Kapitulli 10
Dëshmi nga një planet unik
1, 2. Çfarë kanë thënë disa vëzhgues mbi planetin Tokë?
PLANETI ynë, Toka, është një mrekulli e vërtetë—një gur i çmuar, i shkëlqyer dhe i rrallë në hapësirë. Astronautët kanë thënë se e parë nga hapësira, toka me qiellin e saj blu dhe me retë e bardha «ishte objekti më tërheqës që mund të shihnin».1
2 Por toka nuk është vetëm e bukur. «Më e madhja prej të gjitha enigmave kozmologjike dhe shkencore, që u shpëton të gjitha përpjekjeve tona për ta kuptuar, është toka»,—ka shkruar Luis Tomas në revistën Discover. Dhe ka shtuar: «Vetëm tani po fillojmë të kuptojmë se sa e çuditshme dhe e shkëlqyeshme është, me një bukuri marramendëse, objekti më i bukur që lundron rreth diellit, e mbështjellë në atmosferën e saj si brenda një flluske të kaltër, e aftë që të prodhojë dhe të thithë oksigjenin e vet, të vendosë azotin e ajrit në dheun e vet, të lindë kohën e vet atmosferike.»2
3. Çfarë thotë një libër në lidhje me planetin tonë dhe përse?
3 Një fakt tjetër interesant është se ndër të gjitha planetet e sistemit diellor, toka është e vetmja mbi të cilën shkencëtarët kanë gjetur jetë. Dhe sa i mahnitshëm është bollëku i formave të jetës: mikroorganizma, insekte, pemë, peshq, zogj, kafshë dhe qenie njerëzore! Veç kësaj, toka ka në vetvete burime të stërmëdha dhe gjithçka të nevojshme për të mbajtur çdo formë jete. Për t’u shprehur me fjalët e librit Toka (The Earth), «toka është mrekullia e universit, një glob i jashtëzakonshëm».3
4. Si mund të ilustrohet karakteri i jashtëzakonshëm i tokës dhe në çfarë përfundimi duhet të mbërrijmë?
4 Për të ilustruar karakterin e jashtëzakonshëm të tokës, imagjino sikur ndodhesh në një shkretëtirë të thatë, pa asnjë lloj jete. Papritur, të del përpara një shtëpi mjaft e bukur, me ajër të kondicionuar, me ngrohje, me ujë të rrjedhshëm dhe elektricitet. Frigoriferi dhe bufeja janë plot me ushqime. Në bodrum gjenden lëndë djegëse dhe rezerva të tjera. Po të pyesje dikë se nga kishte dalë e gjithë kjo në një shkretëtirë të pabanuar, çfarë do të mendoje sikur ai të të përgjigjej se «gjithçka ishte shfaqur aty rastësisht»? A do t’i besoje? A nuk do të mendoje se patjetër duhet të ketë pasur një projektues dhe një ndërtues?
5. Cili shembull biblik vlen edhe për planetin Tokë?
5 Të gjitha planetet e tjera, mbi të cilat shkencëtarët kanë dërguar sonda, kanë dalë pa jetë. Ndërsa Toka vlon nga jeta, e cila mbështetet nga sisteme mjaft të ndërlikuara që sigurojnë dritë, ajër, ngrohtësi, ujë dhe ushqim, të gjitha në një ekuilibër të përsosur. Kjo të bën të mendosh se është ndërtuar veçanërisht për të mikpritur me rehati gjallesat, si një shtëpi e mrekullueshme. Dhe logjikisht, siç vëren një nga shkrimtarët e Biblës, «çdo shtëpi ndërtohet nga dikush. Por Ai që ndërtoi gjithçka, është Perëndia». Po, kjo «shtëpi» pafundësisht më e madhe dhe më habitëse—planeti Tokë—kërkon ekzistencën e një projektuesi dhe ndërtuesi jashtëzakonisht inteligjent: Perëndisë.—Hebrenjve 3:4, ECM.
6. Çfarë kanë thënë disa, duke pranuar se planeti Tokë zbulon një projekt inteligjent?
