OFRAHU
1. [I vogli (i drerit).] Pasardhës i Judës nëpërmjet Meonotait.—1Kr 4:1, 14.
[2, 3: ndoshta: vend pluhuri.]
2. Qytet i Beniaminit. (Js 18:21, 23) Vendndodhja e tij mund të përcaktohet me afërsi nga tregimi për betejat e Izraelit me filistinët gjatë mbretërimit të Saulit. Nga kampi i tyre në Mikmash, njësitë e zhvatësve filistinë hidheshin në sulm në tri drejtime. Një njësi merrte rrugën për në Ofrah. Tjetra shkonte në perëndim, në rrugën e Beth-Horonit, kurse njësia e tretë përparonte drejt lindjes, në «rrugën për nga kufiri që ndodhet përballë luginës së Zeboimit». Meqë të paktën një pjesë e ushtrisë izraelite fushonte në Gebë, në jug të Mikmashit, njësia filistine që merrte rrugën për në Ofrah shkonte, me sa duket, drejt veriut. Pra, Ofrahu duhej të ishte në veri të Mikmashit.—1Sa 13:16-18.
Shpesh studiuesit mendojnë se Ofrahu ishte qyteti i quajtur Efraim (2Sa 13:23; Gjo 11:54) dhe Efrain (2Kr 13:19), që e lidhin me Et Tajibën (rr. 6 km në lindje-verilindje të Bethelit).
3. Qyteti i Gideonit dhe vendi ku engjëlli i Jehovait e ngarkoi atë të shpëtonte Izraelin nga duart e Midianit. (Gjy 6:11-32) Pas fitores mbi forcat armike, Gideoni bëri një efod nga plaçka e luftës që dhanë si kontribut izraelitët dhe e vuri para të gjithëve në Ofrah. Efodi u bë objekt i adhurimit idhujtar. (Gjy 8:24-27) Kohë më vonë, pasi Gideoni vdiq dhe e varrosën në Ofrah, djali i tij ambicioz Abimeleku «vrau mbi një gur të vetëm vëllezërit e tij, shtatëdhjetë . . . Mbeti vetëm Jotami, djali i vogël.» (Gjy 8:32; 9:5) Pa numëruar Abimelekun, Gideoni kishte 70 bij. (Gjy 8:30, 31) Prandaj, meqë Jotami i shpëtoi masakrës, me sa duket Abimeleku vrau në Ofrah vetëm 69 djem. Fjalët e mëvonshme të Jotamit për këtë ngjarje, duket se tregojnë thjesht synimin e Abimelekut për t’i vrarë të 70 djemtë. (Gjy 9:18) Megjithatë, në një vepër judaike me të drejtë thuhet: «Sidoqoftë, nuk është pasaktësi ta rrumbullakosësh numrin e të flasësh për ‘shtatëdhjetë’ të vrarë.»—Soncino Books of the Bible, nga A. Koheni, Londër, 1950 (Josiu dhe Gjykatësit, f. 234).
Siç duket, ky Ofrah ndodhej në perëndim të Jordanit. Sot e lidhin me El ʽAfulehun (ʽAfulën), afro 45 km në veri të Sikemit.