ATADI
[ferrë].
Në rajonin e Jordanit ishte një vend që quhej ‘lëmi i Atadit’; nuk dihet me siguri ku ndodhej. Atje u ndal shtatë ditë kortezhi i përmortshëm i Jakobit për të mbajtur zi, ndërsa po rrugëtonte nga Egjipti për në shpellën e arës së Makpelahut në Kanaan. Mbase Atadi ishte një njeri, por emri në vetvete duket se tregon një vend. Në kortezhin e përmortshëm bënin pjesë edhe shërbëtorët e faraonit, edhe pleqtë e Egjiptit. Kur panë ritet e zisë, kananitët thanë: «Egjiptianëve u ka rënë një zi e madhe!» Kështu, ai vend u quajt Abel-Mizraim, që do të thotë «zia e egjiptianëve».—Zn 50:7-13; shih edhe 50:11, shën., Kris.
Te Zanafilla 50:10, 11, një sërë përkthimesh (për shembull, Kris, DSF, Dio) thonë «përtej Jordanit», dhe disa nxjerrin përfundimin se lëmi i Atadit ndodhej në lindje të lumit Jordan. Kjo do të nënkuptonte se kortezhi nuk ndoqi një rrugë të drejtë, por i ra rreth e përqark Detit të Vdekur, ndoshta për të mos u përballur me filistinët. Megjithatë, shprehja hebraike beʽéver, e përkthyer «përtej», mund të tregojë qoftë një rajon në lindje, qoftë në perëndim të Jordanit. Nga këndvështrimi i Moisiut që ndodhej në Moab kur përfundoi Pentateuku, «përtej Jordanit» mund të kishte kuptimin në perëndim të lumit. Sidoqoftë, të gjitha vështirësitë kapërcehen nga Përkthimi Bota e Re, që i përkthen saktësisht këto vargje të tekstit hebraik me shprehjen «në rajonin e Jordanit».