Sa u intereson feja të rinjve?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË FRANCË
PËR të 750.000 të rinjtë në auditor kjo duhej të ishte një mbrëmje euforie. Ata valëvitën flamuj, kënduan dhe duartrokitën. Dritat me rreze lazer dhe fishekzjarrët bënin trajektore në ajër dhe muzikantët nxitnin turmën me muzikën e tyre. Atmosfera ngjante me një «diskotekë gjigande të improvizuar». Më në fund, nën britmat e simpatizantëve, burri që ata po pritnin u shfaq në skenë.
Mos ishte kjo nisja për një turne nëpër botë e ndonjë grupi të muzikës rok? Jo. Ishte një mbledhje fetare masive në Paris, gjatë Ditëve Botërore të Rinisë Katolike dhe burri nuk ishte askush tjetër veçse papa Gjon Pali II.
Për disa persona, interesi i të rinjve në festat fetare si kjo mund të duket i çuditshëm. Por tani media po flet për një rigjallërim fetar mes të rinjve.
Dukja e jashtme
Po të merret si kallëp, feja mund të duket se është në lulëzim. Rreth 68 përqind e të rinjve evropianë thonë se i përkasin një feje dhe në Irlandë shifra e kalon 90 përqindshin. Në Armeni, një ish-republikë sovjetike ku njëherë e një kohë shumë veta e konsideronin fenë si një relike nga një epokë e kaluar, një prift tha për kishat dikur të shkreta që tani janë plot: «Jam i habitur nga forca tërheqëse që ushtron feja te brezi i ri.»
Në shumë vende media ka bërë shumë reportazhe rreth përfshirjes së të rinjve në kulte dhe në grupe karizmatike. Festat fetare, si ajo që u përmend në hyrje të artikullit, janë të përhapura. Por, çfarë ndodh kur shohim përtej sipërfaqes?
Një shqyrtim më nga afër
Një shqyrtim më nga afër zbulon se në vitin 1967, 81 përqind e të rinjve francezë besonin në Perëndinë, por në vitin 1997, përqindja ishte më pak se gjysma e kësaj shifre. Në Evropë në tërësi, vetëm 28 përqind e të rinjve besojnë në një Perëndi si person. Nuk është për t’u habitur, pra, që vetëm 12 përqind e të rinjve evropianë luten shpesh. Si pasqyrohet kjo në mënyrën në të cilën e konsiderojnë të rinjtë fenë?
Në Danimarkë, 90 përqind e të rinjve thonë se i përkasin kishës kombëtare. Vetëm 3 përqind e përshkruajnë veten si anëtarë aktivë të kishës. Në vitin 1997 një anketë e bërë nga La Croix, një gazetë katolike në Francë, tregoi se 70 përqind e të rinjve francezë pranojnë se feja nuk luan ndonjë rol real në jetën e tyre. Tri të katërtat e tyre i japin më shumë rëndësi përvojës personale, sesa mësimit të një feje. E njëjta gjë thuhet për shumicën e vendeve të tjera evropiane.
Pse po largohen të rinjtë nga kishat? Për shumicën prej tyre, fetë tradicionale nuk frymëzojnë besim. Në Francë, për shembull, shumica e të rinjve mendojnë se feja përbën një faktor ndarës në botë. Përveç kësaj, nuk është e pazakontë të gjesh të rinj që mendojnë si Xhudita 15-vjeçare, një katolike nga Spanja. Ajo tha: «Nuk jam dakord me atë që thotë kisha mbi anën morale.» Po ashtu, Xhozefit 20-vjeçar nga Tajvani, feja i duket «tepër tradicionale». Por nëse shumica e të rinjve nuk janë dakord me mësimet e vetë feve të tyre, në çfarë besojnë ata?
Feja sipas qejfit
Tani të rinjtë në përgjithësi i zgjedhin bindjet fetare siç do të bënin me gjellët në një menu. Një revistë e quajti këtë fenomen «adhurimi sipas qejfit». Një revistë katolike iu referua kësaj si «një panair fetar». Idetë që po bëheshin të dala jashtë mode tani janë një gjë e zakonshme. Kështu, në Evropë, rreth 33 përqind e të rinjve besojnë në hajmalitë e fatit, 40 përqind besojnë se parashikuesit e fatit mund të parathonë të ardhmen dhe 27 përqind besojnë se yjet ndikojnë mbi jetën e njerëzve. Idetë si rimishërimi, tani janë pjesë e bindjeve të shumë të rinjve evropianë.
Bindjet fetare janë kaq të shumta, saqë të rinjtë mund të zgjedhin idetë që u përshtaten shijeve të tyre. Janë të paktë ata që besojnë se vetëm një fe ka monopolin e së vërtetës. Duke qenë se të rinjtë po zgjedhin sipas dëshirës, ndryshimi mes bindjeve të tyre fetare po bëhet më pak i dukshëm. Kështu, sociologët tani flasin për një «fshirje progresive» ose për një «erozion të përgjithshëm» të besimeve tradicionale. Si po reagojnë fetë tradicionale, duke pasur parasysh këtë klimë frymore?
Feja kërkon të rinj
Feve po u paraqitet një sfidë në tërheqjen e të rinjve drejt tyre. Një prift francez pyeti për turmat e mbledhura në festën e Ditëve Botërore të Rinisë Katolike në Paris: «Nga vijnë këta të rinj? Unë nuk kam të rinj në kishat e mia. Nuk i shoh kurrë ata.» Duke kërkuar të tërheqë vëmendjen e të rinjve, Kishës Katolike po i duhet të ndryshojë prezantimin e mesazhit dhe imazhin e saj.
«Kisha po ndryshon stilin e vet!»—deklaroi gazeta franceze Le Figaro. Për festën e 12-të të Ditëve Botërore të Rinisë në Paris, kisha punësoi agjencitë më të përdorura për organizimin e koncerteve të muzikës rok që të kujdeseshin për prezantimin e festës. U përgatitën më shumë se 300 shfaqje për t’i argëtuar të rinjtë që vizitonin nga më shumë se 100 vende dhe veçanërisht për klerikët u bënë veshje nga stilistë të njohur.
Duke qenë se i kanë humbur lidhjet me të rinjtë e sotëm dhe duke ndier nevojën për t’u përshtatur, shumë fe po bëhen besime që pranojnë gjithçka. Duke pasqyruar këtë politikë, Mishel Dybo, kleriku që organizoi festën e Ditëve Botërore të Rinisë në Paris, tha: «Sigurisht, do të më pëlqente që të gjithë të pagëzuarit të ishin besnikë ndaj Krishtit. Por edhe nëse nuk janë, ata e kanë vendin e tyre në kishë.»
Të rinjtë kërkojnë përgjigje
Duke nxjerrë në pah se të rinjtë po kërkojnë me të vërtetë përgjigje, një gazetë e përshkroi pjesëmarrjen e të rinjve në festën fetare në Paris si «një thirrje për besim në vend se një thirrje besimi». A iu përgjigj Kisha Katolike kësaj thirrjeje?
Çfarë mbetet kur heqim fasadën e jashtme ose kur zhbirojmë përmes asaj që një gazetë katolike e quan «iluzioni optik» i festave të mëdha fetare? Gazeta franceze Le Monde komentoi mbi «mungesën e brendisë reale» përtej sipërfaqes.
Edhe pse paraqitja e një pjate është e rëndësishme, ushqimi në të duhet të jetë me vlera ushqyese. Pyetjet e të rinjve mbi domethënien e jetës kërkojnë përgjigje ushqyese frymësisht. Përgjigjet tërheqëse por boshe, që u serviren të rinjve, nuk i kënaqin ata.
Duke qenë se u mungon substanca e vërtetë, a kanë ndonjë ndikim të qëndrueshëm këto ngjarje fetare mbi të rinjtë e sotëm? Sociologia franceze Danielë Ërvje-Lezhe vërejti: «Këto veprime spektakolare kanë pak mundësi për të zhvilluar efekte të qëndrueshme shoqërore.» Ku, pra, mund të gjejnë të rinjtë përgjigje të kënaqshme për pyetjet e tyre?
Përgjigje të kënaqshme
Në vitin 1997, revista franceze Le Point botoi një artikull mbi vështirësitë që hasin të rinjtë. Përveç pyetjeve mbi domethënien e jetës që janë të zakonshme ndër të rinjtë, atyre u duhet të ndeshen edhe me krimin dhe dhunën. A mund të dilet prej kësaj? Artikulli i revistës shpjegonte: «Në moshën 30-vjeçare, Davidi filloi të shqetësohej për ndikimin që kishte alkooli, droga dhe dhuna mbi trupin e tij. Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën e tij me një përgjigje për shpresat e tij për dëlirësi. Ai studioi dhe u kthye në fe. Pagoi të gjitha borxhet e bixhozit dhe u riktheu paratë të gjithë atyre që as që e dinin se ai ua kishte hedhur në poker. Ai nuk pi më duhan, alkool e nuk zihet më.»
Në lidhje me të rinj të tjerë që kanë studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, artikulli vazhdonte: «Ata kanë gjetur të gjitha përgjigjet e pyetjeve të tyre.» Një i ri Dëshmitar u shpreh thjesht: «Bibla ka thënë të vërtetën për dymijë vjet, kështu që, përse duhet të shkoj gjetkë për udhëzime?»
Fjala e Perëndisë përmban një mesazh për të rinjtë. Këshillat e saj praktike i ndihmojnë ata që të përballojnë problemet e sotme dhe u jep një bazë të fortë për të besuar në një të ardhme me paqe e vëllazëri. Në një botë vazhdimisht në ndryshim, shpresa që jep Bibla është «një spirancë për shpirtin, si e sigurt, ashtu dhe e patundur», duke siguruar stabilitet dhe ngushëllim. (Hebrenjve 6:19, BR) Qindra mijë të rinj kanë gjetur domethënie të vërtetë në jetën e tyre me anë të një studimi personal të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Ata e kanë parë me sytë e tyre se si Bibla prodhon ndryshime që shkojnë përtej sipërfaqes. Duke pranuar përgjigjet e Biblës, të rinjtë shohin se kërkimi i tyre për besim të vërtetë shpërblehet.
[Figura në faqen 12]
Festa fetare tërheq mijëra të rinj në Paris
[Figura në faqen 13]
Ditët Botërore të Rinisë në Paris: Një rigjallërim i vërtetë fetar?