoftë tokësore.
16, 17. (a) Si nxjerrim dobi kur shqyrtojmë detajet për vendin dhe për banorët e tij? (b) Çfarë do të shohim në kapitullin vijues?
16 Si nxjerrim dobi kur shqyrtojmë detajet për vendin dhe banorët e tij? Ky vegim thekson se mes vëllazërisë sonë anekënd botës duhet të spikatin barazia dhe uniteti. Jehovai është i paanshëm. Ndaj bëjmë mirë të pyesim veten: «A jam i paanshëm si Ai? A i respektoj me gjithë zemër vëllezërit e motrat, pavarësisht nga raca ose rrethanat që kanë?» (Rom. 12:10) Kënaqemi që Jehovai i ka dhënë secilit prej nesh mundësi të barabarta për të hyrë në parajsën e figurshme, ku i shërbejmë me gjithë shpirt Atit tonë qiellor dhe shijojmë bekimet e tij!—Gal. 3:26-29; Zbul. 7:9.
A jemi të paanshëm dhe a i respektojmë të tjerët me gjithë zemër, si Jehovai? (Shih paragrafët 15, 16)
17 Tani do të shqyrtojmë garancinë e katërt në vegimin e fundit të Ezekielit—premtimin e Jehovait se do të ishte me të mërguarit. Ç’mund të mësojmë nga ky premtim? Përgjigjen e marrim në kapitullin vijues.
a Për të kuptuar se ç’mund të mësojnë nga vegimi i Ezekielit për priftërinjtë dhe prijësit ata që bëjnë pjesë në parajsën e figurshme, shih kapitullin 14 të këtij libri.
-
-
«Qyteti do të quhet: Jehovai Është Atje»Jehovai rivendos adhurimin e pastër!
-
-
KAPITULLI 21
«Qyteti do të quhet: Jehovai Është Atje»
NË KËTË KAPITULL: Çfarë përfaqësojnë qyteti dhe kontributi
1, 2. (a) Për ç’qëllim të veçantë duhej vënë mënjanë një pjesë toke? (Shih figurën e kopertinës.) (b) Çfarë garancie u jep vegimi të mërguarve?
NË VEGIMIN e tij të fundit, Ezekieli mëson për një pjesë toke që duhej vënë mënjanë për një qëllim të veçantë. Kjo pjesë nuk i jepet si trashëgimi ndonjë fisi të Izraelit, por jepet si kontribut për Jehovain. Ezekieli dëgjon edhe për një qytet të mrekullueshëm me një emër që të tërheq vëmendjen. Kjo pjesë e vegimit u jep të mërguarve një garanci tejet të rëndësishme: Jehovai do të jetë me ta kur të kthehen në vendlindjen e tyre të dashur.
2 Ezekieli e përshkruan me shumë hollësi këtë kontribut. Le ta shqyrtojmë këtë fragment, që përmban plot mësime për ne si adhurues të vërtetë të Jehovait.
‘Kontributi i shenjtë, duke përfshirë qytetin’
3. Cilat janë pesë zonat që përmenden në pjesën që Jehovai vuri mënjanë për një qëllim të veçantë, dhe për çfarë do të shërbenin? (Shih kutinë «Kontributi që do të vini mënjanë».)
3 Në atë pjesë toke të vënë mënjanë për një qëllim të veçantë, kishte një copë toke katrore 13 kilometra nga veriu në jug dhe 13 kilometra nga lindja në perëndim, që quhej ‘kontributi në tërësi’. Ajo ishte e ndarë në tre rripa horizontalë. Pjesa e sipërme ishte për levitët, kurse e mesit ishte për tempullin dhe për priftërinjtë. Këto dy pjesë përbënin ‘kontributin e shenjtë’. Pjesa e poshtme që ishte më e vogël, pra, ‘pjesa që mbetej’, shërbente «për përdorim të zakonshëm». Kjo ishte për qytetin.—Ezek. 48:15, 20.
4. Ç’mësim nxjerrim nga tregimi për kontributin për Jehovain?
4 Ç’mësim nxjerrim nga tregimi për kontributin për Jehovain? Në fillim duhej vënë mënjanë një pjesë toke si kontribut për Jehovain dhe pastaj pjesa që mbetej, duhej ndarë mes fiseve. Në këtë mënyrë, Jehovai tregoi se këtij kontributi të veçantë duhej t’i kushtohej më tepër rëndësi. (Ezek. 45:1) Pa dyshim, të mërguarit mësuan shumë nga radha që duhej ndjekur në ndarjen e tokës. Adhurimin e Jehovait duhej ta vinin në vend të parë. Edhe ne sot u japim rëndësi parësore aktiviteteve të tilla, si studimit të Fjalës së Perëndisë, mbledhjeve të krishtere dhe veprës së predikimit. Kur ndjekim shembullin e Jehovait duke u dhënë përparësi gjërave të duhura, adhurimi i pastër mbetet boshti i jetës sonë ditë pas dite.
«Qyteti do të jetë në mes të saj»
5, 6. (a) Kujt i përkiste qyteti? (b) Çfarë nuk është qyteti dhe pse e themi këtë?
5 Lexo Ezekielin 48:15. Çfarë përfaqësojnë ‘qyteti’ dhe zona përreth? (Ezek. 48:16-18) Në vegim, Jehovai i kishte thënë Ezekielit: ‘Prona e qytetit do t’i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit.’ (Ezek. 45:6, 7) Pra, qyteti dhe zona përreth tij nuk ishin pjesë e ‘kontributit të shenjtë’ që duhej ‘vënë mënjanë për Jehovain’. (Ezek. 48:9) Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë ç’mund të mësojmë nga ky qytet.
6 Për këtë, në fillim duhet të përcaktojmë se çfarë s’mund të ishte ky qytet. Së pari nuk mund të ishte qyteti i rindërtuar i Jerusalemit me tempullin e tij. Pse? Sepse qyteti që pa Ezekieli në vegim, nuk kishte tempull. Së dyti, qyteti nuk mund t’i referohej ndonjë qyteti tjetër në Izrael ku do të ktheheshin të mërguarit. Pse? Sepse as të mërguarit e as pasardhësit e tyre nuk ndërtuan kurrë një qytet me karakteristikat e përshkruara në vegim. Së treti, qyteti nuk mund të ishte një qytet qiellor. Pse e themi këtë? Sepse ai nuk u ndërtua në tokën e vënë mënjanë vetëm për adhurimin e shenjtë, por në një tokë për «gjërat e zakonshme [pra, jo të shenjta]».—Ezek. 42:20.
7. Ç’lloj qyteti pa Ezekieli, dhe me sa duket çfarë përfaqëson ai? (Shih figurën hapëse.)
7 Atëherë, çfarë është qyteti që pa Ezekieli? Mos harro se ai pa qytetin në të njëjtin vegim që pa vendin. (Ezek. 40:2; 45:1, 6) Fjala e Perëndisë lë të kuptohet se vendi që pa Ezekieli në vegim, ishte i figurshëm, ndaj edhe qyteti duhet të jetë i figurshëm. Në përgjithësi, çfarë ideje përcjell fjala «qytet»? Një strukturë të organizuar që përbëhet nga një grup njerëzish që jetojnë së bashku. Kështu, qyteti që pa Ezekieli në vegim, i cili formonte një katror të përsosur, duket se përfaqëson një administratë të mirorganizuar.
8. Ku shtrihet ndikimi i administratës, dhe pse nxjerrim këtë përfundim?
8 Ku shtrihet ndikimi i kësaj administrate? Vegimi i Ezekielit zbulon se ky qytet, që simbolizon administratën, vepron brenda vendit të figurshëm. Prandaj, sot kjo administratë vepron brenda parajsës së figurshme, duke drejtuar aktivitetet e popullit të Perëndisë. Çfarë tregon fakti që qyteti ndodhet në një vend të zakonshëm, pra, jo të shenjtë? Na kujton se administrata nuk është qiellore, por tokësore dhe se prej kohësh ka vepruar në dobi të të gjithë banorëve të parajsës së figurshme.
9. (a) Nga cilët përbëhet administrata tokësore sot? (b) Çfarë do të bëjë Jezui gjatë Mijëvjeçarit?
9 Nga cilët përbëhet kjo administratë tokësore? Në vegimin e Ezekielit, ai që merrte drejtimin në qytet, ishte ‘prijësi’. (Ezek. 45:7) Ai ishte mbikëqyrës mes popullit, por nuk ishte as prift, as levit. Prijësi na sjell ndër mend mbikëqyrësit e kongregacioneve sot, sidomos ata që nuk janë të mirosur nga fryma. Këta barinj të dashur e të përulur nga ‘delet e tjera’ i shërbejnë qeverisë qiellore të Krishtit. (Gjoni 10:16) Gjatë Mijëvjeçarit, Jezui do të zgjedhë dhe do të emërojë pleq të kualifikuar si «princa të mbarë tokës». (Psal. 45:16) Nën drejtimin e Mbretërisë qiellore, ata do të kujdesen për popullin e Perëndisë gjatë Mijëvjeçarit.
«Jehovai Është Atje»
10. Si quhet qyteti dhe çfarë garancie jep emri i tij?
10 Lexo Ezekielin 48:35. Qyteti quhet «Jehovai Është Atje». Ky emër garantonte se në këtë qytet ndihej prania e Jehovait. Duke i treguar Ezekielit këtë qytet që ndodhej në qendër të vendit, ishte sikur Jehovai po u thoshte të mërguarve: «Unë do të jem përsëri me ju.» Sa premtim zemërdhënës!
11. Ç’mësime nxjerrim nga vegimi i Ezekielit për qytetin dhe për emrin e tij domethënës?
11 Çfarë mësojmë nga kjo pjesë e profecisë së Ezekielit? Emri i këtij qyteti na siguron se Jehovai banon me shërbëtorët e tij besnikë në tokë sot e do të vazhdojë të banojë me ta përgjithmonë. Ky emër domethënës thekson edhe këtë të vërtetë jetësore: qyteti nuk ekziston për t’i dhënë pushtet ndonjë njeriu, por për të vënë në zbatim drejtimin e dashur dhe të arsyeshëm të Jehovait. Për shembull, Ai nuk ia ka dhënë kësaj administrate autoritetin për të ndarë vendin sipas mendimit të njerëzve. Përkundrazi, Jehovai pret që administratorët të respektojnë ndarjen, pra, caktimet e privilegjet që u jep shërbëtorëve të tij, edhe atyre që duken të parëndësishëm.—Ezek. 46:18; 48:29.
12. (a) Cila është një veçori spikatëse e qytetit, dhe çfarë tregon? (b) Cilin përkujtues të rëndësishëm përmban kjo veçori për mbikëqyrësit e krishterë?
12 Cila është një veçori tjetër spikatëse e qytetit «Jehovai Është Atje»? Ndonëse qytetet në lashtësi kishin mure me sa më pak porta të ishte e mundur, ky qytet kishte 12 porta. (Ezek. 48:30-34) Numri i madh i portave (tri në secilën anë të këtij qyteti me sipërfaqe katrore) tregon se administratorët e qytetit janë të afrueshëm dhe përherë gati të ndihmojnë çdo shërbëtor të Perëndisë. Veç kësaj, fakti që qyteti ka 12 porta, thekson se ai qëndron hapur për këdo, për ‘tërë shtëpinë e Izraelit’. (Ezek. 45:6) Kjo veçori shërben si përkujtues i rëndësishëm për mbikëqyrësit e krishterë. Jehovai dëshiron që ata të jenë të afrueshëm dhe gjithnjë gati të ndihmojnë këdo që banon në parajsën e figurshme.
Mbikëqyrësit e krishterë janë të afrueshëm dhe gjithnjë gati për të ndihmuar të tjerët (Shih paragrafin 12)
Shërbëtorët e Perëndisë shkojnë për të adhuruar dhe punojnë për qytetin
13. Çfarë tregon Jehovai për format e ndryshme të shërbimit që kryenin shërbëtorët e tij?
13 Le të kthehemi në kohën e Ezekielit dhe të shohim çfarë veçorish të tjera dokumenton ai në vegimin e detajuar për ndarjen e vendit. Jehovai përmend njerëz që marrin pjesë në forma të ndryshme shërbimi. Priftërinjtë, domethënë «shërbëtorët e shenjtërores», ofronin flijime dhe i afroheshin Jehovait për t’i shërbyer. Levitët, domethënë «shërbëtorët e tempullit», ‘kujdeseshin për çdo shërbim e për gjithçka që duhej bërë në të’. (Ezek. 44:14-16; 45:4, 5) Veç kësaj, pranë qytetit kishte edhe punëtorë. Për kë e kemi fjalën?
14. Çfarë na kujtojnë ata që punojnë pranë qytetit?
14 Ata që punojnë pranë qytetit, janë «nga të gjitha fiset e Izraelit» dhe kanë një rol mbështetës. Caktimi i tyre është të kultivojnë tokën që «do të sigurojë ushqim për ata që shërbejnë në qytet». (Ezek. 48:18, 19) Kjo na kujton një mundësi që kemi ne sot. Cilën? Të gjithë banorët e parajsës së figurshme kanë mundësinë të mbështetin vëllezërit e mirosur të Krishtit dhe vëllezërit nga ‘shumica e madhe’, të cilët Jehovai i ka caktuar të marrin drejtimin. (Zbul. 7:9, 10) Një mënyrë kryesore si e bëjmë këtë, është duke ndjekur me gjithë zemër drejtimin e skllavit besnik.
15, 16. (a) Ç’detaj tjetër përmban vegimi i Ezekielit? (b) Në cilat aktivitete të ngjashme mund të marrim pjesë?
15 Vegimi i Ezekielit përmban edhe një detaj tjetër nga i cili mund të nxjerrim mësim për shërbimin tonë. Ç’detaj? Jehovai thotë se pjesëtarë nga 12 fiset (me përjashtim të fisit të Levit) do të shërbenin në dy vende: në oborrin e tempullit dhe në tokat për kullotë të qytetit. Me çfarë do të merreshin? Në oborrin e tempullit, çdo fis «hyn . . . për të adhuruar», duke ofruar flijime për Jehovain. (Ezek. 46:9, 24) Kurse në kullotat e qytetit, pjesëtarë nga të gjitha fiset kultivojnë tokën për të mbështetur ata që punojnë në qytet. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i këtyre punëtorëve?
16 Sot, shumica e madhe ka mundësinë të kryejë aktivitete të ngjashme me ato në vegimin e Ezekielit. Ata e adhurojnë Jehovain «në tempullin e tij», duke ofruar flijime lëvdimi. (Zbul. 7:9-15) Këtë e bëjnë kur marrin pjesë në veprën e predikimit dhe kur shprehin besimin në mbledhje me anë të komenteve e këngëve. Kjo mënyrë adhurimi është përgjegjësia e tyre më e madhe. (1 Kron. 16:29) Veç kësaj, shumë shërbëtorë të Perëndisë e mbështetin organizatën e tij në sa e sa mënyra praktike. Për shembull, ndihmojnë në ndërtimin dhe në mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë dhe të godinave të degëve, si edhe japin një dorë në projekte të ndryshme të organizatës së Jehovait. Të tjerë i mbështetin këto projekte me anë të kontributeve financiare. Vepra të tilla, që mund të krahasohen me kultivimin e tokës pranë qytetit, i bëjnë «për lavdi të Perëndisë». (1 Kor. 10:31) Punojnë me zell e me gëzim, sepse e dinë që Jehovai «kënaqet shumë me flijime të tilla». (Hebr. 13:16) A po i shfrytëzon plotësisht këto mundësi?
Ç’mësime mund të nxjerrim nga përshkrimi i Ezekielit për aktivitetet e ndryshme brenda dhe jashtë qytetit? (Shih paragrafët 14-16)
«Ne presim qiej të rinj e një tokë të re»
17. (a) Si do të përmbushet vegimi i Ezekielit në një shkallë më të gjerë në të ardhmen? (b) Kush do të nxjerrë dobi nga administrata gjatë Mijëvjeçarit?
17 Në të ardhmen do të shohim një përmbushje më të madhe të vegimit të Ezekielit për kontributin. Mendo pak: Ezekieli pa që pjesa e tokës e quajtur «kontributi i shenjtë» ku ndodhej «shenjtërorja e Jehovait», ishte në qendër të vendit. (Ezek. 48:10) Kjo na garanton se pas Armagedonit, Jehovai do të banojë me ne kudo që të jemi në tokë. (Zbul. 21:3) Gjatë Mijëvjeçarit, administrata që simbolizohet nga qyteti—pra, burrat që do të emërohen për t’u kujdesur për popullin e Perëndisë—do ta zgjerojë ndikimin në çdo cep të botës. Ajo do të sigurojë udhëzime të dashura për të gjithë ata që formojnë ‘tokën e re’, domethënë, shoqërinë e re njerëzore.—2 Pjet. 3:13.
18. (a) Pse mund të jemi të sigurt se administrata do të jetë plotësisht në harmoni me qeverisjen e Perëndisë? (b) Për çfarë na siguron emri i qytetit?
18 Pse mund të jemi të sigurt se kjo administratë do të veprojë gjithmonë në harmoni të plotë me qeverisjen e Perëndisë? Sepse Fjala e Tij e bën të qartë se qyteti tokësor me 12 porta ngjason me qytetin qiellor me 12 porta, pra, Jerusalemin e Ri, që përbëhet nga 144.000 bashkëqeveritarët e Krishtit. (Zbul. 21:2, 12, 21-27) Kjo tregon se çdo vendim i administratës tokësore do të jetë në harmoni të plotë me të gjitha vendimet që merr Mbretëria e Perëndisë në qiell dhe do t’i zbatojë pikë për pikë. Po, emri i qytetit «Jehovai Është Atje» na siguron se adhurimi i pastër do të vazhdojë e do të lulëzojë përgjithmonë në Parajsë. Ç’e ardhme e mrekullueshme na pret!
-