E mërkurë, 17 shtator
Lum ata që u janë falur veprat e liga dhe u janë fshirë mëkatet!—Rom. 4:7.
Perëndia ua fal ose ua fshin mëkatet atyre që tregojnë besim tek ai. Ai i fal plotësisht dhe nuk ua llogarit më gabimet. (Psal. 32:1, 2) Ngaqë tregojnë besim, Jehovai i sheh si të pafaj e të drejtë. Ndonëse Perëndia i shpalli të drejtë, Abrahami, Davidi dhe adhurues të tjerë besnikë prapë ishin mëkatarë të papërsosur. Por falë besimit të tyre, Perëndia i shihte si të pafaj, sidomos karshi njerëzve që nuk e adhuronin. (Efes. 2:12) Siç e bën të qartë apostulli Pavël në letrën e tij, besimi është jetësor për të pasur një marrëdhënie personale me Perëndinë. Kështu ishte për Abrahamin dhe Davidin, e kështu është edhe për ne. w23.12 3 ¶6-7
E enjte, 18 shtator
T’i paraqitim gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, po, frytin e buzëve tona, duke shpallur publikisht emrin e tij.—Hebr. 13:15.
Sot të gjithë ne kemi privilegjin t’i paraqesim flijime Jehovait duke përdorur kohën tonë, energjitë dhe të mirat materiale për të mbështetur Mbretërinë e tij. Çmueshmërinë për privilegjin që ta adhurojmë Jehovain, mund ta tregojmë duke sakrifikuar për të më të mirën tonë. Apostulli Pavël përmend disa aspekte të adhurimit që nuk duhet t’i lëmë kurrë pas dore. (Hebr. 10:22-25) Këto përfshijnë t’i afrohemi Jehovait në lutje, të dëshmojmë publikisht për shpresën tonë, të ndjekim mbledhjet e kongregacionit dhe t’i japim zemër njëri-tjetrit, «aq më tepër tani që e shohim se dita [e Jehovait] po afrohet». Nga fundi i librit të Zbulesës, engjëlli i Jehovait përsërit dy herë këto fjalë për t’i theksuar mirë: «Perëndinë adhuro!» (Zbul. 19:10; 22:9) Kurrë mos e harrofshim këtë të vërtetë të thellë për tempullin e madh të Jehovait dhe sa i çmuar është privilegji për ta adhuruar Perëndinë tonë të lavdishëm! w23.10 29 ¶17-18
E premte, 19 shtator
Të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin.—1 Gjon. 4:7.
Të gjithë dëshirojmë «të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin». Por është e rëndësishme të mos harrojmë paralajmërimin e Jezuit se ‘dashuria e shumicës do të ftohej’. (Mat. 24:12) Jezui nuk po thoshte se kjo do të ndodhte në një masë të madhe mes dishepujve të tij. Prapëseprapë, duhet të qëndrojmë vigjilentë për të mos u infektuar nga mungesa e dashurisë që mbizotëron sot në botë. Duke mbajtur parasysh këtë, le të shqyrtojmë një pyetje të rëndësishme: si mund ta kuptojmë nëse dashuria jonë për vëllezërit e motrat është e fortë? Një mënyrë si ta dallojmë sa e fortë është dashuria jonë, është duke analizuar si reagojmë në situata të ndryshme. (2 Kor. 8:8) Një nga këto situata e përmendi apostulli Pjetër kur tha: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon mëkate të shumta.» (1 Pjet. 4:8) Pra, të metat dhe gabimet e të tjerëve mund të jenë një sprovë për dashurinë tonë. w23.11 10-11 ¶12-13