BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g04 8/4 f. 10-13
  • Moisiu: Si ndikon jeta e tij te ju?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Moisiu: Si ndikon jeta e tij te ju?
  • Zgjohuni!—2004
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Moisiu i vërtetë
  • Shkrimet e Moisiut​—Një trashëgimi kulturore
  • Një profet si Moisiu
  • Moisiu
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Të njohim udhët e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Moisiu—Njeri i dashurisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2013
  • Shkurrja e përfshirë nga flakët
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
Shih më tepër
Zgjohuni!—2004
g04 8/4 f. 10-13

Moisiu: Si ndikon jeta e tij te ju?

PËR shumë studiues dhe kritikë, Moisiu është veçse një figurë mitologjike. Ata e hedhin poshtë tregimin e Biblës, duke kërkuar që provat të plotësojnë disa kritere, sipas të cilave edhe njerëzit, si Sokrati dhe Platoni do të ishin mite.

Megjithatë, siç e pamë, nuk ka arsye të vlefshme për ta hedhur poshtë atë që thotë Bibla për Moisiun. Përkundrazi, njerëzit që kanë besim, kanë dëshmi të bollshme që e gjithë Bibla është ‘fjala e Perëndisë’.a (1 Selanikasve 2:13; Hebrenjve 11:1) Për këta njerëz, shqyrtimi i jetës së Moisiut nuk është thjesht një studim akademik, por një mjet për të ndërtuar besimin.

Moisiu i vërtetë

Regjisorët shpesh nxjerrin në pah heroizmin e Moisiut dhe guximin e tij, cilësi që e bëjnë për vete publikun. Vërtet, Moisiu ishte i guximshëm. (Eksodi 2:16-19) Por mbi të gjitha ai ishte një njeri me besim. Perëndia ishte një person real për Moisiun, kaq real, saqë më vonë apostulli Pavël tha se Moisiu «qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm».​—Hebrenjve 11:24-28.

Pra, nga Moisiu mësojmë nevojën për të ndërtuar një marrëdhënie me Perëndinë. Edhe ne në jetën tonë të përditshme mund të veprojmë sikur ta kishim para syve Perëndinë. Nëse bëjmë kështu, kurrë nuk do të sillemi në një mënyrë që nuk i pëlqen atij. Gjithashtu vëreni se Moisiut ia rrënjosën besimin kur ishte ende foshnjë. Besimi i tij ishte aq i fortë, saqë i bëri ballë ‘gjithë mençurisë së egjiptianëve’. (Veprat 7:22) Sa inkurajuese është kjo për prindërit që të fillojnë t’u mësojnë fëmijëve për Perëndinë që nga foshnjëria!​—Fjalët e urta 22:6; 2 Timoteut 3:15.

Vlen të përmendet edhe përulësia e Moisiut. Ai ishte «njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Moisiu ishte gati t’i pranonte gabimet e tij. Ai shkroi për pakujdesinë që tregoi duke mos e rrethprerë të birin. (Eksodi 4:24-26) Gjithashtu tregoi me ndershmëri gabimin që bëri në një rast kur nuk ia dha lavdinë Perëndisë dhe për ndëshkimin e rëndë që i dha Perëndia. (Numrat 20:2-12; Ligji i përtërirë 1:37) Po kështu, Moisiu i pranonte me gatishmëri këshillat e të tjerëve. (Eksodi 18:13-24) A nuk do të bënin mirë bashkëshortët, baballarët dhe burrat e tjerë me autoritet që të ndiqnin shembullin e Moisiut?

Vërtet, disa kritikë e vënë në dyshim nëse Moisiu ishte vërtet njeri i butë, duke përmendur veprat e dhunshme që kreu ai. (Eksodi 32:26-28) Shkrimtari Xhonatan Kirsh thotë: «Moisiu i Biblës rrallë tregohet i përulur dhe kurrë i butë dhe sjellja e tij s’mund të quhet gjithnjë e drejtë. Në disa çaste të frikshme, . . . Moisiu tregohet arrogant, gjakatar dhe mizor.» Një kritikë e tillë është krejtësisht mendjengushtë. Ajo nuk merr parasysh faktin që veprimet e Moisiut nuk vinin nga mizoria, por nga dashuria e zjarrtë për drejtësinë dhe nga mostolerimi i ligësisë. Në ditët tona, kur është e modës që njerëzit të tolerojnë imoralitetin, shembulli i Moisiut na kujton nevojën për të mos bërë kompromis me normat morale.​—Psalmi 97:10.

Jezui​—Një profet si Moisiu

Këtu janë disa nga aspektet ku Jezui ngjante me Moisiun.

  • Si Moisiu ashtu edhe Jezui shpëtoi nga masakra e përgjithshme e foshnjave meshkuj që urdhëroi sundimtari në kohën e tyre​—Eksodi 1:22; 2:1-10; Mateu 2:13-18.

  • Jehovai e thirri Moisiun nga Egjipti bashkë me ‘të parëlindurin’ e Tij, kombin e Izraelit. Jezui u thirr nga Egjipti si Biri i parëlindur i Perëndisë.​—Eksodi 4:22, 23; Hozea 11:1; Mateu 2:15, 19-21.

  • Si Moisiu, ashtu edhe Jezui agjëruan për 40 ditë në shkretëtirë.​—Eksodi 34:28; Mateu 4:1, 2.

  • Moisiu dhe Jezui ishin jashtëzakonisht të butë e të përulur.​—Numrat 12:3; Mateu 11:28-30.

  • Moisiu dhe Jezui kryen mrekulli.​—Eksodi 14:21-31; Psalmi 78:12-54; Mateu 11:5; Marku 5:38-43; Luka 7:11-15, 18-23.

  • Moisiu dhe Jezui shërbyen si ndërmjetës të besëlidhjeve midis Perëndisë dhe popullit të Tij.​—Eksodi 24:3-8; 1 Timoteut 2:5, 6; Hebrenjve 8:10-13; 12:24.

Shkrimet e Moisiut​—Një trashëgimi kulturore

Moisiu la një përmbledhje mbresëlënëse shkrimesh. Këtu përfshihen poezi (Jobi, Psalmi 90), proza historike (Zanafilla, Eksodi, Numrat), gjenealogji (Zanafilla, kapitujt 5, 11, 19, 22, 25) dhe një kod i rëndësishëm ligjesh i quajtur Ligji i Moisiut (Eksodi, kapitujt 20-40; Levitiku; Numrat; Ligji i përtërirë). Ky Ligj i frymëzuar në mënyrë hyjnore përmbante koncepte, ligje dhe parime qeverisjeje që ishin shumë të përparuara për kohën.

Në ato vende ku kreu i shtetit është edhe kreu i kishës, shpesh si pasojë vjen mungesa e tolerancës, shtypja fetare dhe abuzimi me pushtetin. Në Ligjin e Moisiut përfshihej edhe parimi i ndarjes së kishës nga shteti. Nuk lejohej që mbreti të merrte detyra priftërore.​—2 Kronikave 26:16-18.

Gjithashtu Ligji i Moisiut përmbante rregulla për higjienën dhe për parandalimin e sëmundjeve, siç ishin futja në karantinë e njerëzve të sëmurë dhe eliminimi i jashtëqitjeve të njerëzve. Ato rregulla përputhen me shkencën e ditëve tona. (Levitiku 13:1-59; 14:38, 46; Ligji i përtërirë 23:13) Kjo gjë të bën shumë përshtypje, po të mbajmë parasysh që pjesa më e madhe e praktikave të mjekësisë egjiptiane në kohën e Moisiut ishte një bashkim i rrezikshëm i injorancës dhe besëtytnive. Sot në vendet në zhvillim, miliona njerëz mund të shpëtonin nga sëmundjet dhe vdekja nëse do të zbatonin normat e higjienës që dha Moisiu.

Të krishterët nuk janë të detyruar të zbatojnë Ligjin e Moisiut. (Kolosianëve 2:13, 14) Sidoqoftë studimi i tij ka vlerë të madhe edhe sot. Ky Ligj u bënte thirrje izraelitëve t’i jepnin Perëndisë përkushtim të veçantë dhe të mos përfshiheshin në idhujtari. (Eksodi 20:4; Ligji i përtërirë 5:9) Ai i urdhëronte fëmijët që të nderonin prindërit e tyre. (Eksodi 20:12) Gjithashtu, Ligji dënonte vrasjen, tradhtinë bashkëshortore, vjedhjen, gënjeshtrën dhe lakminë. (Eksodi 20:13-17) Sot këto parime vlerësohen shumë nga të krishterët.

Normat e higjienës që mëson Ligji i Moisiut mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve

Një profet si Moisiu

Jezui me dishepujt e tij

Vetëm Jezui ishte një profet që i ngjante vërtet Moisiut

Jetojmë në kohëra stresuese. Sigurisht, njerëzimit i duhet një udhëheqës si Moisiu, dikush që nuk ka vetëm fuqinë dhe autoritetin, por edhe ndershmërinë, guximin, dhembshurinë dhe që e do me gjithë zemër drejtësinë. Kur vdiq Moisiu, izraelitët duhet të kenë pyetur: ‘A do të ketë më bota një njeri si ky?’ Vetë Moisiu i ishte përgjigjur kësaj pyetjeje.

Shkrimet e Moisiut shpjegojnë jo vetëm si filluan sëmundjet dhe vdekja, por edhe përse Perëndia lejoi që të vazhdonte ligësia. (Zanafilla 3:1-19; Jobi, kapitujt 1, 2) Zanafilla 3:15, profecia e parë nga Perëndia, përmban premtimin që ligësia më në fund do të zhduket. Në ç’mënyrë? Profecia tregon se do të lindte një njeri nëpërmjet të cilit do të vinte shpëtimi. Ky premtim hodhi themelin për të shpresuar se do të vinte një Mesi dhe se ai do të shpëtonte njerëzimin. Por kush do të ishte Mesia? Moisiu na ndihmon që ta identifikojmë pa asnjë dyshim.

Nga fundi i jetës së tij, Moisiu tha këto fjalë profetike: «Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar.» (Ligji i përtërirë 18:15) Apostulli Pjetër më vonë tregoi se kjo profeci fliste drejtpërdrejt për Jezuin.​—Veprat 3:20-26.

Shumica e komentuesve judenj hedhin poshtë me forcë çdo krahasim të Moisiut me Jezuin. Ata thonë se këto fjalë gjejnë zbatim për çdo profet të vërtetë që erdhi pas Moisiut. Megjithatë, sipas përkthimit Tanakh​—Shkrimet e Shenjta, botuar nga Shoqata e Botimeve Judaike, Ligji i përtërirë 34:10 thotë: «Nuk doli më kurrë në Izrael një profet si Moisiu, të cilin ZOTI e zgjodhi [duke i folur] ballë për ballë.»

Po, pas Moisiut dolën shumë profetë besnikë, si Isaia dhe Jeremia. Por askush nuk pati me Perëndinë atë marrëdhënie të pashoqe që kishte Moisiu, pra të fliste «ballë për ballë» me të. Prandaj, premtimin e Moisiut se do të dilte një profet ‘si ai’ e plotëson vetëm një person​—Mesia. Vlen të thuhet se para krishterimit dhe përndjekjes fetare nga të krishterët e rremë, edhe studiuesit judenj mendonin kështu. Gjurmët e kësaj pikëpamjeje shihen në shkrimet judaike, siç është Midrash Rabbah, ku për Moisiun thuhet se është pararendësi i «Shpenguesit të mëvonshëm» ose Mesisë.

Nuk mund të mohohet që Jezui kishte shumë gjëra të ngjashme me Moisiun. (Shih kutinë «Jezui​—Një profet si Moisiu».) Jezui ka fuqi dhe autoritet. (Mateu 28:19) Jezui është «me natyrë të butë e i përulur në zemër». (Mateu 11:29) Ai e urren paligjshmërinë dhe padrejtësinë. (Hebrenjve 1:9) Prandaj mund të na japë atë udhëheqje për të cilën kemi kaq shumë nevojë. Pikërisht ai do të zhdukë së shpejti ligësinë dhe do të sjellë në tokë kushtet parajsore për të cilat flet Bibla.b

a Shih librin Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njeriut? (anglisht) botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

b Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth premtimit të Biblës për një parajsë tokësore nën sundimin e Mbretërisë së Krishtit, ju lutemi të kontaktoni me Dëshmitarët e Jehovait. Ata do të jenë të kënaqur të studiojnë Biblën me ju pa pagesë.

Moisiu: E vërteta përballë trillimit

Mënyra si e kanë paraqitur Moisiun nëpër filma ka përjetësuar shumë mite dhe pasaktësi. Këtu janë vetëm disa prej tyre:

Miti: Moisiu nuk e dinte se ishte jude.

E vërteta: Moisiun e kishte mëndur nëna e tij judeje, me sa duket për disa vite me radhë. Veprat 7:23-25 tregon se Moisiu i shihte skllevërit judenj si të ishin «vëllezërit e tij».

Miti: Moisiu ishte një nga pretendentët e fronit të Egjiptit.

E vërteta: Bibla nuk e thotë këtë. Botimi Daily Bible Illustration, shkruar nga Xhon Kito, thotë se nuk ka asnjë arsye për të besuar që Moisiu «me anë të adoptimit u bë trashëgimtar i fronit. . . . Nuk duket se kurorës i mungonin trashëgimtarët meshkuj».

Miti: Moisiu u kthye në Egjipt që të përballej me armikun e tij.

E vërteta: Bibla thotë se të gjithë armiqtë e tij kishin vdekur kur ai u kthye.​—Eksodi 4:19.

Miti: Për herë të parë, Perëndia i dha Dhjetë Urdhërimet pasi Moisiu u ngjit në malin Sinai.

E vërteta: Perëndia i dha Dhjetë Urdhërimet para gjithë kombit të Izraelit, nëpërmjet një engjëlli. Pas kësaj, izraelitët e frikësuar i kërkuan Moisiut të ngjitej e të fliste në emër të tyre.​—Eksodi 19:20–20:19; 24:12-14; Veprat 7:53; Hebrenjve 12:18, 19.

Miti: Faraoni mbijetoi nga shkatërrimi i ushtrisë së tij në Detin e Kuq.

E vërteta: ‘Faraoni dhe ushtria e tij’ morën fund në Detin e Kuq.​—Eksodi 14:28; Psalmi 136:15.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo