BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Miti 1: Shpirti është i pavdekshëm
    Kulla e Rojës—2009 | 1 Nëntor
    • Miti 1: Shpirti është i pavdekshëm

      Nga e ka origjinën ky mit?

      «Filozofët e hershëm të krishterë përvetësuan konceptin grek të pavdekësisë së shpirtit dhe idenë se shpirti krijohet nga Perëndia e pastaj futet në trup gjatë ngjizjes.»​—The New Encyclopædia Britannica (1988), vëllimi 11, faqja 25.

      Çfarë thotë Bibla?

      «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.»​—Ezekieli 18:4, Diodati i Ri.

      Bibla thotë për krijimin e shpirtit të parë njerëzor: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt [hebraisht, néphesh] i gjallë.»​—Zanafilla 2:7.

      Fjala hebraike néphesh, e përkthyer «shpirt», ka kuptimin ‘një krijesë që merr frymë’. Kur Perëndia krijoi njeriun e parë Adamin, nuk futi tek ai një shpirt të pavdekshëm, por forcën e jetës, e cila mbështetet nga frymëmarrja. Prandaj, në kuptimin biblik, «shpirti» i referohet të gjithë qenies së gjallë. Nëse ndahet nga forca e jetës që u dha në fillim nga Perëndia, shpirti vdes.​—Zanafilla 3:19; Ezekieli 18:20.

      Doktrina e pavdekësisë së shpirtit ngre disa pyetje: ku shkojnë shpirtrat pas vdekjes? Ç’ndodh me shpirtrat e të ligjve? Kur të ashtuquajturit të krishterë përvetësuan mitin e shpirtit të pavdekshëm, si pasojë pranuan një mit tjetër​—ferrin e zjarrtë.

      Krahasoni këto vargje biblike: Eklisiastiu 3:19; Mateu 10:28; Veprat 3:23

      E VËRTETA:

      Kur njeriu vdes, nuk ekziston më

  • Miti 2: Të ligjtë vuajnë në ferr
    Kulla e Rojës—2009 | 1 Nëntor
    • Miti 2: Të ligjtë vuajnë në ferr

      Nga e ka origjinën ky mit?

      «Nga të gjithë filozofët grekë klasikë, ai që ka ndikuar më shumë në pikëpamjet tradicionale për ferrin, është Platoni.»​—Histoire des enfers (Historia e ferrit), nga Zhorzh Minua, faqja 50.

      «Nga mesi i shekullit të 2-të të e.s., të krishterët që kishin njëfarë përgatitjeje në filozofinë greke, filluan të ndienin nevojën për të shprehur besimin e tyre me anë të termave të saj. . . . Filozofia që u përshtatej atyre më mirë ishte platonizmi [mësimet e Platonit].»​—The New Encyclopædia Britannica (1988), vëllimi 25, faqja 890.

      «Mësimet e Kishës pohojnë ekzistencën e ferrit dhe të përjetësisë së tij. Menjëherë pas vdekjes, shpirtrat e atyre që vdesin në një gjendje mëkati të pafalshëm, zbresin në ferr, ku vuajnë ndëshkimin e ferrit, ‘zjarrin e përjetshëm’. Ndëshkimi kryesor i ferrit është ndarja e përjetshme nga Perëndia.»​—Katekizmi i Kishës Katolike, botim i vitit 1994, faqja 270, anglisht.

      Çfarë thotë Bibla?

      «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; . . . sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»​—Eklisiastiu 9:5, 10, Diodati i Ri.

      Fjala hebraike Sheol, që i referohet «vendit të të vdekurve», është përkthyer «ferr» në disa versione të Biblës. Çfarë zbulon ky shkrim për gjendjen e të vdekurve? A vuajnë ata në Sheol për të shlyer fajet? Jo, sepse ata «nuk dinë asgjë». Ja pse patriarku Job, kur po vuante tmerrësisht nga një sëmundje e rëndë, iu përgjërua Perëndisë: «Më mbro në ferr [hebraisht, Sheol].» (Jobi 14:13; Douay-Rheims Version) Ç’kuptim do të kishte pasur kjo kërkesë, nëse Sheoli do të ishte një vend mundimi të përjetshëm? Ferri, në kuptimin biblik, është thjesht varri i përbashkët i njerëzimit, ku nuk bëhet më asnjë gjë.

      A nuk është ky përkufizim për ferrin më i logjikshëm e në përputhje me Shkrimet? Cili krim, ndonëse i tmerrshëm, mund ta shtynte Perëndinë e dashurisë që të torturonte një person në pafundësi? (1 Gjonit 4:8) Por, nëse ferri i zjarrtë është një mit, a është e tillë edhe jeta në qiell?

      Krahasoni këto vargje biblike: Psalmi 146:3, 4; Veprat 2:25-27; Romakëve 6:7, 23

      E VËRTETA:

      Perëndia nuk i ndëshkon njerëzit në ferr

  • Miti 3: Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell
    Kulla e Rojës—2009 | 1 Nëntor
    • Miti 3: Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell

      Nga e ka origjinën ky mit?

