ABRAHAMI
[atë i një shumice (turme)].
Emri që i dha Jehovai Abramit (që do të thotë «ati është i lartë [i lartësuar]») kur ishte 99 vjeç dhe kur Perëndia ripohoi premtimin e Tij se pasardhësit e Abrahamit do të bëheshin të shumtë.—Zn 17:5.
Origjina familjare dhe fillimi i historisë së tij. Abrahami lindi në vitin 2018 p.e.s., 352 vjet pas Përmbytjes; pasardhës i Semit, në brezin e dhjetë duke u nisur nga Noeja. Megjithëse te Zanafilla 11:26 renditet i pari ndër tre bijtë e Terahut, Abrahami nuk ishte i parëlinduri. Shkrimet tregojnë se Terahu ishte 70 vjeç kur i lindi djali i parë dhe se Abrahami lindi 60 vjet më vonë, kur babai i tij, Terahu, ishte 130 vjeç. (Zn 11:32; 12:4) Me sa duket, Abrahami renditet i pari mes bijve të atit të tij për shkak të besnikërisë së tij të jashtëzakonshme dhe të vendit të rëndësishëm që zë në Shkrime, zakon ky që është ndjekur edhe në rastin e disa burrave të tjerë që u shquan për besimin e tyre, si Semi dhe Isaku.—Zn 5:32; 11:10; 1Kr 1:28.
Abrahami e kishte origjinën nga Uri i Kaldesë, një metropol i begatë në vendin e Shinarit, afër pikës ku tani bashkohen dy lumenjtë Tigër dhe Eufrat. Ai gjendej rreth 240 km në juglindje të Babelit ose të Babilonisë, ku dikur gjendej selia mbretërore e Nimrodit, qytet i famshëm për Kullën e Babelit që mbeti e papërfunduar.
Në kohën e Abrahamit, qyteti i Urit ishte zhytur kokë e këmbë në idhujtarinë babilonase dhe në adhurimin e mbrojtësit të tij, perëndisë-hënë Sin. (Js 24:2, 14, 15) Megjithatë, Abrahami tregoi se kishte besim te Perëndia Jehova, si paraardhësit e tij Semi dhe Noeja. Si pasojë, ai u bë i njohur si «ati i të gjithë atyre që kanë besim ndërsa janë ende të parrethprerë». (Ro 4:11) Përderisa besimi i vërtetë bazohet te njohuria e saktë, Abrahami mund ta ketë fituar atë kuptueshmëri duke u shoqëruar personalisht me Semin (faktikisht ai lindi 150 vjet para se të vdiste Semi). Abrahami e njihte dhe e përdorte emrin e Jehovait. Ja si u shpreh për të: ‘Jehovai, Perëndia Më i Lartë, Bërësi i qiellit e i tokës’, ‘Jehovai, Perëndia i qiejve dhe Perëndia i tokës’.—Zn 14:22; 24:3.
Gjatë kohës që jetonte në Ur, «para se të vendosej në Haran», Jehovai e urdhëroi Abrahamin të shpërngulej në një vend të huaj dhe të linte miqtë e të afërmit. (Ve 7:2-4; Zn 15:7; Ne 9:7) Perëndia i tha se atje, në vendin që do t’i tregonte, do të bënte nga ai një komb të madh. Në atë kohë, Abrahami ishte i martuar me Sarën, gjysmëmotrën e tij, por nuk kishin fëmijë dhe të dy ishin të moshuar. Ndonëse duhej një besim i madh, ai u bind.
Terahu, që në atë kohë ishte rreth moshës 200-vjeçare dhe akoma kreu i familjes patriarkale, pranoi të shkonte me Abrahamin dhe Sarën në këtë udhëtim të gjatë. Ja pse shpërngulja në Kanaan i atribuohet Terahut, babait të Abrahamit. (Zn 11:31) Duket se me ta shkoi edhe Loti, nipi i Abrahamit, që kishte mbetur jetim nga babai dhe u birësua nga xhaxhai e nusja e tij që s’kishin fëmijë. Karvani përshkoi rreth 960 km në drejtim të veriperëndimit, derisa arritën në Haran, një kryqëzim i rëndësishëm i rrugëve tregtare mes lindjes dhe perëndimit. Harani gjendet në pikën ku bashkohen dy vade për të formuar një rrjedhë që gjatë dimrit përfundon në lumin Balik, rreth 110 km më lart grykëderdhjes së Balikut në lumin Eufrat. Abrahami qëndroi atje derisa vdiq babai i tij, Terahu.—HARTA, vëll. 1, f. 330 në botimin anglisht.
Qëndrimi në Kanaan. Në moshën 75-vjeçare, Abrahami e shpërnguli familjen nga Harani në Kanaan, ku kaloi njëqind vjetët e fundit të jetës së tij duke banuar nëpër tenda dhe si banor i ardhur e shtegtar. (Zn 12:4) Abrahami u nis nga Harani në vitin 1943 p.e.s., pas vdekjes së Terahut, babait të tij, dhe ka shumë të ngjarë ta ketë kaluar lumin Eufrat ditën e 14-të të muajit që më vonë u bë i njohur si muaji nisan. (Zn 11:32; Da 12:40-43, LXX ) Në këtë kohë hyri në fuqi besëlidhja mes Jehovait e Abrahamit dhe filloi periudha 430-vjeçare e banimit të përkohshëm, që zgjati derisa u bë besëlidhja e Ligjit me Izraelin.—Da 12:40-42; Ga 3:17.
Me sa duket, Abrahami kaloi bashkë me kopetë e tij nga Damasku dhe arriti në Sikem (48 km në veri të Jerusalemit), afër pemëve të mëdha të Morehut. (Zn 12:6) Këtu Jehovai iu shfaq përsëri Abrahamit për t’i konfirmuar dhe për t’i dhënë më shumë hollësi për premtimin e Tij sipas besëlidhjes që kishte bërë me të. Ai i tha: «Unë do t’ia jap këtë vend farës sate.» (Zn 12:7) Atje Abrahami jo vetëm ndërtoi një altar për Jehovain, por, kur përshkoi vendin në drejtim të jugut, gjatë rrugës ndërtoi edhe altarë të tjerë dhe thërriti emrin e Jehovait. (Zn 12:8, 9) Më vonë, një zi e madhe buke e detyroi atë të shpërngulej përkohësisht në Egjipt ku, për të mbrojtur jetën e tij, e prezantoi Sarën si motrën e vet. Atëherë faraoni e çoi Sarën e bukur në shtëpi që të bëhej gruaja e tij, por, para se ta dhunonte, Jehovai e shtyu faraonin t’ia kthente Abrahamit. Më pas, Abrahami u kthye në Kanaan, në vendin ku kishte ngritur tendat mes Bethelit dhe Ait, e vazhdoi përsëri të thërriste «emrin e Jehovait».—Zn 12:10–13:4.
Meqenëse kopetë e Abrahamit dhe të Lotit po shtoheshin, lindi nevoja që ata të ndaheshin. Loti zgjodhi pellgun e pjesës së poshtme të Jordanit, një zonë e ujitur mirë «si kopshti i Jehovait» dhe më vonë, e vendosi kampin afër Sodomës. (Zn 13:5-13) Kurse Abrahami, pasi mori udhëzimin të përshkonte vendin për së gjati e për së gjeri, shkoi të banonte mes pemëve të mëdha të Mamres në Hebron, 30 km në jug-jugperëndim të Jerusalemit.—Zn 13:14-18.
Katër mbretërit aleatë, me në krye Kedorlaomerin, mbretin elamit, arritën të shtypnin revoltën e pesë mbretërve kananitë, plaçkitën Sodomën e Gomorrën dhe morën rob Lotin bashkë me gjithë pronat e tij. Me ta marrë vesh, Abrahami mblodhi menjëherë 318 shërbëtorë të tij të stërvitur. Bashkë me aleatët e tij, Anerin, Eshkolin dhe Mamren, ai i ndoqi këmba-këmbës drejt veriut për rreth 300 km deri përtej Damaskut dhe, me ndihmën e Jehovait, mundi një ushtri shumë më të madhe se e tija. Kështu, shpëtoi Lotin dhe ia ktheu përsëri pronat e zhvatura. (Zn 14:1-16, 23, 24) Kur Abrahami po kthehej nga kjo fitore e madhe, një «prift i Perëndisë Më të Lartë», Melkisedeku, që ishte edhe mbret i Salemit, doli ta bekonte dhe Abrahami «i dha atij të dhjetën e çdo gjëje».—Zn 14:17-20.
Fara e Premtuar. Përderisa Sara vazhdonte të ishte shterpë, dukej që trashëgiminë e Abrahamit do ta merrte Eliezeri, kujdestari besnik i shtëpisë nga Damasku. Megjithatë, Jehovai e siguroi përsëri Abrahamin se pasardhësit e tij do të ishin të panumërt si yjet e qiellit. Abrahami «tregoi besim te Jehovai, prandaj ky ia llogariti si drejtësi», megjithëse kjo ndodhi vite para se të rrethpritej. (Zn 15:1-6; Ro 4:9, 10) Më pas, Jehovai bëri një besëlidhje solemne me Abrahamin që përfshinte flijimin e kafshëve e njëkohësisht zbuloi se pasardhësit e tij do të mundoheshin për një periudhë 400-vjeçare, dhe madje do të merreshin skllevër.—Zn 15:7-21; shih BESËLIDHJA.
Koha kalonte. Ata kishin rreth dhjetë vjet që ishin në Kanaan, dhe Sara ishte akoma shterpë. Atëherë, ajo i propozoi Abrahamit të merrte në vend të saj Agarën, shërbyesen e saj egjiptiane, që të bëhej me fëmijë nëpërmjet saj. Abrahami pranoi. Kështu, në vitin 1932 p.e.s., kur Abrahami ishte 86 vjeç, lindi Ismaeli. (Zn 16:3, 15, 16) Kaloi edhe më shumë kohë. Në vitin 1919 p.e.s., kur Abrahami ishte 99 vjeç, Jehovai urdhëroi që të gjithë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit të rrethpriteshin. Kjo do të shërbente si shenjë ose vulë që vërtetonte se mes tij dhe Abrahamit kishte një marrëdhënie të veçantë të bazuar në besëlidhjen që kishin bërë. Në të njëjtën kohë, Jehovai ia ndryshoi emrin nga Abram në Abraham, sepse siç i tha Jehovai, ‘do ta bënte atë të shumë kombeve’. (Zn 17:5, 9-27; Ro 4:11) Jo shumë kohë më pas, tre engjëj të materializuar, të cilët Abrahami i mikpriti në emër të Jehovait, premtuan se Sara do të mbetej shtatzënë dhe do të lindte një djalë, madje brenda vitit që do të vinte.—Zn 18:1-15.
Ai vit qe vërtet plot ngjarje. Sodoma dhe Gomorra u shkatërruan. Nipi i Abrahamit dhe dy vajzat e tij shpëtuan për një fije. Abrahami u shpërngul bashkë me Sarën në Gerar, ku mbreti i këtij qyteti filistin e mori Sarën në haremin e tij. Jehovai ndërhyri; Sarën e lanë të lirë; dhe në kohën e caktuar, në vitin 1918 p.e.s., kur Abrahami ishte 100 vjeç dhe Sara 90, lindi Isaku, trashëgimtari i premtuar prej shumë kohësh. (Zn 18:16–21:7) Pesë vjet më vonë, kur Ismaeli, gjysmëvëllai i Isakut që ishte 19 vjeç, u tall me Isakun, Abrahami u detyrua ta përzinte bashkë me nënën e tij, Agarën. Pikërisht në këtë vit, më 1913 p.e.s., filluan 400 vitet e mundimit për pasardhësit e Abrahamit.—Zn 21:8-21; 15:13; Ga 4:29.
Rreth 20 vjet më vonë, Abrahami përballoi sprovën më të jashtëzakonshme të besimit. Sipas traditës judaike, në këtë kohë Isaku ishte 25 vjeç. (Antikitete judaike, nga J. Flavi, I, 227 [xiii, 2]) Duke iu bindur udhëzimeve të Jehovait, Abrahami mori Isakun dhe nga Beer-Sheba, që gjendej në Negeb, shkoi drejt veriut deri në malin Moriah, ngjitur me pjesën veriore të Salemit. Atje ndërtoi një altar dhe u bë gati të paraqiste si flijim të djegur Isakun, farën e premtuar. Faktikisht për Abrahamin ishte sikur «pothuaj e flijoi Isakun», sepse «ai ishte i mendimit se Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë edhe nga të vdekurit». Vetëm në çastin e fundit Jehovai ndërhyri duke i siguruar një dash që ta paraqiste në altarin e flijimit në vend të Isakut. E pra, besimi pa rezerva i Abrahamit bashkë me bindjen e plotë që tregoi, e nxitën Jehovain ta përforconte besëlidhjen e tij me Abrahamin nëpërmjet një betimi, një garancie të veçantë ligjore.—Zn 22:1-18; He 6:13-18; 11:17-19.
Në vitin 1881 p.e.s. Sara vdiq në Hebron, në moshën 127-vjeçare, dhe lindi nevoja që Abrahami të blinte një vend për ta varrosur, pasi në të vërtetë ai ishte një i ardhur që nuk zotëronte tokë në Kanaan. Kështu bleu nga bijtë e Hethit në Makpelah, afër Mamres, një arë ku gjendej një shpellë. (Zn 23:1-20; shih BLERJA.) Tre vjet më vonë, kur Isaku mbushi 40 vjeç, Abrahami nisi shërbëtorin e tij më të moshuar, ka të ngjarë Eliezerin, të kthehej në Mesopotami për t’i gjetur të birit një grua që adhuronte dhe ndiqte normat e Jehovait. Doli se Jehovai kishte zgjedhur Rebekën, stërmbesën e Abrahamit.—Zn 24:1-67.
«Pastaj, Abrahami mori një grua tjetër», Keturën, dhe pati me të gjashtë djem të tjerë. Pra, nga Abrahami nuk rrodhën vetëm izraelitët, ismaelitët dhe edomitët, por edhe medanitët, midianitët e të tjerë. (Zn 25:1, 2; 1Kr 1:28, 32, 34) Kështu u përmbush tek Abrahami shprehja profetike e Jehovait: «Do të të bëj atë të shumë kombeve.» (Zn 17:5) Në fund, në vitin 1843 p.e.s., Abrahami vdiq i ngopur me ditë në moshën 175-vjeçare, dhe bijtë e tij, Isaku e Ismaeli, e varrosën në shpellën e Makpelahut. (Zn 25:7-10) Para se të vdiste, Abrahami u bëri dhurata bijve që i lindën nga gratë e tij dytësore dhe i largoi, që Isaku të ishte trashëgimtari i vetëm i ‘çdo gjëje që kishte’.—Zn 25:5, 6.
Kreu i një familjeje patriarkale dhe profet. Abrahami ishte shumë i pasur. Ai kishte bagëti të trasha e të imëta, shumë ar dhe argjend, si dhe një familje të madhe me qindra shërbëtorë. (Zn 12:5, 16; 13:2, 6, 7; 17:23, 27; 20:14; 24:35) Kjo ishte arsyeja pse mbretërit e Kanaanit e konsideronin një «prijës» të fuqishëm, me të cilin duheshin lidhur aleanca për paqe. (Zn 23:6; 14:13; 21:22, 23) Megjithatë, ai nuk lejoi asnjëherë që materializmi ta bënte të humbte nga sytë Jehovain dhe premtimet e Tij, apo të bëhej krenar, mendjemadh ose egoist.—Zn 13:9; 14:21-23.
Hera e parë që del në Shkrimet Hebraike fjala «profet», i referohet Abrahamit, megjithëse edhe të tjerë, si Enoku, kishin profetizuar para tij. (Zn 20:7; Jd 14) I pari që quhet ‘hebreu’ në Shkrime, është Abrahami. (Zn 14:13) Abrahami ishte një njeri me besim, njësoj si Abeli, Enoku dhe Noeja. (He 11:4-9) Megjithatë, shprehja «tregoi besim te Jehovai», përdoret për herë të parë për Abrahamin.—Zn 15:6.
Pa dyshim, ky njeri me besim të jashtëzakonshëm eci me Perëndinë, mori mesazhe prej Tij me anë të vegimeve e ëndrrave dhe mikpriti lajmëtarët e Tij engjëllorë. (Zn 12:1-3, 7; 15:1-8, 12-21; 18:1-15; 22:11, 12, 15-18) Ai e njihte mirë emrin e Perëndisë, megjithëse në atë kohë Jehovai nuk e kishte zbuluar domethënien e plotë të emrit të Tij. (Da 6:2, 3) Herë pas here, Abrahami ndërtoi altarë dhe paraqiti flijime në emër, në lëvdim dhe në lavdi të Perëndisë së tij, Jehovait.—Zn 12:8; 13:4, 18; 21:33; 24:40; 48:15.
Si kreu i një familjeje patriarkale, Abrahami nuk lejoi të kishte idhujtari ose paperëndishmëri në shtëpinë e tij, përkundrazi i mësoi vazhdimisht të gjithë bijtë dhe shërbëtorët e tij ‘të qëndronin në udhën e Jehovait për të praktikuar drejtësinë dhe gjykimin’. (Zn 18:1) Të gjithë meshkujt në shtëpinë e Abrahamit ishin të detyruar nga ligji i Jehovait të rrethpriteshin. Shërbyesja egjiptiane, Agara, përdori emrin e Jehovait kur u lut. Shërbëtori më i moshuar i Abrahamit tregoi me lutjen shumë prekëse që i bëri Jehovait besimin e tij te Perëndia i Abrahamit. Edhe Isaku, tregoi që në rini besimin dhe bindjen e tij ndaj Jehovait, kur lejoi që ta lidhnin këmbë e duar dhe ta vinin mbi altar për t’u flijuar.—Zn 17:10-14, 23-27; 16:13; 24:2-56.
Vërtetësia historike. Jezui dhe dishepujt e tij e përmendën Abrahamin më shumë se 70 herë në bisedat dhe në shkrimet e tyre. Në ilustrimin me të pasurin dhe Lazarin, Jezui iu referua Abrahamit në kuptimin simbolik. (Lu 16:19-31) Kur kundërshtarët e tij u mburrën se ishin pasardhës të Abrahamit, Jezui demaskoi pa humbur kohë hipokrizinë e tyre, duke thënë: «Po të jeni fëmijë të Abrahamit, do të bëni veprat e Abrahamit.» (Gjo 8:31-58; Mt 3:9, 10) Ajo që ka rëndësi, siç tha edhe apostulli Pavël, nuk është prejardhja e një individi, por përkundrazi, besimi si ai i Abrahamit që i jep mundësi të shpallet i drejtë. (Ro 9:6-8; 4:1-12) Veç kësaj, Pavli tregoi se fara e vërtetë e Abrahamit ishte Krishti, bashkë me ata që i përkasin atij si «trashëgimtarë sipas një premtimi». (Ga 3:16, 29) Gjithashtu, ai foli për mirëdashjen e Abrahamit dhe mikpritjen që u tregoi të huajve, dhe, në listën e gjatë të dëshmitarëve të shquar të Jehovait, në kapitullin 11 të Hebrenjve, Pavli nuk lë pa e përmendur Abrahamin. Po ashtu, ai tregon se dy gratë e Abrahamit, Sara dhe Agara, paraqitnin në mënyrë të figurshme një dramë simbolike që lidhej me dy besëlidhje të Jehovait. (Ga 4:22-31; He 11:8) Jakovi, shkrimtar i Biblës, shton se Abrahami e tregoi besimin me vepra të drejta, dhe prandaj njihej si «mik i Jehovait».—Jk 2:21-23.
Edhe zbulimet arkeologjike kanë vërtetuar faktet lidhur me historinë e Abrahamit që tregohet në Bibël, si për shembull: pozitën gjeografike të shumë vendeve dhe zakonet e asaj kohe, si blerja e arës nga hititët, zgjedhja e Eliezerit si trashëgimtar dhe mënyra në të cilën u trajtua Agara.
[Diagrami]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
GJENEALOGJIA E ABRAHAMIT
TERAHU
NAHORI
Reuma
4 bij
HARANI
Milka
BETUELI
LABANI
7 bij të tjerë
Iska
LOTI
Vajza 1
MOABI
MOABITËT
Vajza 2
BEN-AMI
AMONITËT
ABRAHAMI
Ketura
6 bij
Agara
ISMAELI
ISMAELITËT
Sara
ISAKU
Rebeka
ESAU
EDOMITËT
JAKOBI Bijtë e Jakobit tregohen me numra sipas radhës së lindjes
Lea
RUBENI (1)
SIMEONI (2)
LEVI (3)
Vija gjenealogjike e Jezu Krishtit
ISAKARI (9)
ZABULONI (10)
Dina
Rakela
JOZEFI (11)
BENIAMINI (12)
Bilhaja
DANI (5)
NEFTALI (6)
Zilpa
GADI (7)
ASHERI (8)
gratë ose konkubinat
pasardhësit