6 Sa më shumë që studiojnë planetin Tokë dhe format e tij të jetës, aq më shumë shkencëtarët e kuptojnë se është projektuar në mënyrë me të vërtetë madhështore. Një artikull i revistës Scientific American vëren me mrekulli: «Nëse i hedhim një shikim universit dhe identifikojmë ngjarjet e ndryshme fizike dhe astronomike që kanë vepruar së bashku në dobinë tonë, kemi pothuajse përshtypjen se universi, në ndonjë mënyrë, e dinte se ne po vinim në botë.»4 Edhe Science News pranon: «Siç duket, kushte të tilla kaq të veçanta e të sakta nuk mund të kenë lindur rastësisht.»5
Largësia e duhur nga Dielli
7. Në ç’mënyrë toka merr nga dielli pikërisht sasinë e duhur të energjisë në formën e dritës dhe ngrohtësisë?
7 Midis shumë kushteve të sakta të domosdoshme për jetën mbi tokë, është edhe sasia e dritës dhe e ngrohtësisë që ajo merr nga dielli. Toka merr vetëm një pjesë shumë të vogël të energjisë diellore. E megjithatë është tamam sasia e nevojshme që duhet për të mbështetur jetën. Dhe kjo sepse toka gjendet pikërisht në distancën e duhur nga dielli: mesatarisht, 149.600.000 kilometra. Nëse toka do të ishte shumë më afër ose shumë më larg nga dielli, temperatura do të ishte ose tepër e lartë, ose tepër e ulët për jetën.
8. Përse shpejtësia me të cilën toka lëviz në orbitë rreth diellit është kaq e rëndësishme?
8 Duke kaluar një vit për të përshkuar orbitën e saj përreth diellit, toka udhëton me një shpejtësi më të madhe se 107.000 kilometra në orë. Kjo është pikërisht shpejtësia e duhur për të kundërpeshuar tërheqjen gravitacionale të diellit dhe për të mbajtur tokën në distancën e duhur. Po të zvogëlohej shpejtësia, toka do të tërhiqej nga dielli. Me kalimin e kohës, toka do të mund të bëhej një shkretëtirë përvëluese si Mërkuri, planeti më i afërt i tokës. Temperatura ditore e Mërkurit i kalon 300 gradë centigradë. Përkundrazi, nëse shpejtësia orbitale e tokës do të rritej, planeti do të largohej nga dielli dhe mund të katandisej në një vend të shkretë prej akulli si Plutoni, orbita e të cilit arrin pikën më të largët nga dielli. Temperatura e Plutonit është më se 180 gradë nën zero.
9. Përse është e rëndësishme që toka të rrotullohet rreth boshtit të vet me një frekuencë të përcaktuar?
9 Veç kësaj, çdo 24 orë, toka kryen rregullisht një rrotullim të plotë rreth boshtit të saj. Kjo përcakton alternimin e periudhave të rregullta të dritës dhe errësirës. Por ç’mund të thoshim nëse, për shembull, toka do të rrotullohej rreth boshtit të saj vetëm një herë në vit? Gjatë gjithë vitit do t’i kthente diellit të njëjtën faqe. Sigurisht që kjo do të kthehej në një shkretëtirë djegëse, ndërsa faqja e fshehur nga dielli do të bëhej një hapësirë e shkretë me temperatura nën zero. Në kushte të tilla kaq ekstreme, pak forma jetësore do të mund të rezistonin, ose ndoshta asnjë.
10. Si ndikon prirja e tokës mbi klimën dhe prodhimet e saj?
10 Toka rrotullohet rreth boshtit të saj të prirur, me kënd rreth 23 gradë e gjysmë mbi planin e orbitës rreth diellit. Sikur toka të mos e kishte këtë prirje, nuk do të kishte alternim të stinëve. Klima do të ishte gjithnjë e njëjtë. Kjo nuk do ta bënte të pamundur jetën, por do të ishte më pak interesante dhe në shumë vende do të ndryshonte në mënyrë dramatike ciklet e tanishme bujqësore. Nëse prirja e tokës do të ishte shumë më e madhe, do të kishim vera mjaft të nxehta dhe dimra mjaft të ftohtë. Por, prirja prej 23 gradësh e gjysmë lejon alternimin e pëlqyeshëm të stinëve, me varietetet e tyre interesante. Në shumë pjesë të tokës kemi pranvera të freskëta, me bimë e pemë që zgjohen dhe me lule të bukura që lulëzojnë, vera të ngrohta që lejojnë çdo lloj aktiviteti në natyrë, periudha të freskëta vjeshtore, me spektaklin e tyre fantastik të gjetheve që ndryshojnë ngjyrën dhe dimra me panorama shumë të bukura malesh, pyjesh e fushash të mbuluara me borë.
Atmosfera jonë habitëse
11. Ç’gjë e bën kaq të jashtëzakonshme atmosferën e tokës?
11 Edhe atmosfera që qarkon tokën është e jashtëzakonshme, madje e vetme. Nuk gjendet në asnjë planet tjetër të sistemit tonë diellor. Mungon edhe mbi hënë; prandaj, për të qëndruar atje astronautëve u nevojitet një kostum i veçantë për në hapësirë. Por mbi tokë nuk na duhen këto kostume, sepse atmosfera jonë përmban në një proporcion të saktë gazet e domosdoshme për jetën. Disa prej këtyre gazeve, në vetvete janë vdekjeprurëse. Por, në proporcionin në të cilin janë kombinuar në ajër, ne mund t’i thithim ato pa rrezik.
12. (a) Përse mund të themi se oksigjeni ndodhet pikërisht në sasinë e duhur? (b) Çfarë roli të rëndësishëm ka azoti?
12 Një nga këto gaze është oksigjeni, që përbën 21 për qind të ajrit që thithim. Pa të, njerëz dhe kafshë do të vdisnin brenda pak minutash. Por edhe tepër oksigjen do ta vinte në rrezik jetën tonë. Përse? Sepse oksigjeni i pastër, nëse thithet për shumë kohë, bëhet toksik. Dhe pastaj, sa më shumë oksigjen të ketë, aq më lehtë shkaktohen djegiet. Sikur atmosfera të përmbante tepër oksigjen, materialet e djegshme do të mund të ndizeshin shumë shpejt. Zjarret do të shpërthenin me lehtësi dhe do të ishte shumë e vështirë për t’i shuar. Në mënyrë të mençur, është i holluar me gaze të tjera, veçanërisht me azot, i cili përbën 78 për qind të atmosferës. Por azoti është shumë më tepër se një hollues i thjeshtë. Çdo ditë, në të gjithë tokën, në kohë stuhish bien me miliona vetëtima. Këto shkarkime elektrike bëjnë të mundur që një pjesë e azotit të kombinohet me oksigjenin. Shiu i transporton këto përbërje mbi tokë, ku përdoren nga bimët si fertilizuese.
13. Çfarë roli luan sasia e duhur e dyoksidit të karbonit në ciklin e jetës?
13 Dyoksidi i karbonit përfaqëson më pak se një për qind të atmosferës. Për çfarë shërben një sasi kaq e vogël? Pa të, jeta bimore do të merrte fund. Kjo sasi e vogël është ajo që u shërben bimëve për të thithur, duke dhënë si shkëmbim oksigjen. Njerëz dhe kafshë thithin oksigjen dhe nxjerrin dyoksid karboni. Përqindje më të mëdha të dyoksidit të karbonit në atmosferë mund të bëheshin të dëmshme për njerëzit dhe kafshët. Një përqindje më e vogël nuk do të mund të mbështeste jetën bimore. Çfarë cikli i mrekullueshëm, i saktë dhe autonom është projektuar për jetën bimore, shtazore dhe njerëzore!
14, 15. Në ç’mënyrë atmosfera shërben si guaskë mbrojtëse?
14 Atmosfera nuk shërben vetëm për të mbështetur jetën. Shërben edhe si një guaskë mbrojtëse. Në një lartësi prej gati 25 kilometrash mbi sipërfaqen e tokës, gjendet një shtresë e hollë ozoni që filtron rrezatimet e rrezikshme të diellit. Pa këtë shtresë ozoni, këto rrezatime do të mund të shkatërronin jetën mbi tokë. Atmosfera e mbron tokën edhe nga bombardimi i meteorëve. Pjesa më e madhe e tyre nuk arrijnë kurrë mbi dhe, sepse duke u ndeshur me atmosferën digjen dhe na shfaqen si yje që bien. Sikur të mos ndodhte kështu, miliona meteorë do të goditnin çdo cep të tokës, duke shkaktuar dëme të rënda për jetën dhe sendet.
15 Përveçse shërben si guaskë mbrojtëse, atmosfera mban ngrohtësinë e tokës, duke mos lejuar që ajo të humbasë në ftohtësirat e hapësirës. Dhe tërheqja gravitacionale e tokës nuk i lejon edhe vetë atmosferës të ikë. Forca e gravitetit është e mjaftueshme për këtë qëllim, por jo aq e fortë sa të pengojë lirinë tonë të të lëvizurit.
16. Çfarë mund të thuhet për bukurinë e qiellit?
16 Atmosfera nuk është vetëm e domosdoshme për jetën, por qielli që ndryshon gjithnjë, është një nga gjërat më të bukura që mund të shihen. Madhështia dhe bukuria e tij sfidojnë imagjinatën. Mbi gjithë tokën qielli ofron spektaklet e tij të ndryshme, madhështore dhe piktoreske. Në lindje, shkëlqimet e arta lajmërojnë agimin, ndërsa në perëndim qielli i jep lamtumirën ditës me një shfaqje ngjyrash të ndryshme, rozë, portokalli, të kuqe dhe të purpurtë. Re të bardha si pambuk, lajmërojnë një ditë të bukur pranvere apo vere; një shtëllungë resh vjeshtore, që i ngjajnë leshit të një qengji, tregon se dimri po troket. Mbrëmjeve, qielli me yje është diçka e mrekullueshme dhe një natë me hënë ka një bukuri krejt të veçantë.
17. Çfarë është thënë për qiellin dhe kujt i shkon merita?
17 Çfarë mase e mrekullueshme, në të gjitha aspektet, është atmosfera tokësore! Duke komentuar në The New England Journal of Medicine, një shkrimtar tha: «Sido që ta marrësh, qielli është diçka madhështore. Funksionon dhe në zgjidhjen e detyrave për të cilat është projektuar është i pagabueshëm, si edhe çdo strukturë tjetër natyrore. Nuk besoj se dikush nga ne do të mendonte ta përmirësonte, duke përjashtuar ndoshta vetëm zhvendosjen e rastësishme të ndonjë reje, këtu apo atje.»6 Këto fjalë të sjellin ndër mend atë çka tha mijëra vjet më parë Jobi, duke u gjendur përballë me po këto gjëra, pra, se ato janë «mrekullitë e atij që i di të gjitha». Natyrisht e kishte fjalën për Atë «që ka krijuar qiejtë», për të Madhin që «i ka shpalosur».—Jobi 37:16; Isaia 42:5, Dio.
Uji: një substancë e jashtëzakonshme
18. Çfarë cilësish të jashtëzakonshme ka uji?
18 Toka përmban sasi të mëdha uji, cilësitë e të cilit janë thelbësore për jetën. Uji është më i bollshëm se çdo substancë tjetër. Midis cilësive të tij të shumta të dobishme është edhe fakti se ai paraqitet si gaz (avuj uji), si lëng (ujë) dhe i ngurtë (akull), dhe gjithçka brenda kufijve të temperaturës tokësore. Veç kësaj, mijëra substancat themelore për të cilat kanë nevojë njerëzit, kafshët dhe bimët duhet të transportohen në një lëng, si gjaku apo limfa. Nën këtë aspekt, uji është elementi më ideal, sepse është lëngu i pajisur me aftësinë më të madhe tretëse. Pa ujë të ushqyerit do të pushonte, pasi organizmat e gjallë varen nga uji që të mund të asimilojnë substancat e nevojshme ushqyese.
19. Çfarë aftësie të pazakontë ka uji kur ngrin dhe përse është kaq e rëndësishme kjo?
19 E jashtëzakonshme është gjithashtu edhe mënyra në të cilën ngrin uji. Me uljen e temperaturës, uji në liqene dhe në dete bëhet më i rëndë dhe shkon drejt fundit. Kjo e detyron ujin më të ngrohtë e më të lehtë, që të ngjitet në sipërfaqe. Por, kur uji i afrohet pikës së ngrirjes, procesi kthehet mbrapa! Uji i ftohtë bëhet sërish më i lehtë dhe ngjitet lart. Kur bëhet akull, pluskon. Akulli shërben si izolues dhe nuk i lejon të ngrijnë ujërat që rrinë poshtë, duke mbrojtur kështu jetën ujore. Pa këtë karakteristikë të jashtëzakonshme, çdo dimër, në fund do të grumbullohej një sasi gjithnjë e më e madhe akulli, të cilën rrezet e diellit nuk do të mund ta shkrinin verën e ardhshme. Në një kohë të shkurtër, pjesa më e madhe e ujërave të lumenjve, të liqeneve dhe madje edhe të oqeaneve do të kthehej në akull, duke u ngurtësuar. Toka do të kthehej në një planet të ngrirë dhe jo mikpritës për jetën.
20. Si formohet shiu dhe përse mund të themi se përmasat e pikave të shiut tregojnë një projekt të kujdesshëm?
20 E jashtëzakonshme është edhe mënyra në të cilën zona që janë larg lumenjve, liqeneve dhe deteve marrin ujin e nevojshëm për jetë. Çdo sekondë ngrohtësia e diellit transformon miliarda litra ujë në avull. Ky avull, që është më i lehtë se ajri, ngrihet dhe formon retë e qiellit. Era dhe rrymat e ajrit i shtyjnë këto re dhe në kushte të përshtatshme avulli i dendësuar bie poshtë në formë shiu. Por pikat e shiut nuk i kapërcejnë kufijtë e disa përmasave. Çfarë do të ndodhte në të kundërt, sikur pikat të arrinin përmasa gjigante? Kjo mund të ishte shkatërrimtare! Përkundrazi, pikat e shiut janë në përmasat e duhura dhe zbresin butë, duke dëmtuar rrallë vetëm ndonjë fije bari apo ndonjë lule nga më delikatet. Çfarë projekti mjeshtëror dhe i kujdesshëm del qartë në rastin e ujit!—Psalmi 104:1, 10-14; Eklisiastiu 1:7.
«Vendi prodhimtar»
21, 22. Cila mençuri mund të vërehet në përbërjen e «vendit prodhimtar»?
21 Një nga shkrimtarët biblikë e përshkruan Perëndinë si «Ai që vendos fortësisht vendin prodhimtar me anë të diturisë së tij». (Jeremia 10:12) Dhe ky «vend prodhimtar»—dheu i planetit Tokë—të habit me të vërtetë. Përbërja e tij nxjerr në pah mençurinë. Dheu është i pajisur me aftësi themelore për rritjen e bimëve. Bimët, në prani të dritës, kombinojnë substancat ushqyese dhe ujin që gjenden në terren me dyoksidin e karbonit që gjendet në ajër dhe prodhojnë ushqim.—Krahaso Ezekielin 34:26, 27.
22 Dheu përmban elementet kimike të nevojshme për mbështetjen e jetës njerëzore dhe shtazore. Por bimësia duhet që më parë t’i transformojë këto elemente në forma të asimilueshme nga organizmi. Në këtë aspekt bashkëpunojnë edhe organizma të vegjël të gjallë. Dhe vetëm në një lugë të vogël me dhe mund të gjenden miliona të tillë! Ekzistojnë lloje të panumërta dhe secili prej tyre punon për të shndërruar barëra dhe gjethe të vdekura, si dhe mbeturina të tjera në substanca të dobishme apo për të lëruar terrenin, që të mund të depërtojnë ajri dhe uji. Disa baktere e transformojnë azotin në përbërje të nevojshme për rritjen e bimëve. Terreni sipërfaqësor pasurohet nga puna e krimbave dhe e insekteve, të cilët, duke gërmuar galeri, sjellin vazhdimisht në sipërfaqe copëra të terrenit të poshtëm.
23. Çfarë aftësish përtëritëse ka dheu?
23 Është e vërtetë se abuzime dhe faktorë të tjerë i dëmtojnë disa terrene. Por nuk është e thënë që dëmtimi të jetë patjetër i pakthyeshëm. Toka ka aftësi të jashtëzakonshme riaftësimi. Kjo vërehet në vende të shkatërruara nga zjarret apo nga derdhjet vullkanike. Me kalimin e kohës, këto zona mbulohen përsëri nga një bimësi e dendur. Dhe nëse mbahet nën kontroll ndotja, terreni e merr veten edhe në ato pjesë që ishin kthyer në hapësira të shkreta. Ajo që ka më shumë rëndësi, si zgjidhje rrënjësore të problemit të masakrimit të dheut, Krijuesi i tokës ka si qëllim «t’i shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën» dhe ta ruajë atë sipas qëllimit të tij fillestar si banesë të përhershme të njerëzimit.—Zbulesa 11:18; Isaia 45:18.
Nuk ishte rastësi
24. Cilat pyetje mund të bëhen në lidhje me rastësinë?
24 Duke menduar mbi sa është thënë më lart, mund të pyesim: A është thjesht e rastësishme që toka gjendet pikërisht në largësinë e duhur nga dielli, burimi i saj i energjisë në formën e dritës dhe ngrohtësisë? A ishte thjesht e rastësishme që toka lëviz në orbitë rreth diellit pikërisht me shpejtësinë e duhur, që rrotullohet mbi boshtin e vet çdo 24 orë dhe në prirjen e duhur? A ishte rastësia ajo që i siguroi tokës një atmosferë mbrojtëse të aftë për të mbështetur jetën, një atmosferë që përbëhet pikërisht nga kombinimet e duhura të gazeve? Mos vallë ishte rasti ai që e pajisi tokën me ujin dhe dheun aq të nevojshëm për prodhimin e sub-stancave ushqyese? A mos ia dha rasti një bukuri të tillë qiellit, maleve, rrjedhave të ujit, liqeneve, luleve, bimëve, pemëve dhe shumë llojeve të tjera të mrekullueshme të jetës?
25. Në çfarë përfundimi kanë arritur shumë veta në lidhje me planetin tonë të jashtëzakonshëm?
25 Shumë veta kanë arritur në përfundimin që të gjitha këto gjëra zor se mund të jenë meritë e rastësisë. Shohin kudo vulën e padyshimtë të një projekti inteligjent, të qëllimshëm dhe të kujdesshëm. Duke ditur këtë, e kuptojnë se është e drejtë për ata që përfitojnë «t’i frikësohen Perëndisë dhe t’i japin atij lavdi», sepse ai është «Ai që bëri qiellin dhe tokën dhe detin dhe burimet e ujërave».—Zbulesa 14:7.
[Diçitura në faqen 129]
«Toka është mrekullia e universit, një glob i jashtëzakonshëm»
[Diçitura në faqen 135]
Pa oksigjen, njerëz dhe kafshë do të vdisnin brenda pak minutash
[Diçitura në faqen 137]
«Qielli është diçka madhështore»
[Diçitura në faqen 137]
Pa ujë, kafshët dhe bimët nuk do të mund të asimilonin substancat e nevojshme ushqyese
[Diçitura në faqen 141]
Toka mban vulën e padyshimtë të një projekti të qëllimshëm
[Figura që zë gjithë faqen 128]
[Figura në faqen 131]
Shpejtësia me të cilën toka lëviz në orbitë, e mban në largësinë e duhur nga dielli
[Figura në faqen 136]
Qielli natën mund të ketë një tërheqje krejt të veçantë
[Figura në faqen 138]
Duke u ftohur, uji shkon drejt fundit, por pak para se të ngrijë kthehet në sipërfaqe. Kjo nuk lejon që toka të kthehet në një planet të akullt
[Figura në faqen 139]
Drita e diellit, dyoksidi i karbonit i ajrit, uji dhe përbërjet kimike të dheut ndërthuren për mrekulli, duke prodhuar ushqim
[Figurat në faqen 140]
Toka ka aftësi të habitshme riaftësimi. Brenda një kohe të shkurtër bimësia rritet sërish
[Figura në faqen 141]
A ishte vallë rasti ai që siguroi kaq shumë gjëra të shijshme për kënaqësinë tonë?
[Diagrami dhe figura në faqen 130]
Pasi çdo shtëpi duhet të ketë një projektues dhe një ndërtues, ç’mund të themi për Tokën tonë shumë më të ndërlikuar dhe më të pajisur?
[Diagrami]
Tub kullimi
Ulluk
Tulla
Elemente mbulimi
Stuko e jashtme
Veshje druri
TK
Listelë
Baxhë
A, A-10
13, 1
12, 12
E, E, E, E
[Diagrami dhe figurat në faqet 132, 133]
Prirja e boshtit tokësor bën të mundur alternimin e pëlqyeshëm të stinëve
Vera
Vjeshta
Dimri
Pranvera
[Diagrami]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Një prirje prej 23° e gjysmë
[Diagrami dhe figura në faqen 134]
Disa gaze, në vetvete do të ishin vdekjeprurëse, por të përziera së bashku në atmosferë mbështetin jetën
Përbërja e atmosferës së tokës
78% azot
21% oksigjen
1% të gjitha gazet e tjera
[Diagrami]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Atmosfera e mbron tokën nga rrezatimet e dëmshme dhe nga meteorët