BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/08 f. 19-21
  • A duhet të kallëzoj?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A duhet të kallëzoj?
  • Zgjohuni!—2008
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të tregosh a të mos tregosh?
  • «Një kohë për të folur»
  • Mos po bëhesh spiun?
  • Ç’duhet të bëj, nëse një shok gjendet në telashe?
    Zgjohuni!—1996
  • Perëndia të fton të bëhesh miku i tij
    Ti mund të jesh miku i Perëndisë!
  • Cilët janë miqtë e mi të vërtetë?
    Zgjohuni!—2011
  • Përse shoku im më lëndon?
    Zgjohuni!—2000
Shih më tepër
Zgjohuni!—2008
g 12/08 f. 19-21

Të rinjtë pyesin

A duhet të kallëzoj?

«Ishte tepër e vështirë. E kisha shumë shok.»—Xhejsoni.a

«Në fillim gjendja ishte shumë e tensionuar. Më trajtonin si të huaj ngaqë i kisha kallëzuar.»—Ana.

BIBLA thotë: «Ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.» (Proverbat 18:24) A ke gjetur një mik të tillë? Nëse po, ke gjetur diçka të çmuar.

Po sikur një shok që pohon se është i krishterë të jetë futur në telashe? Për shembull, sikur të ketë kryer imoralitet, të ketë pirë duhan, ta ketë tepruar me alkoolin, të ketë marrë drogë ose të ketë bërë diçka tjetër të rëndë? (1 Korintasve 6:9, 10; 1 Timoteut 1:9, 10) Çfarë duhet të bësh: të flasësh me shokun? T’u tregosh prindërve të tu? T’u tregosh prindërve të shokut? Të njoftosh një plak të kongregacionit?b Ç’do të ndodhë me miqësinë tuaj po të flasësh? Mos është më mirë ta kyçësh gojën?

Të tregosh a të mos tregosh?

S’ka njeri që nuk gabon. Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Mirëpo, disa kryejnë mëkate të rënda. Të tjerë hedhin një «hap të gabuar» që, po të mos ndreqet, do t’i zhytë më thellë në telashe. (Galatasve 6:1) Mendo pak për këtë ngjarje reale.

◼ Një vajzë e krishterë që quhet Suzana zbuloi se shoqja e saj, edhe ajo e krishterë, kishte krijuar një faqe Interneti me fotografi provokuese dhe me këngë që flitnin hapur për seksin.

Pyet veten: Çfarë do të bëja unë po të isha në vend të Suzanës? A do të bëja diçka? Apo do ta flija mendjen duke menduar se është puna e shoqes se çfarë vë në faqen e saj të Internetit e të tjerëve s’ka ç’u duhet? Sikur Suzana të vinte tek unë për ndonjë këshillë, çfarë do t’i thosha?

․․․․․

Ja si veproi Suzana: Pasi u mendua për situatën, Suzana vendosi të fliste me prindërit e shoqes. Ajo thotë: «Ishte e tmerrshme, se edhe ata i kam shumë miq. E kisha kaq të zorshme sa ia plasa të qarit.»

Si mendon? A veproi siç duhet Suzana? Apo do të ishte më mirë të kishte heshtur?

Ja disa pika që të ndihmojnë të arsyetosh:

Çfarë do të bënte një shok i vërtetë? Te Proverbat 17:17 thuhet: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» Kur dikush merr një rrugë që shkel parimet e Biblës, është «në ditë të vështira», e kupton apo s’e kupton ai këtë. Vërtet nga njëra anë nuk duhet të jesh «i drejtë së tepërmi» e ta frysh një gjë të vogël, por nga ana tjetër shoku i vërtetë nuk mbyll një sy para një sjelljeje të papranueshme për të krishterët. (Eklisiastiu 7:16) As duhet çuar nëpër mend që problemi të kalohet në heshtje.—Levitiku 5:1.

Po sikur të ishe në vend të tyre? Pyet veten: «Po të isha prind dhe djali a vajza ime të kishte një faqe Interneti provokuese nga ana seksuale, a nuk do të doja ta dija? Si do të ndihesha sikur fëmija im të kishte një shok a shoqe që e di ç’po ndodh por nuk e hap e gojën?»

Po normat e Perëndisë? Kodi që duhet ndjekur, nuk duhet të jetë kurrsesi kodi i heshtjes. Përkundrazi, duhet të ndjekësh kodin moral që ka vendosur Perëndia në Bibël. Po ta mbrosh atë që është e drejtë, do t’ia gëzosh zemrën Krijuesit tënd. (Proverbat 27:11) Veç kësaj ti vetë do të ndihesh më mirë ngaqë e di se ajo që bëre, ishte për të mirën e shokut.—Ezekieli 33:8.

«Një kohë për të folur»

Bibla thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Fëmijët shpesh nuk e dallojnë dot se ç’është më mirë të bëjnë në një situatë. Kur një shok bën diçka të gabuar, mendojnë: «Nuk dua t’i prish punë shokut» ose «nuk dua të prishem me shokun.» Sikur të ishin këto të vetmet gjëra me rëndësi, vendimi do të ishte i thjeshtë: është ‘koha për të heshtur’.

Megjithatë, ndërsa rritesh, fillon t’i shohësh gjërat më me pjekuri. E kupton që shoku tashmë i ka prishur punë vetes dhe ka nevojë për ndihmë. Këtë ndihmë mund ta gjejë falë teje. Por, ç’mund të bësh konkretisht nëse merr vesh se ka bërë diçka që shkel ligjet ose parimet e Biblës?

Para së gjithash sigurohu nëse ajo që ke dëgjuar është e vërtetë. Mbase janë thjesht llafe. (Proverbat 14:15) Keti, një adoleshente, kujton: «Një shoqja ime nisi të hapte gënjeshtra për mua dhe njerëzit i merrnin për të vërteta. Kisha frikë se askush nuk do të më besonte më kurrë.» Bibla paratha se Jezui nuk «do të qortojë vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh» ose siç thuhet te përkthimi Simon Filipaj «s’do të vendosë sipas thashethemeve». (Isaia 11:3) Ç’mëson nga kjo? Mos nxirr me vrap përfundimin se çdo gjë që dëgjon, është e vërtetë. Përpiqu të zbulosh faktet. Ja një ngjarje nga jeta.

◼ Xhejsoni, që u përmend në fillim, dëgjoi se shoku i tij kishte marrë drogë në një festë.

Pyet veten: Ç’do të bëja unë po të isha në vend të Xhejsonit? Si do të sigurohesha nëse është e vërtetë ajo që kam dëgjuar?

․․․․․

Ja si veproi Xhejsoni: Në fillim u hoq sikur as kishte dëgjuar, as dinte gjë. «Por pastaj më vriste ndërgjegjja,—thotë ai.—E dija se duhej të flisja me shokun.»

Si mendon? Ç’të mira ka po të flasësh në fillim me shokun a shoqen që, me sa ke dëgjuar, ka bërë diçka të papranueshme për të krishterët?

․․․․․

Po të kesh shumë siklet të flasësh me shokun a shoqen, çfarë mund të bësh tjetër?

․․․․․

Shoku i Xhejsonit e pranoi se kishte marrë drogë në një festë. Veçse pastaj iu lut Xhejsonit të mos i tregonte askujt. Xhejsoni donte të bënte atë që ishte e drejtë. Por donte që edhe shoku të bënte atë që ishte e drejtë. Prandaj i tha se do t’i linte një javë kohë që të fliste me pleqtë e kongregacionit. Po të mos fliste ai, do të bisedonte Xhejsoni me ta.

A mendon se ishte e drejtë ajo që bëri Xhejsoni? Pse po ose pse jo?

․․․․․

Shoku i Xhejsonit nuk shkoi te pleqtë, kështu që ata i njoftoi Xhejsoni. Mirëpo më vonë shoku i tij erdhi në vete. Pleqtë e ndihmuan të kuptonte se duhej të pendohej dhe të krijonte sërish një marrëdhënie të pastër me Jehovain.

Mos po bëhesh spiun?

Prapëseprapë, mund të pyesësh: «A nuk do të bëhem spiun po ta kallëzoj shokun? A nuk është më kollaj të bëj sikur s’di gjë?» Po të gjendesh në këtë situatë, çfarë mund të bësh?

Së pari mbaj parasysh se diçka që bëhet lehtë, nuk është gjithnjë e dashur dhe diçka që bëhet nga dashuria, nuk është gjithnjë e lehtë. Duhet guxim për të treguar se shoku ka bërë një gabim të rëndë. Pse të mos flasësh me Perëndinë në lutje për këtë gjë? Kërkoji mençurinë dhe guximin e nevojshëm. Ai do të të ndihmojë.—Filipianëve 4:6.

Së dyti mendo sa dobi do të ketë shoku po të tregosh. Për ta ilustruar, ta zëmë se ti dhe shoku yt po ecni përgjatë një shpati të rrëpirët. Befas ai hedh një hap të gabuar, pengohet, e rrëshqet poshtë në një të dalë shkëmbi. S’do mend që ka nevojë për ndihmë. Por, po sikur t’i vijë turp e të të thotë se e ka më mirë ta ngjitë vetë rrëpirën? A do ta lije të rrezikonte jetën?

Njësoj është kur një shok pengohet teksa ecën në rrugën e krishterë. Ai mendon se mund ta ndreqë marrëdhënien me Perëndinë pa e ndihmuar kush. Por ky është një arsyetim mendjelehtë. Vërtet, ndoshta atij i vjen turp për atë që ka ndodhur, por, nëse ti kërkon ndihmë, mund t’i shpëtosh jetën.—Jakovi 5:15.

Pra, mos ki frikë të tregosh nëse shoku ka bërë ndonjë gabim të rëndë. Siguroji ndihmë, e kështu do të tregohesh besnik ndaj Perëndisë Jehova dhe ndaj shokut tënd, i cili një ditë mund të të falënderojë që ndërhyre me dashuri.

[Shënimet]

a Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

b Pleqtë e kongregacionit ndihmojnë ata Dëshmitarë të Jehovait që kanë kryer një mëkat serioz ta ndreqin marrëdhënien me Perëndinë.—Jakovi 5:14-16.

PËR TË MENDUAR

◼ Pse kur tregon për sjelljen e gabuar të shokut provon se je besnik ndaj tij?

◼ A të kujtohen personazhe biblike të cilëve iu vu në provë besnikëria ndaj shokut? Çfarë mëson nga ata?

[Figura në faqen 20]

Nëse shoku rrëzohet ndërsa ecën në rrugën e krishterë, sigurohu që t’i jepet ndihmë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo