BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w14 1/5 f. 4-7
  • Kush mund ta parashikojë të ardhmen?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush mund ta parashikojë të ardhmen?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SA TË SAKTA JANË PARASHIKIMET E PERËNDISË?
  • PROFECITË E PERËNDISË DHE PARASHIKIMET E NJERIUT
  • E ARDHMJA JOTE
  • Kush mund ta dijë të ardhmen?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Kiri i Madh
    Zgjohuni!—2013
  • Jehovai​—«Një Perëndi i drejtë dhe Shpëtimtar»
    Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2014
w14 1/5 f. 4-7
Një nënë ndihmon vajzën me detyrat e shtëpisë

TEMA KRYESORE

Kush mund ta parashikojë të ardhmen?

Të gjithë mendojmë për të ardhmen. Mendojmë si do t’i vejë filli jetës sonë dhe njerëzve tanë të dashur. Bëjmë pyetje të tilla, si: «A do të jetojnë fëmijët e mi në një botë më të mirë?», «A do të shkatërrohet toka nga ndonjë katastrofë?», «A mund të ndryshoj ndonjë gjë tani që të kem të ardhme më të mirë?» Kemi lindur me një kureshtje të tillë, prandaj na vjen natyrshëm të kërkojmë siguri, rregull dhe stabilitet. Nëse do të ishe më i sigurt për të ardhmen, kjo do të të jepte mundësi për t’u përgatitur, si fizikisht, edhe emocionalisht.

Prandaj, si do të jetë e ardhmja jote? A mund ta dijë ndokush? Ekspertët që përpiqen ta parashikojnë të ardhmen, kanë pasur njëfarë suksesi, por edhe kanë dështuar në shumë raste. Megjithatë, thuhet se Perëndia mund t’i parashikojë me saktësi ngjarjet e së ardhmes. Fjala e Perëndisë thotë: «Ai . . . thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.» (Isaia 46:10) Sa të sakta kanë dalë parashikimet e tij?

SA TË SAKTA JANË PARASHIKIMET E PERËNDISË?

Pse duhet të të interesojë saktësia e profecive të lashta të Perëndisë? Nëse dikush do ta parashikonte motin me saktësi çdo ditë për një kohë të gjatë, kjo do të të bënte përshtypje. Ka të ngjarë që do t’u kushtoje vëmendje parashikimeve të tij për të nesërmen. Në mënyrë të ngjashme, nëse do të mësoje se Perëndia i ka parathënë ngjarjet me një saktësi të përsosur, pa dyshim që do të të interesonte ajo që thotë për të ardhmen tënde.

Një mur i rindërtuar i Ninevisë, një qytet i shkretuar më parë

Një mur i rindërtuar në rrënojat e Ninevisë së lashtë

SHKATËRRIMI I NJË QYTETI TË MADH:

Për shembull, do të ishte vërtet e jashtëzakonshme nëse do të parashikoje me saktësi se një qytet i madh, që për shumë shekuj ishte i fuqishëm, së shpejti do të shkatërrohej. Përmes një zëdhënësi të tij, Perëndia paratha pikërisht diçka të tillë—shkretimin e Ninevisë. (Sofonia 2:13-15) Çfarë kanë dokumentuar historianët? Në shekullin e shtatë p.e.s., mbase rreth 15 vjet pasi Perëndia bëri këtë parashikim, babilonasit dhe medët sulmuan dhe pushtuan Ninevinë. Përveç kësaj, Perëndia e specifikoi që më përpara se Ninevia do të kthehej «në shkreti, në vend të thatë si shkretëtira». A doli i saktë ky parashikim? Po. Megjithëse qyteti dhe periferitë e tij mund të kishin mbuluar një sipërfaqe prej 518 kilometrash katrorë, pushtuesit nuk e mbajtën dhe as e shfrytëzuan qytetin, siç mund të pritej. Përkundrazi, e shkatërruan. A mund t’i kishte parashikuar ndonjë analist politik këto ngjarje me kaq saktësi?

DO TË DIGJEN ESHTRA NJERËZISH:

Kush do të guxonte të shpallte—300 vjet përpara—emrin e saktë dhe prejardhjen specifike të një burri që do të digjte eshtra njerëzish në altar, si edhe emrin e qytetit ku do të ndodhej altari? Nëse do të dilte i vërtetë ky parashikim i pazakontë, sigurisht që kjo do ta bënte të famshëm atë parashikues. Zëdhënësi i Perëndisë shpalli se ‘shtëpisë së Davidit do t’i lindte një djalë me emrin Josia’ dhe se ‘ai do të digjte eshtra njerëzish’ në një altar në qytetin e Bethelit. (1 Mbretërve 13:1, 2) Rreth tre shekuj më vonë, një mbret me emrin Josia—një emër i pazakontë në kohët biblike—erdhi nga linja familjare e Davidit. Tamam siç u paratha, Josia ‘nxori eshtrat nga varret dhe i dogji mbi një altar’ që ndodhej në Bethel. (2 Mbretërve 23:14-16) Si mund t’i parathoshte dikush këto hollësi specifike, nëse nuk do të ishte udhëhequr nga ndonjë burim mbinjerëzor?

Ushtria e Kirit hyn në Babiloni përmes portave të hapura, siç paratha profeti Isaia

Profetët e Biblës e parathanë me saktësi të mahnitshme rënien e Babilonisë

FUNDI I NJË PERANDORIE:

Do të ishte e mahnitshme nëse dikush do ta parashikonte me saktësi emrin e një burri—shumë kohë para se të lindte—i cili do të mposhtte një superfuqi botërore, madje duke treguar edhe strategjinë e pazakontë që do të përdorte. Perëndia shpalli se një burrë me emrin Kir do të niste pushtimin e një kombi. Përveç kësaj, Kiri do të lironte robërit judenj dhe do të mbështeste rindërtimin e tempullit të tyre të shenjtë. Gjithashtu, Perëndia paratha se strategjia e Kirit do të përfshinte tharjen e lumenjve dhe tha se portat do të liheshin hapur, duke lehtësuar kështu pushtimin. (Isaia 44:27–45:2) A u përmbushën me saktësi hollësitë e shumta të profecisë së Perëndisë? Historianët bien dakord se ky pushtim i Kirit ndodhi vërtet. Ushtria e Kirit përdori një strategji të jashtëzakonshme inxhinierike duke devijuar një nga kanalet ujore të Babilonisë, duke tharë kështu lumenjtë. Për më tepër, ushtria hyri në qytet nga portat që ishin lënë të hapura. Më pas, Kiri liroi popullin jude dhe deklaroi se ata mund ta rindërtonin tempullin e tyre në Jerusalem. Kjo ishte e pazakontë, pasi Kiri nuk adhuronte Perëndinë e judenjve. (Ezdra 1:1-3) Kush tjetër përveç Perëndisë do të ishte i aftë të parashikonte hollësitë e këtyre ngjarjeve historike?

Kemi përmendur tre shembuj që tregojnë se si Perëndia i ka parathënë me saktësi ngjarjet e së ardhmes. Këto nuk janë thjesht ngjarje sporadike. Josiu, një udhëheqës jude, tha një fakt të mirënjohur për auditorin e tij të madh: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.» (Josiu 23:1, 2, 14) Populli i Josiut nuk mund ta mohonte saktësinë e premtimeve dhe të profecive të Perëndisë. Por, si e bën Perëndia këtë? Ka dallime të mëdha mes mënyrës si vepron Perëndia dhe mënyrës si vepron njeriu. Është e rëndësishme ta dish këtë, pasi Perëndia ka thënë se në të ardhmen e afërt do të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme që pa dyshim do të ndikojnë te ti.

PROFECITË E PERËNDISË DHE PARASHIKIMET E NJERIUT

Shpesh, parashikimet e njeriut bazohen në faktorë të tillë, si: studime shkencore, analizime faktesh dhe prirjesh, madje edhe në kuptueshmëri hyjnore të supozuara. Pasi bëjnë parashikimet e tyre, në përgjithësi njerëzit thjesht presin që të shohin çfarë do të ndodhë.—Proverbat 27:1.

Ndryshe nga njerëzit, Perëndia i di të gjitha faktet. Ai e kupton me imtësi natyrën dhe prirjet e njerëzve. Prandaj, kur Perëndia zgjedh të parashikojë, ai mund ta parashikojë me saktësi si do të veprojnë individë e madje kombe të tëra. Por, Perëndia mund të bëjë më tepër se kaq. Ai edhe mund t’i kontrollojë ose t’i ndryshojë faktorët bashkë me prirjet që shihen, që të sigurohet për përfundimin. Ai thotë: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt . . . dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Pra, disa nga parashikimet e Perëndisë janë më tepër lajmërime ose shpallje. Ai garanton dhe bën çdo gjë të nevojshme që fjala e tij të dalë e vërtetë.

E ARDHMJA JOTE

A ka ndonjë parashikim të besueshëm për të ardhmen tënde dhe të njerëzve të tu të dashur? Nëse e di që më përpara se po afrohet një uragan, mund të bësh gjëra që do të të shpëtojnë jetën. Mund të reagosh kështu edhe ndaj profecive biblike. Perëndia ka shpallur se së shpejti bota do të përjetojë ndryshime të mëdha. (Shih kutinë «Çfarë ka zbuluar Perëndia për të ardhmen?») Kjo e ardhme ndryshon kryekëput nga ajo që parashikojnë shumë të ashtuquajtur ekspertë.

Mund ta mendosh kështu: historia e kësaj bote ka një subjekt të përgjithshëm. Tashmë ai është shkruar dhe ti mund ta dish cili do të jetë përfundimi. Perëndia shpall se ai «thotë përfundimin qysh në fillim, . . . [dhe] thotë: ‘Qëllimi im do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që më pëlqen.’» (Isaia 46:10) Ti dhe familja jote mund të keni një të ardhme të mrekullueshme. Pyet Dëshmitarët e Jehovait se çfarë thotë Bibla për të ardhmen e afërt. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë parashikues, nuk pretendojnë se dëgjojnë zëra dhe as kanë aftësi të veçër të bërë parashime. Ata studiojnë Biblën dhe mund të të tregojnë gjërat e mira që Perëndia po bën për të ardhmen tënde.

Shqyrtimi i profecive biblike na mëson diçka interesante për personalitetin e Perëndisë. Ai na e zbulon vullnetin e tij, duke treguar se nuk është indiferent ose një Perëndi i ftohtë që nuk interesohet për njerëzimin. Përkundrazi, ai merakoset dhe po merr masa për të ardhmen tonë. Në fakt, ai dëshiron që ne të jetojmë dhe të shohim një të ardhme të shkëlqyer.

Çfarë ka zbuluar Perëndia për të ardhmen?

Duar nga qielli drejtojnë njerëzit e bindur në një rrugë që çon drejt një të ardhme më të mirë në një tokë të bukur
  • Ndryshe nga profetët që lajmërojnë shkatërrimin, Perëndia na siguron se planeti Tokë nuk do të shkatërrohet kurrë.—Psalmi 104:5; Eklisiastiu 1:4.

  • Njerëzit do të jenë duke e rrënuar tokën kur Perëndia të ndërhyjë dhe t’i ndalojë.—Psalmi 92:7; Zbulesa 11:18.

  • Perëndia është i vetëdijshëm se shumica e feve ka shpifur për të dhe e ka shpërfillur Biblën, prandaj ai do t’i shkatërrojë këto institucione.—Zbulesa 18:4-9.

  • Qeveria qiellore e Perëndisë—jo njerëzit ose katastrofat natyrore—do t’i shkatërrojë gjithë njerëzit e ligj e të pabindur. «Të ligjve do t’u shkatërrohet e ardhmja.»—Psalmi 37:10, 38; Danieli 2:44.

  • Perëndia do t’i ruajë individët që i miraton, dhe ata do të begatohen në një tokë të bukur. «Vështroje të paqortueshmin dhe mbaji sytë mbi të drejtin, sepse e ardhmja e atij njeriu do të jetë paqësore.»—Psalmi 37:11, 37; Zbulesa 21:3, 4.

  • Perëndia me dashamirësi tregon në Bibël si mund të kesh miratimin e tij dhe si ‘të shpëtosh nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin’.—Luka 21:36; Gjoni 17:3.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo