Sfidat dhe bekimet e rritjes së shtatë bijve
Treguar nga Bert dhe Margareta Dikmen
U linda në vitin 1927 në Omaha, Nebraska, SHBA dhe u rrita në Dakotën e Jugut. Mund të kujtoj ende fëmijërinë time gjatë viteve të vështira të Krizës së Madhe (1929-1942). Mamaja na gatuante zakonisht atë që e quante çomleku i urisë. Ajo hidhte pak yndyrë në tigan, shtonte ca ujë dhe pastaj ne ngjyenim në të bukën. Për shumë familje, gjërat ishin të vështira në atë kohë.
FAMILJA ime nuk ishte fetare; ata kishin parë shumë hipokrizi në fetë protestante të vendit. Sa për mua, dy vjetët që kalova në ushtri gjatë Luftës II Botërore i dhanë formë mënyrës sime të të menduarit. Ajo ishte koha kur unë fillova të jepesha pas pijes dhe bixhozit.
Gjatë një liridaljeje nga ushtria shkova në një lokal vallëzimi, ku takova Margareta Shlahtin, një vajzë me origjinë gjermano-ukrainase. Ramë në dashuri dhe në vitin 1946, pas një shoqërimi prej tre muajsh, u martuam. Brenda tetë vjetëve patëm shtatë djem dhe nga vështirësitë mësuam se çfarë sfide është të jesh prind.
Në vitin 1951 pësova një aksident të rëndë në sharrë dhe gati preva krahun e majtë. Duhej të qëndroja dy vjet në spital për të bërë transplantime të lëkurës dhe të kockës. Ndërkohë Margaretës i mbeti barra e kujdesjes për pesë djemtë. Me ndihmën e miqve dhe të fqinjëve, ia doli mbanë gjatë asaj periudhe të vështirë. Kur isha në spital, kisha shumë kohë për të menduar rreth qëllimit të jetës. U përpoqa të lexoja Biblën, por pa arritur ta kuptoja mirë.
Pak pasi dola nga spitali u transferuam në Oportuniti, një qytet në shtetin e Uashingtonit, dhe fillova punë në ndërtim së bashku me kunatin tim. Tani po lë Margaretën të tregojë pjesën e saj të historisë.
E zënë deri në grykë!
Unë u rrita në një fermë ku kultivonim drithëra, mbanim disa baxho qumështi dhe konservonim fruta e perime. Kisha një disiplinë të rrënjosur pune që më stërviti për sfidat e ardhshme të jetës, të cilat do të ishin të shumta. Duke qenë se të paktën kishim gjithmonë për të ngrënë, ne e mbijetuam krizën më mirë nga shumica e njerëzve.
Megjithëse prindërit e mi nuk kishin kohë për fenë, unë frekuentoja me raste shkollën e së dielës. Pastaj, në moshën 19-vjeçare, Berti dhe unë u martuam. Nuk shkuam në kishë. Bëmë vetëm një ceremoni të thjeshtë në dhomën e pritjes të shtëpisë së prindërve të mi, ku kreu shërbesën një pastor i kishës protestante. Në rrjedhën e pak viteve solla në jetë shtatë djem: Riçardin, Denin, Dagun, Gerin, Majkëllin, Kenin dhe në fund, në vitin 1954, Skotin. Ata më mbanin plotësisht të zënë me punë!
Pasi u transferuam në Oportuniti, na vizitoi në shtëpi një zonjë për të biseduar rreth Biblës. E pyeta nëse besonte në ferrin e zjarrtë, një doktrinë që më tmerronte me të vërtetë. Për lehtësimin tim, ajo shpjegoi se ferri i zjarrtë nuk është një mësim biblik dhe se madje as mësimi i pavdekshmërisë së shpirtit nuk gjendet në Bibël! Kisha jetuar me frikën dhe tmerrin e vdekjes dhe nuk mundja ta lidhja ferrin e zjarrtë me një Perëndi të dashurisë. Vendosa që të mos u mësoja kurrë fëmijëve të mi gënjeshtra të tilla.
Në vitin 1955 fillova të studioja Biblën me ndihmën e librit «Qoftë Perëndia i vërtetë».a Siç duhej pritur, pikërisht atëherë prifti pentekostal filloi të interesohej papritur për mua dhe donte të më shpëtonte nga Dëshmitarët e Jehovait! Ai bëri një gabim të madh: filloi të më predikonte ferrin e zjarrtë! Dërgoi madje edhe tre anëtarë të kongregacionit të tij për t’u përpjekur të më kthenin mendjen që të mos studioja me Dëshmitarët.
Ndërkohë, Berti, që rrinte në dhomën e pritjes, vinte veshin për të dëgjuar studimin tim biblik. Më vonë nisi të lexonte Shkrimet e Krishtere Greke, Përkthimi Bota e Re dhe gjërat filluan t’i bëheshin disi më të qarta. Ai bënte një punë me turne, e cila mbaronte në mesnatë. Kur kthehej ai, unë patjetër që isha në shtrat. Një natë zbrita vjedhurazi shkallët dhe pashë që lexonte fshehtas librat e mi! U ktheva në shtrat në majë të gishtave, duke u ndier e kënaqur që po i shqyrtonte gjërat vetë. Më në fund, edhe ai studioi Biblën dhe në vitin 1956 ne u bëmë Dëshmitarë të pagëzuar.
Duke qenë se brenda tetë vjetëve kisha lindur shtatë bij, provova se të kujdeseshe për të gjitha punët e përditshme që t’i ushqeje e t’i vishje ata dhe të përpiqeshe ta mbaje shtëpinë të pastër e të rregullt, qe një sfidë. Djemtë mësuan të bënin pjesën e tyre në punët e shtëpisë. Unë e kam thënë shpesh se nuk kisha një makinë automatike për larjen e pjatave, kisha shtatë! Secili e bënte me rradhë këtë punë të nevojshme. Berti ishte pa dyshim një ndihmë e madhe. Ai mbajti një disiplinë dhe rregulla familjare të vazhdueshme, duke lënë njëkohësisht të hapura rrugët e komunikimit. Djemtë e respektonin babin e tyre, por nuk kishin frikë nga ai. Berti nuk e la kurrë pas dore përgjegjësinë e tij për t’i mësuar bijtë tanë. Ata kujtojnë me dashuri sesi u fliste për gjërat delikate në një mënyrë të thjeshtë e të kuptueshme.
Në vitin 1966, Riçardi, biri ynë më i madh, shkoi të shërbente në Selinë Qendrore të Shoqatës Watch Tower në Bruklin, Nju Jork. Ishte vërtet një sprovë për mua të shikoja të parin të largohej nga foleja. Çdo ditë, ai vend i zbrazët në tavolinë më bënte të ndjeja dhembje në zemër. Por isha e lumtur që ai po fitonte një përvojë dhe një përgatitje të mirë.
Po lë Bertin ta vazhdojë historinë.
I rritim djemtë tanë me anë të parimeve biblike
Margareta dhe unë u pagëzuam në një kongres në Spokein, Uashington. Tani kishim përpara sfidën e rritjes së djemve tanë sipas parimeve biblike, gjë që disa mund ta quajnë mënyra e vjetër. Unë nuk i duroja gënjeshtrat ose standardet e dyfishta dhe djemtë e dinin këtë. U mësuam atyre se Jehovai meriton më të mirën.
Megjithatë, ata e dinin se mund të kishin besim tek unë, pasi kishim një lidhje të fortë dhe bënim aq shumë gjëra së bashku. Na pëlqente të shkonim në plazh, të bënim piknikë në male dhe të luanim beisboll si familje. Ne mbanim disa kafshë e kishim një kopsht dhe të gjithë djemtë ndihmonin në çfarëdo gjëje që duhej bërë. Kështu ata mësuan të punonin dhe të luanin. Ne përpiqeshim të mbanim ekuilibrin në aktivitetet tona.
Një aventurë teokratike
Për sa i përket aspektit frymor, të gjithë së bashku shkonim në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë, si edhe bënim një studim të rregullt familjar të Biblës. Në vitin 1957 morëm pjesë në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Siatëll, Uashington. Gjatë programit, familjeve iu bë një thirrje që të transferoheshin për të shërbyer atje ku kishte më shumë nevojë për Dëshmitarë që të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Familja jonë mendoi se kjo ishte një ide e mirë dhe filluam të bënim planet për t’u transferuar. Në fillim, në vitin 1958, shkuam në Misuri dhe pastaj, në vitin 1959, në Misisipi.
Në vitin 1958 patëm aventurën tonë të parë teokratike. Unë ndërtova një shtëpi-rimorkio që e tërhiqnim me një DeSoto të vjetër trevendësh të vitit 1947, me gjashtë cilindra. Atë vit që të nëntë udhëtuam për në Nju Jork me atë makinë, që të merrnim pjesë në një kongres ndërkombëtar. Kaluam disa javë në udhëtim, duke banuar në rimorkio gjatë rrugës nga Spokeini, në bregun perëndimor deri në Nju Jork: një distancë mbi 4.200 km! Djemtë e kujtojnë me dashuri atë udhëtim si një kohë frytdhënëse dhe një argëtim i shkëlqyer.
U mësojmë disiplinën me anë të një torte
Në atë kongres morëm kopjet tona të librit Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituarb. Ai libër, së bashku me Biblën, u bë materiali kryesor për studimin tonë të përjavshëm familjar të Biblës. Të gjithë djemtë mësuan të lexonin në një moshë të vogël. Pas shkollës, Marg kalonte ca kohë me djemtë, duke i dëgjuar ndërsa lexonin Biblën. Nuk lejuam që televizioni t’u pushtonte mendjet.
Në familje kishim disiplinë dhe respekt për njëri-tjetrin. Njëherë Margareta kishte bërë një tortë të madhe, një prej specialiteteve të saj. Ushqimi i asaj dite përfshinte edhe karota. Ne i inkurajonim gjithmonë djemtë që të paktën t’i provonin perimet që kishin në pjatë. Dagu nuk i pëlqente karotat. I thamë se nëse nuk i hante karotat, nuk do të merrte asnjë copë tortë. Prapëseprapë ai refuzoi ta hante të gjithë ushqimin. Margareta tha: «Nëse nuk i ha këto karota, pjesën tënde të tortës do ta marrë qeni.» Nuk mendoj se Dagu e besoi atë vërtet, derisa pa Blekin të llufiste tortën e tij të shijshme! Ai mori një mësim nga ajo ngjarje, e po ashtu edhe djemtë e tjerë. Si prindër, ne e kishim me gjithë mend atë që thoshim.
Jeta ishte e gëzueshme
Margareta dhe unë udhëhiqeshim prej shprehjes së Jezuit, që gjendet në Mateun 6:33: «Vazhdoni, pra, të kërkoni në rradhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (BR) Si familje, ne përpiqeshim të vendosnim në rradhë të parë interesat e Mbretërisë. Të gjithëve na pëlqente të dilnim në predikim së bashku dhe djemtë e bënin me rradhë për të dalë me mua nga shtëpia në shtëpi. Secili kishte çantën e vet, Biblën e vet dhe literaturën e vet biblike. Ne i lavdëronim për çdo përparim që bënin. Margareta shpesh i përqafonte fort. Vërtet, ne u tregonim vazhdimisht dashuri. Linim gjithmonë kohë për djemtë dhe jeta ishte e gëzueshme!
Ndërsa rriteshin, djemtë kishin përgjegjësi të tilla, si: të merrnin njerëzit për t’i çuar në mbledhje, të hapnin Sallën e Mbretërisë dhe të ndihmonin në detyrat e tjera. Ata mësuan ta çmonin Sallën e Mbretërisë si vendin e tyre të adhurimit dhe u pëlqente ta mirëmbanin.
Ne i inkurajonim që të shpreheshin në mbledhjet e krishtere. Ata bënin fjalime të shkurtra në Shkollën e Shërbimit Teokratik, ku mësuan dalëngadalë të bëheshin oratorë. Majkëlli, djali ynë i pestë, e kishte gjithnjë zët të fliste në publik dhe e kishte të vështirë kur ngjitej në podium. Në njëfarë pike të fjalimit, ai fillonte të derdhte lot zhgënjimi, ngaqë nuk ishte në gjendje të mbaronte. Me kalimin e kohës, ai e mposhti këtë gjë dhe tani që është burrë i martuar shërben si mbikëqyrës udhëtues, duke vizituar kongregacione të ndryshme dhe duke bërë fjalime disa herë në javë. Çfarë ndryshimi!
Si e konsideronin djemtë disiplinën
Një korrespondent i Zgjohuni! u takua me Majkëllin për ta pyetur çfarë përshtypjesh kishte nga fakti që ishte rritur sipas mënyrës së vjetër. «Ne e konsideronim babin si një disiplinues dashamirës. Mbaj mend se kur isha adoleshent nisa të punoja për një stacion radioje. Doja të kisha një makinë, në mënyrë që të mund të merrja pjesë edhe në shërbimin e plotkohor si pionier. Drejtuesi i stacionit më ofroi Ford Mustangun e tij, një makinë sportive me dy dyer, me tavan të hapshëm, që ishte në modë mes të rinjve. E kisha shumë për zemër këtë gjë, megjithëse e dija se ajo nuk do të ishte një makinë shumë praktike për të dalë me të tjerët në shërbim. Me njëfarë druajtje, shkova te babi. Kur i tregova për ofertën, ai tha: ‘Le të flasim pak për këtë’. E dija çfarë donte të thoshte kjo! Ai arsyetoi me mua dhe më shpjegoi avantazhet e një makine më praktike. Kështu bleva një veturë të madhe me katër dyer dhe pasi e ngava për më shumë se 160.000 km në caktimin tim të shërbimit, munda vetëm të thosha: ‘Babi kishte përsëri të drejtë’.
Zhvendosjet nga një vend në tjetrin kur ishim të rinj, nga Uashingtoni në Misuri e pastaj në Misisipi, qenë një përvojë emocionuese. Na pëlqente kjo gjë. Madje edhe të jetonim që të nëntë për një vit në një shtëpi rimorkio 2,5m me 11m, ishte shumë e këndshme dhe na mësoi të ishim të organizuar e të merreshim vesh me njëri-tjetrin edhe në një shtëpi ku ishim ngushtë. Sigurisht, ne kishim prirje të luanim shumë jashtë.
Diçka tjetër që kujtoj dhe vazhdoj ta mbaj gjallë, ishte mënyra si e drejtonte babi shqyrtimin që i bënim së bashku shkrimit të ditës. Në vitin 1966 ai ndoqi shkollën e pleqve në Fermën e Mbretërisë, në Lansingun e Jugut, Nju Jork dhe pa se pjesëtarët e familjes Bethel bënin kërkime, me qëllim që të komentonin mbi shkrimin e ditës. Ai futi të njëjtën metodë në rutinën tonë familjare. Secilit prej ne shtatë djemve na ishte caktuar një mëngjes për të komentuar mbi kërkimet që kishim bërë. Megjithëse ndonjëherë ankoheshim, kjo metodë na mësoi se si të bënim kërkime dhe të shpreheshim. Zakone të tilla mbeten për tërë jetën.
Më bënin përshtypje sakrificat që bënin për ne mami dhe babi. Në një kohë kur dy prej vëllezërve të mi më të mëdhenj, Riçardi dhe Deni, do të mund të fitonin para për familjen, prindërit tanë i inkurajuan të shkonin në Bruklin, Nju Jork, për të shërbyer si vullnetarë në Selinë Qendrore të Shoqatës Watch Tower. Gjithashtu, prindërit tanë kursyen para, në mënyrë që pesë prej nesh të mund të shkonim me avion në Nju Jork për ta parë vetë Selinë Qendrore. Kjo gjë pati ndikim të madh tek unë. Ajo rriti çmueshmërinë tonë për organizatën e Jehovait.
Tani po lë përsëri babin të vazhdojë historinë.»
Kishim edhe ne sfidat tona
Si çdo familje tjetër, edhe ne kishim probleme dhe disfata. Ndërsa djemtë arrinin në moshën kur mund të martoheshin, më duhej t’u jepja këshilla që të mos nguteshin për t’u martuar me të parën vajzë që u bënte përshtypje. Ne siguroheshim, gjithashtu, që ata të ishin të mbikëqyrur në një mënyrë të përshtatshme gjatë aktiviteteve shoqërore. Dëshironim që të kishin njëfarë përvoje në jetë përpara se të zgjidhnin një bashkëshorte për gjithë jetën. Ndonjëherë derdheshin lot e madje kishte përkohësisht edhe zemra të thyera, por me kalimin e kohës ata e vlerësonin mençurinë e këshillave të Biblës, veçanërisht të asaj për t’u martuar «në Zotërinë». Ne i lavdëronim për mençurinë e tyre.—1. Korintasve 7:39.
Skoti, biri ynë i shtatë, na bëri të derdhnim shumë lot. Ai iu dorëzua shoqërive të këqija në vendin e tij të punës. Përfundimisht, u përjashtua nga kongregacioni. Kjo qe një goditje e rëndë për të gjithë ne, por e respektuam vendimin gjyqësor të pleqve. Skotit iu desh të mësonte përmes përvojës së vështirë se t’i shërbesh Jehovait është mënyra më e mirë për të jetuar.
Ne kurrë nuk i hoqëm shpresat se ai do të kthehej në kongregacion. Lumturisht, pas pesë vjetësh ai u rivendos në kongregacion. Duke vështruar pas, ai thotë: «Një gjë që më ndihmoi ndërkohë që isha i përjashtuar, ishte fakti që ndonëse shoqëria e familjes qe shumë e kufizuar, unë e dija gjithmonë se familja ime më donte.» Skoti vazhdoi të bënte progres dhe tetë vjetët e kaluara ka shërbyer si plak.
Është e trishtueshme, por vitet e fundit dy prej nipërve tanë u përjashtuan. Megjithatë kemi ngushëllimin se disiplina që vjen nga Jehovai, mund të sjellë vërtet ndryshime.
Një ndryshim i madh në jetën tonë
Përfundimisht, rreth vitit 1978, të gjithë djemtë ishin larguar nga shtëpia. Në rrjedhën e viteve, unë kisha fituar përvojë në lidhje me sistemet e ngrohjes, të ventilimit dhe të ajrit të kondicionuar. Në vitin 1980, Margareta dhe unë morëm çuditërisht një ftesë për të shërbyer për nëntë muaj në Bruklin, në Selinë Qendrore të Shoqatës Watch Tower. Tani, tetëmbëdhjetë vjet më pas, jemi ende këtu!
Ne jemi bekuar në mënyrë të pasur. Nuk ishte gjithnjë e lehtë t’i rritnim bijtë tanë sipas mënyrës së vjetër, në përputhje me parimet e Biblës, por kjo na ka dhënë vërtet fryte. Situata e tanishme në familjen tonë është që pesë prej djemve tanë shërbejnë si pleq kongregacioni dhe njëri është mbikëqyrës udhëtues. Kemi 20 nipër e mbesa dhe 4 stërnipër e stërmbesa; shumica e tyre janë në të vërtetën dhe janë besnikë ndaj Perëndisë.
Ne kemi përjetuar vërtetësinë e fjalëve të psalmistit: «Ja, bijtë janë një trashëgimi nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim. Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.»—Psalmi 127:3, 4.
[Shënimet]
a Botuar në vitin 1946 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht; tani nuk shtypet më.
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
[Figurat në faqet 20, 21]
Në vitin 1996, me bijtë tanë, nuset e tyre (djathtas) dhe nipërit e mbesat (djathtas në cep) në përvjetorin tonë të 50-të