      Pas vdekjes së apostujve të Jezuit, nga fillimi i shekullit të dytë të e.s., etërit e hershëm të kishës filluan të kishin epërsi. Enciklopedia New Catholic Encyclopedia (2003), vëllimi 6, faqja 687, duke përshkruar mësimet e tyre thotë: «Rryma e përgjithshme e mësimeve ishte se, shpirtit të ndarë nga trupi, i jepet lumturia në qiell menjëherë pas çfarëdo pastrimi të nevojshëm që i bëhet pas vdekjes.»

      Çfarë thotë Bibla?

      «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»​—Mateu 5:5.

      Megjithëse Jezui u premtoi dishepujve se ‘do t’u përgatiste një vend’ në qiell, ai tregoi se atje nuk shkojnë të gjithë të drejtët. (Gjoni 3:13; 14:2, 3) A nuk u lut ai që të bëhej vullneti i Perëndisë «si në qiell, edhe në tokë»? (Mateu 6:9, 10) Në të vërtetë, të drejtët do të shkojnë ose në njërin vend, ose në tjetrin. Një pakicë do të sundojë në qiell me Krishtin, por shumica do të jetojnë përgjithmonë në tokë.​—Zbulesa 5:10.

      Me kalimin e kohës, kisha e hershme ndryshoi pikëpamje për rolin e saj në tokë. Cili qe rezultati? «Kisha zëvendësoi gjithnjë e më shumë Mbretërinë e pritur të Perëndisë»,​—thotë The New Encyclopædia Britannica. Kisha filloi ta forconte pushtetin duke u përzier në politikë dhe duke shpërfillur kështu pohimet e qarta të Jezuit se dishepujt e tij nuk duhej të ishin «pjesë e botës». (Gjoni 15:19; 17:14-16; 18:36) Nën ndikimin e perandorit romak, Kostandinit, kisha komprometoi disa nga bindjet e saj, një prej të cilave kishte të bënte me vetë natyrën e Perëndisë.

      Krahasoni këto vargje biblike: Psalmi 37:10, 11, 29; Gjoni 17:3; 2 Timoteut 2:11, 12

      E VËRTETA:

      Shumica e njerëzve të mirë do të jetojnë përgjithmonë në tokë​—jo në qiell

  • Miti 4: Perëndia është Trinitet
    Kulla e Rojës—2009 | 1 Nëntor
    • Miti 4: Perëndia është Trinitet

      Nga e ka origjinën ky mit?

      «Mund të krijohet përshtypja se në fund të fundit, dogma e Trinitetit është një koncept që doli në fund të shekullit të katërt. Në njëfarë kuptimi, kjo është e vërtetë. . . . Formula ‘një Perëndi në tre persona’ nuk kishte ende një formulim të konsoliduar, dhe sigurisht, nuk ishte bërë pjesë e jetës së krishterë dhe e bindjeve të tyre fetare deri aty nga fundi i shekullit të katërt.»​—New Catholic Encyclopedia (1967), vëllimi 14, faqja 299.

      «Këshilli i Nicesë u mblodh më 20 maj të vitit 325 [të e.s.]. Vetë Kostandini drejtoi punimet, duke i drejtuar në mënyrë aktive diskutimet dhe duke propozuar personalisht . . . formulën vendimtare të kredos që nxori këshilli, që shprehte lidhjen midis Krishtit dhe Perëndisë me fjalët ‘e njëjta substancë si Ati’. . . . Të mbushur me respekt dhe frikë për perandorin, peshkopët, me përjashtim të dy prej tyre, e firmosën kredon, ndonëse shumë e bënë këtë kundër bindjeve që kishin».​—Encyclopædia Britannica (1970), vëllimi 6, faqja 386.

      Çfarë thotë Bibla?

      «Por [Stefani], mbushur me Frymë të Shenjtë i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë dhe tha: ‘Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë.’»​—Veprat 7:55, 56, Diodati i Ri.

      Çfarë zbuloi ky vegim? I mbushur me forcën vepruese të Perëndisë, Stefani pa Jezuin «që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë». Është e qartë pra, se pas ringjalljes në qiell Jezui nuk u bë Perëndia, por përkundrazi, një qenie frymore më vete. Në këtë tregim nuk përmendet një person i tretë pranë Perëndisë. Me gjithë orvatjet për të gjetur fragmente në Shkrime që të mbështetin dogmën e Trinitetit, prifti domenikan Mari-Emil Buasmar shkroi në një libër të tijin: «Pohimi se ka tre persona në një Perëndi . . . nuk mund të gjendet askund në Dhiatën e Re.»​—À l’aube du christianisme​—La naissance des dogmes (Në agim të krishterimit​—Lindja e dogmave).

      Dogma që përkrahu Kostandini kishte si synim t’u jepte fund debateve brenda Kishës në shekullin e katërt. Por faktikisht ajo ngriti një çështje tjetër: a ishte Maria, gruaja që lindi Jezuin, «Nëna e Perëndisë»?

      Krahasoni këto vargje biblike: Mateu 26:39; Gjoni 14:28; 1 Korintasve 15:27, 28; Kolosianëve 1:15, 16

      E VËRTETA:

      Dogma e Trinitetit është një shpikje e fundit të shekullit të katërt

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo