2 Mbretërve
10 Akabi kishte shtatëdhjetë+ bij në Samari.+ Prandaj Jehu shkroi letra dhe ua dërgoi në Samari princave+ të Jezreelit, pleqve+ dhe kujdestarëve të fëmijëve të Akabit. Në to thuhej: 2 «Kur t’ju vijë kjo letër, meqë me ju do të jenë bijtë e zotërisë tuaj dhe do të keni karrocat e luftës, kuajt,+ një qytet të fortifikuar dhe armaturën, 3 shihni se cili nga bijtë e zotërisë tuaj është më i miri e më i përshtatshmi dhe vëreni në fronin e të atit.+ Pastaj luftoni për shtëpinë e zotërisë tuaj.»
4 Por ata u frikësuan shumë dhe nisën të thoshin: «Ja, dy mbretër+ nuk i bënë dot ballë atij. E si do t’i bëjmë ballë ne?»+ 5 Prandaj përgjegjësi i shtëpisë, kreu i qytetit, pleqtë dhe kujdestarët+ e fëmijëve i dërguan fjalë Jehut: «Ne jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë çdo gjë që do të na thuash. Nuk do të bëjmë mbret asnjë. Bëj si të të duket më mirë.»
6 Atëherë ai u shkroi një letër të dytë, ku thoshte: «Nëse jeni me mua+ dhe i bindeni zërit tim, merrni kokat e djemve+ të zotërisë tuaj dhe nesër në këtë kohë ejani tek unë në Jezreel.»+
Bijtë e mbretit, shtatëdhjetë veta, ishin me njerëzit e shquar të qytetit, të cilët po i rritnin. 7 Me të ardhur letra, këta i morën bijtë e mbretit dhe i therën: shtatëdhjetë veta.+ Pas kësaj i futën kokat e tyre nëpër shporta dhe ia dërguan Jehut në Jezreel. 8 Lajmëtari+ vajti e i tregoi: «Kanë sjellë kokat+ e bijve të mbretit.» Ai tha: «Vendosini në dy togje te hyrja e portës dhe lërini atje deri në mëngjes.»+ 9 Në mëngjes ai doli, u ndal dhe i tha gjithë popullit: «Ju qenkeni të drejtë.*+ Unë, vërtet, komplotova+ kundër zotërisë tim dhe arrita ta vras,+ por gjithë këta kush i vrau? 10 Dijeni pra, se asgjë nga ato që ka thënë Jehovai kundër shtëpisë së Akabit,+ nuk do të mbetet pa u plotësuar.+ Jehovai ka bërë atë që tha me anë të shërbëtorit të tij Elija.»+ 11 Veç kësaj, Jehu vrau të gjithë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Akabit në Jezreel, si dhe gjithë burrat e tij të shquar,+ të njohurit dhe priftërinjtë+ e tij, e nuk la asnjë gjallë.+
12 Pastaj u nis për në Samari. Udhës gjendej shtëpia ku barinjtë lidhnin dhentë. 13 Atje Jehu takoi vëllezërit+ e Ahaziahut,+ mbretit të Judës dhe i pyeti: «Cilët jeni ju?» Iu përgjigjën: «Ne jemi vëllezërit e Ahaziahut dhe po zbresim për të pyetur a janë mirë bijtë e mbretit dhe bijtë e mbretëreshës.» 14 Menjëherë ai tha: «Kapini të gjallë!»+ Kështu i kapën të gjallë dhe i therën në sternën e shtëpisë ku lidheshin dhentë. Ata ishin dyzet e dy burra, e ai nuk la gjallë as edhe një prej tyre.+
15 Ndërsa ikte që andej, takoi Jehonadabin,+ birin e Rekabit,+ që vinte drejt tij. Pasi ky e bekoi,+ Jehu i tha: «A je me gjithë zemër me mua, ashtu si jam unë me ty?»+
Jehonadabi ia ktheu: «Po, jam.»
«Nëse je, jepma dorën.»
Ai i dha dorën, dhe ky e hipi në karrocën ku ishte vetë.+ 16 Pastaj tha: «Eja me mua dhe shiko që unë nuk lejoj asgjë që të matet*+ me Jehovain.» Kështu Jehonadabin e morën në karrocën e luftës së Jehut. 17 Në fund Jehu mbërriti në Samari. Atje vrau të gjithë njerëzit e Akabit që kishin mbetur, derisa i shfarosi+ sipas fjalës që i kishte thënë Jehovai Elijas.+
18 Veç kësaj, Jehu mblodhi gjithë popullin dhe i tha: «Akabi e adhuroi pak Baalin,+ por Jehu do ta adhurojë edhe më shumë. 19 Prandaj më thërritni gjithë profetët+ e Baalit, gjithë adhuruesit+ dhe gjithë priftërinjtë+ e tij. Të mos mungojë asnjë, sepse kam një flijim të madh për Baalin. Kushdo që mungon, nuk do të mbetet gjallë.» Jehu veproi dhelpërisht,+ që t’i shfaroste adhuruesit e Baalit.
20 Pastaj Jehu shtoi: «Shenjtëroni një asamble solemne për Baalin.» Dhe ata thirrën një asamble. 21 Pas kësaj Jehu dërgoi fjalë në mbarë Izraelin,+ kështu që erdhën gjithë adhuruesit e Baalit. Nuk mbeti asnjë pa ardhur. Ata hynë në tempullin e Baalit,+ dhe ai u mbush cep më cep. 22 Pastaj ai i tha përgjegjësit të dhomës së veshjeve: «Nxirr veshje për gjithë adhuruesit e Baalit.» Dhe ai i nxori. 23 Jehu bashkë me Jehonadabin,+ birin e Rekabit, hyri në tempullin e Baalit dhe u tha adhuruesve të Baalit: «Kërkoni me kujdes dhe sigurohuni që me ju të mos jetë asnjë nga adhuruesit e Jehovait, por vetëm ata të Baalit.»+ 24 Në fund ata hynë për të paraqitur flijime dhe blatime të djegura. Jehu vendosi jashtë tetëdhjetë burra dhe u tha: «Nëse ndokujt prej jush i ikën ndonjë nga burrat që po ju jap në dorë, jetën e tij do ta paguajë me jetën e vet.»*+
25 Sapo mbaroi së paraqituri blatimin e djegur, Jehu u tha vrapuesve dhe adjutantëve: «Hyni dhe goditini! Mos lini të dalë asnjë.»+ Dhe vrapuesit e adjutantët+ nisën t’i shkonin në teh të shpatës e t’i flaknin jashtë. Ata shkuan deri te shenjtërorja* e tempullit të Baalit. 26 Pastaj nxorën jashtë kolonat e shenjta+ të tempullit të Baalit dhe i dogjën+ të gjitha. 27 Veç kësaj, rrëzuan kolonën e shenjtë të Baalit+ dhe tempullin e Baalit+ dhe e lanë për t’u përdorur si nevojtore+ deri sot e kësaj dite.
28 Kështu Jehu e shfarosi Baalin nga Izraeli. 29 Megjithatë, Jehu nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit,+ birit të Nebatit, me të cilat ky kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte,+ domethënë nga viçat e artë,+ njëri prej të cilëve ishte në Bethel, kurse tjetri në Dan.+ 30 Prandaj Jehovai i tha Jehut: «Meqë ke vepruar mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi,+ dhe meqë i ke bërë shtëpisë së Akabit+ gjithë ato që kisha në zemër, bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit+ deri në brezin e katërt.» 31 Jehu nuk tregoi kujdes që të ecte me gjithë zemër+ në ligjin e Jehovait, Perëndisë së Izraelit. Ai nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, me të cilat ky kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+
32 Në ato ditë Jehovai nisi t’i shkëpuste Izraelit pjesë njëra pas tjetrës. Dhe Hazaeli+ e godiste Izraelin në gjithë territorin e tij, 33 nga Jordani në drejtim të lindjes së diellit, tërë Galaadin,+ gaditët,+ rubenitët+ dhe manasitët,+ nga Aroeri,+ i cili është buzë luginës së përroit të Arnonit, deri në Galaad dhe në Bashan.+
34 Pjesa tjetër e ngjarjeve të Jehut, gjithçka bëri dhe gjithë veprat e tij të fuqishme, a nuk janë shkruar në librin+ e ngjarjeve të mbretërve të Izraelit? 35 Në fund Jehu u preh me paraardhësit+ e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij filloi të mbretëronte i biri, Jehoahazi.+ 36 Jehu mbretëroi në Samari si mbret i Izraelit njëzet e tetë vjet.