2 Pjetrit
2 Megjithatë, mes popullit kishte edhe profetë të rremë, ashtu si do të ketë edhe mes jush mësues të rremë.+ Pikërisht këta do të futin tinëzisht sekte shkatërruese e do të mohojnë madje edhe pronarin që i bleu,+ duke sjellë mbi veten një shkatërrim të shpejtë. 2 Veç kësaj, shumë do të ndjekin+ veprat e tyre të sjelljes së shthurur+ dhe, për shkak të këtyre, do të shahet udha e së vërtetës.+ 3 Gjithashtu, nga lakmia do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shtira.+ Megjithatë, gjykimi i shpallur për ta në kohën e lashtë+ nuk po lëviz ngadalë dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.+
4 Sigurisht, Perëndia nuk ua kurseu ndëshkimin engjëjve+ që mëkatuan, por i hodhi në Tartar*+ dhe ua dorëzoi thellësive të errësirës së dendur që të ruhen për gjykimin.+ 5 Gjithashtu, nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë,+ por Noenë, një predikues të drejtësisë,+ e ruajti bashkë me shtatë të tjerë,+ kur solli një përmbytje+ mbi një botë me njerëz të paperëndishëm. 6 Ai i bëri hi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës dhe i dënoi,+ duke u lënë njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë.+ 7 Por e çliroi Lotin e drejtë,+ të cilin e brengoste së tepërmi sjellja e shthurur+ pas së cilës jepeshin njerëzit që sfidonin ligjin. 8 Ky njeri i drejtë e torturonte shpirtin e tij të drejtë për shkak të veprave të tyre të paligjshme, nga ato që shihte dhe dëgjonte, kur banonte mes tyre ditë për ditë. 9 Vërtet pra, Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor,+ dhe t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen,+ 10 e sidomos ata që shkojnë pas mishit me dëshirën për ta ndotur+ dhe që përçmojnë autoritetin sundues.+
Kokëkrisur dhe kryeneçë, ata nuk dridhen nga të lavdishmit, por shajnë,+ 11 kurse engjëjt, edhe pse me një forcë dhe fuqi më të madhe, nuk ngrenë kundër tyre asnjë akuzë me fjalë sharëse,+ nga respekti që kanë për Jehovain.+ 12 Por këta njerëz janë si kafshë që nuk arsyetojnë, të lindura prej natyre për t’u kapur dhe për t’u shkatërruar. Ata i shajnë gjërat për të cilat janë në padije,+ prandaj do të pësojnë shkatërrim, në udhën e tyre të shkatërrimit, 13 duke i bërë keq vetes+ si shpërblim për keqbërjet.+
Ata e konsiderojnë kënaqësi jetën luksoze gjatë ditës.+ Janë njolla dhe të meta, që ndërsa gostiten me ju, jepen me kënaqësi të shfrenuar pas mësimeve të tyre mashtruese.+ 14 Ata kanë sy plot kurorëshkelje,+ s’munden ta lënë mëkatin+ dhe ndjellin shpirtrat e paqëndrueshëm. Kanë një zemër të stërvitur në lakmi.+ Janë fëmijë të mallkuar.+ 15 Duke braktisur shtegun e drejtë, ata janë mashtruar. Kanë ndjekur shtegun e Balaamit,+ birit të Beorit, i cili deshi shpërblimin e keqbërjes,+ 16 por u qortua ngaqë dhunoi atë që ishte e drejtë.+ Një kafshë barre e pagojë, që u shpreh me zë njeriu,+ e pengoi çmendurinë e profetit.+
17 Këta janë burime pa ujë+ dhe mjegull e shtyrë nga stuhia e furishme, për të cilët është ruajtur terri i errësirës.+ 18 Sepse ata thonë fjalë të fryra pa asnjë dobi dhe, me anë të dëshirave të mishit+ e të zakoneve të shthurura, ndjellin+ ata që sapo kanë nisur të shpëtojnë+ nga njerëzit që sillen me paudhësi. 19 Ndërsa u premtojnë atyre lirinë,+ për vete janë skllevër të prishjes.+ Sepse, kushdo që mposhtet nga një tjetër, bëhet skllav i tij.+ 20 Sigurisht, nëse përzihen rishtas me ndotjet e botës+ dhe mposhten, pasi kanë shpëtuar nga këto gjëra me anë të njohurisë së saktë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin Jezu Krisht,+ gjendja e tyre në fund është më e keqe se në fillim.+ 21 Sepse për ta do të ishte më mirë të mos e kishin njohur saktësisht shtegun e drejtësisë,+ sesa, pasi ta kenë njohur saktësisht atë, t’i kthejnë krahët urdhërimit të shenjtë që iu dha.+ 22 Atyre u ndodhi ajo që thotë proverbi i vërtetë: «Qeni+ u kthye tek e vjella e tij, dhe dosa që ishte larë u kthye të zhgërryhet në llucë.»+