Kutia e pyetjes
◼ Për sa kohë duhet ta vazhdojmë studimin biblik me ata që bëjnë përparim?
Më e mira është që ta vazhdojmë studimin me dikë që bën përparim derisa të ketë mbaruar dy botimet: Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’. Kjo vlen edhe nëse studenti pagëzohet para se t’i mbarojë këta dy libra. Edhe pas pagëzimit mund ta përfshijmë në raportin tonë kohën, rivizitën dhe studimin me të. Nëse na shoqëron një lajmëtar tjetër që merr pjesë në studim, edhe ai mund ta quajë si shërbim atë kohë.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë, mars 2009, faqja 2.
Është e rëndësishme që të rinjtë të hedhin një themel të fortë në të vërtetën para se të ecin me këmbët e veta. Është e nevojshme ‘të rrënjosen’ në Krishtin dhe ‘të bëhen të qëndrueshëm në besim’ në mënyrë që të përballojnë sprovat që me siguri do të hasin. (Kolos. 2:6, 7; 2 Tim. 3:12; 1 Pjet. 5:8, 9) Për më tepër, që t’i mësojnë të tjerët me efektshmëri, duhet të kenë «njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Duke mbaruar dy libra me studentët tanë, i ndihmojmë të ecin mbi një bazë të palëkundshme në ‘rrugën që të çon në jetë’.—Mat. 7:14.
Para se të japin miratimin për pagëzim, pleqtë duhet të sigurohen se ai i kupton qartë mësimet kryesore biblike dhe po jeton në harmoni me to. Pleqtë duhet të tregojnë kujdes sidomos kur shqyrtojnë rastin e një studenti që nuk ka mbaruar akoma librin e parë të studimit. Nëse dikush nuk është gati për t’u pagëzuar, pleqtë do të sigurohen që ai të marrë personalisht ndihmën e duhur që të kualifikohet për pagëzim në të ardhmen.—Shih librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, te nëntitulli që fillon në faqen 216 deri në faqen 218.
[Diçitura në faqen 2]
Është e rëndësishme që të rinjtë të hedhin një themel të fortë në të vërtetën