E vendosur për të arritur synimin
TREGUAR NGA MARTA ÇAVES SERNA
Kur isha 16 vjeçe, një ditë papritur humba vetëdijen ndërsa po bëja punët në shtëpi. Kur u përmenda, e pashë veten të shtrirë në krevat. Isha e trullosur, kisha një dhembje të fortë koke dhe, për disa minuta, as shihja e as dëgjoja. U tremba. Çfarë më kishte ndodhur?
PRINDËRIT, të shqetësuar, më çuan te një doktoreshë e cila më dha disa vitamina. Ajo tha se shkaku i krizës ishte pagjumësia. Pas nja dy muajsh pata një spazmë tjetër, pastaj edhe një të tretë. U konsultuam me një mjek tjetër që mendonte se ishte diçka nervore dhe më dha ca qetësues.
Megjithatë, spazmat sa vinin e bëheshin më të shpeshta. Shpesh humbja vetëdijen, rrëzohesha dhe vritesha. Disa herë kafshoja gjuhën dhe faqet nga brenda. Kur vija në vete, kisha dhembje të tmerrshme koke dhe më vinte për të vjellë. Më dhembte i gjithë trupi dhe shpesh s’isha në gjendje të kujtoja çfarë kishte ndodhur. Shpeshherë më duhej të rrija shtrirë një ose dy ditë që të merrja veten. Megjithatë, mendoja se ky problem ishte i përkohshëm, e shpejt do të bëhesha mirë.
Pasojat te synimet e mia
Kur isha më e vogël, familja ime filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ne studionim me një çift pionierësh specialë ose shërbëtorë në kohë të plotë, të cilët harxhojnë shumë orë çdo muaj për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike. Shihja se shërbimi që bënin u sillte gëzim atyre. Kur u fola mësueses dhe shokëve të shkollës për premtimet e Biblës, fillova ta provoja edhe unë atë gëzim.
Pas pak kohësh, shumë nga familja ime u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Sa kënaqesha kur predikoja lajmin e mirë! Pa mbushur akoma shtatë vjeçe, i kisha vënë si synim vetes që të bëhesha pioniere speciale. Në moshën 16-vjeçare, hodha një hap të rëndësishëm drejt këtij synimi, pra u pagëzova. Në këtë kohë filluan krizat.
Shërbimi i pionierit
Me gjithë problemet shëndetësore, ende e ndieja se mund të bëhesha një nga Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë. Por, meqë krizat përsëriteshin gati dy herë në javë, disa në kongregacion mendonin se nuk duhet të merrja përsipër një përgjegjësi kaq të rëndë. U ndjeva keq dhe e shkurajuar. Pas ca kohësh, një çift që punonte në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, erdhën në kongregacionin tonë. Ata morën vesh se unë kisha dëshirë të bëhesha pioniere dhe më inkurajuan shumë. Më bindën se sëmundja s’kishte pse të më pengonte për shërbimin e pionierit.
Kështu, më 1 shtator 1988, u emërova si pioniere e rregullt në qytetin tim të lindjes në San Andres Çiautla, Meksikë. Çdo muaj kaloja shumë orë duke predikuar lajmin e mirë. Kur nuk mund të dilja dot të predikoja për shkak të ndonjë krize, u shkruaja letra me argumente nga Shkrimet banorëve të zonës dhe i inkurajoja të studionin Biblën.
Diagnostikohet sëmundja
Në këtë kohë prindërit, me sakrifica të mëdha ekonomike, më çuan te një neurolog. Ai më diagnostikoi me epilepsi. Mjekimi që mora, e mbajti sëmundjen nën kontroll për gati katër vjet. Gjatë asaj kohe, pata mundësinë të ndiqja Shkollën e Shërbimit për Pionierë. Kjo shkollë më inkurajoi dhe më shtoi dëshirën për të shërbyer atje ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë.
Prindërit e dinin se sa dëshirë kisha që të zgjeroja shërbimin. Meqë kura që përdorja e mbante sëmundjen pak a shumë nën kontroll, më lejuan të shkoja në Sitakuaro, në shtetin e Miçuakanit, rreth 200 kilometra larg nga shtëpia jonë. Shoqëria me pionierët e tjerë në atë caktim, më ndihmoi ta çmoja edhe më tepër shërbimin në kohë të plotë.
Por, pas dy vjetësh në Sitakuaro, krizat filluan sërish. U ktheva në shtëpi te prindërit, e mërzitur, e dëshpëruar. Veç kësaj, kisha nevojë për kujdes mjekësor. Shkova te një neurolog i cili tha se kura që po përdorja, po më dëmtonte mëlçinë. Nisa të kërkoja mjekim tjetër, ngaqë s’kishim më të paguanim konsultat me specialistin. Gjendja po më përkeqësohej dhe m’u desh të lija shërbimin si pioniere. Çdo krizë ishte një goditje për mua. Por, kur lexoja Psalmet dhe i lutesha Jehovait, ngushëllohesha e merrja fuqi prej Tij.—Psalmi 94:17-19.
E arrita synimin
Gjatë periudhës më të vështirë që kam kaluar, kisha dy kriza në ditë. Pastaj situata ndryshoi. Një mjek më dha një kurë tjetër për epilepsinë, dhe ndihesha më mirë për periudha më të gjata. Kështu, më 1 shtator 1995 rifillova shërbimin si pioniere. Me shëndetin isha mirë dhe pas dy vjetësh pa pasur as edhe një krizë epileptike, bëra kërkesën për të shërbyer si pioniere speciale. Kjo do të thoshte që do të harxhoja më shumë kohë në shërbim dhe do të shërbeja kudo që të kishte nevojë për mua. Imagjinoni pak si u ndjeva kur mora emërimin! E arrita synimin që kisha vënë qysh fëmijë.
Më 1 prill 2001 nisa caktimin tim të ri në një fshat të vogël në vargmalet e thepisura të shtetit të Idalgos. Tani shërbej në një qytet të vogël në shtetin e Guanajuatos. Duhet të kem kujdes që të marr rregullisht ilaçet dhe të pushoj mjaftueshëm. Jam e kujdesshme me ushqimin, sidomos kur bëhet fjalë për yndyrnat, kafeinën dhe ushqimet e konservuara. Gjithashtu, përpiqem të shmang emocionet e forta, si për shembull zemërimin ose shqetësimin e tepërt. Kjo rutinë strikte më ka sjellë dobi. Gjatë shërbimit si pioniere speciale, më ka zënë vetëm një krizë.
Si beqare dhe pa përgjegjësi familjare, jam e kënaqur që vazhdoj të shërbej si pioniere speciale. Ngushëllohem kur mendoj se ‘Jehovai nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij’. Sa i dashur është ai, sepse nuk na kërkon atë që s’mund t’i japim dot! Kjo e vërtetë më ka ndihmuar të ekuilibroj mënyrën e të menduarit. Nëse shëndeti i dobët do të më detyrojë që ta ndërpres përsëri shërbimin e pionierit, e di se Jehovai prapëseprapë do të jetë i kënaqur me shërbimin tim me gjithë shpirt.—Hebrenjve 6:10; Kolosianëve 3:23.
Pa dyshim, marr forcë kur u flas të tjerëve çdo ditë për besimin tim. Gjithashtu, kjo më ndihmon të mbaj mendjen te bekimet që do të na japë Jehovai në të ardhmen. Bibla premton se në botën e re nuk do të ketë më sëmundje, ‘as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme [do të] kenë kaluar’.—Zbulesa 21:3, 4; Isaia 33:24; 2 Pjetrit 3:13.
[Figurat në faqen 26]
Gati 7 vjeçe (sipër); rreth 16 vjeçe, pas pak kohësh u pagëzova
[Figura në faqen 27]
Duke predikuar me një shoqe