BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/11 f. 21-23
  • Migrena​—Si të gjeni lehtësim?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Migrena​—Si të gjeni lehtësim?
  • Zgjohuni!—2011
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si të lehtësoheni nga migrena?
  • Çfarë trajtimi ka për migrenën?
  • Përmbajtja
    Zgjohuni!—2011
  • Bastisen raftet me ilaçe
    Zgjohuni!—2009
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2003
  • Stresi: «Helmi i ngadalshëm»
    Zgjohuni!—1998
Zgjohuni!—2011
g 1/11 f. 21-23

Migrena​—Si të gjeni lehtësim?

Xhojsi, një punonjëse zyre plot gjallëri, po picërron sytë mbi dokumentin që ka në dorë. Papritur disa pjesë të tekstit i fshihen fare. Pastaj, disa xixa hedhin valle para syve të saj duke krijuar zigzage dhe figura gjeometrike të çuditshme. Brenda pak minutash, Xhojsi mezi sheh. Menjëherë e kupton se çfarë po i ndodh dhe pa vonuar kapërdin një ilaç të vogël që është enkas për raste të tilla urgjente.

XHOJSI vuan nga migrena, një sëmundje që ndryshon në shumë aspekte nga dhembjet e zakonshme të kokës. Për shembull, ajo nuk ndodh tek-tuk si dhembjet e kokës, por është kronike. Madje, dhembjet e saj janë aq të forta, sa e bëjnë njeriun të lërë çdo punë.

Cilat janë simptomat e migrenës? Dhembja të pulson në kokë dhe mund të të kapë vetëm njërën anë të saj. Të sëmurit i vjen një e përzier dhe nuk duron dot dritën e fortë. Kriza mund të zgjatë nga disa orë deri në disa ditë.

Megjithëse shumica e njerëzve mund të kenë herë pas here dhembje koke nga stresi, vetëm 1 në 10 veta vuan nga migrena. Më shumë prek gratë se burrat. Disa kanë dhembje më të forta se të tjerët, por shumica humbin disa ditë pune në vit. Migrena të pakëson të ardhurat dhe ndikon për keq te familja dhe jeta shoqërore. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit ndër 20 shkaqet kryesore që të kufizojnë fizikisht.

Pak para një krize migrene, disa kanë simptoma të tilla si, duar të ftohta, këputje, uri ose luhatje humori. Pastaj, në momentin që do t’u fillojë dhembja e kokës, ata kanë marrje mendsh, zhurmë në vesh, sëmbime, shikim të dyfishtë të objekteve, vështirësi me të folurin dhe dobësi muskulore.

Shkaqet e migrenës nuk dihen plotësisht, por mendohet se vjen nga çrregullimi i sistemit nervor që ndikon tek enët e gjakut në kokë. Dhembja me pulsim ndoshta shkaktohet kur gjaku kalon në enët e irrituara. Gazeta Emergency Medicine thotë: «Pacientët me migrenë trashëgojnë një sistem nervor tepër të ndjeshëm, që mund të ndikohet nga një sërë gjërash si, mungesa e gjumit, aromat e forta, udhëtimet, lënia pa ngrënë e vakteve, stresi dhe ndryshimi në nivelin e hormoneve.» Njerëzit me migrenë mund të jenë të prirur të vuajnë nga pezmatimi i zorrës së trashë, kriza ankthi dhe depresioni.

Si të lehtësoheni nga migrena?

Sistemin nervor që keni trashëguar, nuk mund ta ndryshoni. Por mund të parandaloni faktorët që shkaktojnë krizat e migrenës. Duke mbajtur ditar, disa kanë arritur të kuptojnë cilat ushqime ose rrethana u provokojnë kriza.

Kjo ndryshon nga njëri te tjetri. Lorena zbuloi se krizat e migrenës e kapnin çdo muaj kur i vinin menstruacionet. «Aty nga mesi i ciklit,—thotë ajo,—çfarëdo aktiviteti i sforcuar ose çfarëdo ngacmimi, si puna e rëndë, vapa ose të ftohtët, zhurmat e forta, madje edhe ushqimet pikante, më shkakton kriza migrene. Prandaj përpiqem të jem e qetë dhe e ekuilibruar gjatë kësaj periudhe.» Xhojsi, që ka vuajtur nga krizat e migrenës për më shumë se 60 vjet, thotë: «Kam kuptuar se portokallet, ananasi dhe vera e kuqe më provokojnë menjëherë kriza migrene, kështu që i shmang.»

Të gjesh shkaqet nuk është e lehtë, sepse dhembjet zakonisht mund të fillojnë edhe nga kombinimi i disa faktorëve. Për shembull, mund të hani ndonjëherë çokollatë dhe nuk ju bën keq, por në ndonjë rast tjetër ju shkakton dhembje migrene, ndoshta sepse është kombinuar me ndonjë faktor tjetër.

Edhe nëse nuk jeni në gjendje të zbuloni ose të shmangni shkaqet e migrenës, ka mënyra të tjera për të zvogëluar gjasat e një krize. Ekspertët këshillojnë mbajtjen e zakoneve të mira të gjumit shtatë ditë në javë. Nëse doni të flini më vonë në fundjavë, ata këshillojnë që të çoheni në të njëjtin orar si ditët e tjera, të bëni diçka për disa minuta dhe pastaj të ktheheni përsëri në shtrat. Ndryshimi në konsumimin e kafeinës mund të shkaktojë migrenë, prandaj përpiquni të mos pini më shumë se dy kafe ose dy kanaçe koka-kola në ditë. Uria mund të provokojë migrenën, kështu që mos lini pa ngrënë asnjë vakt. Stresi, që shpesh ndikon te migrena, nuk është kollaj për t’u shmangur, por mund të gjeni mënyra për t’u qetësuar, ndoshta duke rregulluar programin, duke lexuar Biblën ose duke dëgjuar muzikë të qetë.

Çfarë trajtimi ka për migrenën?

Ka një sërë mundësish për të trajtuar migrenën.a Për shembull, gjumi është një nga zgjidhjet më të mira. Qetësuesit pa recetë mund të sjellin goxha lehtësim që të arrini të flini.

Në vitin 1993, dolën triptanët, një kategori e re ilaçesh me recetë, që janë enkas për trajtimin e migrenës. Gazeta The Medical Journal of Australia i quajti «një hap të madh në terapinë mjekësore» dhe shtoi: «Zbulimi i triptanëve . . . ishte për migrenën dhe për disa dhembje të tjera koke siç ishte penicilina për infeksionet bakteriale.»

Migrena nuk përbën kërcënim për jetën. Prandaj ilaçet për trajtimin e saj nuk janë jetëshpëtuese siç ishin ilaçet për infeksionet. Por, triptanët u kanë sjellë lehtësim të jashtëzakonshëm disave që kanë vuajtur nga migrena për vite me radhë. Edhe pse disa i kanë quajtur triptanët mrekullibërës, prapëseprapë pacientët duhet të bëjnë ndryshime në aktivitetet që përmendëm gjatë artikullit.

Megjithatë, çdo ilaç ka të mirat dhe të këqijat e veta. Cilat janë të këqijat e triptanëve? Së pari, një tabletë triptani mund të kushtojë sa një drekë ose darkë në një restorant të bukur, kështu që në përgjithësi është për ata me dhembje mesatare e të forta. Gjithashtu, triptanët nuk bëjnë efekt te të gjithë dhe disa janë në një gjendje shëndetësore që nuk u këshillohet as ta provojnë. Edhe pse nuk njihet ndonjë shërim për gjendjen fizike që trashëgojnë ata me migrenë, gazeta Emergency Medicine përfundon: «Me daljen e ilaçeve të reja dhe më të mira për migrenën, nuk ka arsye që pacientët të vuajnë akoma.»

[Shënimi]

a Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë trajtimi. Çdokush duhet të shqyrtojë me kujdes mundësitë që ka, para se të marrë një vendim.

[Figura në faqen 23]

Duke mbajtur ditar, disa kanë arritur të kuptojnë cilat ushqime ose rrethana u provokojnë kriza

[Figura në faqen 23]

Dëgjimi i muzikës së qetë ndihmon në pakësimin e stresit, që shpesh ndikon te migrena

[Figura në faqen 23]

Migrena është një sëmundje e trashëgueshme dhe fizikisht kufizuese, që shpesh mjekët mund ta trajtojnë me efektshmëri

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo