ARABËT
Në Shkrime, fjala «arab» përdoret kryesisht në kuptimin e gjerë për një banor të Arabisë, të vendit të paanë në lindje dhe në jug të Palestinës. Nganjëherë, konteksti dhe përdorimi tregojnë se bëhet fjalë për një fis a grup etnik të veçantë.—1Mb 10:15; 2Kr 9:14; 21:16.
Një sërë fisesh arabe ishin semitike, pasardhëse të Semit nëpërmjet Joktanit; të tjera ishin kamitike, me prejardhje nga Kushi, bir i Kamit. (Zn 10:6, 7, 26-30) Edhe disa pasardhës të Abrahamit nga Agara dhe Ketura u vendosën me banim në Arabi, siç bënë bijtë e Ismaelit, të cilët «nisën të fushonin nga Havilahu pranë Shurit, që ndodhet përballë Egjiptit, deri në Asiri». (Zn 25:1-4, 12-18) Termi «arab» në kuptimin e përgjithshëm përfshinte edhe pasardhësit e Esaut, që banonin në rajonin malor të Seirit.—Zn 36:1-43.
Në përgjithësi, arabët ishin popull endacak, bënin jetë baritore dhe banonin në tenda. (Is 13:20; Jr 3:2) Por kishte edhe tregtarë; në fakt, për disa prej tyre thuhet se ishin tregtarë të Tirit. (Ezk 27:21) Shërbëtorët e Perëndisë patën shpesh lidhje me ta. Tregtarët midianitë që blenë Jozefin ndërsa rrugëtonin për në Egjipt, ishin arabë, e po ashtu edhe sabeatitët që erdhën nga Arabia Jugore dhe i grabitën Jobit qetë e gomaricat. (Zn 37:28; Jb 1:1, 15) Gjatë udhëtimit 40-vjeçar në shkretëtirë, takimi i izraelitëve me midianitët, të cilët ishin adhurues të Baalit, pati pasoja katastrofike (Nu 25:6, 14-18); në epokën e gjykatësve, hordhitë arabe që vinin me deve, e plaçkitën pareshtur Izraelin për shtatë vjet, gjersa i shpartalloi gjykatësi Gideon.—Gjy 6:1-6; 7:12-25.
Sundimtarë të mbretërive arabe i paguanin haraç mbretit Solomon. (1Mb 10:15; 2Kr 9:14) Arabët i jepnin si haraç Jehozafatit 7.700 desh e po aq cjep, por pastaj lidhën aleancë me filistinët kundër Jehoramit, birit dhe pasuesit të Jehozafatit, dhe bandat e tyre kusare vranë shumë nga bijtë e Jehoramit. (2Kr 17:11; 21:16; 22:1) Uziahu korri disa fitore kundër arabëve gjatë mbretërimit të tij. (2Kr 26:1, 7) Kur po meremetoheshin muret e Jerusalemit, mes atyre që i krijuan vështirësi Nehemisë kishte edhe kundërshtarë arabë.—Ne 2:19; 4:7, 8; 6:1.
Sado që bënin jetë endacake dhe ishin në përgjithësi të pavarur e shpesh mjaft të shkëputur nga aktivitetet kryesore të asaj epoke, arabët u përfshinë në profecitë e Perëndisë dhe morën gjykimin e tij. (Is 21:13; Jr 25:17-24) Shekuj më vonë, ka të ngjarë që disa arabë ishin ndër ata që u bënë pjesëtarë të kongregacionit të hershëm të krishterë në festën e Ditës së Pesëdhjetë.—Ve 2:11, 41; shih ARABIA.