JOHANANI
[formë e shkurtuar e emrit Jehohanan që do të thotë «Jehovai ka treguar miratim; Jehovai ka qenë hirmadh»].
1. Beniaminit; një nga luftëtarët e aftë e të fuqishëm që u bashkuan me Davidin në Ziklag; përdorte si dorën e djathtë, edhe të majtën.—1Kr 12:1-4.
2. Një nga 11 krerët gaditë sypatrembur që morën anën e Davidit në shkretëtirë.—1Kr 12:8, 12-15.
3. Kryeprift. Ka të ngjarë që i biri, Azariahu, të ketë qenë kryeprift kur mbreti Uziah veproi me arrogancë.—1Kr 6:9, 10; 2Kr 26:19, 20.
4. Djali i parëlindur i mbretit Josia. (1Kr 3:15) Duhet të ketë vdekur para të atit, përderisa nuk përmendet në asnjë rast si trashëgimtar i fronit, ndryshe nga tre vëllezërit e tij më të vegjël.—2Mb 23:30, 34; 24:17; Jr 22:11; shih JOSIA nr. 1.
5. Bir i Kareahut; një nga krerët e forcave ushtarake, të cilët mbetën në Judë pasi populli u syrgjynos në Babiloni verën e vitit 607 p.e.s. Ai mbështeti me gatishmëri emërimin e Gedaliahut dhe, kur mësoi se Ismaeli po komplotonte vrasjen e guvernatorit, i kërkoi leje Gedaliahut ta vriste Ismaelin fshehurazi, por ai nuk e la. (Jr 40:7, 8, 13-16) Gedaliahu u vra, Johanani u vu në krye të ushtrisë për t’i marrë hakun dhe robërit që kishte zënë Ismaeli u liruan; vrasësi arriti t’ia mbathte në Amon. (Jr 41:11-16) Nga frika se mos babilonasit hakmerreshin, Johanani dhe të tjerët pyetën profetin Jeremia ç’duhej të bënin, por në vend që të ndiqnin këshillën e Jehovait që të mos iknin, ata ia mbathën në Egjipt duke marrë me vete edhe Jereminë.—Jr 42:1–43:7; 2Mb 25:23-26.
6. Bir i Hakatanit dhe kreu i 110 meshkujve të shtëpisë atërore të Azgadit. Ata u kthyen me Johananin në Jerusalem kur u kthye Ezdra në vitin 468 p.e.s.—Ezd 8:1, 12.
7. Nip i Eliashibit, kryepriftit që ishte bashkëkohës me Neheminë. Te Nehemia 12:11 quhet Jonatan dhe ka të ngjarë të jetë një gabim gjatë kopjimit, pasi «Johanan» dhe «Jonatan» janë shumë të ngjashëm në hebraisht. Johanani përmendet te Nehemia 12:22, 23 dhe në një letër të gjetur mes papiruseve të Elefantinës quhet kryeprift.—Antikitete judaike, nga J. Flavi, XI, 297 (vii, 1).
8. Bir i Elioenait; Johanani përmendet në një listë gjenealogjike të shtëpisë së Davidit ku përfshihet edhe Zorobabeli dhe pasardhësit e tij.—1Kr 3:1, 10, 19, 24.