GRUAJA, II
Grua e martuar. Në hebraisht, fjala ʼishsháh do të thotë «grua» (fjalë për fjalë, burrë [njeri] femër) ose «bashkëshorte»; për gruan thuhet ‘e marrë në zotërim’ nga burri. (Is 62:4, shën.) Në greqisht, fjala giné do të thotë «bashkëshorte», por mund të nënkuptojë edhe një «grua» të martuar ose jo. Perëndia Jehova i dha burrit të parë, Adamit, një bashkëshorte, duke marrë prej tij një brinjë, nga e cila formoi gruan. Kësisoj, ajo u bë kockë e kockave të tij dhe mish i mishit të tij. Ishte plotësimi i Adamit, e krijuar si një ndihmëse për të. (Zn 2:18, 20-23) Perëndia komunikonte vetë dhe drejtpërdrejt me Adamin, i cili i përcillte së shoqes urdhërimet që merrte. Meqë u krijua i pari dhe sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, Adami kishte përparësi si kreu dhe ishte zëdhënësi i Perëndisë për gruan. Ai duhej ta ushtronte kryesinë me dashuri, kurse gruaja, si një ndihmëse, duhej të bashkëpunonte për plotësimin e urdhrit që mori çifti për shtimin e familjes njerëzore.—Zn 1:28; shih GRUAJA, I.
Pasi çifti mëkatoi, së pari Eva, e cila në vend që të ishte një ndihmëse, u bë një tunduese, e më pas Adami, i cili shkoi pas saj duke shkelur ligjin, Perëndia shpalli gjykimin për gruan: «Do të t’i shtoj së tepërmi dhembjet e shtatzënisë. Me dhembje do të sjellësh në jetë fëmijë; do të digjesh nga dëshira për tët shoq, dhe ai do të sundojë mbi ty.» (Zn 3:16) Që nga ajo kohë, në shumë popuj, gruan e ka sunduar vërtet i shoqi, madje shpesh me ashpërsi, dhe në vend që të ishte një shoqe e një ndihmëse, në mjaft raste është trajtuar më tepër si një shërbëtore.
Në shoqërinë e lashtë hebraike. Në shoqërinë e lashtë hebraike, burri ishte kreu i shtëpisë dhe pronari (heb., báʽal) i gruas, kurse gruaja ishte pronë (beʽuláh) e tij. Mes shërbëtorëve të Perëndisë gruaja zinte një vend të nderuar e plot dinjitet. Ndonëse të nënshtruara ndaj kryesisë së burrit, gratë e perëndishme që kishin vullnet e aftësi, gëzonin mjaft liri veprimi dhe ishin të lumtura në rolin e tyre; për to ishte një bekim që Perëndia Jehova i përdorte që t’i shërbenin në mënyrë të veçantë. Ndër shembujt e shumë grave besnike që përmenden në Bibël janë Sara, Rebeka, Debora, Rutha, Estera dhe Maria, nëna e Jezuit.
Gratë mbroheshin nga Ligji. Edhe pse burri kishte pozitë më të lartë brenda martesës, Perëndia kërkonte nga ai që të siguronte gjërat e nevojshme e të kujdesej për familjen nga ana materiale dhe frymore. Po ashtu, çdo keqbërje e familjes ndikonte edhe te burri; prandaj, ai kishte një përgjegjësi të rëndë. Ndonëse burri kishte privilegje më të mëdha se gruaja, ligji i Perëndisë e mbronte gruan dhe i jepte asaj disa privilegje të veçanta, që të kishte një jetë të lumtur e të frytshme.
Ja pak nga ligjet ku përfshiheshin edhe gratë: qoftë burri, qoftë gruaja, vriteshin nëse kryenin kurvëri. Nëse burri dyshonte se gruaja po e tradhtonte fshehurazi, ai mund ta çonte para priftërinjve, që çështjen ta gjykonte Jehovai; nëse gruaja dilte fajtore, organet e saj riprodhuese do të thaheshin, por nëse nuk ishte fajtore, burri ishte i detyruar ta linte shtatzënë për të treguar botërisht se pranonte pafajësinë e saj. (Nu 5:12-31) Burri mund ta divorconte gruan, po të gjente tek ajo ndonjë gjë të turpshme. Ka të ngjarë që kjo të përfshinte një mungesë të thellë respekti ose poshtërimin e shtëpisë së tij a të atit të tij. Sidoqoftë, gruaja ishte e mbrojtur, sepse nga burri kërkohej t’i jepte një dëshmi divorci të shkruar. Pastaj, ajo ishte e lirë të martohej me një burrë tjetër. (Lp 24:1, 2) Nëse gruaja zotohej për ndonjë gjë, por burri mendonte se kjo ishte e pamend ose në dëm të familjes, ai kishte të drejtë ta anulonte zotimin. (Nu 30:10-15) Kjo ishte mbrojtje për të shoqen, sepse e ruante nga çdo veprim i nxituar që mund ta fuste në telashe.
Ligji i Moisiut e lejonte poligaminë, mirëpo përcaktonte rregulla që mbronin bashkëshorten. Burri nuk mund ta kalonte të drejtën e të parëlindurit nga djali i gruas që donte më pak, te djali i gruas së tij të parapëlqyer. (Lp 21:15-17) Nëse babai shiste të bijën si skllave dhe zotëria e merrte si konkubinë, pronari mund të lejonte që ajo të shpengohej, nëse nuk i pëlqente, por nuk mund t’ia shiste një populli të huaj. (Da 21:7, 8) Nëse ai ose i biri e merrnin si konkubinë, por pastaj martoheshin me një grua tjetër, duhej t’i siguronin ushqim, veshje, strehim dhe të përmbushnin detyrën martesore.—Da 21:9-11.
Kur një burrë akuzonte me keqdashje të shoqen se e kishte gënjyer, duke thënë se ishte e virgjër kur u martuan, dhe akuza dilte e rreme, ai ndëshkohej dhe detyrohej t’i paguante të atit të gruas dyfishin e çmimit të nuses që përcaktohej për virgjëreshat dhe nuk lejohej ta divorconte sa të ishte gjallë. (Lp 22:13-19) Në rast se një burrë joshte një virgjëreshë të pafejuar dhe kryente marrëdhënie seksuale me të, ai duhej t’i paguante babait të vajzës çmimin e martesës dhe, nëse babai e lejonte, duhej të martohej me të dhe nuk mund ta divorconte sa të ishte gjallë.—Lp 22:28, 29; Da 22:16, 17.
Ndonëse pozita e grave në shoqërinë hebraike ishte disi e ndryshme nga statusi që kanë sot gratë në shoqërinë perëndimore, prapëseprapë gratë besnike hebreje ishin të kënaqura me pozitën dhe punën e tyre. Ato ndihmonin burrat, rritnin fëmijët, mbanin shtëpinë dhe bënin plot punë të tjera që u jepnin gëzim e kënaqësi, duke shprehur plotësisht natyrën femërore dhe talentet e tyre.
Përshkrimi i një gruaje të mirë. Lumturia e gruas besnike dhe punët që kryente ajo përshkruhen te kapitulli i 31-të i Proverbave. Aty thuhet se ajo vlen për të shoqin më shumë se koralet. Gëzon besimin e tij. Ajo është e papërtuar: end, bën veshje për familjen, ndihmon në blerjen e gjërave të nevojshme për shtëpinë, punon në vreshta, drejton shtëpinë dhe shërbëtorët, ndihmon ata që kanë nevojë, i vesh me shije familjarët, siguron të ardhura edhe nga punët e dorës, merr masa që familja t’u bëjë ballë nevojave të papritura të ardhshme, flet me mençuri e dashamirësi dhe, ngaqë ka frikë nga Jehovai e bën vepra të mira, i shoqi dhe bijtë e saj e lëvdojnë, e në këtë mënyrë ajo nderon burrin dhe familjen. Vërtet, kush ka gjetur një grua të mirë, ka gjetur një gjë të mirë dhe merr pëlqimin e Jehovait.—Pr 18:22.
Në kongregacionin e krishterë. Norma brenda kongregacionit të krishterë është që burri të ketë një grua të vetme të gjallë. (1Ko 7:2; 1Ti 3:2) Gratë urdhërohen të jenë të nënshtruara ndaj burrave, qofshin besimtarë të krishterë ose jo. (Ef 5:22-24) Gruaja duhet të plotësojë detyrimin martesor, sepse ashtu si në rastin e burrit, edhe gruaja «nuk ka autoritet mbi trupin e saj». (1Ko 7:3, 4) Gratë nxiten që stolisja e tyre parësore të jetë ajo e njeriut të fshehtë të zemrës; ato duhet të shfaqin frytin e frymës, e ndoshta në këtë mënyrë, vetëm falë sjelljes, mund të fitojnë burrat jobesimtarë e t’i nxitin të bëhen të krishterë.—1Pj 3:1-6.
Përdorimi i figurshëm. Në kuptimin e figurshëm Jehovai e quajti Izraelin gruan e tij, falë besëlidhjes që kishte bërë me kombin. (Is 54:6) Apostulli Pavël e quan Jehovain Atin e të krishterëve të lindur nga fryma, kurse ‘Jerusalemin lart’ nënën e tyre, sikur Jehovai të ishte martuar me të që të sillte në jetë të krishterët e lindur nga fryma. (Ga 4:6, 7, 26) Kongregacioni i krishterë quhet nusja ose gruaja e Jezu Krishtit.—Ef 5:23, 25; Zb 19:7; 21:2, 9.