104 Beko Jehovain, o shpirti im!+
O Jehova, Perëndia im, sa madhështor që je?+
Je veshur me lavdi dhe shkëlqim,+
2 je mbështjellë me dritën si me një rrobë,+
i ke shpalosur qiejt si pëlhurë tende.+
3 Ti i ndërton me trarë dhomat e tua të sipërme në ujëra,+
i bën retë karrocën tënde,+
ecën mbi krahët e erës,+
4 i bën engjëjt e tu furtunë+
dhe shërbëtorët e tu si zjarr gllabërues.+
5 Ti e vendose tokën mbi themele të forta;+
ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.+
6 E mbështolle me ujëra të thella si me një rrobë.+
Sipër maleve qëndronin ujëra.+
7 Nga qortimi yt, ato zunë t’ia mbathnin;+
nga gjëmimi i bubullimës sate ia dhanë vrapit në panik—
8 malet u ngritën,+
luginat u ulën—
deri në vendin që kishe caktuar për to.
9 Vure një kufi, të cilin nuk duhej ta kalonin,+
që të mos e mbulonin sërish tokën.+
10 Ti i çon krojet në luginat e përrenjve;+
ato rrjedhin pa pushim mes maleve.
11 Atje pinë pareshtur tërë kafshët e egra të fushës;+
zebrat+ shuajnë rregullisht etjen.
12 Mbi to pushojnë zogjtë e qiellit,+
që nxjerrin tinguj+ mes gjethnajës së dendur.
13 Nga dhomat e tua të sipërme ti i ujit malet.+
Toka ngopet me frytin e veprave të tua.+
14 Ti bën që të mbijë bari i gjelbër për kafshët+
dhe bimësia që i shërben njeriut;+
që nga toka të dalë ushqimi,+
15 vera që ia gëzon zemrën njeriut,+
vaji që bën t’i shkëlqejë fytyra+
dhe buka që ia mban atij zemrën.+
16 Janë ngopur drurët e tu, o Jehova,
cedrat e Libanit që ti mbolle,+
17 ku zogjtë ngrenë folenë.+
Lejleku e bën shtëpizën në pemë dëllinje.+
18 Malet+ e larta janë për dhitë e maleve;+
shkrepat janë strehë për lepujt e shkëmbinjve.+
19 Hënën ti e vure për të përcaktuar kohën;+
dielli e di mirë ku të perëndojë.+
20 Ti sjell errësirën që të bëhet natë;+
nëpër të lëvizin tërë kafshët e egra të pyllit.
21 Luanët e rinj me krifë ulërijnë pas presë+
dhe i kërkojnë ushqim Perëndisë.+
22 Sapo nis të shkëlqejë dielli,+ ata largohen
e shtrihen në strofkat e veta.
23 Njeriu shkon në punë të vet+
dhe mundohet gjer në mbrëmje.+
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova!+
Që të gjitha i ke bërë me mençuri.+
Toka është plot me ato që ke bërë ti.+
25 Në këtë det kaq të madh e të paanë,+
krijesat që lëvizin, s’kanë të numëruar,+
krijesa të vogla e të mëdha.+
26 Atje lundrojnë anijet;+
leviathanin+ e ke bërë për të lozur atje.+
27 Të gjitha krijesat të presin me padurim,+
që, kur të vijë koha, t’u japësh për të ngrënë.+
28 Ato mbledhin çfarë t’u japësh.+
Ti e hap dorën e ato ngopen me të mira.+
29 Po ta fshehësh fytyrën tënde, ato shqetësohen.+
Po t’ua heqësh frymën, ato marrin fund,+
e kthehen në pluhur.+
30 Kur dërgon frymën tënde, ato krijohen;+
ti ia rinon faqen tokës.
31 Lavdia e Jehovait do të zgjatë përjetë.+
Jehovai do të jetë i gëzuar nga veprat e tij.+
32 Ai sheh tokën e ajo dridhet;+
prek malet e ato nxjerrin tym.+
33 Gjithë jetën do t’i këndoj Jehovait;+
sa të jem gjallë do të luaj melodi për Perëndinë tim.+
34 E këndshme qoftë përsiatja ime për të!+
Unë do të gëzoj falë Jehovait.+
35 Mëkatarët do të shuhen krejt nga faqja e dheut;+
të ligjtë nuk do të jenë më.+
Beko Jehovain, o shpirti im! Lëvdoni Jah!+