1 Mbretërve
13 Dhe ja, ishte një njeri+ i Perëndisë që me urdhër+ të Jehovait kishte shkuar nga Juda në Bethel, ndërkohë që Jeroboami qëndronte pranë altarit+ për të paraqitur tymin e blatimit.+ 2 Me urdhër të Jehovait, ai shpalli kundër altarit: «Altar, o altar, kështu thotë Jehovai: ‘Ja, shtëpisë së Davidit i ka lindur një djalë që e ka emrin Josia!+ Ai ka për të flijuar mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta, të cilët paraqitin nga ti tymin e blatimit, dhe do të djegë mbi ty eshtra njerëzish.’»+ 3 Atë ditë ai dha një shenjë,+ duke thënë: «Kjo është shenja për të cilën Jehovai ka thënë: ‘Ja, altari do të çahet dhe hiri i lyrosur mbi të do të derdhet.’»
4 Sapo mbreti Jeroboam dëgjoi atë që shpalli njeriu i Perëndisë së vërtetë kundër altarit në Bethel, drejtoi nga ai dorën që kishte mbi altar dhe tha: «Kapeni!»+ Sakaq, dora që kishte drejtuar nga ai, u tha dhe nuk mundi ta tërhiqte.+ 5 Altari u ça dhe hiri i lyrosur u derdh prej tij, në përputhje me shenjën që kishte dhënë njeriu i Perëndisë së vërtetë, me urdhër të Jehovait.+
6 Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Të lutem, zbute zemërimin* e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, që të më kthehet dora si më parë.»+ Dhe njeriu i Perëndisë së vërtetë e zbuti+ zemërimin e Jehovait dhe mbretit iu përtëri dora dhe iu kthye si më parë.+ 7 Pastaj mbreti i tha njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Eja me mua në shtëpi të hash diçka+ dhe lërmë të të jap një dhuratë.»+ 8 Por njeriu i Perëndisë së vërtetë i tha mbretit: «Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate,+ nuk do të vija me ty+ dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend. 9 Sepse kam marrë këtë urdhër me anë të fjalës së Jehovait: ‘Mos ha bukë+ e mos pi ujë dhe mos u kthe nga udha që shkove.’» 10 Kështu, ai u largua nga një udhë tjetër dhe nuk u kthye nëpër udhën nga e cila kishte vajtur në Bethel.
11 Mirëpo në Bethel banonte një profet+ i moshuar. Bijtë e tij shkuan dhe i treguan tërë atë që kishte bërë atë ditë në Bethel njeriu i Perëndisë së vërtetë dhe fjalët që i kishte thënë mbretit. Ata, pra, ia treguan këto atit të tyre. 12 Pastaj i ati u tha: «Nga ç’udhë iku?» Dhe bijtë i treguan udhën nga kishte ikur njeriu i Perëndisë së vërtetë, që kishte ardhur nga Juda. 13 Atëherë ai u tha bijve: «Vërini samarin gomarit.» Kështu, ata i vunë samarin gomarit,+ dhe ai i hipi.
14 Ai nisi të ndiqte njeriun e Perëndisë së vërtetë dhe e gjeti teksa rrinte ulur nën pemën e madhe.+ Atëherë e pyeti: «Mos je ti njeriu i Perëndisë së vërtetë që ka ardhur nga Juda?»+ Ai iu përgjigj: «Unë jam.» 15 Pastaj ai i tha: «Eja në shtëpinë time të hash pak bukë.» 16 Por ai iu përgjigj: «Nuk mund të kthehem dhe as të vij në shtëpinë tënde, dhe nuk mund të ha bukë a të pi ujë me ty në këtë vend.+ 17 Sepse fjala e Jehovait+ më ka thënë: ‘Mos ha bukë e mos pi ujë atje. Mos u kthe përsëri nga udha nëpër të cilën shkove.’»+ 18 Atëherë ai i tha: «Edhe unë jam profet si ti, dhe një engjëll+ më tha me urdhër të Jehovait: ‘Ktheje në shtëpinë tënde dhe jepi të hajë bukë e të pijë ujë.’» (E mashtroi.)+ 19 Kështu ai u kthye bashkë me të, që të hante bukë në shtëpinë e tij dhe të pinte ujë.+
20 Ndërsa ishin ulur në tryezë, fjala+ e Jehovait iu drejtua profetit që e kishte kthyer nga udha. 21 Ai i shpalli njeriut të Perëndisë së vërtetë që kishte ardhur nga Juda: «Kështu thotë Jehovai: “Meqë nuk iu binde+ urdhrit të Jehovait dhe nuk e zbatove urdhërimin që të dha Jehovai, Perëndia yt,+ 22 por u ktheve që të haje bukë dhe të pije ujë në vendin për të cilin ai të tha: ‘Mos ha bukë dhe mos pi ujë’, kufoma jote nuk do të hyjë në varrezën ku prehen paraardhësit e tu.”»+
23 Menjëherë, pasi hëngri e piu, ai i vuri samarin gomarit të profetit që kishte kthyer nga udha. 24 Dhe ky u nis për udhë. Por më vonë i doli para një luan+ që e vrau.+ Kufoma mbeti në rrugë dhe pranë i qëndronin gomari dhe luani. 25 Njerëzit që kalonin andej e panë kufomën në rrugë dhe luanin që qëndronte pranë saj. Atëherë ata hynë në qytetin ku banonte profeti i moshuar dhe i treguan për të.
26 Kur dëgjoi këtë, profeti që e kishte kthyer nga udha, tha menjëherë: «Është njeriu i Perëndisë së vërtetë që nuk iu bind urdhrit të Jehovait.+ Prandaj, Jehovai ia dha luanit që ta shqyente dhe ta vriste, sipas fjalës që i kishte thënë Jehovai.»+ 27 Pastaj u tha bijve të tij: «Vërini samarin gomarit për mua.» Dhe ata ashtu bënë.+ 28 Atëherë ai u nis për udhë dhe e gjeti kufomën në rrugë. Pranë kufomës qëndronin gomari dhe luani, por luani nuk e kishte ngrënë kufomën dhe nuk e kishte shqyer gomarin.+ 29 Profeti e ngriti kufomën e njeriut të Perëndisë së vërtetë, e vuri mbi gomar dhe u kthye. Kështu, profeti i moshuar hyri në qytetin e vet për ta vajtuar dhe për ta varrosur. 30 Ai e vuri kufomën në varrin e vet dhe për të vajtuan:+ «Medet, o vëlla!» 31 Pasi e varrosi, u tha bijve të tij: «Kur të vdes, më varrosni në vendin ku është varrosur njeriu i Perëndisë së vërtetë. M’i vini eshtrat pranë eshtrave të tij.+ 32 Sepse ajo që shpalli ai me urdhër të Jehovait kundër altarit+ që është në Bethel dhe kundër gjithë shenjtëroreve në vendet e larta+ që gjenden në qytetet e Samarisë,+ do të ndodhë patjetër.»+
33 Edhe pas asaj që ndodhi, Jeroboami nuk hoqi dorë nga udha e tij e keqe, por vazhdoi të vinte njerëz të zakonshëm si priftërinj për vendet e larta.+ Këdo që kishte qejf të bëhej prift, ai e emëronte,*+ duke thënë: «Të bëhet një prift i vendeve të larta.» 34 Kjo gjë u bë shkak që shtëpia e Jeroboamit+ të binte në mëkat dhe të shuhej e të shfarosej nga faqja e dheut.+