1 Gjonit
3 Shihni ç’dashuri+ na dha Ati, që të quhemi fëmijë të Perëndisë,+ dhe të tillë jemi. Prandaj, bota+ nuk na njeh, sepse nuk ka arritur të njohë atë.+ 2 Të dashur, tani ne jemi fëmijë të Perëndisë,+ por, se çfarë do të jemi, ende nuk është shfaqur.+ Dimë se, kurdo që ai të shfaqet,+ ne do të jemi si ai,+ sepse do ta shohim ashtu si është.+ 3 Dhe, kushdo që e ka këtë shpresë, e cila mbështetet tek ai, bëhet i pastër+ siç është i pastër ai.+
4 Kushdo që praktikon mëkatin,+ praktikon edhe paligjshmërinë,+ kështu pra, mëkati+ është paligjshmëri. 5 Ju e dini edhe se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona,+ dhe tek ai nuk ka mëkat.+ 6 Kushdo që qëndron në unitet+ me të, nuk e praktikon mëkatin.+ Kush praktikon mëkatin, as e ka parë e as ka arritur ta njohë atë.+ 7 Fëmijë të vegjël, askush të mos ju mashtrojë. Kush praktikon drejtësinë është i drejtë, siç është i drejtë edhe ai.+ 8 Ai që praktikon mëkatin, vjen nga Djalli, sepse Djalli po mëkaton që nga fillimi.+ Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë,+ domethënë, për të zhbërë veprat e Djallit.+
9 Kushdo që ka lindur nga Perëndia, nuk praktikon mëkatin,+ sepse fara e Tij jetëdhënëse qëndron tek ai, dhe ai nuk e praktikon dot mëkatin, sepse ka lindur nga Perëndia.+ 10 Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë,+ nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e tij.+ 11 Sepse lajmi që dëgjuat që nga fillimi,+ është ky: duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin,+ 12 jo si Kaini që vinte nga i ligu dhe vrau+ vëllanë e tij. E për çfarë e vrau? Ngaqë veprat e tij ishin të liga,+ kurse ato të vëllait të tij ishin të drejta.+
13 Mos u çuditni, vëllezër, që bota ju urren.+ 14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë,+ sepse i duam vëllezërit.+ Ai që nuk ka dashuri, mbetet në vdekje.+ 15 Kush urren+ vëllanë e tij është vrasës,+ dhe ju e dini se tek asnjë vrasës+ nuk mbetet jeta e përhershme.+ 16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë,+ sepse ai dha shpirtin për ne,+ dhe ne kemi detyrimin të japim shpirtin për vëllezërit tanë.+ 17 Por, si qëndron dashuria e Perëndisë tek ai+ që ka zotërimet e kësaj bote,+ e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij në nevojë,+ e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta?+ 18 Fëmijë të vegjël, le të mos duam+ veç me fjalë e me gjuhë,+ por me vepra+ e të vërtetë.+
19 Nga kjo do ta dimë se vijmë nga e vërteta+ dhe do të sigurojmë zemrën tonë para tij, 20 për gjithçka që zemra mund të na dënojë,+ sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.+ 21 Të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, mund të flasim me lirshmëri me Perëndinë,+ 22 dhe çdo gjë që kërkojmë, e marrim nga ai,+ sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyeshme në sytë e tij.+ 23 Vërtet, urdhërimi i tij është që ne të kemi besim në emrin e Birit të tij, Jezu Krishtit,+ dhe të duam njëri-tjetrin,+ ashtu si na urdhëroi ai. 24 Veç kësaj, kush zbaton urdhërimet e tij, qëndron në unitet me të, dhe ky në unitet me atë,+ e nga kjo e kuptojmë se ai mbetet bashkë me ne,+ falë frymës+ që na dha.