Shtator
E hënë, 1 shtator
Nga lart do të shkëlqejë mbi ne . . . agimi.—Luka 1:78.
Perëndia i ka dhënë Jezuit fuqinë të zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit. Me anë të mrekullive të tij, Jezui tregoi se ka fuqi të zgjidhë probleme që nuk do t’i zgjidhnim dot kurrë me forcat tona. Për shembull, ai ka fuqinë të na shpëtojë duke zhdukur shkakun rrënjësor të problemeve të njerëzimit—mëkatin e trashëguar dhe pasojat e tij, si sëmundjet e vdekjen. (Mat. 9:1-6; Rom. 5:12, 18, 19) Bëmat e mrekullueshme të Jezuit janë provë se ai mund të shërojë «çdo lloj» sëmundjeje, madje edhe të kthejë në jetë të vdekurit. (Mat. 4:23; Gjoni 11:43, 44) Gjithashtu ka fuqinë të fashitë stuhi të egra dhe të mundë frymëra të liga. (Mar. 4:37-39; Luka 8:2) Sa na e qetëson zemrën fakti që Jehovai i ka dhënë Birit të tij një fuqi të tillë! Mund të jemi plotësisht të sigurt se së shpejti do të gëzojmë bekimet e premtuara nën Mbretërinë e Perëndisë. Mrekullitë që kreu Jezui kur jetoi në tokë, tregojnë ç’do të bëjë në një masë shumë më të madhe si Mbreti qiellor i Mbretërisë së Perëndisë. w23.04 3 ¶5-7
E martë, 2 shtator
Fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.—1 Kor. 2:10.
Nëse je në një kongregacion me shumë lajmëtarë dhe shpesh nuk ta japin fjalën, ndoshta të vjen të mos e ngresh më dorën. Por mos u dorëzo. Vazhdo të përpiqesh të komentosh. Përgatit disa komente për çdo mbledhje. Kështu, nëse nuk të jepet fjala nga fillimi i mbledhjes, do të kesh mundësi të tjera të komentosh gjatë mbledhjes. Kur përgatitesh për Studimin e Kullës së Rojës, mendo si lidhet secili paragraf me temën e artikullit. Në këtë mënyrë, ka shumë gjasa të kesh komente me vlerë gjatë gjithë artikullit. Gjithashtu, mund të përgatitësh komente për paragrafët ku flitet për të vërteta të thella që janë më të vështira për t’u shpjeguar. Pse? Sepse gjatë asaj pjese të artikullit mund të ketë më pak komentues. Po nëse edhe pas disa mbledhjesh akoma nuk ke pasur mundësi të komentosh? Mund t’i tregosh drejtuesit para mbledhjes se cilës pyetje do të doje t’i përgjigjeshe. w23.04 21-22 ¶9-10
E mërkurë, 3 shtator
Jozefi . . . bëri siç e kishte udhëzuar engjëlli i Jehovait: e mori në shtëpi gruan e tij.—Mat. 1:24.
Jozefi e ndiqte pa ngurruar drejtimin e Jehovait, dhe kjo e bëri një bashkëshort më të mirë. Të paktën në tri raste, ai mori udhëzime nga Perëndia në lidhje me familjen e tij. Në çdo rast u bind menjëherë, edhe kur kjo kërkonte sakrifica të mëdha. (Mat. 1:20; 2:13-15, 19-21) Duke ndjekur drejtimin e Perëndisë, Jozefi e mbrojti Marinë, u kujdes për të dhe i siguroi gjërat e nevojshme. Imagjino si thellohej dashuria dhe respekti i Marisë për Jozefin kur shihte si vepronte ai! Ju burra mund ta imitoni Jozefin duke kërkuar këshilla të bazuara në Bibël se si të kujdeseni për familjen. Kur i zbatoni këto këshilla, edhe nëse kjo kërkon sakrifica, po tregoni dashuri për gruan tuaj dhe po forconi martesën. Një motër në Vanuatu që ka mbi 20 vjet e martuar, thotë: «Kur im shoq kërkon dhe ndjek drejtimin e Jehovait, e respektoj akoma më shumë. Ndihem e sigurt dhe kam besim te vendimet e tij.» w23.05 21 ¶5
E enjte, 4 shtator
Do të ketë një rrugë të gjerë, po, një udhë që quhet Udha e Shenjtërisë.—Isa. 35:8.
Judenjtë e rikthyer nga Babilonia do të bëheshin «një popull i shenjtë» për Perëndinë e tyre. (Ligj. 7:6) Ama kjo s’do të thoshte se s’kishin nevojë të bënin ndryshime për të kënaqur Jehovain. Shumica e judenjve që kishin lindur në Babiloni, me sa duket ishin mësuar me mentalitetin dhe standardet e babilonasve. Dekada pas kthimit të judenjve të parë në Izrael, guvernatori Nehemia u trondit kur pa se disa fëmijë që kishin lindur në Izrael, nuk dinin ta flisnin gjuhën e judenjve. (Ligj. 6:6, 7; Neh. 13:23, 24) E si mund të mësonin ta donin dhe ta adhuronin Jehovain nëse nuk kuptonin hebraisht—gjuha kryesore në të cilën ishte shkruar Fjala e Perëndisë?! (Ezd. 10:3, 44) Prandaj, ata judenj duhej të bënin ndryshime rrënjësore në jetë. Por do ta kishin shumë më të lehtë t’i bënin ato ndryshime ngaqë jetonin në Izrael, ku po rivendosej gradualisht adhurimi i pastër.—Neh. 8:8, 9. w23.05 15 ¶6-7
E premte, 5 shtator
Jehovai u bëhet krah të gjithë atyre që po bien; ai i ngre të gjithë ata që janë kërrusur nga hallet.—Psal. 145:14.
Mjerisht, sado të motivuar ose të disiplinuar të jemi, mund të ndodhë të pengohemi gjatë rrugës për të arritur një synim. Për shembull, «ngjarjet e papritura» mund të na vjedhin kohën e nevojshme që të punojmë për synimin tonë. (Ekl. 9:11) Mund të përballemi me një problem që na shkurajon dhe na pret krahët. (Prov. 24:10) Papërsosmëria mund të na shtyjë të veprojmë në një mënyrë që na e bën shumë më të vështirë ta arrijmë synimin. (Rom. 7:23) Ose thjesht mund të ndihemi të lodhur. (Mat. 26:43) Ç’mund të bëjmë që të ngrihemi e ta vazhdojmë udhëtimin? Mos harro se të rrëzohesh nuk do të thotë që ke dështuar. Bibla tregon se mund të hasim shpesh probleme ose vështirësi. Por njëkohësisht e bën të qartë se, po të biem, mund të ngrihemi përsëri. Po, kur vazhdon rrugën pavarësisht nga pengesat, i tregon Jehovait se dëshiron ta kënaqësh. Kushedi sa i lumtur ndihet Jehovai kur sheh që nuk dorëzohesh, por vazhdon të punosh për synimin tënd! w23.05 30 ¶14-15
E shtunë, 6 shtator
[Bëhuni] shembuj për kopenë.—1 Pjet. 5:3.
Shërbimi si pionier e ndihmon një vëlla të ri të mësojë si të bashkëpunojë me njerëz që kanë lloj-lloj personalitetesh. E ndihmon edhe të bëjë një buxhet e t’i përdorë me mençuri të ardhurat. (Filip. 4:11-13) Një trampolinë drejt shërbimit në kohë të plotë është shërbimi si pionier ndihmës, i cili e përgatit dikë të shërbejnë si pionier i rregullt. Shërbimi i pionierit mund të hapë derën për forma të tjera të shërbimit në kohë të plotë, si për shembull shërbëtor ndërtimi ose bethelit. Të gjithë vëllezërit duhet të përpiqen të përmbushin kërkesat për t’u shërbyer bashkëbesimtarëve si pleq kongregacioni. Bibla thotë se kush synon të marrë përsipër këtë përgjegjësi, «dëshiron një punë të shkëlqyer». (1 Tim. 3:1) Së pari, një vëlla duhet të kualifikohet për të qenë shërbëtor kongregacioni. Shërbëtorët e kongregacionit i ndihmojnë pleqtë në shumë mënyra praktike. Pleqtë dhe shërbëtorët e kongregacionit u shërbejnë me përulësi vëllezërve e motrave dhe marrin pjesë me zell në shërbim. w23.12 28 ¶14-16
E diel, 7 shtator
Kur ishte ende djalosh, filloi të kërkonte Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij.—2 Kron. 34:3.
Mbreti Josia ishte djalosh kur nisi të kërkonte Jehovain ose të afrohej më shumë me të. Ai donte të mësonte për Jehovain dhe të bënte vullnetin e Tij. Por jeta nuk ishte e lehtë për këtë mbret të ri. I duhej guxim që të luftonte kundër adhurimit të rremë që ishte përhapur në atë kohë. Dhe i guximshëm u tregua! Para se të mbushte 20 vjeç, Josia nisi të pastronte kombin nga adhurimi i rremë. (2 Kron. 34:1, 2) Edhe nëse je në moshë mjaft të re, mund të vendosësh të imitosh Josinë duke u afruar më shumë me Jehovain dhe duke mësuar të çmosh cilësitë e Tij. Kjo do të të motivojë t’i kushtosh jetën. Si do të ndikojë ky kushtim në jetën tënde? Luka, që u pagëzua kur ishte 14 vjeç, thotë: «Tani e tutje, gjëja më rëndësishme në jetën time do të jetë t’i shërbej Jehovait dhe do të përpiqem ta bëj të lumtur.» (Mar. 12:30) Çfarë bekimi do të jetë për ty nëse dëshiron të bësh po njëlloj! w23.09 11 ¶12-13
E hënë, 8 shtator
Tregoni respekt për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush, që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë.—1 Sel. 5:12.
Kur apostulli Pavël shkroi këtë letër, kongregacioni në Selanik ishte formuar nga më pak se një vit. Ka shumë gjasa që burrat e emëruar të mos kishin përvojë dhe bënin gabime. Gjithsesi, ata meritonin respekt. Ndërsa afrohet shtrëngimi i madh, ndoshta do të jemi akoma më të varur nga drejtimi i pleqve. Mund të humbim lidhjet me selinë botërore e me zyrën e degës; prandaj është e rëndësishme të mësojmë t’i duam dhe t’i respektojmë pleqtë tanë sot. Çfarëdo që të ndodhë, le të ruajmë gjykimin e të mos përqendrohemi te të metat e tyre, por te fakti që Jehovai po i udhëheq këta burra besnikë nëpërmjet Krishtit. Ashtu si helmeta që i mbronte kokën ushtarit, shpresa e shpëtimit na mbron mendjen. Ne e kuptojmë se çdo gjë që ofron kjo botë s’ka pikë vlere. (Filip. 3:8) Shpresa na ndihmon të ruajmë qetësinë dhe ekuilibrin. w23.06 11 ¶11-12
E martë, 9 shtator
Gruaja e pamend është llafazane, injorante.—Prov. 9:13.
Ata që dëgjojnë ftesën e ‘gruas së pamend’, duhet të vendosin nëse do ta pranojnë. Ka arsye të forta pse duhet ta shmangim sjelljen imorale. Te Proverbat 9 lexojmë që «gruaja e pamend» thotë: «Të ëmbla janë ujërat e vjedhura.» (Prov. 9:17) Çfarë janë «ujërat e vjedhura»? Bibla i krahason marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve me ujin e freskët. (Prov. 5:15-18) Kur një burrë e një grua janë të martuar ligjërisht, është me vend të kenë marrëdhënie seksuale të përshtatshme me njëri-tjetrin. Por sa ndryshe janë «ujërat e vjedhura», që mund të nënkuptojnë marrëdhëniet imorale, të paligjshme. Kjo zakonisht ndodh në fshehtësi, ashtu si hajdutët që vjedhin fshehurazi. «Ujërat e vjedhura» mund t’u duken të ëmbla atyre që bëjnë imoralitet sidomos kur mendojnë se po ia hedhin pa u lagur. Mirëpo gënjejnë veten, sepse Jehovai sheh gjithçka! E s’ka gjë më të hidhur se të humbësh miratimin e tij, pra nuk ka asgjë ‘të ëmbël’ te kjo pasojë tragjike.—1 Kor. 6:9, 10. w23.06 22 ¶7-9
E mërkurë, 10 shtator
Edhe sikur ta bëj kundër vullnetit tim, nuk harroj se kjo detyrë më është besuar si kujdestar.—1 Kor. 9:17.
Çfarë të bësh nëse të duket që lutjet e tua janë bërë mekanike ose që shërbimi yt është kthyer në diçka monotone? Mos nxirr përfundimin se nuk ke më frymën e Jehovait. Si njeri i papërsosur, ndjenjat e tua mund të luhaten. Nëse ka filluar të të venitet zelli, mendo për shembullin e apostullit Pavël. Ndonëse përpiqej të imitonte Jezuin, ai e dinte se nganjëherë nuk do të ishte aq i motivuar për shërbimin. Pavli ishte i vendosur ta kryente shërbimin e tij, pavarësisht se si ndihej për momentin. Edhe ti mos lejo që vendimet e tua të bazohen thjesht te ndjenjat që provon si njeri i papërsosur. Ji i vendosur të bësh atë që është e drejtë, pavarësisht se si ndihesh. Me kohë ka shumë të ngjarë që veprimet e tua të ndikojnë për mirë te ndjenjat.—1 Kor. 9:16. w24.03 11-12 ¶12-13
E enjte, 11 shtator
Jepuni prova të dashurisë suaj.—2 Kor. 8:24.
Mund të tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat duke i pranuar me përzemërsi në rrethin e miqve. (2 Kor. 6:11-13) Shumë prej nesh jemi në kongregacione që përbëhen nga vëllezër e motra me formime dhe personalitete të ndryshme. Mund ta forcojmë dashurinë për ta duke u përqendruar te cilësitë e tyre të mira. Kur mësojmë t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai, tregojmë se i duam. Dashuria do të jetë jetësore gjatë shtrëngimit të madh. Ku do të gjejmë mbrojtje kur të fillojë shtrëngimi i madh? Të mendojmë çfarë udhëzimi i dha Jehovai popullit të tij kur u sulmua Babilonia e lashtë: «Shko, populli im, hyr në dhomat e tua të brendshme, aty ku je më i sigurt, dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast derisa të kalojë zemërimi.» (Isa. 26:20) Këto fjalë duket se vlejnë edhe për ne sot që kemi para shtrëngimin e madh. w23.07 6-7 ¶14-16
E premte, 12 shtator
Skena e kësaj bote po ndryshon.—1 Kor. 7:31.
Duhet të kemi reputacion si njerëz të arsyeshëm. Ndaj, të pyesim veten: «A më shohin të tjerët si njeri të arsyeshëm, tolerant dhe që hap rrugë? Apo më shohin si njeri strikt, të vrazhdë ose kokëfortë? A i dëgjoj dhe u hap rrugë dëshirave të tyre kur është e mundur?» Sa më të arsyeshëm të jemi, aq më shumë po imitojmë Jehovain dhe Jezuin. Një njeri i arsyeshëm tregohet elastik kur ndryshojnë rrethanat. Ndryshimet në jetë mund të na sjellin probleme që s’na i kishte marrë mendja. Për shembull, befas mund të kemi një problem të rëndë shëndetësor. Ose ndryshimet e papritura në ekonomi a në situatën politike mund të na e vështirësojnë goxha jetën. (Ekl. 9:11) Edhe ndryshimi i një caktimi teokratik mund të jetë një sfidë. Mund të përshtatemi me sukses me rrethanat e reja nëse bëjmë këta katër hapa: (1) pranojmë realitetin, (2) i mbajmë sytë nga e ardhmja, (3) përqendrohemi te gjërat pozitive dhe (4) bëjmë për të tjerët. w23.07 21-22 ¶7-8
E shtunë, 13 shtator
Ti je shumë i vyer.—Dan. 9:23.
Profeti Daniel ishte i ri në moshë kur babilonasit e morën si rob lufte dhe e syrgjynosën larg vendlindjes. Por me sa duket, Danieli u tërhoqi vëmendjen autoriteteve babilonase. Ata panë ‘atë që shihte syri’—pra që ai ishte ‘pa asnjë të metë, i pashëm’ dhe vinte nga derë fisnike. (1 Sam. 16:7) Prandaj babilonasit e stërvitën që të bëhej pjesë e elitës së shoqërisë së tyre. (Dan. 1:3, 4, 6) Jehovai e donte Danielin e ri për llojin e njeriut që zgjodhi të bëhej. Në fakt, Danieli mund të ketë qenë nga fundi i adoleshencës ose fillimi i të 20-ve kur Jehovai e përmendi si një shembull krahas Noesë dhe Jobit, të cilët kishin gëzuar miratimin e Tij për dekada të tëra. (Zan. 5:32; 6:9, 10; Jobi 42:16, 17; Ezek. 14:14) E Jehovai vazhdoi t’i tregonte dashuri Danielit gjatë gjithë jetës së tij të gjatë e mbresëlënëse.—Dan. 10:11, 19. w23.08 2 ¶1-2
E diel, 14 shtator
Kuptoni cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e së vërtetës.—Efes. 3:18.
Kur vendos nëse do të blesh një shtëpi, dëshiron ta studiosh vetë me imtësi banesën tënde të ardhshme. Edhe kur lexon e studion Shkrimet, mund të bësh diçka të ngjashme. Po ta lexosh shpejt e shpejt, mund të mësosh vetëm faktet bazë—«gjërat elementare të thënieve të shenjta të Perëndisë». (Hebr. 5:12) Në vend të kësaj, ashtu siç do të bëje me shtëpinë, hyr «brenda» dhe shqyrto gjithë hollësitë e saj mahnitëse. Një mënyrë e shkëlqyer për ta studiuar Biblën është të shohësh si ndërthuren pjesët e ndryshme të saj. Përpiqu të kuptosh jo vetëm çfarë të vërtetash beson, por edhe pse i beson. Që ta kuptojmë plotësisht Fjalën e Perëndisë, duhet të ndalemi te të vërteta të thella të saj. Apostulli Pavël i nxiti vëllezërit e motrat ta studionin me kujdes Fjalën e Perëndisë, që ‘të kuptonin krejtësisht cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e së vërtetës. Kështu do të bëheshin akoma më «të rrënjosur» e më «të qëndrueshëm» në besim. (Efes. 3:14-19) Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. w23.10 18 ¶1-3
E hënë, 15 shtator
Vëllezër, merrni si shembull vuajtjet dhe durimin e profetëve që folën në emër të Jehovait.—Jak. 5:10.
Në Bibël gjejmë plot shembuj durimi. Pse të mos bësh një projekt studimi për të shqyrtuar historitë e tyre? Për shembull, Davidi u miros në moshë të re që të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit, por iu desh të priste vite të tëra që të hipte në fron. Simeoni dhe Ana e adhuruan me besnikëri Jehovain ndërsa prisnin Mesinë e premtuar. (Luka 2:25, 36-38) Teksa shqyrton shembuj të tillë, përpiqu t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve: «Çfarë mund ta ketë ndihmuar këtë personazh të tregonte durim? Si nxori dobi ngaqë u tregua i duruar? Si mund ta imitoj?» Mund të përfitosh edhe nga shembulli i atyre që nuk treguan durim. (1 Sam. 13:8-14) Ndërsa shqyrton këta shembuj negativë, pyet veten: «Cila mund të ketë qenë arsyeja pse u treguan të paduruar? Çfarë pasojash patën?» w23.08 25 ¶15
E martë, 16 shtator
Ne besojmë dhe e dimë se ti je i Shenjti i Perëndisë.—Gjoni 6:69.
Apostulli Pjetër ishte besnik; ai nuk lejoi asgjë që ta bënte të dorëzohej përfundimisht. Në një rast, e tregoi besnikërinë kur Jezui tha diçka që dishepujt nuk e kuptuan. (Gjoni 6:68) Shumë veta nuk pritën që Jezui të jepte një shpjegim, por vendosën të mos e ndiqnin më. Ama Pjetri nuk ishte mes tyre. Ai pranoi se vetëm Jezui kishte «fjalë që të çojnë në jetën e përhershme». Jezui e dinte se Pjetri dhe apostujt e tjerë do ta braktisnin. Sidoqoftë shprehu sigurinë se Pjetri do ta merrte veten nga kjo e do të qëndronte besnik. (Luka 22:31, 32) Jezui e kuptonte se «zemra është gati, por trupi është i dobët». (Mar. 14:38) Prandaj, edhe pasi Pjetri mohoi se e njihte, Jezui nuk hoqi dorë nga apostulli i tij. Pasi u ringjall, ai iu shfaq Pjetrit—me sa duket kur Pjetri ishte vetëm. (Mar. 16:7; Luka 24:34; 1 Kor. 15:5) Sa shumë duhet t’i ketë dhënë zemër kjo apostullit të shkurajuar! w23.09 22 ¶9-10
E mërkurë, 17 shtator
Lum ata që u janë falur veprat e liga dhe u janë fshirë mëkatet!—Rom. 4:7.
Perëndia ua fal ose ua fshin mëkatet atyre që tregojnë besim tek ai. Ai i fal plotësisht dhe nuk ua llogarit më gabimet. (Psal. 32:1, 2) Ngaqë tregojnë besim, Jehovai i sheh si të pafaj e të drejtë. Ndonëse Perëndia i shpalli të drejtë, Abrahami, Davidi dhe adhurues të tjerë besnikë prapë ishin mëkatarë të papërsosur. Por falë besimit të tyre, Perëndia i shihte si të pafaj, sidomos karshi njerëzve që nuk e adhuronin. (Efes. 2:12) Siç e bën të qartë apostulli Pavël në letrën e tij, besimi është jetësor për të pasur një marrëdhënie personale me Perëndinë. Kështu ishte për Abrahamin dhe Davidin, e kështu është edhe për ne. w23.12 3 ¶6-7
E enjte, 18 shtator
T’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, po, frytin e buzëve tona, duke shpallur publikisht emrin e tij.—Hebr. 13:15.
Sot të gjithë ne kemi privilegjin t’i paraqesim flijime Jehovait duke përdorur kohën tonë, energjitë dhe të mirat materiale për të mbështetur Mbretërinë e tij. Çmueshmërinë për privilegjin që ta adhurojmë Jehovain, mund ta tregojmë duke sakrifikuar për të më të mirën tonë. Apostulli Pavël përmend disa aspekte të adhurimit që nuk duhet t’i lëmë kurrë pas dore. (Hebr. 10:22-25) Këto përfshijnë t’i afrohemi Jehovait në lutje, të dëshmojmë publikisht për shpresën tonë, të ndjekim mbledhjet e kongregacionit dhe t’i japim zemër njëri-tjetrit, «aq më tepër tani që e shohim se dita [e Jehovait] po afrohet». Nga fundi i librit të Zbulesës, engjëlli i Jehovait përsërit dy herë këto fjalë për t’i theksuar mirë: «Perëndinë adhuro!» (Zbul. 19:10; 22:9) Kurrë mos e harrofshim këtë të vërtetë të thellë për tempullin e madh të Jehovait dhe sa i çmuar është privilegji për ta adhuruar Perëndinë tonë të lavdishëm! w23.10 29 ¶17-18
E premte, 19 shtator
Të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin.—1 Gjon. 4:7.
Të gjithë dëshirojmë «të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin». Por është e rëndësishme të mos harrojmë paralajmërimin e Jezuit se ‘dashuria e shumicës do të ftohej’. (Mat. 24:12) Jezui nuk po thoshte se kjo do të ndodhte në një masë të madhe mes dishepujve të tij. Prapëseprapë, duhet të qëndrojmë vigjilentë për të mos u infektuar nga mungesa e dashurisë që mbizotëron sot në botë. Duke mbajtur parasysh këtë, le të shqyrtojmë një pyetje të rëndësishme: si mund ta kuptojmë nëse dashuria jonë për vëllezërit e motrat është e fortë? Një mënyrë si ta dallojmë sa e fortë është dashuria jonë, është duke analizuar si reagojmë në situata të ndryshme. (2 Kor. 8:8) Një nga këto situata e përmendi apostulli Pjetër kur tha: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon mëkate të shumta.» (1 Pjet. 4:8) Pra, të metat dhe gabimet e të tjerëve mund të jenë një sprovë për dashurinë tonë. w23.11 10-11 ¶12-13
E shtunë, 20 shtator
Ta doni njëri-tjetrin.—Gjoni 13:34.
Nëse tregojmë dashuri për disa në kongregacion e për disa jo, nuk po i bindemi urdhrit të Jezuit për dashurinë. Natyrisht, ashtu si Jezui, mund të ndihemi më të afërt me disa. (Gjoni 13:23; 20:2) Megjithatë, apostulli Pjetër na kujton se duhet të përpiqemi të kemi për të gjithë vëllezërit e motrat «përzemërsi vëllazërore»—një ndjenjë të ngrohtë si mes pjesëtarëve të familjes. (1 Pjet. 2:17) Pjetri na nxit të kemi «dashuri të zjarrtë nga zemra» për njëri-tjetrin. (1 Pjet. 1:22) Në këtë kontekst, të kemi dashuri «të zjarrtë» do të thotë ta hapim më shumë zemrën, e kështu të mos kufizohemi duke treguar dashuri vetëm kur na vjen natyrshëm. Për shembull, ta zëmë se një vëlla na fyen ose na lëndon. Në fillim ndoshta na vjen t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë, jo të tregojmë dashuri. Por Pjetri mësoi nga Jezui se Perëndisë nuk i pëlqen një sjellje e tillë. (Gjoni 18:10, 11) Pjetri shkroi: «Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë, por më mirë bekoni.» (1 Pjet. 3:9) Nëse ke ushqyer dashuri të zjarrtë, ajo do të të nxitë të tregosh zemërmirësi e konsideratë. w23.09 28-29 ¶9-11
E diel, 21 shtator
Gratë duhet të jenë . . . të përkora në zakone, besnike në gjithçka.—1 Tim. 3:11.
Mahnitemi kur shohim sa shpejt rritet një fëmijë. Duket sikur rritet vetvetiu. Ama, nuk ndodh vetvetiu që të bëhemi të krishterë të pjekur. (1 Kor. 13:11; Hebr. 6:1) Që ta arrijmë këtë synim, na duhet një miqësi e ngushtë me Jehovain. Na duhet edhe fryma e tij e shenjtë ndërsa kultivojmë cilësi që e kënaqin, zhvillojmë aftësi praktike dhe përgatitemi për role që mund të kemi në të ardhmen. (Prov. 1:5) Jehovai i krijoi njerëzit mashkull dhe femër. (Zan. 1:27) Natyrisht, burrat dhe gratë ndryshojnë nga njëri-tjetri fizikisht, por edhe në mënyra të tjera. Për shembull, Jehovai i ka krijuar burrat dhe gratë në mënyrë të tillë që të përmbushin role specifike. Prandaj u duhen cilësi dhe aftësi që do t’i ndihmojnë të përmbushin këto përgjegjësi.—Zan. 2:18. w23.12 18 ¶1-2
E hënë, 22 shtator
Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit [dhe] të Birit.—Mat. 28:19.
A dëshironte Jezui që të tjerët ta përdornin emrin e Atit të tij? Pa diskutim. Ka të ngjarë që disa krerë fetarë të asaj kohe besonin se nuk duhej ta zinin në gojë emrin e Perëndisë ngaqë ishte tepër i shenjtë. Por Jezui nuk i lejoi kurrë traditat që nuk bazoheshin në Shkrime ta ndalonin të nderonte emrin e Atit të tij. Mendo pak për rastin kur shëroi një burrë të demonizuar në rajonin e gerazenëve. Njerëzit në atë zonë u frikësuan dhe iu përgjëruan Jezuit të largohej, ndaj ai nuk qëndroi. (Mar. 5:16, 17) Ama Jezui donte që ata ta njihnin emrin e Jehovait. Ja pse i tha burrit që shëroi t’u tregonte të tjerëve jo çfarë kishte bërë Jezui, por çfarë kishte bërë Jehovai. (Mar. 5:19) Dëshira e Jezuit nuk ka ndryshuar: ai do që ta bëjmë të njohur emrin e Atit të tij në mbarë botën. (Mat. 24:14; 28:20) Kur bëjmë pjesën tonë, kënaqim Mbretin Jezu. w24.02 10 ¶10
E martë, 23 shtator
Për hir të emrit tim ke duruar shumë gjëra.—Zbul. 2:3.
Ç’bekim të pashoq kemi që bëjmë pjesë në organizatën e Jehovait në këto ditë të fundit të trazuara! Ndërsa bota katandiset keq e më keq, Jehovai na ka dhënë një familje të bashkuar me vëllezër e motra. (Psal. 133:1) Gjithashtu na ndihmon të kemi lidhje të forta familjare. (Efes. 5:33–6:1) Veç kësaj, na jep gjykimin e thellë dhe mençurinë që na duhen për të pasur paqe në zemër. Megjithatë duhet të punojmë pa u lodhur që të vazhdojmë t’i shërbejmë me besnikëri Jehovait. Pse? Sepse me raste mund të ofendohemi nga ajo që thonë a bëjnë të tjerët. Gjithashtu mund të na lëshojë zemra nga gabimet tona, sidomos nëse përsëritim shpesh të njëjtat gabime. Ndaj duhet t’i shërbejmë pa u dorëzuar Jehovait edhe (1) kur na ofendon një vëlla a motër, (2) kur na zhgënjen bashkëshorti dhe (3) kur zhgënjehemi nga vetja. w24.03 14 ¶1-2
E mërkurë, 24 shtator
Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.—Filip. 3:16.
Herë pas here do të dëgjosh histori të vëllezërve e të motrave që vendosën ta zgjeronin shërbimin. Ndoshta ndoqën Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë ose u transferuan ku kishte më tepër nevojë. Nëse ke mundësi ta vësh edhe ti këtë synim, mos ngurro aspak. Adhuruesit e Jehovait duan me gjithë zemër ta zgjerojnë shërbimin. (Vep. 16:9) Po nëse tani për tani e ke të pamundur ta bësh këtë? Mos mendo se ke më pak vlerë nga ata që e kanë këtë mundësi. Gara jonë është një garë qëndrueshmërie. (Mat. 10:22) Mos harro sa e çmuar është për Jehovain çdo gjë që arrin të bësh sipas aftësive dhe rrethanave të tua. Kjo është një mënyrë e rëndësishme si ta ndjekësh vazhdimisht Jezuin pas pagëzimit.—Psal. 26:1. w24.03 10 ¶11
E enjte, 25 shtator
Me zemërmirësi, ai na i fali të gjitha shkeljet.—Kolos. 2:13.
Ati ynë qiellor na ka premtuar se do të na falë në qoftë se pendohemi. (Psal. 86:5) Prandaj, nëse na vjen vërtet keq për gabimet tona, mund t’i besojmë premtimit të tij se na ka falur. Të mos harrojmë se Jehovai nuk është i ngurtë ose i paarsyeshëm. Ai nuk pret asnjëherë nga ne më tepër se ç’mundemi. Jehovai çmon çdo gjë që bëjmë për të, për sa kohë që është më e mira jonë. Gjithashtu, të mendojmë për personazhe nga Bibla që i shërbyen me gjithë shpirt Jehovait. Për shembull, apostulli Pavël i shërbeu me zell Jehovait për vite të tëra. Ai udhëtoi mijëra kilometra e formoi shumë kongregacione. Megjithatë, mos vallë e humbi miratimin e Perëndisë kur rrethanat e pengonin të bënte aq sa më parë në veprën e predikimit? Aspak. Pavli vazhdoi të bënte atë që mundej, dhe Jehovai e bekoi. (Vep. 28:30, 31) Edhe ajo që mund t’i japim ne Jehovait ka të ngjarë të ndryshojë. Megjithatë, gjëja që ka vërtet rëndësi për të është motivi pse i shërbejmë. w24.03 27 ¶7, 9
E premte, 26 shtator
Herët në mëngjes, . . . [Jezui] shkoi në një vend të veçuar, e atje nisi të lutej.—Mar. 1:35.
Me lutjet që i bëri Jehovait, Jezui u la një shembull dishepujve të tij. Gjatë gjithë shërbimit në tokë, ai lutej shpesh. Jezuit i duhej të rezervonte kohë për t’u lutur, ngaqë shpesh ishte i zënë dhe kishte shumë njerëz përreth. (Mar. 6:31, 45, 46) Ai ngrihej herët në mëngjes, që të kishte mundësi të ishte vetëm për t’u lutur. E të paktën në një rast, u lut gjithë natën para se të merrte një vendim të rëndësishëm. (Luka 6:12, 13) Veç kësaj, Jezui u lut pareshtur natën para se të vdiste, ndërsa ishte i përqendruar plotësisht te përmbushja e pjesës më të vështirë të caktimit të tij në tokë. (Mat. 26:39, 42, 44) Shembulli i Jezuit na mëson se, sado të ngarkuar qofshim, duhet të lëmë kohë për t’u lutur. Ashtu si Jezui, mund të na duhet të rezervojmë kohë për lutjet, ndoshta duke u ngritur herët në mëngjes ose duke fjetur pak më vonë në darkë. Kështu i tregojmë Jehovait mirënjohjen për këtë dhuratë speciale. w23.05 3 ¶4-5
E shtunë, 27 shtator
Fryma e shenjtë që na u dha, i ka mbushur zemrat tona me dashurinë e Perëndisë.—Rom. 5:5.
Vër re fjalën «mbush» që përdoret në vargun më sipër. Sipas një vepre referimi, ajo përcjell idenë se dashuria e tij «vërshon si lumë». Çfarë fjale e fuqishme për të nxjerrë në pah sa e madhe është dashuria e Jehovait për të mirosurit! Të mirosurit e dinë se janë «të dashur për Perëndinë». (Jud. 1) Apostulli Gjon i shprehu ndjenjat e tyre me këto fjalë: «Shihni sa e madhe është dashuria e Atit për ne, i cili na lejon të quhemi fëmijë të Perëndisë.» (1 Gjon. 3:1) A kufizohet dashuria e Jehovait vetëm te të mirosurit? Jo. Jehovai ka treguar qartë se e do shumë secilin prej nesh. Cila është shprehja më e madhe e dashurisë së Jehovait? Shpërblesa—akti më i pashembullt i dashurisë në mbarë universin.—Gjoni 3:16; Rom. 5:8. w24.01 28 ¶9-10
E diel, 28 shtator
Ditën që do të të thërras për ndihmë, armiqtë e mi do t’ia mbathin. Për këtë jam i sigurt: Perëndia është me mua.—Psal. 56:9.
Vargu më sipër zbulon një mënyrë si e mposhti frikën Davidi: edhe pse e kishte jetën në fije të perit, ai bluante në mendje ç’do të bënte për të Jehovai. Davidi ishte i sigurt se Jehovai do ta çlironte në kohën e duhur. Fundja, vetë Jehovai kishte thënë se Davidi do të ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit. (1 Sam. 16:1, 13) E Davidi s’kishte pikë dyshimi që nëse Jehovai premtonte diçka, ishte punë e mbaruar. Po për ty, çfarë ka premtuar se do të bëjë Jehovai? Nuk presim që ai të na mbrojë nga çdo problem. Ama, çfarëdo problemesh të përballosh në këtë sistem, Jehovai do t’i zhdukë të gjitha në botën e re. (Isa. 25:7-9) Pa dyshim që Krijuesi ynë ka aq fuqi sa të kthejë në jetë të vdekurit, të na shërojë dhe të eliminojë të gjithë armiqtë.—1 Gjon. 4:4. w24.01 6 ¶12-13
E hënë, 29 shtator
Lum kujt i janë falur fajet dhe i janë mbuluar mëkatet!—Psal. 32:1.
Reflekto për kushtimin dhe pagëzimin tënd. Këta hapa i hodhe ngaqë doje të merrje anën e Jehovait. Kujto pak çfarë të bindi se kishe gjetur të vërtetën. Njohe dalëngadalë Jehovain dhe t’u thellua respekti e dashuria për të si Ati yt qiellor. Besimi t’u bë gjithnjë e më i fortë dhe zemra të nxiti të pendoheshe. Kështu i le pas krahëve praktikat e gabuara dhe nise të jetoje në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Sa i lehtësuar u ndjeve kur kuptove se Perëndia të kishte falur! (Psal. 32:2) Fillove të ndiqje mbledhjet e t’ua tregoje edhe të tjerëve gjërat e mrekullueshme që kishe mësuar. Si shërbëtor i kushtuar dhe i pagëzuar i Perëndisë, tani po ecën në rrugën e jetës, i vendosur të mos largohesh kurrë prej saj. (Mat. 7:13, 14) Qëndrofsh i paepur, duke pasur dashuri të patundur për Jehovain dhe duke iu bindur pa u lëkundur urdhërimeve të tij! w23.07 17 ¶14; 19 ¶19
E martë, 30 shtator
Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.—1 Kor. 10:13.
Reflektimi për lutjen e kushtimit që i ke bërë Jehovait do të të japë forcë t’i rezistosh çdo tundimi. Për shembull, a do të filloje të flirtoje me burrin a gruan e dikujt tjetër? Kurrsesi! Tashmë i ke premtuar Jehovait se nuk do ta bësh kurrë një gjë të tillë. Kështu do t’i kursesh vetes përpjekjet e mundimshme për të mposhtur dëshirat e papërshtatshme pasi të kenë hedhur rrënjë. ‘Do të qëndrosh larg’ nga ‘shtegu i të ligjve’. (Prov. 4:14, 15) Medito për shembullin e Jezuit që ishte i vendosur ta kënaqte Atin e tij. Kjo do të të motivojë t’i thuash «jo» në çast e me vendosmëri çdo gjëje që e di se ia hidhëron zemrën Perëndisë që i je kushtuar. (Mat. 4:10; Gjoni 8:29) Në të vërtetë sprovat e tundimet të japin mundësinë të tregosh se je i vendosur ‘të ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin. Ndërsa vepron kështu, ji i sigurt se Jehovai do të të bëhet krah. w24.03 9-10 ¶8-10