ASHERI
[i lumtur; lumturi].
1. Djali i tetë i Jakobit dhe i dyti nga dy bijtë që i lindi Zilpa, shërbyesja e Leas. (Zn 35:26) Pra, vëllai i vetëm i Asherit me të njëjtët prindër ishte Gadi. Katër djemtë dhe një vajzë e Asherit renditen te 1 Kronikave 7:30, kurse emri i së shoqes nuk përmendet. Ai nuk pati ndonjë rol të spikatshëm mes 12 bijve të Jakobit. Megjithatë, në profecinë që tha kur ishte në shtratin e vdekjes, i ati i premtoi Asherit se gjatë gjithë jetës do të kishte ushqime të zgjedhura e të bollshme. (Zn 49:20) Historia e pasardhësve të tij tregon se ky parashikim u plotësua.
2. Emri i fisit që erdhi nga Asheri. Një vit pas Daljes nga Egjipti, pasardhësit e rritur meshkuj ishin 41.500 (Nu 1:41) dhe, rreth 39 vjet më vonë, ky numër kishte arritur në 53.400, gjë që e rendiste atë fis të pestin për nga madhësia. (Nu 26:47) Në kampin e Izraelit, Asheri fushonte në veri të tabernakullit bashkë me fisin e Danit dhe të Neftalit.—Nu 2:25-30.
Në bekimin me kuptim profetik, para se Izraeli të hynte në Kanaan, Moisiu paratha përsëri se Asheri do të kishte begati. Në mënyrë të figurshme, fisi i tij ‘do ta zhyste këmbën në vaj’. (Lp 33:24, 25; krahaso Jb 29:6.) Territori i tij shtrihej përgjatë fushave bregdetare të Mesdheut, duke filluar nga pjesa jugore e qytetit të Dorit, në jug të malit Karmel deri në Sidon, në kufirin verior të Palestinës. (Js 17:7-11; 19:24-31) Kjo pjesë përfshinte disa nga tokat më pjellore të të gjithë Izraelit, ku ullishtat jepnin vaj me bollëk, kurse frutat e tjera siguronin ushqime të zgjedhura, të denja për një tryezë mbretërore. (Zn 49:20; Lp 33:24) Në lindje, territori i Asherit kufizohej me atë të Zabulonit dhe të Neftalit, kurse në jug dhe në juglindje me atë të Manaseut dhe të Isakarit.
Te Josiu 17:7, Asheri përmendet si kufiri i fisit të Manaseut. Asheri është përmendur edhe në vargun 10 të të njëjtit tregim, ku i referohet qartë territorit të fisit të Asherit.